ATV

Category: Lajme

  • Nis debati zgjedhor në ATV, sonte nga ora 20:30

    Nis debati zgjedhor në ATV, sonte nga ora 20:30

    Sonte nis cikli i debateve zgjedhore në emisionin “CONTEXT” me moderatorin Leart Hoxha, në televizionin ATV, duke filluar nga ora 20:30.

    Debati do të sjellë ballafaqim mes kandidatëve përmes fakteve dhe argumenteve rreth qeverisjes së ardhshme katërvjeçare. Qytetarët do të kenë mundësi të marrin pjesë duke dërguar pyetje për kandidatët, të cilat do të adresohen gjatë emisionit.

    Pjesë e programit do të jenë edhe raportet për realizimin e premtimeve zgjedhore, që do të transmetohen çdo natë nga ora 20:30, deri në ditën e zgjedhjeve.

    Misioni i emisionit është t’i japë më shumë context problemeve lokale dhe debatit politik.

  • OSBE reagon pas mbylljes së shërbimeve të sistemit të Serbisë në veri

    OSBE reagon pas mbylljes së shërbimeve të sistemit të Serbisë në veri

    Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shprehur shqetësim të madh për ndikimin në njerëz mbyllja e fundit e zyrave të shërbimeve në Mitrovicën e Veriut, nga të cilat, ky mision thotë se varen komunitetet jo-shumicë.

    OSBE-ja ka theksuar se ndërprerjet e këtyre shërbimeve prekin në mënyrë të veçantë të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet me mundësi të kufizuara, të cilat OSBE thotë se varen nga këto zyra për shëndetësi, pagesa pensionale, materiale shkollore dhe mbështetje sociale.

    “Çdo masë që ndikon në shërbimet publike duhet të sigurojë qasje të pandërprerë për të gjitha komunitetet, ndërsa mosmarrëveshjet adresohen përmes Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe me konsultim domethënës lokal”, thuhet në reagim e OSBE-së

    OSBE thekson se do të vazhdojë ta monitorojë nga afër situatën në kuadër të mandatit të saj për paralajmërim të hershëm dhe mbështetje të komuniteteve gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme.

  • KFOR-i publikon pamje nga dislokimi i ushtarëve hungarezë për kontrollin e trazirave

    KFOR-i publikon pamje nga dislokimi i ushtarëve hungarezë për kontrollin e trazirave

    Sot, kompania e dytë hungareze e Batalionit Rezervë Taktike – Kinetike (KTRBN) ) e misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR ka përfunduar me sukses vendosjen e saj në Kosovë.

    Në njoftimin e KFOR-it thuhet KTRBN ka aftësi të rëndësishme – duke përfshirë kontrollin e turmave dhe trazirave (CRC), kolonat shoqëruese, mbikëqyrjen, zbulimin, ndihmën ndaj popullsisë dhe detyra të tjera të këmbësorisë. – të cilat sigurojnë gatishmërinë dhe aftësinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur shpejt dhe në mënyrë efektive zhvillimeve përkatëse të sigurisë.

    “Që nga viti 1999, kontingjenti hungarez ka qenë një kontribuues kyç në misionin paqeruajtës të KFOR-it. Ky dislokim shënon rotacionin e 33-të të kontingjentit hungarez. Është një demonstrim i prekshëm i angazhimit të gjatë të Hungarisë në mbështetje të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

  • Osmani dekoron komandantin e KFOR-it me Medaljen Presidenciale Ushtarake

    Osmani dekoron komandantin e KFOR-it me Medaljen Presidenciale Ushtarake

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar javën e kaluar gjeneralmajorin Enrico Barduani, komandant i KFOR-it, me Medaljen Presidenciale Ushtarake.

    Në një njoftim të Presidencës thuhet se gjatë mandatit të tij në krye të KFOR-it, gjeneralmajor Barduani ka dhënë “kontribut të çmuar për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe në rajon”.

    Osmani e vlerësoi shërbimin e tij duke theksuar se dekorata është një shenjë falënderimi:

    “Një simbol i mirënjohjes së popullit tonë dhe i përkushtimit të pandërprerë të NATO-s për paqe dhe siguri afatgjate.”, thuhet në njoftim.

  • Arsenali mposht Nottingham Forest në “Emirates”, shkëlqen Zubimendi

    Arsenali mposht Nottingham Forest në “Emirates”, shkëlqen Zubimendi

    Arsenali ka arritur një fitore të rëndësishme në kuadër të xhiros së katërt të Premier Ligës, duke mposhtur Nottingham Forest me rezultat të pastër në stadiumin “Emirates”. Ndeshja përfundoi me shifrat 3-0, me mesfushorin spanjoll Martín Zubimendi që ishte figura kyçe e takimit.

