ATV

Category: Lajme

  • Sekuestrohen armë në një auto-sallon në Banullë të Lipjanit, Policia arreston dy persona

    Sekuestrohen armë në një auto-sallon në Banullë të Lipjanit, Policia arreston dy persona

    Dy persona janë arrestuar në fshatin Banullë të Lipjanit, pasi në auto-sallonin e tyre u gjetën armë pa leje. gjatë një aksioni të përbashkët, Policia dhe Dogana kanë bastisur biznesin e të dyshuarve, ku kanë zbuluar një sasi armatimi të mbajtur në mënyrë të paligjshme.

    Gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar gjithsej gjashtë pistoleta, gjashtë karikatorë si dhe njëzet fishekë.

    Pas intervistimit të tyre, me urdhër të prokurorit të rastit, njëri prej të dyshuarve është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa, i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

  • Plagosje me armë zjarri në Pejë – Autori ikën, por më pas dorëzohet në polici

    Plagosje me armë zjarri në Pejë – Autori ikën, por më pas dorëzohet në polici

    Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri të premten pasdite në rrugën “Papa Klementi” në Pejë.

    Viktima, një mashkull kosovar, është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës pas incidentit.

    Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari për këtë rast ishte larguar fillimisht nga vendi i ngjarjes me një veturë. Megjithatë, pak kohë më vonë, ai ka vendosur të paraqitet vetë në stacionin policor.

    Pas intervistimit nga hetuesit policorë në prani të avokatit të tij mbrojtës, me vendim të prokurorit kompetent, ndaj tij është caktuar masa e mbajtjes, ndërsa rasti po hetohet si vrasje në tentativë.

  • Viti shkollor fillon me më pak nxënës, 629 fëmijë braktisën Kosovën

    Viti shkollor fillon me më pak nxënës, 629 fëmijë braktisën Kosovën

    Viti i ri shkollor filloi si çdo vit me një shtator në të gjitha shkollat e Kosovës. Por jo të gjithë nxënësit u kthyen në bankat e shkollës. Shkollave të Kosovës i munguan hiq më pak se 629 nxënës. Ata nuk i braktisën vetëm bankat shkollore, por dhe Kosovën.

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë 629 nxënës,  kanë  braktisur shkollat dha ja larguar nga Kosova gjatë vitit shkollor 2024/25.

    Sipas të dhënave zyrtare, nga ky numër  i nxënësve të larguar 350 janë djem, ndërsa 279 vajza.Fenomeni i largimit të nxënësve nuk është shpërndarë njëtrajtësisht në të gjitha komunat. Komunat me numrin më të madh të fëmijëve që kanë ndërprerë shkollimin janë Gjakova me 89 nxënës, Malisheva me 84, Gjilani me 74, Prizreni me 66 dhe  Suhareka me 61./ATVLIVE/

  • 22-vjeçari i dyshuar për vrasjen e Charlie Kirk, nën mbikëqyrje speciale në burg

    22-vjeçari i dyshuar për vrasjen e Charlie Kirk, nën mbikëqyrje speciale në burg

    Tyler Robinson, 22-vjeçari i dyshuar për vrasjen e Charlie Kirk, aktualisht po mbahet nën vëzhgim nga stafi i burgut në Njësinë e Strehimit Special, raporton TMZ.

    Zëdhënësi i Sherifit të Qarkut Utah, Rreshteri Raymond Ormond, i tha TMZ se Robinson ndodhet në Njësinë e Strehimit Special nën “Mbikëqyrje Speciale”, ndërsa profesionistët e shëndetit mendor po vlerësojnë nëse ai paraqet rrezik për veten ose të tjerët.

    Sipas tyre, po analizojnë nëse ai mund të jetë “vetëvrasës”.

    “Nuk e dimë nëse ai ka bërë ndonjë koment që mund të tregojë se po mendon të vetëvritet në burg… megjithëse burime të zbatimit të ligjit na thanë më herët të premten se Tyler dyshohet se i kishte treguar të atit se do të preferonte të vdiste nga vetëvrasja sesa të dorëzohej në polici.”, thuhet në raportimin e TMZ-së.

