ATV

Category: Lajme

  • Pezullimi i dialogut strategjik nga ShBA, Behrami: Ditë zie për Kosovën

    Pezullimi i dialogut strategjik nga ShBA, Behrami: Ditë zie për Kosovën

    “Ditë zie për Kosovën!” – kështu e përshkroi deputeti i PDK-së, Artan Behrami, vendimin e rëndë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën.

    Reagimi i tij vjen pasi Kosova sot mori një goditje nga aleati i saj kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për pezullimin për një kohë të pacaktuar të Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.

    LEXONI EDHE:

    PDK: Pezullimi i dialogut strategjik nga ShBA, dëmi më i madh politik dhe diplomatik për Kosovën në 25 vjet

     

  • PDK: Pezullimi i dialogut strategjik nga ShBA, dëmi më i madh politik dhe diplomatik për Kosovën në 25 vjet

    PDK: Pezullimi i dialogut strategjik nga ShBA, dëmi më i madh politik dhe diplomatik për Kosovën në 25 vjet

    Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e saj, ndërsa kanë diskutuar vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën.

    PDK në një deklaratë për mediat thekson se ky zhvillim i rëndë është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të pamatura dhe të papërgjegjshme të Qeverisë në largim dhe Kryeministrit në largim, Albin Kurti.

    “Sjellja e tij ka cenuar besimin dhe partneritetin me aleatin tonë më të madh dhe më të rëndësishëm strategjik, ShBA-në, vendin që ka qenë dhe mbetet mbështetësi më i madh i lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Ky është dëmi më i madh politik, diplomatik dhe strategjik që i është shkaktuar Republikës së Kosovës në 25 vitet e lirisë së saj, duke cenuar drejtpërdrejt raportet me aleatin tonë kryesor dhe duke e vënë në pikëpyetje besueshmërinë ndërkombëtare të shtetit tonë”, thuhet në deklaratë.

    PDK tutje thekson se për më shumë se dy dekada, marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në kanë qenë të pakontestueshme, të bazuara mbi vlera të përbashkëta të lirisë, paqes dhe demokracisë.

    “Sot, për shkak të një qeverisjeje që ka zgjedhur konfliktin mbi bashkëpunimin dhe populizmin mbi përgjegjësinë, këto raporte po vendosen në rrezik. Partia Demokratike e Kosovës rithekson se marrëdhënia me ShBA-të është interes jetik dhe kombëtar i Kosovës, i pakrahasueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Ne mbetemi të përkushtuar për ta ruajtur, forcuar dhe zgjeruar këtë partneritet në çdo rrethanë.

    Qytetarët e Kosovës e dinë se aty ku ka qenë PDK në qeverisje, marrëdhëniet me ShBA kanë qenë gjithmonë të konsoliduara dhe në rritje. Prandaj, ky dëm që i është shkaktuar Kosovës nga Qeveria në largim duhet të shërbejë si thirrje alarmi për të gjithë: partneriteti me Shtetet e Bashkuara nuk është një çështje e zakonshme politike, por themeli i sigurisë, zhvillimit dhe të ardhmes sonë”, thuhet tutje.

    Në reagim, PDK thekson se do të vazhdojë të angazhohet që ky partneritet të mbetet i pathyeshëm dhe gjithmonë në funksion të interesave të popullit të Kosovës.

    “Kosova është e popullit të saj, i cili ka ndërtuar lirinë e vet me mbështetjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përtej gabimeve të një qeverie të përkohshme, besimi i qytetarëve të Kosovës në miqësinë dhe partneritetin me ShBA-të ka qenë dhe do të mbetet i pathyeshëm, sepse kjo lidhje është më e fortë se çdo interes i përkohshëm politik dhe është rrënjosur thellë në historinë dhe të ardhmen tonë të përbashkët.

    Pas sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe tani vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik, është bërë krejtësisht e qartë se vendi po rrëshqet në një drejtim të rrezikshëm për shkak të një qeverie të papërgjegjshme. Kjo është koha e fundit që të gjitha forcat politike properëndimore, me vetëdije shtetformuese, të bashkohen dhe t’i japin Kosovës një qeveri të përgjegjshme, e cila e rikthen vendin në rrugëtimin e sigurt të integrimit euroatlantik – aspiratë e përhershme e popullit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e PDK-së.

  • Reagon Qeveria: I mirëpresim kritikat, dhe kur ato janë konkrete, angazhohemi maksimalisht për t’i përmirësuar dhe korrigjuar veprimet tona

    Reagon Qeveria: I mirëpresim kritikat, dhe kur ato janë konkrete, angazhohemi maksimalisht për t’i përmirësuar dhe korrigjuar veprimet tona

    Përparim Kryeziu, zëdhënësi i Qeverisë Kurti në detyrë ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar dialogun strategjik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në një postim në Facebook, Kryeziu ka theksuar se marrëdhëniet me SHBA-në mbeten të qëndrueshme dhe se Kosova është partneri më serioz i saj për stabilitet dhe paqe në rajon.

