ATV

Category: Lajme

  • Shefja e OSBE-së në Prishtinë: Formimi i institucioneve bazuar në kushtetutë

    Shefja e OSBE-së në Prishtinë: Formimi i institucioneve bazuar në kushtetutë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Në një vizitë zyrtare në Prishtinë, ministrja e Jashtme e Finlandës njëherit kryesuese e OSBE-së, Elina Valtonen, foli rreth rëndësisë së tejkalimit të krizës institucionale në Kosovë.

    Pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Valtonen thotë se pret funksionalizimin e punës në institucione në përputhje me Kushtetutën.

    “Shënuam një arritje shumë të rëndësishme 25 vjet angazhim të OSBE-së në Kosovë. Mirëpres zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës dhe shpresoj që procesi të veprojë në bazë të Kushtetutës. Shpresojmë fuqimisht që shumë shpejt do të ketë një zgjidhje për ngërçin që lidhet me Kuvendin dhe Qeverinë”, tha Valtonen.

    Përveç zhvillimeve politike, Valtonen theksoi edhe rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe mbështetjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Forcimi i marrëdhënieve ndër-komunitare mbetet i rëndësishëm dhe ka qenë prej kohësh një fushë kyçe e angazhimit për misionin e OSBE-së në Kosovë. Me emërimin e një Përfaqësuesi të ri Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, riafirmimi i angazhimit për dialogun dhe avancimi i zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese është thelbësor për të siguruar progres. OSBE-ja mbetet e gatshme të mbështesë këto përpjekje, pasi misioni këtu ka potencial për kontribute të mëtejshme në përputhje me mandatet e tij”, tha Valtonen.

    Në konferencë nuk u deklarua por sipas njoftimit të Presidencës, Osmani në takim me Valtonen shprehi gatishmëri për bashkëpunim në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe të drejtave të njeriut.

    E, Kryesuesja e OSBE-së, gjithashtu u takua me përfaqësuese të shoqërisë civile dhe pjesëtare të akademisë për gratë e reja, një rrjet i mbështetur nga OSBE që promovon paqen dhe përfshirjen.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Presidentja Osmani pret në takim lamtumirës ambasadorin Rohde, thotë se Gjermania mbetet partner strategjik i Kosovës

    Presidentja Osmani pret në takim lamtumirës ambasadorin Rohde, thotë se Gjermania mbetet partner strategjik i Kosovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jörn Rohde, të cilin e falënderoi për angazhimin e tij të gjatë mandatit në Kosovë.

    Osmani ritheksoi se Gjermania mbetet partner strategjik i rëndësishëm i Republikës së Kosovës dhe se partneriteti ndërmjet dy shteteve është në rritje të vazhdueshme. Me këtë rast, u veçua rëndësia e thellimit të marrëdhënieve ekonomike, të cilat janë forcuar edhe falë kontributit të çmuar të mërgatës kosovare në Gjermani, që përmes investimeve dhe angazhimit të tyre përbëjnë një urë të fuqishme lidhëse mes dy vendeve dhe popujve tanë.

    Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Kosovës përgjatë viteve, përfshirë edhe mbështetjen për rrugën drejt integrimit euroatlantik. Po ashtu, ajo vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në sektorë të ndryshëm përmes projekteve të shumta zhvillimore.

    Ajo i uroi ambasadorit Rohde suksese të mëtejshme në angazhimet e tij të ardhshme./ATVLIVE/

  • Rutte do të takohet të mërkurën me Ramën në Bruksel

    Rutte do të takohet të mërkurën me Ramën në Bruksel

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ndodhet në Bruksel për pjesëmarrje në Konferencën e 6-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, pritet të zhvillojë një takim me kreun e NATO-s, Mark Rutte.

    Lajmi bëhet i ditur nga një njoftim i publikuar në faqen zyrtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO).

    “Të mërkurën, më 17 shtator 2025, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Mark Rutte, do të presë Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, në selinë e NATO-s, në Bruksel”, thuhet në njoftim.

  • Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin që vrau djalin e axhës mbrëmë në Ferizaj

    Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin që vrau djalin e axhës mbrëmë në Ferizaj

    Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin B.R. lidhur me vrasjen e I.R. mbrëmë në fshatin Balaj.

