ATV

Category: Lajme

  • Policia apel për kujdes në trafik pas reshjeve në Kosovë

    Policia apel për kujdes në trafik pas reshjeve në Kosovë

    Mëngjesi i sotëm nisi me reshje të mëdha të shiut në disa zona të Kosovës.

    Policia e Kosovës ka apeluar tek shoferët dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik që të kenë kujdes të shtuar gjatë ngasjes së veturës për sigurinë e tyre dhe të të tjerëve.

    Në njoftimin e saj, Policia thekson: “Të vozitni me kujdes në kushte të shiut për sigurinë tuaj dhe të të tjerëve në rrugë. 🌧️ NGASJE E SIGURT NË SHI!”

    Për të shmangur aksidentet, Policia ka dhënë këshillat kryesore:

    Mbaj dritat të ndezura – dritat rrisin dukshmërinë për ju dhe për të tjerët.

    Zvogëloni shpejtësinë – rruga e lagur kërkon frenim më të gjatë, udhëtoni me kujdes.

    Shmangni shpërqendrimet – mos përdorni telefonin, qëndroni të përqendruar te rruga.

    Krijoni distancë pasuese mes mjeteve – mos qëndroni shumë afër makinës para jush, parandaloni aksidentet.

    “Mos lejoni që reshjet t’ju ndalin nga kujdesi! Siguria është në duart tuaja.”, thuhet tutje.

  • Konsumatorët pa mbrojtje efektive, raporti i ZKA-së gjen dobësi të theksuara në sistemin për mbrojtjen e konsumatorëve

    Konsumatorët pa mbrojtje efektive, raporti i ZKA-së gjen dobësi të theksuara në sistemin për mbrojtjen e konsumatorëve

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se konsumatorët në Kosovë nuk gëzojnë mbrojtje reale dhe efektive. Kjo gjetje vjen nga raporti performancës, i cili ka analizuar sistemin për mbrojtjen e konsumatorëve për periudhën 2022-2024.

    Sipas raportit, sistemi është i pakoordinuar dhe ka dobësi në trajtimin e ankesave, të cilat nuk monitorohen sistematikisht. Auditori gjeti se inspektimet bëhen kryesisht pas ankesave dhe jo bazuar në analiza rreziku, ndërsa fushatat për ndërgjegjësimin e publikut janë të kufizuara.

    Për të adresuar mangësitë që prekin të drejtat e qytetarëve, Zyra Kombëtare e Auditimit ka lëshuar 13 rekomandime për institucionet përgjegjëse.

  • Strategjitë kryesore, si të parandalohet rivaliteti midis fëmijëve

    Strategjitë kryesore, si të parandalohet rivaliteti midis fëmijëve

    Rivaliteti midis vëllezërve dhe motrave është një dukuri e zakonshme në familjet me shumë fëmijë. Ndërsa fëmijët rriten, ata shpesh konkurrojnë me njëri-tjetrin për vëmendjen prindërore dhe një ndjenjë drejtësie.

    Nëse një fëmijë ndihet i lënë pas dore ose nuk trajtohet në mënyrë të barabartë, kjo mund të çojë në konflikt dhe xhelozi në marrëdhënien me njërin prej tyre.

    Përpara ardhjes së një fëmije më të vogël, fëmija më i madh ishte qendra e vëmendjes prindërore. Nevojat e tij plotësoheshin shpejt dhe ai nuk kishte nevojë të ndante lodrat me askënd. Megjithatë, me ardhjen e një vëllai ose motre, situata ndryshon – prindërit tani duhet ta shpërndajnë vëmendjen e tyre midis të dy fëmijëve, gjë që mund të shkaktojë ndjenja xhelozie tek fëmija më i madh.

    Ndërsa fëmijët rriten, rivaliteti manifestohet përmes konkurrencës për lodra dhe aktivitete, si dhe rezistencës së fëmijëve më të vegjël ndaj të moshuarve që u imponojnë rregulla.

    Ja si të reagoni

    Njohja e hershme e konfliktit të mundshëm mund të parandalojë përshkallëzimin dhe mbajtja e qetësisë së prindërve i mëson fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë.

    Çdo fëmijë ka nevoja të ndryshme. Në vend të shpërblimeve ose ndëshkimeve identike, ofroni një qasje dhe vëmendje individuale që i përshtatet.

    Fëmijët shpesh i përjetojnë frustrimet e tyre pa aftësinë verbale për t’i shprehur ato. Është e rëndësishme të ndiejmë ndjenjat e tyre dhe t’i dëgjojmë, kjo ndihmon me qetësinë emocionale.

