ATV

Category: Lajme

  • Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Pezullimi i dialogut SHBA-Kosovë është hap shqetësues, rrezikon destabilizim të rajonit

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Pezullimi i dialogut SHBA-Kosovë është hap shqetësues, rrezikon destabilizim të rajonit

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka reaguar me shqetësim ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar për një periudhë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë veprim si të rrezikshëm për raportet dypalëshe dhe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

    Në një deklaratë për mediat, KASH i bën thirrje kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti – si fitues i zgjedhjeve të 9 shkurtit – dhe forcave të tjera politike, që të tejkalojnë ndarjet dhe të bashkëpunojnë për të mbrojtur interesat kombëtare, si dhe për të rivendosur marrëdhëniet me SHBA-në në fushat kyçe të mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë.

    “Kosova është ndër vendet më pro-amerikane në botë, me një angazhim të qartë ndaj paqes, demokracisë dhe vlerave euroatlantike. Pezullimi i dialogut me Prishtinën, ndërkohë që avancon dialogu me Beogradin, jep një mesazh të gabuar dhe rrezikon të destabilizojë rajonin, duke i dhënë hapësirë ndërhyrjes së Serbisë përmes Listës Serbe”, thuhet në deklaratë.

    Këshilli e cilëson të padrejtë që një shtet që ka qenë ndër partnerët më të qëndrueshëm të SHBA-së të penalizohet në këtë mënyrë, ndërsa sipas tij, Serbia – e cila po afrohet gjithnjë e më shumë me Kinën, Rusinë dhe Iranin – përfiton nga një trajtim më i butë.

    “Kosova ka nevojë për përkrahje në ndërtimin e institucioneve të saj, jo për presione që mund të paralizojnë funksionimin e tyre”, thekson më tej KASH.

    Në reagim theksohet se autoritetet në Kosovë duhet të bëjnë përpjekje për të dalë sa më parë nga masa ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe tani edhe nga SHBA-ja, përmes një qasjeje më konstruktive dhe duke vlerësuar rolin thelbësor të mbështetjes perëndimore për zhvillimin dhe sigurinë e vendit.

    “Ndërhyrjet e Beogradit në Kosovë, përmes partive politike serbe, duhet të adresohen në koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe BE-në, dhe gjithmonë brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës”, shton KASH.

    Në fund të deklaratës, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u bën thirrje gjithë spektrit politik në Kosovë që të unifikojë qëndrimet për dialogun me Serbinë, në funksion të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, që do të siguronte njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy shteteve.

  • Më shumë se 10% e popullsisë së Gazës është vrarë ose plagosur, thotë ish-shefi i ushtrisë izraelite

    Më shumë se 10% e popullsisë së Gazës është vrarë ose plagosur, thotë ish-shefi i ushtrisë izraelite

    Ish-shefi i ushtrisë izraelite ka thënë se më shumë se 1 në 10 palestinezë në enklavë janë vrarë ose plagosur që nga fillimi i luftës gati dy vjet më parë.

    Duke folur në komunitetin e Ein HaBesor në Izraelin jugor javën e kaluar, ish-Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Gjeneral-Lejtnant Herzi Halevi tha: “Ka 2.2 milionë njerëz në Gaza. Sot në Gaza ka më shumë se 10% që janë vrarë ose plagosur, më shumë se 200,000. Kjo nuk është një ‘luftë e butë’”.

    Dhe siç vlerëson CNN, shifra është e dukshme sepse është shumë afër numrit të viktimave nga Ministria Palestineze e Shëndetësisë, e cila thotë se forcat izraelite kanë vrarë gati 65,000 palestinezë dhe kanë plagosur më shumë se 164,000 të tjerë.

    Gjatë luftës, zyrtarët izraelitë sfiduan vazhdimisht shifrat e ministrisë së shëndetësisë, duke kërkuar të hedhin dyshime mbi numrin e raportuar të vdekjeve dhe lëndimeve në enklavën e rrethuar.

    Ata gjithashtu akuzuan ministrinë se mbështetej në të dhënat e ofruara nga Hamasi.

    Sipas CNN, komentet e Halevit u bënë të martën, por nuk u raportuan gjerësisht deri në fundjavë nga mediat izraelite, shumë prej të cilave publikuan një regjistrim audio të deklaratave.

    CNN thotë se mori një kopje të audios dhe konfirmoi me një pjesëmarrës se Halevi kishte folur në këtë ngjarje.

    Halevi ishte shefi i shtabit gjatë 17 muajve të parë të luftës.