  • Këto janë sloganet që partitë prezantojnë për zgjedhjet lokale

    Këto janë sloganet që partitë prezantojnë për zgjedhjet lokale

    Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit fillon sot.

    Subjektet politike të certifikuara nga KQZ-ja do të zhvillojnë fushatë për 30 ditë, gjatë të cilave do të prezantojnë programet dhe vizionin e tyre për qeverisje komunale.

    Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka hapur fushatën mbrëmë në Prishtinë, partitë e tjera kanë paralajmëruar nisjen e aktiviteteve sot.

    Partitë tashmë kanë zbuluar sloganet që do të përdorin për të tërhequr votuesit: LVV-ja me “Bashkë për komunat”, PDK-ja “Ma mirë për komunën”, LDK-ja “Kosova përtej”, dhe AAK-ja “Dritë për komunat”. Liderët e tyre shprehen optimistë se këto slogane do t’i ndihmojnë të korrin fitore më 12 tetor.

    Kryetari i VV-së, Albin Kurti, gjatë hapjes së fushatës mbrëmë, e ka përshkruar partinë e tij si opsionin e duhur për Kosovën.

    “Së bashku e dimë çka na duhet, kush mundet, kush ka vullnet dhe dije. Më 12 tetor, të gjithë së bashku të votojmë opsionin që na duhet, kryetarin që mundet, që ka vullnet e që ka dije, e ai kryetar e ka numrin 105, dhe i përket Lëvizjes sonë kombëtare e përparimtare, zhvilluese dhe modernizuese, Lëvizjes VETËVENDOSJE!”

    Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, shprehet optimist: “Me numrin 191, PDK hyn në zgjedhjet lokale për t’ua sjellë komunave të Kosovës modelin e qeverisjes #MaMirë – me punë, përgjegjësi dhe vizion. Me kandidatët më të mirë për kryetarë, këshilltarët më të përgatitur komunalë dhe programin më zhvillimor, jemi gati për fitore. Bashkë, përpara!”

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se koha dhe momenti janë në favor të partisë së tij.

    “Gati për nesër. Të gjitha rrugët na bashkojnë në Pallat të Rinisë nga ora 18:00, në hapjen e madhe të fushatës lokale dhe prezantimin e kandidatëve tanë. LDK ju pret. Koha është në anën tonë. Populli i Kosovës është ngopur me fjalë e urrejtje të thatë; le të kthehemi në gjenezë! Një Kosovë e shkollës e shëndetës, rrugës e dritës, kulturës e familjes.”

    Kurse kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar sukseset e partisë së tij në qeverisje komunale dhe ka prezantuar fushatën:

    “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të hapë zyrtarisht fushatën për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025, më 13 shtator 2025, duke filluar nga ora 13:00, në Hotel Venus, Prishtinë. Slogani ynë është ‘Dritë për Komunat’, kjo vjen për faktin se qeverisja e AAK-së në komuna ka dëshmuar rezultate konkrete, duke ofruar modele të suksesshme të udhëheqjes dhe zhvillimit lokal. Kryetarët tanë dhe ekipet qeverisëse kanë arritur suksese të prekshme, duke u renditur lart në tabelat e performancës komunale.”, tha ai.

  • Shqiptaro-amerikanët: S’ka sovranitet të Kosovës pa ShBA – të veprohet me urgjencë

    Shqiptaro-amerikanët: S’ka sovranitet të Kosovës pa ShBA – të veprohet me urgjencë

    Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka shprehur shqetësim për pezullimin e Dialogut Strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, duke theksuar se ky zhvillim duhet të shërbejë si një thirrje për veprim të menjëhershëm nga udhëheqësit dhe institucionet e vendit.

    AARC ka paralajmëruar prej kohësh për një erozion të partneritetit Kosovë-SHBA.

    “Marrëdhëniet diplomatike janë në një pikë të ulët historike dhe pezullimi i Dialogut Strategjik është shembulli më i fundit dhe më alarmues i këtij përkeqësimi. Ky trend duhet të përmbyset menjëherë. Rindërtimi i besimit dhe partneritetit kërkon koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çdo nivel”, thuhet në deklaratën e Këshillit.

