ATV

Category: Lajme

  • 37 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    37 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

    Sipas raportit, në këtë periudhë nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 15 aksidente me të lënduar dhe 22 të tjera me dëme materiale.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 1921 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 16 persona, prej të cilëve 9 ka dërguar në mbajtje.

  • Një i vdekur dhe tre të plagosur, në Shkodër, mes tyre një kameriere

    Një i vdekur dhe tre të plagosur, në Shkodër, mes tyre një kameriere

    Një atentat i rëndë me armë zjarri ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në qytetin e Shkodrës, ku si pasojë ka humbur jetën shtetasi Armando Pali dhe janë plagosur rëndë tre të tjerë.

    Sipas dëshmitarëve, katër persona po qëndronin në një lokal në qytet kur janë qëlluar me breshëri automatiku nga persona ende të paidentifikuar, transmeton klankosova.tv.

    Autori ka qenë me maskë në kokë dhe me veshje ngjyrë blu, derisa ka lëvizur në këmbë dhe pas atentatit është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet.

    Një prej të plagosurve është identifikuar si Erogen Vaso, vëllai i Denis Brajoviçit.

    Ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Euronews.al, thotë se tre të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit rajonal të Shkodrës, ndërsa trupi i viktimës ndodhet ende në ambientet e lokalit ku ndodhi ngjarja.

    Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të sulmit.

  • Haradinaj i reagon Kurtit pas sulmeve ndaj Kushtetueses: Kur “hajni bërtet kapeni hajnin”

    Haradinaj i reagon Kurtit pas sulmeve ndaj Kushtetueses: Kur “hajni bërtet kapeni hajnin”

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas deklaratave të deputetit të VV-së, Albin Kurti, ndaj Gjykatës Kushtetuese.

    Në një postim në Facebook, Haradinaj e ka cilësuar “të dhimbshme” faktin që Kurti, i cili synon të marrë sërish mandatin, sulmon institucionin më të lartë të drejtësisë në vend.

    “E dhimbshme kur kryeministri i deritashëm dhe ai që pretendon të jetë prapë kryeministër, nuk e njeh institucionin më të lartë të drejtësisë në vendin e vet dhe e sulmon aq egër e aq ulët. Ai nuk flet për shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës që i ka bërë ai e partia e tij, por zgjedh të mashtrojë sikur fajin e paskan gjyqtarët e Kushtetueses.” – deklaroi Haradinaj.

    Ai ka theksuar se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur nga Kuvendi legjitim i Kosovës dhe jo nga “formacionet imagjinare” të Kurtit, duke shtuar se bllokimi i institucioneve dhe i vetë shtetit mban vetëm një emër: Albin Kurti.

    “Kjo ma kujton atë shprehjen popullore kur “hajni bërtet kapeni hajnin”! Ata gjyqtarë i ka zgjedhur Kuvendi legjitim i Republikës së Kosovës e jo formacionet imagjinare të tij!

    E vërteta për bllokimin, jo vetëm të Parlamentit por edhe të Shtetit, e ka vetëm një emër e ky është Albin Kurti dhe kjo sot është e qartë për secilin, veç në mendjen e Albin Kurtit është e mjegullt!

    Prandaj institucioni më i lartë i drejtësisë në vend, e ka kohën e fundit që në intepretimet e tij për shkelje të Kushtetutës, të mos mjaftohet vetëm me konstatimin e tyre, por t’i saktësojë edhe pasojat ligjore juridike, për secilin individ apo grup që i bën ato!

    Vetëm drejtësia e plotë është drejtësi!” – shkroi ai më tej.

  • Albin Kurti propozohet për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje

    Albin Kurti propozohet për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje

    Glauk Konjufca e ka propozuar Albin Kurtin për mandatar për kryeministër.

    “E kur jemi te qeveria jonë e ardhshme, më lejoni që ta propozoj për kryeminsitër para këtij Këshilli të Përgjithshëm kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti”, tha ai.

    Ai tha se Kurti do të bëhet për herë të tretë kryeministër “sepse do ta kemi Qeverinë Kurti 3”.

    Kurti s’ka marrë asnjë votë kundër nga Këshilli i Përgjithshëm, kësisoj ai është kandidati i VV’së për kryeministër të Qeverisë së re.