    Ndërkohë, një zëdhënës i IDF-së tha: “Ne nuk do të komentojmë për çështjet e thëna në biseda të mbyllura”. /Telegrafi/

  • Parashikimi i motit për Kosovë – dita e sotme

    Parashikimi i motit për Kosovë – dita e sotme

    Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se e marta në Kosovë do të jetë me diell dhe vranësira të pjesshme.

    IHK njofton se temperaturat minimale do të jenë nga 6-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës nga 24-29°C.

    Era do të fryjë nga veriperëndimi, 1–3 m/s.

  • Shqipëria hap edhe 4 kapituj të rinj në negociatat e anëtarësimit në BE

    Shqipëria hap edhe 4 kapituj të rinj në negociatat e anëtarësimit në BE

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar sot fotografi nga takimi me komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos.

    Rama në një postim në Facebook thotë se mezi pret hapjen edhe të katër kapitujve tjerë të negociatave për anëtarësim në BE.

    “Mirëmengjes dhe me padurimin e sotëm për të hapur edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në BE, që i shtohen 24 kapitujve të hapur në vetëm 11 muaj, një ritëm rekord, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

    Ndryshe, kryeministri shqiptar të shtunën kishte paralajmëruar se Presidenca Daneze e BE-së i ka ftuar që në praninë e Ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare, të hapin edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim.

    Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme, mbi fusha të rëndësisë jetike, si Transporti, Energjia, Rrjetet Trans-evropiane dhe Mjedisi, janë tanimë në tryezë.

  • Presidentja Osmani takohet sot me Kryediplomaten e Finlandës

    Presidentja Osmani takohet sot me Kryediplomaten e Finlandës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do ta presë sot në takim Ministren e Jashtme të Finlandës, njëkohësisht kryesuese e OSBE-së, Elina Valtonen.

    “Në orën 09:20, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, njëkohësisht kryesuese e OSBE-së, Elina Valtonen”, thuhet në njoftim.

  • Vazhdon edhe sot dëshmia e James Rubin në Speciale

    Vazhdon edhe sot dëshmia e James Rubin në Speciale

    James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, vazhdon sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Dje mbrojtja nisi paraqitjen e provave në gjykimin Thaçi dhe të tjerët duke thirrur dëshmitarin e parë, në këtë rast James Rubin.

    Sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, dëshmitari James Rubin ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Publike dhe Zëdhënës Kryesor nga viti 1997 deri në vitin 2000.

    Përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dje ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për të shoqëruar dëshmitarin.

    Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Rubin tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.

    “Qeveria serbe gjithmonë është përpjekur të fajësojë UÇK-në dhe kjo është në përputhje me mënyrën e veprimit të regjimit serb, mënyrë se si ka vepruar në atë kohë, kjo është mënyra se si ata janë përpjekur të justifikonin fajin tek të tjerët”, tha ai.

    “Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritet dhe as mundësi për të diktuar ndonjë gjë”, ka deklaruar në dëshminë e tij James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit.

    Rubin, dëshmitari i parë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, dëshmoi për disa orë në Hagë mbi njohjen, takimet dhe komunikimet me Thaçin dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

    Sipas Rubinit, Thaçi nuk kishte as dijen, as aftësinë dhe as pushtetin për të marrë vendime, duke hedhur dyshime mbi pretendimet e prokurorisë për një strukturë të centralizuar të UÇK-së.

    Ai e përshkroi Thaçin si figurë politike dhe jo ushtarake.

    Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka mohuar se arsyeja pse Hashim Thaçi nuk e nënshkroi marrëveshjen e parë të Rambujesë lidhej me hezitimin për çarmatosjen e UÇK-së.

    Rubin theksoi se pala shqiptare kërkonte garanci nga NATO për përdorimin e forcës në rast se Serbia do të vazhdonte represionin.

    Ai tha se Thaçi kërkonte edhe aprovimin e Adem Demaçit, i cili sipas tij kishte kundërshtuar nënshkrimin.

    Në dëshminë e tij, Rubin akuzoi diplomatin amerikan Christopher Hill përanshmëri kundër UÇK-së dhe tentativë për ta dëmtuar figurën e tij dhe të sekretares Madeleine Albright.

    Po ashtu, dëshmitari theksoi se nuk ka gjetur asnjë provë që Thaçi apo Jakup Krasniqi të jenë përfshirë në vrasje apo ekzekutime dhe se akuzat e tilla shpesh ishin të fabrikuara për të cenuar marrëdhënien mes Kosovës dhe ShBA-së.

    Dëshmia e tij është cilësuar nga analistët në Kosovë si një sfidë ndaj akuzave të prokurorisë, duke e paraqitur UÇK-në si një strukturë të decentralizuar dhe jo si organizatë të aftë për të planifikuar krime sistematike.