    Ndër tjera, ai ka thënë se qeveria ka përmbushur mandatin e plotë për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, duke kontribuar në stabilitet institucional dhe zhvillim socio-ekonomik, përkundër sfidave globale si pandemia, kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë.

    Ai shtoi se veprimet e ekzekutivit kanë qenë gjithmonë të ligjshme dhe kushtetuese, duke synuar eliminimin e vatrave të destabilitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit, veçanërisht në veri.

    Zëdhënësi kritikoi gjithashtu vonesat e Gjykatës Kushtetuese, që sipas tij, kanë bllokuar reformat e nevojshme, duke theksuar nevojën për përshpejtimin e vendimeve ligjore.

    Në fund, Qeveria e Kosovës në dorëheqje shprehu mirënjohjen për mbështetjen e SHBA dhe konfirmoi angazhimin e vazhdueshëm për stabilitetin dhe paqen në rajon.

    POSTIMI I PLOTË:

    LEXONI EDHE:

    SHBA-ja pezullon dialogun strategjik me Kosovën

  • Nesër hapet fushata zgjedhore, OSBE u bën thirrje partive politike në Kosovë që t’u shmangen retorikave që nxisin armiqësi

    Nesër hapet fushata zgjedhore, OSBE u bën thirrje partive politike në Kosovë që t’u shmangen retorikave që nxisin armiqësi

    Misioni i OSBE-së në Kosovë ka bërë thirrje tek partitë politike, mediat dhe institucionet publike, përfshirë organet e zbatimit të ligjit dhe autoritetet gjyqësore, që të sigurojnë një mjedis fushate të respektueshëm, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me ligjin.

    Përmes një komunikate për media, OSBE u ka bërë thirrje subjekteve politike që t’u shmangen retorikave që mund të nxisin armiqësi, diskriminim apo dhunë, duke zhvilluar fushatat e tyre në mënyrë përgjegjëse dhe gjithëpërfshirëse.

    Misioni i OSBE-së në Kosovë, përmes këtij apeli, po ashtu ka theksuar rolin kyç të mediave që kanë në raportimin faktik gjatë cikleve zgjedhore duke u bërë thirrje institucioneve mediale që të respektojnë standardet më të larta etike dhe të zbatojnë kodet përkatëse të sjelljes.

    “Kjo qasje do të ishte në përputhje me normat e vendosura demokratike dhe do të përforconte domosdoshmërinë e ofrimit të informacionit të paanshëm, të saktë dhe të balancuar, duke u mundësuar të gjithë njerëzve në Kosovë të bëjnë zgjedhje qytetare të informuara dhe të përgjegjshme”- thuhet në komunikatën e lëshuar sot.

  • SHBA-ja pezullon dialogun strategjik me Kosovën

    SHBA-ja pezullon dialogun strategjik me Kosovën

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën. Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate nga Ambasada amerikane në Prishtinë, e cila thekson se vendimi vjen si pasojë e veprimeve të Qeverisë në detyrë.

    Në deklaratë thuhet se veprimet dhe deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë rritur tensionet dhe kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite. Sipas ambasadës amerikane, kjo e ka vështirësuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta mes dy vendeve.

    Dialogu strategjik ishte planifikuar për të forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike mes dy shteteve. Ambasada thekson se SHBA-ja shpreson ta rikthejë këtë proces në të ardhmen, kur të krijohen kushtet e përshtatshme për bashkëpunim konstruktiv.

  • Edi Rama pranon dekretin për qeverinë e re

    Edi Rama pranon dekretin për qeverinë e re

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dorëzuar dekretin për mandatimin e Edi Ramës si kryeministër për formimin e qeverisë së re.

    Mandatimi pritet të formalizohet gjatë ditës së sotme në mesditë. Pas kësaj, kabineti qeveritar me 16 emra do t’i paraqitet Kuvendit për votim.

    Më pas, Rama do t’i drejtohet sërish presidentit për dekretimin e ministrave, ndërsa në fund të gjithë deputetët do të betohen para presidentit Begaj.

  • James Rubin thotë se do të jetë dëshmitar në mbrojtjen e Thaçit

    James Rubin thotë se do të jetë dëshmitar në mbrojtjen e Thaçit

    James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, tha se javën e ardhshme do të dëshmojë para Dhomave të Specializuara në Hagë.

    Më 15 shtator, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të nisë mbrojtjen e saj.

    “Do të jem në Evropë sepse javën e ardhshme do të jap dëshmi në Tribunalin special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që i ndihmoi [ish-kryediplomates së ndjerë amerikane] Madeleine Albrightit në themelimin e Tribunalit fillestar për krime lufte. Kjo nënkupton se do të kthehem përsëri në fillim dhe kam më shumë për të thënë për këtë javën e ardhshme”, tha Rubin për Christiane Amanpour, transmeton REL.

    Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti i Kosovës, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata mohojnë akuzat.

    Më 15 shtator ekipi mbrojtës i Thaçit do të nisë paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve. Pasi të ketë përfunduar ekipi i Thaçit, rastin do ta paraqesë edhe ekipi i Krasniqit.