    Sipas AARC, Kushtetuta dhe rendi kushtetues i Kosovës duhet të respektohen, ndërsa udhëheqësit politikë duhet të veprojnë pa vonesë për të krijuar institucionet sipas zgjedhjeve të fundit ose për të arritur një konsensus të shpejtë që do të hapte rrugën për zgjedhje të reja.

    “Pezullimi i Dialogut Strategjik nuk duhet të përdoret nga asnjë forcë politike për përfitime afatshkurtra, ndërsa qeveritë ndryshojnë, por kostoja përfundimtare përballet nga Kosova dhe populli i saj”, theksoi AARC.

    Këshilli gjithashtu ka vënë në dukje se mosangazhimi në dialog ka krijuar polarizim ekstrem në vend:

    “Edhe çështjet që janë përcaktuar dhe zgjidhur qartë nga Kushtetuta janë shndërruar pa nevojë në mosmarrëveshje ligjore dhe kushtetuese. Patriotizmi dhe dashuria për Kosovën nuk i përkasin asnjë individi apo partie politike të vetme. Përkundrazi, qeveritë – qofshin ato që veprojnë si kujdestarë apo të plotfuqishme – dhe partitë politike kanë detyrimin të udhëheqin me përgjegjësi dhe të krijojnë një mjedis për dialog politik. Çështjet e sovranitetit, detyrimeve ndërkombëtare, pavarësisë dhe interesave të tjera jetësore shtetërore i përkasin të gjithë popullit të Kosovës, jo vetëm një partie apo qeverie”.

    AARC nënvizon rëndësinë e përfshirjes së SHBA-së në çdo veprim sovran të Kosovës:

    “Shpirti pro-amerikan i popullit të Kosovës nuk duhet të manipulohet ose keqpërdoret kurrë. Është e kuptueshme mirë se asnjë popull nuk është më pro-amerikan sesa qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim, Presidentja e Kosovës duhet të veprojë me guxim dhe pa vonesë, duke përdorur autoritetin e saj kushtetues – duke përfshirë mundësinë e udhëheqjes së vendit drejt zgjedhjeve të reja nëse është e nevojshme. Ajo gjithashtu duhet të angazhohet drejtpërdrejt me Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë dhe me autoritetet në Uashington, D.C., për të kuptuar arsyet e vërteta pas pezullimit të Dialogut Strategjik dhe të komunikojë në mënyrë transparente me publikun”.

    Këshilli gjithashtu ka denoncuar padrejtësinë e situatës aktuale, duke theksuar dallimin me trajtimin e Serbisë:

    “Ndërsa Kosova qortohet rëndë, Serbia – lidershipi i së cilës është rreshtuar hapur me Rusinë dhe Kinën, dhe e cila sponsorizon paqëndrueshmërinë rajonale, duke përfshirë edhe inkursionet paraushtarake në Kosovë – shpërblehet me vizita të nivelit të lartë me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së dhe diskutime për partneritet strategjik”.

    Megjithatë, AARC thekson se ky realitet nuk e lironte Kosovën nga përgjegjësitë e saj:

    “Për të parafrazuar një parabolë ballkanike: vrasja e lopës së fqinjit nuk të jep më shumë qumësht. Kosova duhet të shikojë brenda vetes, të ndërmarrë veprime korrigjuese dhe të demonstrojë pjekurinë e institucioneve dhe lidershipit të saj politik”.

    Sipas Këshillit, çdo veprim sovran i Kosovës duhet të mbahet në kuadër të interesave të aleatëve, sidomos të Shteteve të Bashkuara:

    “Në çdo hap që ndërmerr, Kosova duhet të marrë në konsideratë me kujdes interesat e aleatëve të saj, para së gjithash ato të Shteteve të Bashkuara. Për më tepër, si qeveria aktuale ashtu edhe çdo qeveri e ardhshme duhet të krijojnë urgjentisht mekanizma dhe kanale lobimi në Uashington, D.C. Kjo punë nuk mund të vonohet. Kosova nuk duhet të ndëshkohet në favor të Serbisë – veçanërisht në një kohë kur Serbia udhëhiqet nga një ish-ministër i regjimit të Millosheviqit, i cili e ka bërë të qartë qëllimin e tij kryesor për të afruar Serbinë me Rusinë dhe Kinën”.