    Zubimendi realizoi dy gola, duke treguar formë të lartë dhe kontribut të çmuar në mesin e fushës, ndërsa gol për “Topçinjtë” shënoi edhe sulmuesi suedez Viktor Gyökeres, i cili vazhdon paraqitjet pozitive me fanellën e Arsenalit. Ky ishte goli i tij i tretë sezonal, duke e konfirmuar si një nga lojtarët më në formë të ekipit deri më tani.

    Me këtë fitore, Arsenali ngjitet përkohësisht në krye të tabelës në Premier Ligë me 9 pikë pas tri fitoreve në katër ndeshje, ndërsa Nottingham Forest mbetet në pozitën e 11-të me 4 pikë të grumbulluara.

    Forma e mirë e skuadrës së drejtuar nga Mikel Arteta dhe kontributi i lojtarëve të rinj po i japin Arsenalit shpresa reale për një sezon të suksesshëm.

  • Aleatët e Kosovës kthehen si dëshmitarë në Hagë

    Aleatët e Kosovës kthehen si dëshmitarë në Hagë

    Gati tri dekada pas luftës në Kosovë, James Rubin do të rikthehet për të dëshmuar mbi ngjarjet e asaj kohe, që vendosën kursin e një pjese të historisë.

    Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit do të dëshmojë para Dhomave të Specializuara në Hagë, në mbrojtje të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që të gjithë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    “UÇK-ja luajti rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në çmilitarizimin e premtuar prej tyre”, tha Rubin në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 11 prill të vitit 2023.

    Më shumë se dy vjet më vonë, ai tha se do të kthehet “sërish në fillim”, duke shtuar se ka më shumë për të thënë mbi ngjarjet e asaj kohe.

    Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre, nisur nga 15 shtatori, është konfidenciale.

    Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra – në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.

    Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.

    Gjenerali i pensionuar amerikan, Clark, udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë disa vite më vonë, ai tha se NATO-ja bëri gjënë e duhur kur ndërhyri.

    “… veprimi u ndërmor, sepse po shihnim fillimin e një përsëritjeje të pastrimit etnik në Ballkan. Kjo ishte arsyeja që shtyu NATO-n të vepronte. Nuk ishte thjesht një veprim humanitar, por një veprim për të parandaluar një katastrofë humanitare, që po zhvillohej para syve tanë”, tha ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s.

    William Walker, në kohën e luftës, ishte shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, që nisi në tetor të vitit 1998, për të mbikëqyrur një armëpushim midis forcave serbe dhe UÇK-së.

    Rreth tre muaj më vonë, në janar të vitit 1999, Walker ishte në vendin ku u vranë 44 civilë shqiptarë nga forcat serbe, në fshatin Reçak.

    Ai e përshkroi ngjarjen si “krim kundër njerëzimit”, duke nxitur atëkohë një ndryshim të politikës perëndimore kundër Kosovës.

    “Ata që e mohojnë masakrën, janë të përfshirë në të”, tha Walker për Radion Evropa e Lirë në dhjetor të vitit 2021.

    Si përfaqësues i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Bernard Kouchner, shërbeu në Kosovë nga viti 1999 deri më 2001.

    Duke folur për gazetarët disa vite më vonë, ai tha se “nuk ka dëgjuar kurrë për shtëpinë e verdhë”.

    E ashtuquajtura “shtëpi e verdhë” përmendet në një raport të vitit 2010 për Këshillin e Evropës, i cili u hartua nga ish-senatori zviceran, Dick Marty.

    Në atë dokument, termi “shtëpia e verdhë” përdoret për të përshkruar një vendndodhje në veri të Shqipërisë, ku dyshohet se ish-pjesëtarët e UÇK-së kanë kryer krime të rënda, “përfshirë trafikim të organeve njerëzore”.

    Raporti i Martyt i parapriu krijimit të Dhomave të Specializuara – të njohura edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.

    Gjykata është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por ka në përbërje gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

    Selia e saj u vendos në Hagë për të shmangur kërcënimin e dëshmitarëve.

    Gjykimi i katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023.

    Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998-99, Veseli ishte udhëheqës i shërbimit të inteligjencës së UÇK-së, Krasniqi ishte zëdhënës, ndërsa Selimi në mesin e shtabit të përgjithshëm.

    Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe njerëzve që nuk donin të merrnin pjesë në luftime.

    Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

    Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata kanë mohuar se janë fajtorë.

    Avokatët mbrojtës kanë thënë se UÇK-ja nuk do të kishte fituar kurrë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, nëse do të ekzistonte një plan kriminal i përmasave që pretendojnë prokurorët.

    Sipas tyre, aktakuza është ndërtuar mbi një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve.