    Konjufca: Kushtetuesja do t’i hapë rrugë Kuvendit ose do të shkojmë në zgjedhje – skenari i tretë do të ishte tradhti

     

  • Konjufca: Kushtetuesja do t’i hapë rrugë Kuvendit ose do të shkojmë në zgjedhje – skenari i tretë do të ishte tradhti

    Konjufca: Kushtetuesja do t’i hapë rrugë Kuvendit ose do të shkojmë në zgjedhje – skenari i tretë do të ishte tradhti

    Glauk Konjufca, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se sivjet kanë parë përpjekjen më të rrezikshme për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor.

    Ai ka thënë se partitë politike të cilat e kanë shpallur veten kundërshtare të Lëvizjes Vetëvendosje, qysh prej certifikimit të zgjedhjeve janë munduar të thonë se vetëm një votë më pak se 50 për qind, dhe shteti mbetet pa Kuvend.

    “Çështja e themelimit të Kuvendit është akt i rendit të vullnetit të popullit si rezultat zgjedhor. Të jesh kundër themelimit të vendit, është sikur të jesh kundër vetvetes. Në fund mund të thuhet se kriza zgjati se partitë vendosen që VV-ja të mos ketë kryetare Albulena Haxhiun, kurse kjo krizë po zgjatë ende sepse ato po mendojnë që nuk ka republikë pa një nënkryetar serb”, ka thënë ai.

    Konjufca ka thënë se krizat politike nuk vijnë nga qielli dhe as nuk rrinë pezull.

    Sipas tij, edhe Gjykata Kushtetuese i kontribuoi krizës.

    “Qasja e saj ishte më shumë politike se kushtetuese. Kushtetuesja është para një vendimi të madh. Gjykata nuk ka çfarë të interpretojë më tej Kushtetutës. Ose do të hapet rruga që Kuvendi do të vazhdojë ose do të vazhdojmë në zgjedhje të reja. Skenari i tretë është më i keqi i mundshëm. Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, një skenar që ja jep Listës Serbe dhe Beogradit, të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jetë peng i Listës Serbe. Ne e kemi Kuvendin dhe do ta kemi qeverinë”, ka thënë ai.

  • Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut, shkëndija e shpresës dhe qëndresës

    Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut, shkëndija e shpresës dhe qëndresës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot 35-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, duke e cilësuar atë si një akt guximi, besimi dhe themel i shtetësisë së Kosovës.

    Në një komunikatë për media, Osmani theksoi se Kushtetuta e Kaçanikut, e miratuar më 7 shtator 1990, shënon një nga momentet më të rëndësishme në historinë e re të vendit.

    “Më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës i dhanë jetë Kushtetutës së Kaçanikut, aktit më të lartë të guximit politik dhe besimit në lirinë dhe pavarësinë tonë. Kjo Kushtetutë ishte shkëndija që mbajti gjallë shpresën dhe qëndresën, si dhe themeli mbi të cilin u ngrit Republika e Kosovës”, ka thënë ajo.Presidentja shtoi se ky akt nuk ishte vetëm një dokument juridik, por një premtim për lirinë e vendit:“Ishte betim që Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur në mesin e kombeve të tjera të lira. Sot, përulemi me nderim para atyre që guxuan atëherë kur duhej të rrezikonin gjithçka dhe me krenari vazhdojmë rrugën që ata trasuan”.

  • Protesta para shtëpisë së Netanyahut në Izrael: Ky makth duhet të marrë fund

    Protesta para shtëpisë së Netanyahut në Izrael: Ky makth duhet të marrë fund

    Protestuesit izraelitë marshuan drejt shtëpisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Kudsin e pushtuar për të kërkuar një marrëveshje shkëmbimi të të burgosurve me Hamasin, ndërsa mijëra të tjerë u mblodhën në Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv.

    Protestat vijnë disa orë pasi familjet e robërve izraelitë në Rripin e Gazës i dërguan një mesazh Shefit të Shtabit Eyal Zamir, duke paralajmëruar se plani për të pushtuar Qytetin e Gazës “nuk do t’i kthejë pengjet, por do t’i vrasë ata”.