    Në përfundim, AARC bën thirrje që institucionet dhe lidershipi politik i Kosovës të veprojnë me unitet dhe përgjegjësi, duke siguruar që partneriteti me Shtetet e Bashkuara të mbetet i fortë, efektiv dhe i orientuar drejt së ardhmes.

  • Shqipëria hap katër kapituj të rinj negociatash për anëtarësim në BE më 16 shtator

    Shqipëria hap katër kapituj të rinj negociatash për anëtarësim në BE më 16 shtator

    Shqipëria do të hapë katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 16 shtator, në një takim të thirrur nga Presidenca daneze e BE-së. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

    Sipas Ramës, hapja e këtyre kapitujve do të zhvillohet në praninë e ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

    Katër kapitujt e rinj i shtohen 24 kapitujve të hapur më parë, duke e çuar në 28 numrin total të kapitujve të hapur brenda vetëm 11 muajve – ritëm që kryeministri e cilësoi si “rekord absolut” në procesin e negociatave.

    Kapitujt e rinj përfshijnë fusha të Agjendës së Gjelbër dhe Ndërlidhjes së Qëndrueshme, të cilat lidhen me sektorë jetikë si transporti, energjia, rrjetet transevropiane dhe mjedisi.

    “U vendos edhe një tjetër gur kilometrik në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE”, u shpreh Rama.

    Shqipëria hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE në tetor të vitit 2024. Kjo ndodhi pas një pritjeje të gjatë, pasi vendi kishte aplikuar për anëtarësim më 2009 dhe kishte marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2014.

    Tirana duhet të hapë dhe të mbyllë gjithsej 33 kapituj për t’u anëtarësuar në BE. Për hapjen dhe mbylljen e çdo kapitulli kërkohet miratimi i të gjithë vendeve anëtare të bllokut evropian.

  • Shoferi 70-vjeçar fluturon mbi autostradë, kamera regjistron gjithçka

    Shoferi 70-vjeçar fluturon mbi autostradë, kamera regjistron gjithçka

    Gjatë orës së pikut të trafikut, një makinë u ngrit plotësisht në ajër mbi një autostradë të ngarkuar në Nju Jork, duke fluturuar mbi gjashtë korsi trafiku dhe gjithçka u kap në kamera.

    Një shofer 70-vjeçar papritmas shpejtoi dhe u hodh nga një kodër në Long Island rreth orës 5 pasdite të mërkurën, më 3 shtator. Banorët u habitën nga pamjet e kamerës së makinës me tym të kapura nga dëshmitari Joseph McGrath.

    “Një makinë doli nga askund dhe u hodh mbi autostradë para meje”, tha McGrath për Storyful.

    Një dëshmitar tjetër në Sunrise Highway, Brandon Hyacinthe, e përshkroi incidentin tronditës për News12 New York.

    “Duket si një meteor që kalon nëpër autostradë. Në fillim nuk e dija që ishte një makinë”, tha Hyancinthe për limuzinën Honda.

    Para se të kalonte pranë makinave në të dyja anët e rrugës, shoferi po shkonte drejt jugut në Pine Acres Boulevard.

    “Ai pati një krizë shëndetësore, që bëri që të humbiste kontrollin dhe të fluturonte lart në argjinaturë në rrugën e shërbimit, mbi të dyja korsitë, atë perëndimore dhe lindore”, tha për New York Post, Dennison DeNatalie i departamentit të zjarrfikësve të Bay Shore.

    Mrekullisht, automjeti fluturues u përplas me një pemë, në anën e trafikut që vinte përballë. Shoferi arriti të ngrihej dhe të dilte nga makina dhe, për fat të mirë, pësoi vetëm lëndime të lehta.

