ATV

Category: Lajme

  • Sot në Gjykatën Speciale fillon paraqitja e provave të dëshmitarit të parë të mbrojtjes

    Sot në Gjykatën Speciale fillon paraqitja e provave të dëshmitarit të parë të mbrojtjes

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Mbrojtja e Hashim Thaçit do të fillojë me paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve. Seanca pritet të jetë kryesisht publike.

    Seanca do të fillojë në orën 9:00, përmes transmetimit me 45 minuta vonesë.

    Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 9 shtator 2025, Trupi Gjykues pranoi si prova disa aktekspertiza të dorëzuara nga Mbrojtja e Viktimave dhe një provë materiale të dorëzuar nga Mbrojtja.

    Gjykatësit nuk pranuan një provë materiale tjetër që u kërkua të pranohej nga Mbrojtja. Kur u pyet lidhur me këtë provë gjatë pyetjeve nga pala kundërshtare, dëshmitari nuk ishte në gjendje të jepte asnjë kontekst për të, kështu që Trupi Gjykues e konstatoi jorelevante për dëshminë.

    Më 8 shtator 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes së Selimit për të vendosur disa garanci gjatë pyetjeve të dëshmitarëve të thirrur nga ekipet e tjera të Mbrojtjes.

    Këto përfshinin kufizimin e objektit të pyetjeve dhe moslejimin e palëve që pyetjet në cilësinë e palës jothirrëse të jenë në lidhje me veprimet dhe sjelljen e një të akuzuari që nuk e ka thirrur atë dëshmitar.

    Në vendim, Trupi Gjykues shpjegoi se, kuadri i lejuar dhe kufizimet e pyetjeve nga palët jothirrëse janë të përcaktuara në Rregulloren e Procedurës dhe Provave dhe në Urdhrin e Trupit Gjykues për Zhvillimin e Gjykimit.

    Palët mund t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve lidhur me temat e trajtuara nga pala thirrëse si dhe lidhur me besueshmërinë e dëshmitarit, dhe në përgjithësi janë të autorizuara t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve për aspekte që lidhen me argumentet e tyre, me kusht që dëshmitari të jetë në gjendje të japë dëshmi relevante për lëndën.

    Çështja përfshin katër ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

    Më 15 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II. Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

    Më 15 prill 2025, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet. Në vendimin e tij gojor më 16 korrik 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e përbashkët të Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave në bazë të rregullës 130 të Rregullores.

    Më 16 dhe 17 korrik 2025, Mbrojtësi i Viktimave paraqiti provat në gjykatë. Konferenca përgatitore për Mbrojtjen u mbajt më 19 gusht 2025, kurse paraqitja e provave nga Mbrojtja fillon më 15 shtator 2025, me synimin që të përfundojë më 14 nëntor 2025. Në këtë çështje gjyqësore janë 155 viktima pjesëmarrëse.

  • Nait Hasani: Dëshmia e Rubin në Hagë do të rrëzojë akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Nait Hasani: Dëshmia e Rubin në Hagë do të rrëzojë akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani, ka deklaruar se dëshmia e ish-ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, e cila pritet të jepet nesër para trupit gjykues në Hagë, do të dëshmojë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ish-krerët e saj nuk kanë kryer krime.

    Sipas Hasanit, Rubin do të vërtetojë vullnetin e tij për të mbrojtur figurën e UÇK-së dhe të liderëve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
    Ai shtoi se dëshmia e Rubin do të shërbejë si kundërpeshë ndaj akuzave të prokurorisë, të cilat, sipas tij, janë ngritur mbi pretendime të pabazuara.
    “Kjo tregon vullnetin e tij që të dëshmojë për një ushtri çlirimtare të Kosovës dhe për faktin se kemi qenë aleatë me NATO-n në çdo veprim. Liria dhe çlirimi i Kosovës janë bërë bashkë me NATO-n dhe dëshmia e Rubin do t’i hedhë poshtë akuzat e ngritura nga persona me pretendime të ulëta e të dëmshme”, tha Hasani në një intervistë për RTV21.

    Ai gjithashtu komentoi edhe protestën e sotme në Hagë, duke theksuar se jehona e saj u pa qartë me flamujt e UÇK-së, flamujt kombëtarë dhe brohoritjet e qytetarëve.

    Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra – në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.

    Mbrojtja e Thaçit ka deklaruar se 11 dëshmitarët që mëton të thërrasë të japin dëshminë e tyre në seanca të hapura. Ndërkaq, mbrojtja e Krasniqit ka thënë se dy dëshmitarë do të japin dëshminë në gjykatore, ndërkaq dy të tjerë do të japin dëshminë me shkrim dhe kjo dëshmi veçse u është dorëzuar prokurorëve.

    Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara parasheh që deri më 14 nëntor ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të përmbyllë rastin e mbrojtjes të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit. Ky panel po ashtu pret që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të jetë e përgatitur që të paraqesë shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.

    Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

    Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.
    ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

    Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.
    Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

    Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.
    Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

  • Sot mot me vranësira dhe diell, temperaturat deri në 29°C

    Sot mot me vranësira dhe diell, temperaturat deri në 29°C

    Sot parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell.