    Ndonjëherë është më mirë të injoroni mosmarrëveshjet fillestare, në këtë mënyrë nuk e shpërbleni sjelljen e keqe me vëmendje dhe fëmijët zhvillojnë aftësinë për të zgjidhur konfliktet vetë.

    Kur emocionet të jenë qetësuar, dëgjojini të dyja palët, inkurajojini fjali si “Ndihem”, pa ndjenjë faji dhe ftojini ato të sugjerojnë vetë zgjidhje.

    Konfliktet janë mundësi për fëmijët që të mësojnë të negociojnë, të bëjnë kompromis dhe të kuptojnë nevojat e të tjerëve. Në këtë mënyrë, ata zhvillojnë aftësi të qëndrueshme për marrëdhëniet ndërpersonale dhe situatat e ardhshme.

  • Art Ahmeti zgjedhet nënkryetar i Degës II të LDK-së në Prishtinë

    Art Ahmeti zgjedhet nënkryetar i Degës II të LDK-së në Prishtinë

    Aktivisti i njohur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Art Ahmeti, ka marrë një post tjetër të rëndësishëm brenda partisë.

    Ai është zgjedhur nënkryetar i Degës II të Prishtinës.

    Lajmin për emërimin e tij e ka konfirmuar vetë kryetari i Degës, Florian Dushi.

    Përveç besimit të dhënë nga partia, Art Ahmeti, djali i ish-ministrit Qemajl Ahmeti dhe nipi i Xhavit Ahmetit, bashkëpunëtor i ngushtë i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, po kërkon edhe besimin e qytetarëve për zgjedhjet komunale të 12 tetorit.

    Në këto zgjedhje, Art Ahmeti kandidon me numrin 44 nga radhët e LDK-së.

  • Ramiz Lladrovci: Numri 101 po merr përkrahjen pa dallim të qytetarëve krenarë të Drenasit

    Ramiz Lladrovci: Numri 101 po merr përkrahjen pa dallim të qytetarëve krenarë të Drenasit

    Kryetari aktual i Drenasit, njëherësh kandidat edhe për një mandat, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar për hapjen e fushatës zgjedhore “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, të shtunën, në ora 20:00 në “Hajdini Palace”, Komoran.

    Për numrin 101, Lladrovci ka theksuar se “është numër që po merr përkrahjen pa dallim të qytetarëve krenarë, dinjitoz e me integritet të komunës së Drenasit”.

    Ftesa e plotë e Lladrovcit:

    Ftesë për pjesëmarrje në hapjen e fushatës “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”

    Falënderoj qytetarët, grupet e qytetarëve nga lagjet e fshatrat e komunës tonë, për mikpritjen dhe përkrahjen e madhe që më ofruan dhe po ma ofrojnë në takimet parazgjedhore që nga dita e krijimit të Iniciativës qytetare “Për Drenasin Kampion”. Falënderoj gjithashtu miqtë dhe dashamirët përtej kufijve lokal të cilët më japin përkrahje duke besuar fort në rrugën time të nderit.

    Ftoj qytetarët e komunës së Drenasit, të jenë të pranishëm në hapjen e fushatës zgjedhore “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, të shtunën, më 13 Shtator, në ora 20:00, në “Hajdini Palace”- Komoran. Në hapjen e fushatës, do të prezantohen edhe kandidatët nga Lista për Kuvendin e Komunës si dhe Platformën zgjedhore.

    Numri 101 ofron vazhdimin e qeverisjes së mirë, transparente e llogaridhënëse, qeverisje me qytetarin, qeverisje me duar të pastra dhe zbatim të ligjit. Është numër që bashkon atdhetarët e të gjitha gjeneratave, nga familjar të dëshmorëve e martirëve, veteranë e invalidë të UÇK-së, veprimtarë, themelues e aktivistë të partisë shtetformuese e shtetndërtuese. Është numër që po merr përkrahjen pa dallim të qytetarëve krenarë, dinjitoz e me integritet të komunës së Drenasit.

    Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë, sfidat dhe mundësitë për të bërë më të mirën e mundshme për qytetarët e komunës së Drenasit, për qytetarët kampionë. Përkrahja e ofruar pa rezervë, më lehtëson dhe fuqizon, për të vazhduar për të qenë kampion i qeverisjes së mirë edhe në mandatin e ardhshëm. Vazhdojmë, +4!

  • Polonia kërkon aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s

    Polonia kërkon aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s

    Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, e ka quajtur shkeljen e hapësirës ajrore nga dhjetëra dronë rusë një provokim serioz dhe të rrezikshëm.