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit B.R, nga komuna e Ferizajt, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”

    Sipas Prokurorisë “ekziston dyshimi i bazuar se më 15.09.2025, rreth orës 19:42, në fshatin Balaj- Ferizaj, i pandehuri me dashje e ka privuar nga jeta të dëmtuarin – djalin e axhës se tij, I.R., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje te mëhershme qe kishin pasur si pasoje e problemeve në lidhje me një konflikt pronësor, me t’u takuar ne rrugën e fshatit me njeri-tjetrin, pas fjalosjes verbale, në atë moment i pandehuri B.R., e nxjerr revolen e tipit ZIG 14 TISAS dhe shtënë katër herë në drejtim të viktimës I.R., duke e goditur në pjesët e sipërme të trupit, me ç’rast viktima nga lëndimet e shkaktuara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë rrugës duke e dërguar për në Qendrën Emergjente të Ferizajt, me të cilën do të kryente veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.8 të KPRK-së”.

    “I pandehuri që nga data 15 Shtator 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.”/ATVLIVE/

  • Rubin: Hill nuk ishte miqësor me Thaçin, jepte komente negative

    Rubin: Hill nuk ishte miqësor me Thaçin, jepte komente negative

    James Rubin ka vazhduar dëshminë e tij në Hagë, ku ka folur për marrëdhëniet dhe perceptimet në kohën e zhvillimeve të Rambujesë.

    Ai është ndalur edhe te sjellja e ish-diplomatit amerikan, Christopher Hill, ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.

    “Hill nuk ishte miqësor me Thaçin. E dija se Chris Hill do jepte shpjegime negative për sjelljen e tij dhe do të bënte komente negative për Thaçin te delegacioni amerikan, dhe mund t’i bënte këto edhe për senatorin Doll. Qëndrimi nuk do të ishte i shkreti z. Thaçi që është fshehur, por Hill tha ‘pse nuk është këtu ai’, ‘pse bën ai sikur është një person i rëndësishëm’. Unë isha në dijeni që Hill kishte ndikim në këtë situatë, dhe do përpiqesha të thosha se ka arsye që nuk është këtu, ndoshta ka mbetur në bjeshkë, ndoshta është në rrezik.”, tha Rubin.

  • Barduani: Rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike

    Barduani: Rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike

    Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Enrico Barduani, në informimin e tij të fundit para Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe Këshillit të Atlantikut të Veriut, ka theksuar se rruga drejt një sigurie të qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike.

    Ai theksuar se “situata në Kosovë është e qëndrueshme, por mbetet subjekt i rreziqeve të përshkallëzimit të papritur, për shkak të një sërë çështjesh të pazgjidhura”.

    Barduani tha se, pavarësisht sfidave në terren, “KFOR ka qëndruar në rrugën e duhur”, duke ndihmuar në “ruajtjen e stabilitetit dhe zbutjen e situatave që mund të kishin çuar në incidente ose shpërthime të paqëndrueshmërisë” dhe duke kontribuar “në ruajtjen e një kuadri sigurie që mund të ndihmonte përpjekjet e vazhdueshme dhe të rëndësishme diplomatike”.

    Duke ripërsëritur mbështetjen e NATO-s dhe KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë, ai theksoi: “KFOR-i ka demonstruar – edhe një herë – se është i gatshëm dhe i aftë të luajë rolin e tij dhe të përshtasë qëndrimin e tij, sipas nevojës. Që të lëvizim përpara është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina t’i implementojmë marrëveshjet ekzistuese. Të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet që të bëjnë kompromiset e nevojshme”.

    Barduani ka vlerësuar gjithashtu edhe forcimin e misionit, përfshirë vendosjen e përkohshme të forcave rezervë, si dhe thellimin e bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare, organizatat e sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura Serbe.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.”, thuhet në njoftim.

  • Zelensky i bën thirrje Trumpit: Ndale personalisht Putinin

    Zelensky i bën thirrje Trumpit: Ndale personalisht Putinin

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për presidentin amerikan, Donald Trump që të marrë një qëndrim të qartë ndaj Rusisë, duke përfshirë sanksionet dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.

    Në një intervistë dhënë Sky News-it, ai ka thënë se kjo ishte pjesa që ka munguar për të çuar para bisedimet e paqes.

