ATV

Category: Lajme

  • Limaj kërkon shkarkimin e Bashes nga posti i kryetarit të Kuvendit

    Limaj kërkon shkarkimin e Bashes nga posti i kryetarit të Kuvendit

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Basha nuk duhet të mbajë më post publik, pasi ka fyer historinë e Kosovës.

    Ai theksoi se kushdo që kandidon për poste shtetërore duhet të ketë një të kaluar të pastër dhe të mos ketë sulmuar vlerat kombëtare.

    “Ti nuk mundesh me qenë kryetar Kuvendi, i cili ka pasë punim shkencor që ka fyer, shtrembëruar, etiketuar dhe akuzuar historinë e kombit të vet dhe gjithë qytetarët e Kosovës. Nuk kam pa fyerje më të madhe”, tha Limaj.

    Sipas tij, Basha ka ofenduar edhe diasporën shqiptare, duke e lidhur padrejtësisht me rrjete kriminale dhe trafik droge.

    “Procesi i lirisë së Kosovës është financuar përmes djersës së qindra-mijëra burrave e grave në diasporë. Ata kanë mbajtur gjallë arsimin, shëndetësinë dhe jetën paralele në vitet ’90. Shkru me një punim shkencor që kjo është financuar nga bandat dhe kartelat e drogës është fyerja më e rëndë që i bëhet diasporës sonë”, u shpreh Limaj.

    Deklaratën e plotë të Fatmir Limajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • KFOR-i vendos shenja të reja sinjalizuese përgjatë kufijve të Kosovës

    KFOR-i vendos shenja të reja sinjalizuese përgjatë kufijve të Kosovës

    Ushtarët e KFOR-it po vazhdojnë të instalojnë shenja të reja përgjatë kufijve të Kosovës.

    Sipas njoftimit të misionit të NATO-s në Kosovë, shenjat e tilla paralajmëruese, të vendosura në zonat malore dhe të pyllëzuara, shënojnë qartë zonën e operacioneve të KFOR-it dhe ndihmojnë në uljen e rrezikut të kalimeve aksidentale.

    “KFOR-i do të vazhdojë përpjekjet e tilla për promovimin e një ambienti të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, përfshirë përmes patrullimeve të rregullta në veri të Kosovës dhe pranë Vijës së Kufirit Administrativ”, thuhet tutje në njoftim.

  • Rrëzohet një lis në rrugën “Xhemajl Prishtina” në Prishtinë, s’ka lënduar

    Rrëzohet një lis në rrugën “Xhemajl Prishtina” në Prishtinë, s’ka lënduar

    Një lis është rrëzuar sot në rrugën “Xhemajl Prishtina” në kryeqytet dhe për pasojë janë shkaktuar dëme materiale si rënia e shtyllës së energjisë elektrike dhe dëmtimi i një veture.

    “Si pasojë e motit qe ka mbizotëruar sot në mëngjes, një dru i vjetër që gjendet afër RTK-së është rrëzuar. Nuk kemi të lënduar. Janë disa dëme materiale.”,tha Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës.

    Fushtica ka thënë se vetura e dëmtuar është Taxi.

    Rastin e ka konfirmuar edhe Enis Pllana, zëdhënës i Policisë së Kryeqytetit, i cili bëri të ditur se nuk raportohet për të lënduar.

    “Rreth orës 13:30 kemi pranuar informatën se një lis është rrëzuar në rrugën Xhemajl Prishtina. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes kurse nuk raportohet për të lënduar.”, tha ai.

  • Bislimi dhe Petkoviq në Bruksel, s’dihen temat e diskutimit

    Bislimi dhe Petkoviq në Bruksel, s’dihen temat e diskutimit

    Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, gjendet në Bruksel, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Qeveria në detyrë e Kosovës.

    “Mbi detajet, formatet, takimet dhe temat e diskutimit, do të informoheni në përfundim të tyre”, tha Klisman Kadiu, shef i kabinetit të Bislimit.

    Serbia, ndërkaq, raportohet se në Bruksel ka dërguar kryenegociatorin e saj, Petar Petkoviq.

    Bislimi dhe Petkoviq, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Peter Sorensen, po zhvillojnë takim të përbashkët, pasi paraprakisht kryenegociatorët kanë zhvilluar takime të ndara me ndërmjetësin evropian, raportoi agjencia serbe e lajmeve, Tanjug.

    Rundi i ri i dialogut në nivel të kryenegociatorëve vjen pasi ndërmjetësi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, qëndroi në Kosovë dhe Serbi në muajin gusht.

  • Lëvizje e papritur: Rama kërkon dorëheqjen e Veliajt nga posti i kryetarit

    Lëvizje e papritur: Rama kërkon dorëheqjen e Veliajt nga posti i kryetarit

    Sot kryeministri Edi Rama ka kërkuar që kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj të largohet nga detyra, të shkarkohet dhe kryeqyteti të shkojë në zgjedhje.