    “Netanyahu duhet t’i japë fund këtij makthi dhe t’i kthejë të gjithë pengjet në shtëpi”, u citua të ketë thënë Vicky Cohen, nëna e të burgosurit Nimrod Cohen.

    Protestuesit mbanin pankarta që kërkonin një marrëveshje, duke theksuar kërkesat për të ndaluar luftën në Gaza dhe kthimin e robërve.

    Ndërkohë, gazeta Yedioth Ahronoth raportoi se mijëra njerëz u mblodhën në Sheshin e të Burgosurve në Tel Aviv.

    Ajo tha se rreth 1.000 izraelitë demonstruan gjithashtu në kryqëzimin Karkur në Haifa, duke kërkuar një marrëveshje shkëmbimi të të burgosurve.

    Ndryshe, rreth 250 robër u morën në Gaza pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

    Tel Avivi vlerëson se gati 50 pengje izraelite po mbahen në Gaza, përfshirë 20 që janë gjallë. /AA/

  • Pritet konfirmimi i Kurtit si mandatar i Qeverisë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së

    Pritet konfirmimi i Kurtit si mandatar i Qeverisë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së

    Sot nga ora 11:00 është paralajmëruar se do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i VV-së.

    Kjo është paralajmëruar nga Kurti të enjten, i cili pritet të konfirmohet si mandatar për themelimin e qeverisë së re.

    Se mbledhja do të mbahet sot e ka konfirmuar edhe deputeti i kësaj partie, Arbër Rexhaj.

    Ka kohë që kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e ka mbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit pa zgjedhjen e nënkryetarit serb.

    Së fundi Gjykata Kushtetuese ka vendosur që deri me datën 30 shtator të mos veprohet asgjë në drejtim të krijimit të institucioneve të reja, meqë mund të shkaktohen dëme të pariparueshme.

  • 35 vjet nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut

    35 vjet nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut

    Sot, më 7 shtator 2025, shënohen 35 vjet nga shpallja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e njohur ndryshe si “Kushtetuta e Kaçanikut” – një ndër aktet më të rëndësishme në historinë politike të Kosovës.

    Kushtetuta u shpall më 7 shtator 1990 në qytetin e Kaçanikut, në një mbledhje të fshehtë të Kuvendit të Kosovës, në rrethana të jashtëzakonshme dhe nën presionin e madh të forcave policore dhe ushtarake të regjimit serb. Në atë kohë, institucionet e Kosovës ishin nën spastrim të dhunshëm, me largimin e punëtorëve shqiptarë dhe zëvendësimin e tyre me kuadro të vendosura nga Beogradi.

    Dy muaj më parë, më 2 korrik 1990, të njëjtët delegatë kishin miratuar Deklaratën Kushtetuese – e njohur edhe si “Deklarata e Pavarësisë” – me të cilën u hodh hapi i parë drejt sovranitetit të Kosovës. Me shpalljen e Kushtetutës në Kaçanik, Kuvendi i Kosovës formalisht e shpalli Kosovën si Republikë, me aktin më të lartë juridik që afirmonte vullnetin e popullit për shtetësi.

    Vendimi për shpalljen e Kushtetutës në Kaçanik nuk ishte rastësor. Qyteti ndodhej afër kufirit me Maqedoninë e atëhershme dhe ofronte mundësi më të larta sigurie për zhvillimin e këtij akti historik, në një kohë kur shumë prej deputetëve shqiptarë ishin tashmë të kërkuar nga autoritetet serbe.

    7 Shtatori konsiderohet si një nga datat më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës, që simbolizon rezistencën institucionale dhe aspiratën e qytetarëve për shtet të pavarur dhe demokratik.

  • Të shtëna armësh në Llapashticë të Podujevës, një i vdekur

    Të shtëna armësh në Llapashticë të Podujevës, një i vdekur

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sonte në fshatin Llapashticë të Podujevës, ku është raportuar për të shtëna me armë zjarri.

    Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar për RTKlive se viktima, një mashkull, është gjetur pa shenja jete dhe vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.

    “Sot rreth orës 19:30, kemi marrë informatën për të shtëna me armë në fshatin Llapashticë të Podujevës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore, ku kanë hasë në një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës mashkull e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht, hetuesit policorë, në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisur hetim për ndriçimin, sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë rast”, tha ajo.