ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet një burrë për shitje të paautorizuar të armëve në Fushë-Kosovë

    Arrestohet një burrë për shitje të paautorizuar të armëve në Fushë-Kosovë

    Një burrë është arrestuar në Fushë Kosovë, nën dyshimin se ka shitur në mënyrë të paautorizuar armë apo mjete plasëse.

    Policia e Kosovës ka hapur rast ndaj të dyshuarit për veprën “Import, Eksport, Furnizim, Transportim, Prodhim, Këmbim, Ndërmjetësim ose Shitje e Paautorizuar e Armëve apo Mjeteve Plasëse”.

    “Lidhur me rastin, është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar. Është bërë kontrolli i shtëpisë së tij, mirëpo nuk është gjetur asgjë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • KDI paralajmëron pasoja të rënda: Pa formimin e institucioneve, rrezikohet buxhetin dhe humbjen e fondeve ndërkombëtare

    KDI paralajmëron pasoja të rënda: Pa formimin e institucioneve, rrezikohet buxhetin dhe humbjen e fondeve ndërkombëtare

    Mosformimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 po e çon vendin drejt një bllokade serioze financiare dhe politike.

    Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka paralajmëruar se nëse deri më 31 tetor nuk ka qeveri funksionale që e procedon buxhetin e vitit të ardhshëm në Kuvend, pasojat do të jenë të drejtpërdrejta për financat e brendshme dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.

    Jakaj për EO tha se qeveria e re ka obligim ligjor ta miratojë dhe procedojë buxhetin në Kuvend deri në fund të tetorit, duke përfshirë kërkesat e të gjitha komunave, agjencive dhe institucioneve kushtetuese.

    “Ne jemi në shtatorë, në fund të muajit tetor qeveria e Kosovës, një qeveri që formohet pas konstituimit të këtij Kuvendi duhet ta votoj buxhetin e Kosovës dhe ta procedoj deri në Kuvendin e Kosovës deri me 31 tetor të këtij viti, e ka obligim detyrim që me përcjell këtë buxhet, mi përfshirë kërkesat buxhetore të secilës komunë të secilës administratë buxhetore, të secilës agjenci të pavarur kushtetuese që themelohet me ligj. T’i përfshijë ato dhe në mënyrë që të filloj implementimi i këtyre projekteve me 1 janar. Në rast se nuk do të ketë qeveri, që themelohet nga ky Kuvend atëherë ne do të hyjmë në një situatë e cila nuk ka qenë e paraparë me ligj, sepse me ligj e paraparë është mënyra e funksionimit të rregullt të Kuvendit dhe të qeverisë dhe jo fiskulltuart politike të cilat po bëhen kryesisht nga partia e parë që ka dalur nga zgjedhjet e fundit”, tha ai.

    Ai paralajmëroi se pasojat e para do të ndihen në planin buxhetor dhe financiar, por me vonesë do të shfaqen edhe jashtë vendit.

    “Pasojat fillimisht do të jenë financiare, buxhetore të brendshme, në ndërkohë ato të jashtme ato që mund të bëhemi pjesë e përjashtimit të marrjes së fondeve nga plani i rritjes për shkak që ne nuk po mbërrijmë që ta konstituojmë një Kuvend, rrjedhimisht t’i miratojmë ato marrëveshje ndërkombëtare sepse edhe për miratimin e atyre marrëveshjeve ndërkombëtare duhet me pas qeveri, nuk mundet Kuvendi vetë të hyjë një obligimi sepse nuk mundet me pastaj t’i egzekutoj ato detyrime të cilat i merr përispër t’i kryej. Për këtë arsye duhet një qeveri një ministri e financave, që i negocion këto marrëveshje, i nënshkruan, i miraton në qeveri dhe i ratifikon në Kuvend dhe me pastaj nis egzekutimi i tyre”, theksoi Jakaj.

    Sipas tij, bllokada institucionale po ndikon drejtpërdrejt edhe në politikën e jashtme dhe procesin e dialogut me Serbinë.