    Ai ka kërkuar nga Trumpi që të veprojë personalisht për ta ndalur Putinin.

    Tutje Zelensky ka shprehur shpresën që kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, të mund të marrë më shumë sqarime nga Trumpi gjatë vizitës së tij shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, që pritet të fillojë të martën në mbrëmje.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë para gazetarëve në Izrael se ka mundësi që Trumpi të takohet përsëri me Zelenskyn gjatë asamblesë së përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme në Nju Jork.

    “Ai do t’i vazhdojë përpjekjet. Nëse paqja është e mundur, Trumpi dëshiron ta arrijë atë”, ka thënë Rubio.

  • “Shpejtësia e Shqipërisë është mbresëlënëse”, Marta Kos-Ramës: Vazhdoni me këtë ritëm

    “Shpejtësia e Shqipërisë është mbresëlënëse”, Marta Kos-Ramës: Vazhdoni me këtë ritëm

    Shqipëria është një hap më pranë BE, duke hapur sot edhe negociatat për grupkapitullin IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.

    Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos mbajtën një konferencë për shtyp në Bruksel.

    Kos u shpreh se shpejtësia e Shqipërisë është mbresëlënëse. Ajo iu drejtua kreut të qeverisë, duke i thënë që të vazhdojë me këtë ritëm.

    “Shpejtësia e Shqipërisë është mbresëlënëse. Ende nuk kam bërë një vit në detyrë dhe kjo është hera e 4-t tashmë që ne çelim një grup kapitull negociatash me Shqipërinë gjatë mandatit tim. Kjo na çon në 5 grupkapituj të hapur dhe 28 kapituj të çelur. Ka mbetur dhe 1 grupkapitull dhe nuk kam aspak dyshim që do ta bëjmë këtë gjë së shpejti. E di që presidenca daneze dhe të gjitha shtetet anëtarë janë plotësisht të përkushtuara që të shënojmë progres në momentin që përmbushen të gjitha kriteret. Dhe po të përdorja terminologjinë olimpike, do të jetë më shpejt, më lartë, më fort dhe me një punë në ekip dhe siç e shihni ka një trekëndësh të fortë që e mbështet procesin e zgjerimit në tërësi, siç ju e theksuat e dashur Mari, duke qenë një nevojë gjeostrategjike. Ky rezultat është rrjedhojë e punës së madhe të autoriteteve shqiptare që kanë çuar përpara reformat përgjatë shumë viteve dhe sidomos gjatë këtij viti, pavarësisht zgjedhjeve që janë zhvilluar.

    Ne e dimë që reformat që ju kërkojmë kandidatëve tanë, ndonjëherë nuk janë të lehta, kërkojnë ndryshime themelore, por vendi juaj, i dashur Kryeministër, po tregon që mund të bëhet, Shqipëria po tregon që ndryshimi pozitiv është i mundur dhe se BE-ja e shpërblen këtë ndryshim pozitiv. Dhe vazhdoni kështu me këtë ritëm, duke u siguruar që të përfshini dhe Parlamentin, shoqërinë civile dhe sektorin privat, sepse një konsensus i gjerë kombëtar përmirëson pranimin shoqëror e më tej, sidomos për fusha kritike si reforma në drejtësi, pavarësia në gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit, e drejta e pronësisë, çështjet e pakicave dhe liria e medias që përmbushin piketat e ndërmjetme. Kjo është e rëndësishme që ne të nisim të përmbyllim kapitujt dhe në momentin që do çelen të gjithë kapitujt, ne do të nisim të mbyllim kapituj sa më shpejt të jetë e mundur që të realizojmë ambicien tuaj për t’i përmbyllur ato të gjitha brenda 2027.

    Grup kapitulli që kemi çelur sot, quhet agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme. Reformat që përmban ndihmojnë që rritja ekonomike e Shqipërisë, të shkojë krah për krah me mbrojtjen e pasurisë së jashtëzakonshme natyrore të Shqipërisë, të mbrojë burimet natyrore, të përmirësojë menaxhimin e ujërave të ndotura dhe të ulë ndotjen e ajrit.