    Kjo për faktin se, pas 7 muajsh siç tha Rama, “Tirana nuk ka asnjë kryetar bashkie në krye të detyrës. Tirana ka punë të mëdha dhe të panumërta përditë e përnatë. Nuk i heq asnjë meritë kryetares, sot duhet të marrim vendim politik për t’u hapur rrugë zgjedhjeve për kryetar bashkie në Tiranë”.

    Në fakt CNA ka mësuar nga burime zyrtare se kryeministri ka kërkuar që Erion Veliaj të japë dorëheqjen.

    Të njëjtat burime theksuan se kjo ka ndodhur dhe kohë më parë por kryebashkiaku ka refuzuar ta bëjë këtë fakt. Edi Rama është parë vërtetë në siklet kur është pyetur në emisionin e gazetarit Blendi Fevziu në datë 4 shtator se a do të kishte zgjedhje në Tiranë, ai tha se nuk e dinte, se ishte duke u konsultuar por kurrë nuk tha me vendosmëri që jo, në Tiranë nuk ka zgjedhje.

    Më pas dolën zërat se, disa njerëz afër kryeministrit kërkonin që Erion Veliaj të rrinte në detyrë dhe që Rama të ndërhynte te drejtësia dhe që ai të dilte nga arresti me burg. Një nga personat që e ka bërë hapur është dhe Mero Baze kjo është dhe arsyeja e thyerjes së tij me kryeministrin Rama. Baze ka dalë hapur duke kërkuar që Veliaj të lihet në detyrë dhe të vazhdojë punën.

    Aq hapur sa ka marrë në mbrojtje dhe zyrtarë të PD në luftën e tij të hapur kundër SPAK pa folur më tej për mashtrimet e përditshme që stis shkruan apo shpall në faqen e tij.

    Sot në një reagim pa autor tek portali i Mero Bazes shkohej deri në kërcënime për Ramën me përballje në gjykatën kushtetuese dhe theksohej se as kryeministri nuk ka të drejtë ta shkarkojë Veliajn.

    Kryeministri Edi Rama nga ana e tij duket që vërtetë ka qenë i distancuar nga veprimet e drejtësisë dhe sot ka treguar vetëm sikletin që ka pasur. Pasi Erion Veliaj ka refuzuar të japë dorëheqjen ai ka parë arsyet ligjore se si duhet të veprojë dhe i ka kërkuar Këshillit Bashkiak që të procedojë me shkarkimin e Erion Veliajt dhe të ecet më tej me kandidaturën e Ogerta Manastirliut për të zhvilluar zgjedhjet në Tiranë, në të njëjtën kohë me shumë nga bashkitë e tjera të cilave iu shtua Vlora pas dorëheqjes së djeshme të Ermal Dredhës, Tepelena, Mati dhe Berati pasi Ervin Demo u zgjodh deputet u bë dhe ministër ndërsa sot iu shtua dhe Cerriku, kryebashkiaku i të cilit sot mori postin e Ministrit të Bujqësisë./ CNA

  • Hoxha takon zyrtarin e FBI-së: Bashkëpunimi ka dhënë rezultate të prekshme në fushën e sigurisë

    Hoxha takon zyrtarin e FBI-së: Bashkëpunimi ka dhënë rezultate të prekshme në fushën e sigurisë

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, sot ka pritur në takim atasheun e ri ligjor të FBI-së, Brendan Collins, i cili mbulon Kosovën.

    Përmes një njoftimi u bë e ditur edhe temat për të cilat u diskutua.

    Me këtë rast, Hoxha tha se bashkëpunimi ka qenë gjithmonë i shkëlqyer.

    “Gjatë takimit u diskutua për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe FBI-së. Drejtori i Përgjithshëm deklaroi se ky bashkëpunim ka qenë gjithmonë i shkëlqyer dhe ka prodhuar rezultate të prekshme në fushën e sigurisë. Ai shprehu gatishmërinë e tij për të forcuar më tej këtë partneritet në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

    Theks i veçantë thuhet se iu vu bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera me interes të përbashkët.

    Ndërkaq në këtë vizitë, Collins thuhet se ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të FBI-së nga Sofja dhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë./ATVLIVE/

  • Kosova merr kontrollin e objektit në Graçanicë ku vepronte Posta e Serbisë

    Kosova merr kontrollin e objektit në Graçanicë ku vepronte Posta e Serbisë

    Posta e Kosovës ka marrë kontrollin e një objekti në Graçanicë, në afërsi të Prishtinës, ku deri më 15 janar të këtij viti ndodhej Posta e Serbisë.