    Gjatë orëve të para të 24-orëshit mund të ketë rrebeshe lokale shiu në zona të caktuara, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, me shpejtësi prej 10-36 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 13 deri në 16°C, ndërsa ato maksimale prej 24 deri në 29°C.

  • Ushtarë kroatë e britanikë të KFOR-it patrullojnë në Deçan: Këto tregojnë angazhimin për një ambient të sigurt

    Ushtarë kroatë e britanikë të KFOR-it patrullojnë në Deçan: Këto tregojnë angazhimin për një ambient të sigurt

    Ushtarët kroatë të caktuar në Komandën Rajonale Perëndim të KFOR-it kanë zhvilluar një patrullim në Deçan, njoftoi misioni paqeruajtës i NATO-s.

    Aktiviteti, sipas njoftimit të KFOR-it, “u krye së bashku me pjesëtarët e Gardës Skoceze të dislokuar në Kosovë si pjesë e forcave rezervë të NATO-s për qëllime stërvitore”.

    “Patrullime të tilla sigurojnë një prani të dukshme dhe qetësuese në terren, rrisin ndërgjegjësimin për situatën dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në stabilitetin rajonal. Ato gjithashtu forcojnë kohezionin dhe koordinimin ndërmjet njësive të KFOR-it, duke ruajtur një nivel të lartë të ndërveprimit operacional”, thuhet në njoftim.

    “Si pjesë e detyrave thelbësore të KFOR-it, këto operacione tregojnë angazhimin e vazhdueshëm të paanshëm të misionit për të siguruar një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në gjithë rajonin”, thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë.

    KFOR-i përsërit si zakonisht se vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR thotë gjithashtu se punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë.

    Mijëra njerëz në Hagë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, në mbrojtje të tyre nesër dëshmon James Rubin.

  • Protesta në Hagë, Bosch: Ta quash UÇK-në organizatë kriminale ky është ofendim edhe për NATO-n

    Protesta në Hagë, Bosch: Ta quash UÇK-në organizatë kriminale ky është ofendim edhe për NATO-n

    Ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, ka thënë se UÇK-ja ishte këmba e NATO-s në tokë.

    “Ta quash UÇK-në organizatë kriminale ky është ofendim edhe për NATO-n, sepse NATO nuk bashkëpunon me organizata kriminale”, ka thënë ai.

    Ai ka deklaruar se në kohën kur ishte në Kosovë kanë pasur presion për t’u bërë thirrje liderëve kosovarë që ta themelonin gjykatën speciale.

    Ka shtuar se nuk i  pëlqente kjo ide pasi serbët nuk ishin të akuzuar të kësaj gjykate.

    “Më kujtohet mirë kur takova Thaçin dhe ai ishte pak i shqetësuar. Unë   i thash se nëse do të jetë gjyq i drejtë ti do të jesh i lirë për shkak të mungesës së provave. Por unë nuk kisha të drejtë, sepse gjyqi nuk ishte aq serioz sa unë kisha pritur. Sepse siç e mbani mend raportin e Dick Martyt për trafikim të organeve, ai doli të ishte i rreme. Sepse vet gjyqtari kishte ardhur në përfundim se nuk kishte një gjë të tillë dhe ishte trillim i serbëve. Pra do të duhej të mbyllej gjykata sepse nuk kishte kuptim të vazhdonte më”, ka thënë ai.

  • Rama: Me zemër e mendje jam edhe unë atje sot Komandant

    Rama: Me zemër e mendje jam edhe unë atje sot Komandant

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë me videopërkrahje të protestës kundër Gjykatës Speciale që po zhvillohet në Hagë, nga shqiptarë anekënd botës.

    Rama shkroi se “me mendje dhe zemër unë jam atje sot Komandant”.

    Liria ka emër, shkroi Edi Rama. – “Liri për Çlirimtarët”.

  • Sot protesta e madhe në Hagë: Kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

    Sot protesta e madhe në Hagë: Kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

    Shqiptarë Kosova, Shqipëria, nga vende të ndryshme të Evropës por edhe nga Amerika janë bërë bashkë sot në Hagë për një protestë të thirrur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Protesta pritet të nis në orën 14:00 dhe nuk do të mbahet para ndërtesës së Gjykatës Speciale, sepse kjo nuk është lejuar për shkaqe të sigurisë, por vetëm në afërsi të saj.

    Protestuesit që janë ish-luftëtarë e qytetarë të tjerë nga vende të ndryshme të botës tashmë kanë përgatitur pankartat përmes së cilave do të përcjellin mesazhet e tyre. Të gjitha mesazhet do të jenë në gjuhën angleze pasi që ato janë të dedikuara për Gjykatën Speciale që është më staf tërësisht ndërkombëtar, dhe Bashkimin Evropian si financues i këtij institucioni. Disa autobusë janë nisur edhe nga Kosova.