    “Edhe pasojat e tjera dihet, ne aktualisht nuk kemi një ministri të punëve të jashtme që është në fuqi në kuptimin e autorizimeve të plota që mund të shkojë, të dialogoj me vendet e jashtme për të marr njohjen e plotë, ndërkohë edhe kemi ngecur me dialogun me Kosovë-Serbi, detyrimet për të cilat kjo qeveri ka marr përsipër t’i zbatoj edhe me marrëveshjen e Ohrit edhe anekset të cilat janë të bashkëngjitura kësaj marrëveshje”, tha ai.

  • 26 vjet nga themelimi i Policisë së Kosovës

    26 vjet nga themelimi i Policisë së Kosovës

    Policia e Kosovës sot mbush 26 vjet nga themelimi i saj.

    Më 6 shtator 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

    Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 shtator 1999.

    Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij shërbimi.

    Në kuadër të shënimit të 26-vjetorit mbahet ceremonia Qendrore në drejtoritë e përgjithshme të Policisë së Kosovës.

  • Abdixhiku për vendimin e Kushtetueses: Masë tjetër, bllokadë tjetër – padituria kushton

    Abdixhiku për vendimin e Kushtetueses: Masë tjetër, bllokadë tjetër – padituria kushton

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka aprovuar kërkesën e dorëzuar nga Lista Serbe për vendosjen e një mase të përkohshme lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.

    Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 30 shtator 2025.

    Abdixhiku parmes një postimi në Facebook, thotë se me një masë tjetër, bllokada po vazhdon, derisa shton se padituria kushton.

    Postimi i plotë i Lumir Abdixhikut:

    Masë tjetër, bllokadë tjetër. Padituria kushton.

    Ja ku na ka sjellë popullizmi.

    Një shtet i tërë i bllokuar, për një pozitë të parëndësishme partiake në Kuvendin e Kosovës.

    Edhe 30 ditë të tjera të humbura – minimalisht. Tridhjetë ditë të tjera pa institucione funksionale, pa ligje që bëhen, pa projekte që ecin. Si po humbka Serbia kështu? Ne të bllokuar për një nënkryetar të parëndësishëm, e ata humbës disi?!

    U thamë. Nuk dëgjuan.

    U treguam. Nuk panë.

    Kështu ndodhë kur shkatërruesit e shtetit, shkelësit e 48 herë Kushtetutës rresht, për synim nuk kanë atdheun, por kauzën elektorale për një votë a dy. Në mungesë të ideve, në mungesë të projekteve, në përballje me afera korruptive që bërtasin gjithandej hajni, vreri i tradhëtarëve e patriotëve në moçalin e madh të pështymave bëhet krejt i lehtë. Gojën plot Serbi – është lehtë. Punë për Kosovën është vështirë për ata që veç karrigën kanë synim.

    LDK është e saktë sepse e kupton shtetin. Që nga shkurti e deri më sot, çdo pozicion i ynë politik kishte kuptim shtetar e kushtetues. Përballja me popullizmin nuk është e lehtë, por mbetet e paalternativë. Besimi ynë në Republikë e demokraci do të na udhëheqë.

    Koha e shkatërruesve të shtetit duhet të mbarojë.

    Koha e shkatërruesve të shtetit po mbaron.

  • Raportohet për 19 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

    Raportohet për 19 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

    Agjencia për mbrojtje civile në Gazë raportoi se 19 persona janë vrarë më 5 shtator si pasojë e një sërë sulmesh ajrore izraelite në dhe përreth Qytetit të Gazës – vendbanim që ushtria izraelite dëshiron ta marrë nën kontroll të plotë.

    Zëdhënësi i kësaj agjencie, Mahmud Bassal, tha se sulmet goditën ndërtesa dhe tenda ku strehohen palestinezët e zhvendosur në disa lagje dhe në periferi të qytetit, ku Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se një milion persona po përballen me zi të bukës.