    Transporti në këtë grupkapitull, do të ndihmojë në zgjerimin e rrugëve, në përmirësimin e transportit dhe ndërlidhjen e Shqipërisë me sistemet evropiane. Ndërkohë që energjia do të ndihmojë në konkurueshmërinë e drejtë, me forcimin e konkurueshmërisë por gjithashtu edhe përdorimin e burimeve të ripërtëritshme. Kjo do të sigurojë përmirësimin në jetën e qytetarëve shqiptarë dhe ka mes tyre, në vende kandidate, pra ata janë midis vendeve kandidate që mbështesin më shumë anëtarësimin. 91% e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin në BE; 92% i besojnë BE-së dhe 82% kanë imazhin e BE-së dhe këto janë nga shifrat më të larta mes vendeve kandidate. E ardhmja e Shqipërisë është në BE dhe nuk ka aspak dyshim për këtë dhe sot jemi një hap më pranë për të arritur këtë objektiv”, u shpreh Kos.

  • Rubin tregon për besimin që kishte ndaj Thaçit: I kam besuar gjithnjë, sepse fjalët i përkthente në veprime

    Rubin tregon për besimin që kishte ndaj Thaçit: I kam besuar gjithnjë, sepse fjalët i përkthente në veprime

    Ish-diplomati amerikan, James Rubin, në vazhdimin e paraqitjes së dëshmisë se tij në Gjykatën Speciale është duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarëve.

    I pyetur nëse iu kishte besuar fjalëve të Thaçit, i cili në vitin 199 i kishte thënë se shqiptarët dhe UÇK-ja dëshironin demokraci dhe bashkëjetesë, Rubin ka dhënë përgjigje interesante.

    Ai ka bërë me dije se besimin ndaj Thaçit e kishte ndërtuar në vazhdimësi.

    Sipas tij, Thaçi fjalët i përkthente në veprime.

    “Besoj se ai donte marrëveshje, besoj se donte demokraci, edhe pse fliste me gjuhë komuniste në atë kohë. Ishte me përkthim, e vështirë të bëhet vlerësim i saktë. Bashkëjetesës, e di që shqiptarët e Kosovës kishin jetuar në regjim shtypës për dekada të tëra, me mijëra ishin vrarë, e dija që ai po thoshte atë që ne donim të dëgjonim që ishte gjë e mirë. A e besova këtë? I kam besuar gjithnjë me kalimin e viteve, sepse ai tregoi që fjalët që thoshte i përkthente në veprime. Edhe pse nuk kam dyshuar, u binda gjithnjë e më shumë për sinqeritetin e deklaratave të tija me kalimin e kohës”, ka thënë Rubin.

  • Gati 1000 divorce në 7 muaj për këtë vit në Kosovë

    Gati 1000 divorce në 7 muaj për këtë vit në Kosovë

    Numri i shkurorëzimeve në vendin tonë po rritet. Vetëm për shtatë muaj nga janari deri në korrik të këtij viti 953 çifte i kanë dhënë fund martesës së tyre.

    Sipas të dhnave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) vetëm në muajin janar të vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 124 raste të shkurorëzimeve. Ndërkaq gjatë muajit shkurt 141 çifte i dhanë fund martesës së tyre. E në muajin mars janë regjistruar 123 raste të shkurorëzime.

    E numri i shkurorëzimeve është rritur në prill duke shkuar në 140 raste. Ndërkaq në maj janë 113 çifte të cilët janë ndarë.

    E numri i shkurorëzimeve është rritur sërish në qershor duke u shenuar 135 raste. Ndërkaq korriku shënon rritje prej 31 përqind  krahasuar me muajin qershor, duke shkuar në 177 numri i rasteve të shkurorëzimeve.

    “Sa i përket shkurorëzimeve të ndodhura në Kosovë, për muajin Korrik janë 177 raste, krahasuar me muajin qershor kemi rritje të numrit të çifteve të shkurorëzuarve për (31 %)”, thuhet në raportin e ASK-së.

    Nga të dhënat e ASK-së për muajin korrik, me numrin më të madh të shkurorëzimeve prin Prizreni me 22 raste, pasuar nga Ferizaji me 16 raste, Peja e Gjilani me 14 raste dhe Rahoveci dhe Gjakova me nga 13 raste.