  • Kupchan: Frustrimi i grumbulluar i SHBA-së me Kurtin çoi në pezullimin e Dialogut

    Kupchan: Frustrimi i grumbulluar i SHBA-së me Kurtin çoi në pezullimin e Dialogut

    Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, thotë se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, është një rezultat i drejtpërdrejtë i frustrimit të grumbulluar ndaj veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    Ai shton se ky veprim synon të ushtrojë presion mbi udhëheqësit e Kosovës – veçanërisht mbi Kurtin – që të veprojnë në mënyrë konstruktive, të formojnë një qeveri dhe të riangazhohen në dialogun me Serbinë.

    “Kjo është një çështje serioze, sepse rajoni ka nevojë për më shumë angazhim nga SHBA-ja, jo për më pak. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, për një kohë të gjatë, nuk ka avancuar. Me ndryshimin e administratës në Uashington, kishte shpresë se presidenti [Donald] Trump – ashtu si gjatë mandatit të tij të parë – do të mund të riangazhohej në Dialogun Strategjik me Kosovën, në përpjekje për të ndërmjetësuar normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Dhe, tani, kemi një njoftim nga Ambasada [amerikane] në Prishtinë, që në thelb thotë: po tërhiqemi, po e pezullojmë Dialogun Strategjik.

    Në shumë aspekte, kjo është një shenjë pakënaqësie ndaj Qeverisë në Kosovë, e cila praktikisht ka qenë në detyrë që nga zgjedhjet në fillim të këtij viti.

    Por, po ashtu, është rezultat i një frustrimi të grumbulluar: janë dashur disa muaj për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës, tani Kurti fyen Gjykatën Kushtetuese. Para zgjedhjeve, Kurti ka marrë vendime për një gamë të gjerë çështjesh – nisur nga ndalimi i dinarit serb deri tek instalimi i kryetarëve shqiptarë në veri apo mosçuarja përpara e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Ka një perceptim të gjerë këtu në Uashington dhe në Evropë se Qeveria në Kosovë nuk po ndihmon në përmirësimin e situatës. Ndaj, mendoj se pezullimi i Dialogut Strategjik është një shenjë pakënaqësie dhe frustrimi”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë.

    Kupchan thekson gjithashtu rëndësinë e kompromisit dhe të negociatave me mirëbesim midis të gjitha partive politike në Kosovë, për të rivendosur stabilitetin dhe për të ecur përpara.

    “… kjo tregon se Uashingtoni po i ndjek ngjarjet dhe do të bëjë atë që gjykon se është e nevojshme, për të parandaluar paqëndrueshmërinë përpara se të ndodhë”, thotë Kupchan.

  • Bajrami: Kurti dhe VV po zbatojnë në përpikëri agjendën e Serbisë dhe Rusisë që Kosova të shkëpusë raportet me ShBA-në

    Bajrami: Kurti dhe VV po zbatojnë në përpikëri agjendën e Serbisë dhe Rusisë që Kosova të shkëpusë raportet me ShBA-në

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se ndërprerja e dialogut të planifikuar strategjik të Kosovës me SHBA-në është ndër lajmet më të këqija për Kosovën në vitet e fundit.

    Ajo tha se dëmi që ia ka shkaktuar dhe po ia shkakton Albin Kurti dhe partia e tij Kosovës është i pariparueshëm, ndërsa akuzoi atë se po çojnë përpara agjendën e Serbisë e Rusisë që Kosova të shkëpusë raportet e saj me aleatin strategjik të saj.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin, janë dhe do të jenë aleati i pazëvendësueshëm për Kosovën. Albin Kurti dhe Vetëvendosje po zbatojnë në përpikëri agjendën e Serbisë dhe Rusisë që Kosova të shkëputë raportet e partneritetit dhe bashkëpunimit strategjik me SHBA-në. Secili prej nesh duhet të punojë për thellimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kush punon kundër është kundër Kosovës dhe është me Serbinë dhe Rusinë. Rrugë të mesme nuk ka!”, ka shkruar ajo.

    Pak më herët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.