    Izraeli ka intensifikuar bombardimet ndaj Qytetit të Gazës që kur ka deklaruar se do të nisë një ofensivë për ta marrë nën kontroll të plotë, njofton rel.

    Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Nadav Shoshani, deklaroi një ditë më parë se nuk do të ketë njoftim për nisjen e ofensivës për shkak të “ruajtjes së elementit të befasisë”.

    Ndërkaq, një zëdhënës tjetër ka thënë se Izraeli veçse kontrollon 40 për qind të qytetit.

    Izraeli pret që ofensiva e re të detyrojë rreth një milion persona të zhvendosen drejt jugut të Rripit të Gazës.

    Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023 pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

    Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 64.000 palestinezë sipas shifrave të prezantuara nga Ministria e Shëndetësisë që udhëhiqet nga Hamasi – shifra që nga OKB-ja vlerësohen të besueshme.

  • Shën Nënë Tereza nderohet me meshë solemne në 9-vjetorin e saj të shenjtërimit

    Shën Nënë Tereza nderohet me meshë solemne në 9-vjetorin e saj të shenjtërimit

    Në 9-vjetorin e shenjtërimit të saj, Shën Nënë Tereza është nderuar me një meshë solemne në katedralen e Prishtinës që mban emrin e saj.

    Të pranishëm në këtë meshë ishin besimtarë të shumtë, Ipeshkvi Dodë Gjergji dhe i Dërguari i ri i Posaçëm i Atit të Shenjtë, Luigj Bardhi.

    Ipeshkvi Dodë Gjergji tha se misioni i delegatit të posaçëm të Atit të Shenjtë në Kosovë, Luigj Bardhi, nis me ndërmjetësimin e Nënë Terezës.

    Ai theksoi përkushtimin e Kishës për ta mbajtur gjallë trashëgiminë shpirtërore të saj.

    Ndërkohë, Bardhi përcolli bekimin e Papa Leonit XIV dhe vlerësoi praninë e hershme e të vazhdueshme të fesë së krishterë në Kosovë.

    Shën Nënë Tereza, e lindur më 1910 në Shkup, ishte humaniste dhe fituese e çmimit Nobel për Paqen.

    Ajo u shpall e bekuar nga Vatikani më 2003 dhe u shenjtërua në vitin 2016.

  • Dy kosovarë humbin jetën në bregdetin e Velipojës

    Dy kosovarë humbin jetën në bregdetin e Velipojës

    Policia e Shkodrës ka njoftuar për dy ngjarje të rënda të ndodhura ditën e djeshme në plazhin e Velipojës, ku dy shtetas kosovarë kanë humbur jetën në rrethana tragjike.

    Sipas njoftimit zyrtar, një 72-vjeçar nga Kosova, Z. J., është mbytur aksidentalisht teksa po lahej në det. Materialet për këtë rast janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme procedurale.

    Ndërkohë, një tjetër ngjarje ka ndodhur po dje, në të njëjtin plazh. Shtetasi kosovar Gj. K., 80 vjeç, ka ndërruar jetë pasi dyshohet se ka pësuar arrest kardiak sapo ka dalë nga deti.

    Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtyre ngjarjeve, ndërsa u bën thirrje pushuesve për kujdes të shtuar, veçanërisht në temperaturat e larta të ditëve të fundit. /Euronews.al/

  • Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme për Kuvendin, deri më 30 shtator

    Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme për Kuvendin, deri më 30 shtator

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka miratuar kërkesën e Listës Serbe, duke vendosur një masë të përkohshme që pezullon të gjitha procedurat për formimin e Qeverisë së re.

    Ky vendim hyn në fuqi nga dita e sotme dhe bllokon çdo veprim të mëtejmë institucional.

    Në aktgjykimin e saj, Gjykata urdhëron ndalimin e çdo veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, si dhe çdo procedure tjetër që lidhet me themelimin e ekzekutivit.

    Masa e pezullimit do të mbetet në fuqi deri më 30 shtator 2025.