    Kjo protestë, përmes së cilës kërkohet drejtësi, vjen vetëm një ditë para se të nis dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.
    Në sallën e gjyqit nesër, më 15 shtator në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaci pritet të paraqitet James Rubin, amerikani i cili gjatë luftës në Kosovë ka qenë ndihmës sekretar i Shtetit. Pas tij do të ketë edhe dëshmitarë të tjerë që janë figura nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania. Fillimisht do të dëgjohen dëshmitarët e mbrojtjes së Hashim Thaçit, e më pas të Jakup Krasniqit.

    Ajo çka pritet janë rreth 11 dëshmitarë të mbrojtjes së Thaçit më sallën e gjyqit, dhe dy të tjerë të Krasniqit dhe dëshmitë e tyre synohet të jepen në seanca të hapura.

    Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria i pati sjell 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.
    Hashim Thacin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, ZPS-ja i ngarkon me përgjegjësi për krime të pretenduara të luftës dhe ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”. Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.

    Kujtojmë se aktakuza ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit, ishte konfirmuar vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

    Ky proces që konsiderohet i tejzgjatur tashmë duket se është drejt fundit dhe ka hyrë në fazën më të rëndësishme të tij. Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.

  • “Drejtësi për ish-krerët e UÇK-së” – Mijëra shqiptarë nisen nesër për protestë në Hagë, gazetari i ATV-së jep detaje

    “Drejtësi për ish-krerët e UÇK-së” – Mijëra shqiptarë nisen nesër për protestë në Hagë, gazetari i ATV-së jep detaje

    Nesër në Hagë do të mbahet protesta masive në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Atje tashmë ka arritur gazetari ynë, Arian Hajdaraj, i cili do të na mbajë të informuar me të gjitha zhvillimet nga protesta gjatë ditës së nesërme, por edhe nga Gjykata Speciale të hënën, kur pritet të nisë dëshminë dëshmitari i parë në këtë proces gjyqësor.

    Për të kuptuar se cilat janë të rejat e fundit nga organizimi i protestës që do të mbahet nesër në Hagë, ndiqni raportimin e gazetarit Hajdaraj:

    https://www.facebook.com/share/v/17AiLoQLPn/?mibextid=wwXIfr

  • Ndalja e Dialgout Strategjik, Rashiq: Mesazhi më i qartë nga SHBA deri tani, Prattipati më paralamëroi 2 ditë më herët

    Ndalja e Dialgout Strategjik, Rashiq: Mesazhi më i qartë nga SHBA deri tani, Prattipati më paralamëroi 2 ditë më herët

    Ministri në detyrë për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, i cili është edhe politikani i preferuar i Albin Kurtit nga komuniteti serb, ka deklaruar në një intervistë për “RTV KiM”, se vendimi i SHBA-së për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën për kohë të pacaktuar është një ndër paralajmërimet më të qarta të SHBA-së deri tani, transmeton Express.

    Rashiq ka zbuluar se dy ditë para këtij vendimi, ishte takuar me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA-së, Annu Prattipati, në një pritje, dhe se ajo në një farë mënyre e kishte paralajmëruar se kjo mund të ndodhte.

    Sipas Rashiq, një gjë e tillë lidhet kryesisht me aspektin e kritikave ndaj Gjykatës Kushtetuese që janë bërë nga Kurti dhe e gjithë partia e tij.

    “Gjykata Kushtetuese konsiderohet si një nga organizatat më kompetente që deri më tani ka zgjidhur kryesisht raste të bllokimeve të tilla si ato që kemi tani. Ndoshta, jam i sigurt se kur të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ne do ta respektojmë atë vendim në maksimum”, ka thënë Rashiq.

    Sipas tij, vendimi i SHBA-së nuk lidhet me qasjen aktuale të Qeverisë në detyrë të Albin Kurtit ndaj serbëve në Kosovë.

    “Sinqerisht, nuk mendoj kështu, në këtë rast kjo nuk ishte arsyeja për paralajmërimin që përmenda më parë.”, ka thënë Rashiq.

  • KQZ vazhdon fushatën informuese për zgjedhjet e 12 tetorit në komuna të ndryshme

    KQZ vazhdon fushatën informuese për zgjedhjet e 12 tetorit në komuna të ndryshme

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, përmes një fushate informuese në komuna të ndryshme të vendit.

    Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se komisionet komunale të zgjedhjeve në komunat Gjakovë, Mitrovicë e Jugut dhe Junik kanë organizuar tryeza informuese me përfaqësues të subjekteve politike.

    “Gjatë këtyre takimeve janë trajtuar çështje kyçe të procesit zgjedhor, përfshirë: Regjistrimin për votim të personave me nevoja të veçanta, votimin jashtë Kosovës, si dhe mënyrat dhe procedurat e votimit. Nominimet dhe formula e trupave menaxhuese të zgjedhjeve (Këshillat e Vendvotimeve, Qendrat e Votimit me Kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe Qendrat Komunale të Numërimit), si dhe Fushata zgjedhore”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, KQZ ka theksuar se pjesëmarrësit janë informuar në detaje për të gjitha fazat e procesit zgjedhor dhe janë inkurajuar të ndajnë informacionet me komunitetin e tyre, me qëllim që të rritet vetëdija qytetare dhe përgatitja për ditën e votimit.