    Ajo u mbyll në kuadër të një aksioni të gjerë për shuarjen e institucioneve në jug të Ibrit, që funksiononin sipas sistemit të Serbisë.

    Kosova i konsideron institucionet serbe paralele dhe ilegale, ndërsa mbyllja e tyre nisi në fillim të vitit 2024, pavarësisht kritikave të komunitetit ndërkombëtar se së pari duhej gjetur një zgjidhje alternative për ofrimin e shërbimeve për qytetarët, të cilët kryesisht janë nga komuniteti serb.

    Serbët e Kosovës marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, disa prej të cilave u janë paguar pikërisht në sportelet e Postës së Serbisë, si shtesat për fëmijë apo për nënat, pensionet, ndihmat sociale e të tjera.

    Aktualisht nuk dihet nëse Posta e Kosovës do të hapë një filial të ri në objektin e marrë, apo do ta përdorë atë për qëllime të tjera.

    Institucionet e Kosovës ende nuk janë deklaruar për aksionin e sotëm.

    Drejtori i Postës së Serbisë për Kosovë, Ivan Millojeviq, i cili ishte i pranishëm sot gjatë marrjes së objektit nga Posta e Kosovës dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), u tha gazetarëve se në mes të korrikut u ndryshua pronari në kadastrin e Kosovës, dhe e cilësoi këtë si “uzurpim”, pasi “kemi dëshmi se këtë postë e kemi ndërtuar vetë në vitin 2004”.

    “Aty ekzistonte një postë e vogël, e vjetër, prej rreth tridhjetë metrash katrorë, ndërsa ajo që shihni sot, ishte qendra e Postës së Serbisë në Kosovë”, tha Millojeviq, duke e cilësuar atë si “të marrë në mënyrë të paligjshme”.

    “Mesazhi im është se do të luftojmë me të gjitha mjetet ligjore për ta dëshmuar këtë në gjykatë. Por, e dini si është kur kadia edhe të padit, edhe të gjykon”, shtoi ai.

    Radio Evropa e Lirë i është drejtuar MINT-it me kërkesë për t’i komentuar deklaratat e Millojeviqit, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.

    Përveç Postës së Serbisë, gjatë dy viteve të fundit janë mbyllur edhe Banka Kursimore Postare, Banka Kombëtare e Serbisë, drejtoritë e Fondit të Pensioneve dhe Sigurimeve Invalidore, qendrat për punë sociale, ndërmarrjet publike komunale, organet e përkohshme komunale dhe shumë të tjera.

  • PDK thotë se prin në Vushtrri: Ferit Idrizi me 46.1% në matjet e fundit

    PDK thotë se prin në Vushtrri: Ferit Idrizi me 46.1% në matjet e fundit

    Anëtari i Kryesisë së PDK-së në Vushtrri, Lorik Maxhuni, ka bërë të ditur se Partia Demokratike e Kosovës ka kryer matje të reja për zgjedhjet lokale, ku kandidati i tyre Ferit Idrizi prin bindshëm ndaj rivalëve politikë.

    “Po, Partia Demokratike e Kosovës në Vushtrri vazhdimisht kryen sondazhe, dhe rezultatet janë të qarta, ne jemi subjekti që prin në preferencat e qytetarëve. Ky është një lajm që na jep energji dhe motivim, por nuk jemi dhe shumë të kënaqur andaj po punojmë pa ndërprerje, sepse synimi ynë është i qartë: të fitojmë zgjedhjet në raundin e parë, pa nevojën për balotazh. Jemi shumë afër realizimit të këtij objektivi historik për Vushtrrinë tonë të dashur,” ka deklaruar Maxhuni.

    Sipas tij, rezultatet e matjes tregojnë se Ferit Idrizi i PDK-së prin me 46.1%, duke lënë pas Sylejman Mehollin e LVV-së me 25.6% dhe Xhafer Tahirin e LDK-së me 18.3%.

    Duke folur për arsyet e kësaj epërsie, Maxhuni tha se mbështetja për Idrizin ka ardhur si rezultat i punës së përditshme dhe përkushtimit të tij ndaj qytetarëve.

    “Është puna e palodhur dhe përkushtim ndaj qytetarëve. Ferit Idrizi ka treguar se është një lider që mban fjalën e dhënë dhe që punon çdo ditë për përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e Vushtrrisë. Projekte konkrete, rezultate të prekshme dhe një komunikim i hapur me qytetarët – këto janë arsyet kryesore që mbështetja për Feritin po rritet çdo ditë,” u shpreh ai.

    Maxhuni theksoi se kandidati i PDK-së gëzon mbështetje të gjerë në gjithë komunën.