    Më 16 korrik 2025, ekipet mbrojtëse të Veselit dhe Selimit njoftuan se nuk synojnë të paraqesin ndonjë dëshmi mbrojtëse.

    Mbrojtja e Thaçit ka paralajmëruar se në mesin e dëshmitarëve që do të thërrasë ka edhe figura nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania.

    Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi synon të thërras 11-12 dëshmitarë, duke synuar që ata të japin dëshmi në seanca të hapura. Ndërkaq, mbrojtja e Krasniqit ka thënë se dy dëshmitarë do të japin dëshminë në gjykatore, ndërkaq dy të tjerë do të japin dëshminë me shkrim dhe kjo dëshmi veçse u është dorëzuar prokurorëve.

    Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara parasheh që deri më 14 nëntor ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të përmbyllë rastin e mbrojtjes të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit. Ky panel po ashtu pret që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të jetë e përgatitur që të paraqesë shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.

    Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

    ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

    Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

    Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

    Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

    Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

    ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

    Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

    Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

    Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

    Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

  • Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot për dronët në Poloni

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot për dronët në Poloni

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të premten për të diskutuar incidentin me dronë që hynë në hapësirën ajrore të Polonisë – një zhvillim që presidenti polak Karol Nawrocki e përshkroi si një përpjekje nga Rusia për të “testuar aftësinë tonë për t’u përgjigjur” dhe reagimin e NATO-s.

    Polonia njoftoi se ka rrëzuar dronë që sipas saj kanë hyrë nga lindja, duke shkelur hapësirën ajrore të vendit. Në përgjigje, vendi ndaloi fluturimet me dronë dhe kufizoi trafikun ajror të vogël përgjatë kufirit me Bjellorusinë dhe Ukrainën, raporton Reuters.

    Ky është rasti i parë i njohur publikisht ku një anëtar i NATO-s ka qëlluar një objekt gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë. Gjermania deklaroi të enjten se do të forcojë praninë e saj në kufirin lindor të aleancës, si përgjigje ndaj inkursioneve.

    Nga ana tjetër, Rusia ka mohuar çdo qëllim për të goditur objektiva në Poloni dhe ka refuzuar të komentojë më tej incidentin.

    Një komandant i lartë i NATO-s është shprehur se ende nuk është e qartë nëse inkursionet ishin të qëllimshme.

    Incidenti ka rritur tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë, duke nxitur thirrje për sanksione të reja ndaj Moskës dhe duke vënë në pikëpyetje angazhimin e saj në procesin e paqes në Ukrainë.

    Sipas Ministrit polak të Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, deri më tani janë rikuperuar mbetjet e 16 dronëve, ndërsa mbështetja logjistike e Polonisë për Ukrainën mund të ketë qenë ndër motivet e inkursioneve.

    Në operacionin për rrëzimin e dronëve janë përfshirë avionë F-16 polakë, F-35 holandezë, AWACS italianë dhe aeroplanë furnizimi të NATO-s.

  • Aksident tragjik në Bolonjë, një 18-vjeçar shqiptar humb jetën

    Aksident tragjik në Bolonjë, një 18-vjeçar shqiptar humb jetën

    Një aksident i rëndë rrugor në periferi të Bolonjës la pas një viktimë dhe një të lënduar shqiptar. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes në Via Murri, ku një 18-vjeçar shqiptar humbi jetën, ndërsa një tjetër 19-vjeçar u plagos dhe po trajtohet në spital me dëmtime të moderuara.

    Sipas policisë, dy të rinjtë, banorë të qendrave për të mitur të huaj të pashoqëruar, u vunë re në një semafor në Via Tolmino dhe tentuan të iknin nga kontrolli.

    Makina e tyre tip Audi kaloi nëpër disa rrugë kryesore para se të humbiste kontrollin në një kthesë në Via dei Lamponi, duke u përplasur me një shtyllë ndriçimi dhe tabelë rrugore, raporton euronews.al.

    Pasagjeri 18-vjeçar u hodh nga makina dhe ndërroi jetë në vend, ndërsa shoferi u dërgua në spital me lëndime mesatare. Hetimet vijojnë nga autoritetet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

  • Tusk: Sulmet me dronë ndaj Polonisë nuk ishin aksidentale

    Tusk: Sulmet me dronë ndaj Polonisë nuk ishin aksidentale

    Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi të premten se sulmet me dronë në hapësirën ajrore të Polonisë këtë javë nuk ishin aksidentale, duke kundërshtuar sugjerimet e presidentit amerikan Donald Trump që mund të kishin qenë gabim.

    “Ne gjithashtu do të dëshironim që sulmi me dronë ndaj Polonisë të ishte një gabim. Por nuk ishte. Dhe ne e dimë këtë,” tha Tusk në një deklaratë në X.

    Ngjarja ndodhi të mërkurën në mëngjes, kur Polonia rrëzoi dronë në hapësirën e saj ajrore me mbështetjen e avionëve ushtarakë nga aleatët e NATO-s, duke shënuar herën e parë që një anëtar i kësaj aleance ka qëlluar gjatë luftës në Ukrainë.

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot për dronët në Poloni