    Reagimet politike në Kosovë kanë qenë të shumta.

    PDK dhe OVL-UÇK e përshëndetën dëshminë si mbështetje të qartë për drejtësinë e luftës çlirimtare.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha për dëshminë e Rubinit se në Hagë “po dëshmon një mik i madh nga përtej Atlantikut”.

    Deputetja Vlora Çitaku e quajti Thaçin figurë të papërsëritshme që afroi UÇK-në me Perëndimin.

    Analisti Agon Maliqi e quajti dëshminë e Rubin një dokument të rëndësishëm historik që çmonton narrativat propagandistike dhe tregon realitetin e kaotik të luftës, derisa Lulzim Peci e cilësoi si ligjëratë publike për historinë moderne të Kosovës.

    Nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti falënderoi SHBA-në dhe botën demokratike për përkrahjen ndaj luftës së UÇK-së.

    Ndërkohë, Alban Krasniqi nga LVV theksoi se dëshmia e Rubinit nxori në pah se udhëheqës ushtarak i UÇK-së ishte Agim Çeku, jo Hashim Thaçi.

  • Sot nis gjykimi për spiunazh ndaj ish-zyrtares së OSBE-së

    Sot nis gjykimi për spiunazh ndaj ish-zyrtares së OSBE-së

    Sot nis gjykimi për spiunazh ndaj ish-zyrtares së OSBE-së, Jelena Gjukanoviq.
    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Gjukanoviqit, e cila ngarkohet se ka ndihmuar me informacione Agjencinë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë.

    “J.GJ. akuzohet se nga data e pacaktuar, e deri në momentin e arrestimit më 28.02.2025, në cilësinë e zyrtares të Misionit të OSBE-së në Kosovë, me vetëdije dhe me dashje ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

    Gjukanoviq ngarkohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s.

  • Sot ditë me diell, temperaturat deri në 29°C

    Sot ditë me diell, temperaturat deri në 29°C

    Moti për ditën e sotme pritet të jetë me diell dhe vranësira të pjesshme.

    Instituti Hidrometerologjik ka bërë të ditur temperaturat minimale për këtë të marte shënojnë 6-9 gradë celsius, raporton Klankosova.tv

    Njëherësh temperaturat maksimale arrijnë deri në 24-29 gradë celsius.

  • Paralajmëron Gjermania: Veprimet e Kosovës bien ndesh me obligimet e vendit ndaj Bashkimit Evropian

    Paralajmëron Gjermania: Veprimet e Kosovës bien ndesh me obligimet e vendit ndaj Bashkimit Evropian

    Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Reiffenstuel, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të fundit të autoriteteve të Kosovës ndaj institucioneve shëndetësore të menaxhuara nga Serbia.

    Përmes një postimi në platformën “X”, Reiffenstuel ka kërkuar me urgjencë që Kosova të përmbahet nga këto veprime, duke paralajmëruar se ato ndikojnë negativisht mbi vetë qytetarët e Kosovës dhe bien ndesh me obligimet e vendit ndaj Bashkimit Evropian.

    “Veprimet shqetësuese të javës së kaluar ndikojnë negativisht te qytetarët e Kosovës, shkojnë kundër obligimeve dhe zotimeve të saj ndaj BE-së dhe krijojnë tensione në marrëdhëniet tona bilaterale”, shkroi Reiffenstuel.

    Ndryshe, objekti ku funksiononte Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe Fondi për Sigurim Invalidor e Pensional sipas sistemit të Serbisë, është mbyllur më 12.09.2025 nga Komuna e Mitrovicës së Veriut.

  • Aksident i rëndë në Podujevë, një i vdekur dhe katër të lënduar

    Aksident i rëndë në Podujevë, një i vdekur dhe katër të lënduar

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në Podujevë, si pasojë e të cilit ka vdekur një person dhe katër të tjerë janë lënduar.

    Lajmin për media e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, e cila bëri të ditur se në këtë aksident janë përfshirë një veturë dhe një kamion në lëvizje, ndërkaq më pas janë goditur rrethojat e një objekti dhe disa automjete të parkuara.

    “Sot rreth orës 17:30 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Skënderbeu’ në Podujevë ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident ka qenë e përfshirë një veturë dhe një kamion në lëvizje, më pas janë goditur rrethojat e një objekti dhe disa automjete të parkuara”, tha Ahmeti.

    “Në këtë aksident ngasësi i kamionit ka humbur jetën dhe janë lënduar katër persona të tjerë. Vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendngjarje dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërkohë që personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, thuhet tutje në konfirmim.