    “Ferit Idrizi është kandidati me mbështetjen më të madhe në çdo lagje të qytetit, dhe prin bindshëm në të gjitha fshatrat e Komunës sonë. Mbështetja për të është e fuqishme dhe e qëndrueshme. Kjo është një dëshmi e qartë se qytetarët besojnë tek vizioni dhe përkushtimi i tij. Përkundër sfidave që kemi pasur me buxhetin në vitet e fundit, ne po i lëmë pas të gjitha subjektet e tjera politike dhe jemi përpara në çdo drejtim. Ferit Idrizi është zëri i vërtetë i Vushtrrisë dhe zgjidhja që e duam për një të ardhme më të mirë,” ka përfunduar Maxhuni.

  • Rama prezanton kabinetin qeverisës, emra të rinj në krye të disa ministrive

    Rama prezanton kabinetin qeverisës, emra të rinj në krye të disa ministrive

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka mbledhur sot Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për të shpallur qeverinë e re.

    Në ambientet e Pallatit të Kongreseve, Rama prezantoi përbërjen e qeverisë së re.

    Belinda Balluku është emëruar Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ajo do të mbajë edhe postin e zëvendëskryeministres.

    Niko Peleshi propozohet për kryetar të ri Kuvendit të Shqipërisë
    Ministria e Punëve të Brendshme do të udhëhiqet nga Albana Koçiu.

    Ministria për Evropën dhe Punë të Jashtme do të udhëhiqet nga Enisa Spiropali.

    Petrit Malaj do ta udhëheqë Ministrinë e Financave. Blendi Gonxhja do të jetë në krye të Ministrisë së Turizmit.

    Sofjan Jaupaj do ta drejtojë Ministrinë e Mjedisit.

    Mirela Kumbaro ka marrë nën drejtim Ministrinë e Arsimit.

    Ministrinë e Shëndetësisë do ta drejtojë Evis Sala

    Delina Ibrahimi do të jetë Ministre e Ekonomisë.

    Ministër i Drejtësisë është emëruar Besfort Lamallari.

    Pirro Vengu do të vazhdojë të jetë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.

    Ministrinë e Bujqësisë do ta udhëheqë Andris Salla.

    Ervin Demo do të jetë Ministër për Pushtetin Vendor.

    Ministër për Marrëdhënie me Parlamentin do të jetë Toni Gogu.

  • Snapchat akuzohet se po lejon tregtarët e drogës të operojnë hapur në platformë

    Snapchat akuzohet se po lejon tregtarët e drogës të operojnë hapur në platformë

    Organizata kërkimore daneze “Digital Responsibility” ka ngritur akuza serioze ndaj Snapchatit, duke thënë se platforma sociale po u mundëson një “numër shumë të madh” tregtarësh droge të veprojnë hapur, duke e bërë kështu më të lehtë edhe për fëmijët blerjen e substancave të rrezikshme si kokaina dhe opioidët.

    Sipas hulumtimit të kësaj organizate, e cila promovon zhvillimin e përgjegjshëm digjital, është gjetur dëshmi se Snapchati nuk moderon gjuhën e lidhur me drogën në emrat e përdoruesve dhe nuk reagon mjaftueshëm ndaj raportimeve për profile që shesin drogë hapur, raporton The Guardian.

    Studiuesit përdorën profile të simuluara të 13-vjeçarëve dhe identifikuan dhjetëra tregtarë droge në Snapchat, të cilët operonin nën emra përdoruesish me fjalë kyçe si “coke”, “weed” dhe “moli”.

    “Si fëmijë apo i ri, nuk ke pse t’i kërkosh vetë këto profile, Snapchat mund t’i rekomandojë direkt për ty. Kjo është shumë problematike”, ka thënë drejtori ekzekutiv i “Digitalt Ansvar”, Ask Hesby Holm.

    Sipas të dhënave, kur u raportuan 40 prej këtyre profileve, Snapchat largoi vetëm 10, ndërsa kërkesa për 30 të tjera u refuzua.

    Hulumtimi zbuloi gjithashtu se, pavarësisht kritikave të mëhershme, sistemet e rekomandimeve të Snapchatit shpërndanin e promovonin profilet e tregtarëve të drogës edhe te përdoruesit që më herët nuk kishin treguar interes apo ndërvepruar me ta – përfshirë fëmijët.

    Nga ana tjetër, një zëdhënës i Snapchatit ka thënë se kompania “ka tolerancë zero për shitjen e drogës në platformë” dhe se, edhe pse jo të gjitha llogaritë e përmendura në studim ishin raportuar përmes aplikacionit, mbi 75 për qind e tyre ishin mbyllur tashmë nga ekipet e Snapchatit para publikimit të raportit, ndërsa të gjitha llogaritë u “çaktivizuan” pas publikimit të tij.