    Akuzat për trafikim organesh nuk janë vërtetuar dhe nuk janë përfshirë në aktakuzën aktuale.

    Organizata e Veteranëve të Luftës njoftoi se më 14 shtator do të mbahet një protestë në Hagë, në mbështetje të të akuzuarve./REL/

  • Izraeli intensifikon sulmet në Gaza, ushtria urdhëron evakuimin e banorëve nga qyteti

    Izraeli intensifikon sulmet në Gaza, ushtria urdhëron evakuimin e banorëve nga qyteti

    Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në Rripin e Gazës të shtunën, ku ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet për të marrë kontrollin e plotë të qytetit më të madh palestinez. Tel Avivi e cilëson këtë zonë si bastionin e fundit të Hamasit dhe ka urdhëruar largimin e mijëra banorëve.

    Në fokus të sulmeve janë vënë ndërtesat shumëkatëshe, me arsyetimin e ushtrisë se ato shfrytëzoheshin nga Hamasi për infrastrukturë vëzhgimi. Shkatërrimi i tyre konsiderohet pjesë e strategjisë për të pastruar terrenin, pavarësisht pranisë së dendur të popullsisë civile në zonat përreth.

    Ndërkohë, situata humanitare në terren vazhdon të mbetet kritike. Qindra mijëra palestinezë vazhdojnë të jenë të bllokuar, duke u përballur me uri të skajshme. Sipas agjencive të ndihmës, numri i personave që po largohen nga Gaza është rritur ndjeshëm pas përshkallëzimit të fundit të luftimeve.

  • Procesi i Integrimit Evropian, Presidenca daneze fton Shqipërinë të hapë katër kapituj të rinj të negociatave

    Procesi i Integrimit Evropian, Presidenca daneze fton Shqipërinë të hapë katër kapituj të rinj të negociatave

    Shqipëria do të hapë katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Kryeministri Edi Rama njoftoi se Presidenca daneze e Bashkimit Evropian e ka ftuar Tiranën zyrtare më 16 shtator, për të konkretizuar këtë hap të rëndësishëm në procesin e integrimeve.

    Kryeministri Rama e cilësoi këtë zhvillim si një rekord absolut për shpejtësinë e këtij procesi.

    Me formalizimin e katër kapitujve të rinj, numri total i kapitujve të hapur nga Shqipëria në vetëm 11 muajt e fundit arrin në 28, duke përshpejtuar ndjeshëm rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Sipas kreut të qeverisë, ky është një tjetër gur kilometrik në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, me objektivin e vendosur për vitin 2030.

  • Haradinaj: Kosova po i kalon në ditë të errëta, na duhet dritë

    Haradinaj: Kosova po i kalon në ditë të errëta, na duhet dritë

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në hapjen zyrtare të fushatës për zgjedhjet komunale, u shpreh falënderues për të gjithë përkrahësit e kësaj partie.

    Në fjalën e tij, Haradinaj tha se me kandidaturën e AAK-së, ka shpresë për komunat e Kosovës.

    “Një pamje që të jep shpresë, edhe na bind që për Kosovën do të ketë dritë, për komunat do të ketë dritë, për komunat e Kosovës do të ketë dritë. Kosova po i kalon në ditë të errëta, na duhet dritë. Nuk jeni vetëm parti politike. Emrat e kolegëve të nderuar, janë më shumë se parti politike, jeni qeverisja e mirë, qeverisja e duhur për qytetarët tuaj, për komunat tuaja. Ju jepi dritë përmes qeverisjes, jepni shpresë, jepni jetë qytetarëve tuaj, komunës suaj”, tha Haradinaj.

  • Memli Krasniqi për nisjen e fushatës zgjedhore: Më 12 tetor, zgjedhja është e qartë – PDK 191

    Memli Krasniqi për nisjen e fushatës zgjedhore: Më 12 tetor, zgjedhja është e qartë – PDK 191

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka nisur sot zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke publikuar një video-mesazh drejtuar qytetarëve të Kosovës.

    Në deklaratën e tij, Krasniqi rikujtoi se katër vite më parë PDK-ja fitoi besimin për të udhëhequr në më së shumti komuna të vendit, dhe se ky besim iu kthye qytetarëve me punë, projekte dhe rezultate konkrete.

    “Edhe këtë herë, zgjedhja është e qartë: për qeverisje të përgjegjshme, projekte konkrete dhe një komunë që ecën vetëm përpara. Më 12 tetor, ekziston mundësia për ta bërë Ma Mirë komunën tuaj: PDK – 191!”, u shpreh Krasniqi.

    Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor, ku PDK synon të ruajë dhe të rrisë numrin e komunave që qeveris, duke prezantuar modelin e saj të qeverisjes #MaMirë.