    Kjo do të thotë se asnjë hap nuk mund të ndërmerret për caktimin e mandatarit apo votimin e kabinetit qeveritar deri në këtë datë, ose deri në një vendim tjetër të Gjykatës.

    Lajmi duke u përditësuar…

  • Detaje nga sulmi në Gjermani: Policia qëllon me armë 18-vjeçarin nga Kosova që dyshohet për therjen e mësueses

    Detaje nga sulmi në Gjermani: Policia qëllon me armë 18-vjeçarin nga Kosova që dyshohet për therjen e mësueses

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një shkollë profesionale në Esen, në perëndim të Gjermanisë, ku një mësuese është sulmuar me thikë nga një nxënës. Autoritetet lokale bëjnë të ditur se sulmuesi i dyshuar është nga Kosova.

    Mësuesja ka pësuar lëndime të rënda në stomak, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetë. Nuk ka persona të tjerë të plagosur në shkollë, dhe hetuesit besojnë se sulmuesi e kishte shënjestruar mësuesen qëllimisht.

    Sipas mediave gjermane, sulmuesi 18-vjeçar iku menjëherë pas incidentit, por më pas u lokalizua nga policia në një park. Teksa forcat e rendit iu afruan për ta arrestuar, ai vrapoi drejt tyre me thikë në duar, dhe policia e qëlloi me armë zjarri. I dyshuari po trajtohet aktualisht në spital pas plagëve të marra.

    Në shkollën profesionale në Esen u panë një numër i madh policësh, përfshirë edhe të njësive speciale. Një zëdhënës i qytetit bëri të ditur se shkolla ka rreth 1.780 nxënës.

    LEXONI EDHE:

    Theret me thikë një mësuese në Gjermani, Bild: Sulmuesi dyshohet se është një 18 vjeçar nga Kosova

  • Tajlanda zgjedh kryeministrin e tretë brenda dy viteve

    Tajlanda zgjedh kryeministrin e tretë brenda dy viteve

    Parlamenti i Tajlandës ka zgjedhur Anutin Charnvirakul si kryeministër të vendit – i treti brenda dy vjetësh, pasi një tjetër udhëheqës u shkarkua nga detyra.

    Ai  mposhti kandidatin e partisë historikisht dominuese të familjes Shinawatra, duke i dhënë fund një jave trazirash dhe bllokimi politik në vend.

    Anutin ka qenë një figurë kyçe në politikën tajlandeze gjatë viteve të fundit, duke pozicionuar partinë e tij, Bhumjaithai, në mënyrë strategjike midis elitave politike dhe duke marrë pjesë në qeveri koalicioni. Fitorja e Anutin përbën një goditje të rëndë për partinë në pushtet, Pheu Thai, dhe për familjen Shinawatra. Ish-kryeministri Thaksin Shinawatra, figura kyçe e kësaj partie, u largua nga Tajlanda drejt Dubait mbrëmjen e së enjtes (4 shtator), vetëm pesë ditë para një vendimi gjyqësor që mund ta gjejë atë përballë një dënimi të ri me burg.

    Dorëheqja e tij erdhi një javë pasi Gjykata Kushtetuese shkarkoi vajzën e tij, Paetongtarn Shinawatra, nga posti i saj si kryeministre. Gjykata e shpalli atë fajtore për shkelje të etikës për një telefonatë me kompromentim politik me Presidentin e Senatit të Kamboxhias, Hun Sen.

    Kriza politike u thellua në qershor, pasi Anutin tërhoqi partinë e tij nga koalicioni qeverisës, duke dobësuar shumicën parlamentare dhe duke shkaktuar protesta të shumta. Fitorja e Anutin u arrit pas një pakti me Partinë Popullore, e cila u tërhoq me premtimin për mbajtjen e një referendumi për ndryshimin e kushtetutës dhe organizimin e zgjedhjeve të reja brenda katër muajsh. Kjo lëvizje pritet të sjellë stabilitet politik dhe të shënojë një kapitull të ri në historinë politike të Tajlandës.