    Duke folur në Parlament, ai njoftoi se Polonia ka kërkuar të thirret Neni 4 i traktatit të NATO-s, që u mundëson vendeve anëtare të hapin diskutime në Këshillin e Atlantikut të Veriut për çështje që rrezikojnë sigurinë apo integritetin e tyre territorial.

    Tusku tha se pret mbështetje më të gjerë nga aleatët.

    “Ky nuk është vetëm një konflikt i ukrainasve, por një sfidë që Rusia ia ka shpallur gjithë botës së lirë”, ka thënë ai.

  • Dogana gjen “botox” dhe “fillerë” të padoganuar në Prishtinë me vlerë rreth 5 mijë euro

    Dogana gjen “botox” dhe “fillerë” të padoganuar në Prishtinë me vlerë rreth 5 mijë euro

    Njësitet për Anti-Kontrabandë të Doganës së Kosovës kanë ndaluar më 9 shtator një automjet në territorin e Prishtinës, ku gjatë kontrollit janë gjetur produkte të padoganuara të llojit “botox” dhe “fillerë”, të destinuara për përdorim estetik.

    Pas veprimeve të mëtejshme operative dhe në koordinim me prokurorin kompetent, dogana ka kryer kontroll edhe në një lokacion tjetër në Prishtinë, ku është gjetur dhe ndaluar një sasi shtesë e këtyre produkteve.

    Vlera e përgjithshme e mallrave të ndaluara llogaritet të jetë rreth 5,000 euro.

    Dogana ka theksuar rrezikun e produkteve të padoganuara që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me trupin e njeriut, duke shtuar se mungesa e kontrollit adekuat dhe transporti i parregullt i bën ato veçanërisht të rrezikshme për shëndetin e popullatës.

  • Haxhiu: Kosova është shtet unitar, jo multietnik – Lista Serbe po kërcënon demokracinë

    Haxhiu: Kosova është shtet unitar, jo multietnik – Lista Serbe po kërcënon demokracinë

    Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media ka deklaruar se Kosova është shtet unitar dhe jo multietnik, duke theksuar se asnjë grup etnik nuk ka të drejtë vetoje mbi institucionet shtetërore.

    Ajo kritikoi përpjekjet e Listës Serbe për të përdorur vendet e rezervuara si mjet bllokues për konstituimin e Kuvendit dhe funksionimin e qeverisë, duke i cilësuar ato si kërcënim direkt për demokracinë në vend.

    “Ndërlidhet me komentet që ne kemi dërguar dje në Gjykatën Kushtetuese. Dua të theksoj se shteti ynë është shtet unitar dhe jo shtet multietnik. Në shtetin tonë të shpallur të pavarur në vitin 2008, asnjë grup etnik nuk e ka të drejtën e vetos mbi organet tona. Qytetarët e kësaj Republike janë të barabartë. Gjykata Kushtetuese nuk e ka as komoditetin dhe as legjitimitetin që të gërmojë në themelet e Kushtetutës për të shtuar diçka. Është e papranueshme që një parti politike – në këtë rast Lista Serbe, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës – të përdorë vendet e rezervuara si mjet për konstituimin e Kuvendit dhe funksionimin e Qeverisë. Kjo sjellje përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për demokracinë”, deklaroi Haxhiu.

    Haxhiu theksoi se Gjykata Kushtetuese nuk ka as kompetencë e as legjitimitet të ndërhyjë në themelin kushtetues për të ndryshuar apo shtuar diçka.

    “Kërkesa e Listës Serbe dhe përpjekjet e saj për të monopolizuar vendet e rezervuara përbëjnë një shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese dhe demokratike. Gjykata Kushtetuese nuk duhet të njohë asnjë pretendim në këtë rast të Listës Serbe, e cila synon të pengojë konstituimin e Kuvendit. Gjykata Kushtetuese as nuk e ka këtë kompetencë, e as këtë legjitimitet për të ndërhyrë në ligjet kushtetuese dhe për të ndryshuar apo shtuar diçka në to. Në kuadër të procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, është themelore të theksohet se jemi shtet sovran dhe i pavarur, ku funksionimi i institucioneve është i domosdoshëm”, shtoi ajo.

    Haxhiu tha se nuk ka informacione nëse opozita ka dorëzuar komente në Gjykatën Kushtetuese..

    “Mendoj që secili deputet i Kuvendit të Kosovës, secili subjekt – sidomos partitë shqiptare – ka qenë e rëndësishme që të dorëzonin komente në Gjykatën Kushtetuese. Është e rëndësishme që ta mbrojmë shtetin tonë.
    Në këtë drejtim, ju ftoj edhe juve që të pyesni partitë opozitare nëse kanë dorëzuar komente. Është e rëndësishme që në këtë betejë të ishim bashkë. Por vetë fakti që ata nuk i siguruan as 5 vota që Nenad Rashiq të zgjidhej nënkryetar, është i mjaftueshëm për të kuptuar pozicionin e partisë dhe kush po e bën avokatin e Listës Serbe.
    Për ne ka qenë e papranueshme masa që ka marrë Gjykata Kushtetuese,” tha ajo.

  • Tusk: Polonia është më së afërmi një konflikti të hapur që nga Lufta e Dytë Botërore

    Tusk: Polonia është më së afërmi një konflikti të hapur që nga Lufta e Dytë Botërore

    Polonia është më afër një konflikti të hapur se sa ka qenë që nga Lufta e Dytë Botërore, ka thënë kryeministri Donald Tusk të mërkurën, pas rrëzimit të dronëve rusë mbi territorin polak.

    Ai shtoi se vendi i kishte kërkuar NATO-s të hapte konsultime sipas Nenit 4 të traktatit, i cili parasheh konsultime mes anëtarëve sa herë që territori, pavarësia ose siguria e ndonjërit prej tyre kërcënohet.

    Tusk ka treguar se gjatë natës ka pasur 19 ndërhyrje në hapësirën ajrore polake dhe se ushtria ka kaluar me sukses testin e saj të parë.

    “Nuk kam arsye të pretendoj se jemi në prag të luftës, por është kaluar një vijë dhe është pakrahasueshëm më e rrezikshme se më parë. Kjo situatë na afron më afër konfliktit të hapur që nga Lufta e Dytë Botërore.”, tha ai.

    Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme, Karolina Galecka, bëri të ditur se Polonia ka gjetur shtatë dronë dhe mbeturina nga një raketë.

    Një dron goditi një ndërtesë banimi në Węgryki në Poloninë lindore, pa shkaktuar lëndime, ndërsa në rajonin lindor të Lublinit u gjet një dron i dëmtuar në fshatin Czosnówka, njoftoi policia.

  • Përfaqësuesit e OVL UÇK-së takohen me eurodeputetin Mandl – shpalosin shqetësimet për Gjykatën Speciale

    Përfaqësuesit e OVL UÇK-së takohen me eurodeputetin Mandl – shpalosin shqetësimet për Gjykatën Speciale

    Përfaqësuesit e OVL UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari Gazmend Syla, janë pritur sot në takim nga eurodeputeti Lukas Mandl në ambientet e Parlamentit Evropian në Strasburg.

    Në njoftimin e OVL-UÇK-së bëhet e ditur se Gucati e Syla kanë paraqitur shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale.

    Po ashtu, ata i kanë kërkuar eurodeputetit që mesazhin e tyre ta përcjellë tek kolegët e tij në Parlamentin Evropian dhe tek institucionet përkatëse të shtetit të tij, transmeton Gazeta Express.

    Sipas OVL-UÇK-së, “ky takim përbën një hap domethënës në kuadër të përpjekjeve tona për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme në mbrojtje të së vërtetës dhe drejtësisë”.

    Në postimin e bërë nga organizata, thuhet: “Sot, në ambientet e Parlamentit Evropian në Strasburg, zhvilluam një takim me rëndësi të veçantë me eurodeputetin z. Lukas Mandl, një zë i fuqishëm dhe i qëndrueshëm në mbështetje të Kosovës. Përfaqësuesit e OVL UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari Gazmend Syla, paraqitën me seriozitet shqetësimet tona lidhur me zhvillimet në Gjykatën Speciale, duke theksuar domosdoshmërinë e mbrojtjes së dinjitetit të luftës sonë çlirimtare dhe të vlerave mbi të cilat është ngritur liria e Kosovës.

    Z. Mandl i dëgjoi me vëmendje dhe mirëkuptim qëndrimet tona, për çka e falënderojmë sinqerisht. E lutem që ta përcjellë këtë mesazh tek kolegët e tij në Parlamentin Evropian dhe në institucionet përkatëse të shtetit të tij, duke i dhënë kështu zë dhe mbështetje kauzës sonë të drejtë.

    Ky takim përbën një hap domethënës në kuadër të përpjekjeve tona për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme në mbrojtje të së vërtetës dhe drejtësisë.”