ATV

Category: Lajme

  • Bashkëshortja e Navalny thotë se testet e reja tregojnë që ai është helmuar në burg, fajëson Putinin për vdekjen e tij

    Bashkëshortja e Navalny thotë se testet e reja tregojnë që ai është helmuar në burg, fajëson Putinin për vdekjen e tij

    Testet e reja laboratorike tregojnë se Alexei Navalny është helmuar, ka deklaruar e veja e tij, Yulia Navalnaya, duke fajësuar presidentin rus, Vladimir Putin, për vdekjen e tij.

    Navalnaya ka pohuar se dy analiza laboratorike, të kryera në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, tregojnë se burri i saj është helmuar para vdekjes.

    Në një video të publikuar në YouTube, ajo kujtoi detajet e letrës së fundit nga Navalny, një ditë para se të vdiste në një koloni penale në Rusi, dhe përshkroi ditët e tij të fundit në paraburgim, duke nxjerrë në pah mungesën e reagimit të autoriteteve ndaj raporteve të tij për gjendjen shëndetësore.

    Ajo gjithashtu tregoi fotografi nga brenda qelisë ku ai ishte sëmurë.

    “Në shkurt të vitit 2024, ne ishim në gjendje të merrnim dhe të transferonim në mënyrë të sigurt mostra biologjike të Alexei jashtë vendit. Laboratorët në të paktën dy vende i testuan në mënyrë të pavarur ato mostra”, tha Navalnaya.

    Ajo shtoi se laboratorët arritën në përfundimin në mënyrë të pavarur se Alexei ishte helmuar. “Laboratorët në dy vende të ndryshme arritën në përfundimin në mënyrë të pavarur: Alexei u vra, domethënë, u helmua”, deklaroi Navalnaya, pa dhënë prova të tjera mbështetëse.

    “Unë kërkoj që laboratorët që kryen analizat të publikojnë rezultatet e tyre. Unë pohoj se Vladimir Putini është përgjegjës për vrasjen e burrit tim, Alexei Navalny”, shtoi ajo.

    E veja e Navalny paralajmëroi se nuk duhet t’i jepet qetësi Putinit: “Mos e kënaqni Putinin për disa ‘konsiderata’ më të larta. Nuk mund ta qetësoni. Ndërsa heshtni, ai nuk ndalet”.

    Në gusht 2020, Navalny u helmua në fund të një udhëtimi në Siberi me një agjent nervor, Novichok.

    Ai filloi të shkruajë librin e tij me kujtime, Patriot, teksa i nënshtrohej trajtimit specialistik në Gjermani.

    I shëruar, ai u kthye në Moskë në janar 2021 dhe u dërgua menjëherë në paraburgim.

    Navalny kaloi 37 muajt e mbetur të jetës së tij në burg, gjatë të cilëve ai mbajti shënimet e ditarit të mbledhura në kujtimet e tij.

  • Zgjedhjet lokale: Diaspora nis procesin e votimit

    Zgjedhjet lokale: Diaspora nis procesin e votimit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të mërkurën ka nisur procesi i votimit me postë për qytetarët e Kosovës që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale jashtë vendit.

    Periudha e votimit me postë do të zgjasë 25 ditë, nga 17 shtatori deri më 11 tetor, dhe do të përfshijë vetëm 43,933 votues që janë regjistruar me sukses jashtë Kosovës.

    “Në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2025 për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, sipas të cilave KQZ do të sigurohet që shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotime, KQZ ka përgatitur pakot për secilin votues të regjistruar, e cila përmban nga dy fletëvotime, një për zgjedhjet për Kryetar Komune dhe një për Zgjedhjet për Kuvend Komunal.”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

    Deri më tani, disa pako me fletëvotime janë dërguar përmes postës për votuesit e regjistruar në disa shtete, ndërsa shërbimet postare do t’i përcjellin ato te votuesit në adresat e dhëna gjatë procesit të regjistrimit. KQZ vazhdon të dërgojë pjesën tjetër të pakove me fletëvotime.

    “Zarfi i cili do t’i dërgohet votuesit përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës”, vijon njoftimi.

    Votuesit jashtë Kosovës duhet të depozitojnë pakot me fletëvotime në njërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e rasteve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare përkatëse në shtetin e votuesit. Kur adresa nuk është e shënuar, votuesi duhet të përdorë njërën nga kutitë postare të KQZ-së.

    “KQZ fton për vëmendje votuesit e regjistruar se çdo dërgesë postare duhet të jetë individuale. Të gjitha informacionet e detajuara për procesin e votimit jashtë Kosovës, KQZ ua përcjellë individualisht votuesve të regjistruar në e-mail adresat e tyre”, përfundon njoftimi.

  • Putin “po i teston limitet”, paralajmëron Merz

    Putin “po i teston limitet”, paralajmëron Merz

    Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, porositi Evropën që të mos e lejojë Rusinë t’i përcaktojë kushtet e një marrëveshjeje për paqe në Ukrainë, duke paralajmëruar se një gjë e tillë vetëm sa do ta trimëronte presidentin rus, Vladimir Putin, “që të kërkojë objektivin e tij të radhës”.

    “Putin po i teston limitet që një kohë të gjatë”, tha Merz në parlamentin gjerman, ku po diskutohet për buxhetin e ri.

    “Ai saboton, spiunon, vret, përpiqet t’i trazojë njerëzit”, u shpreh kancelari i Gjermanisë, të mërkurën, raporton DPA, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Merz tha se kjo u bë e qartë në Poloni, javën e kaluar, kur dronët rusë cenuan hapësirën ajrore të vendit dhe u rrëzuan mbi territorin e tij, për herë të parë.

    Putin, po ashtu, po përpiqet të destabilizojë shoqërinë gjermane, paralajmëroi kancelari Merz.

    “Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë”, deklaroi Merz, duke shtuar se Gjermania po forcon kapacitetet e saj mbrojtëse pikërisht për këtë arsye.

    “Ne duhet t’i parandalojmë kundërshtarët tanë nga agresioni i mëtejmë dhe, në të njëjtën kohë, t’i bëjmë më të bashkuar aleatët dhe partnerët”, tha Merz.

    Gjermania ka qenë një prej mbështetësve më të mëdhenj të Ukrainës pas pushimit rus në shkallë të gjerë, më 2022.

    Sipas ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, Gjermania ua ka kaluar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tani është furnizuesi më i madh i Ukrainës me ndihma ushtarake./REL

  • Mbi 500 kg lëndë narkotike konfiskohen në një stallë në një fshat të Suharekës

    Mbi 500 kg lëndë narkotike konfiskohen në një stallë në një fshat të Suharekës

    Policia e Kosovës bën të ditur se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Njësia Prizren të martën në një fshat të Suharekës, në një stallë kanë gjetur lëndë narkotike, që dyshohet të jetë marihuanë.

    Policia bën të ditur se në vendin e ngjarjes është ftuar edhe prokurori, kurse pos lëndës narkotike është gjetur edhe një granata-hedhës (mortajë dore) dhe një pushkë gjuetie.

    “Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Njësia Prizren, kanë trajtuar në aspektin policor një informacion. Në realizim të veprimeve operativo-hetimore në teren, është arritur që të lokalizohet një vend ku dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike. Kështu, dje me 16.09.2025, në një fshat të Suharekës, në një objekt (stallë), janë gjetur lëndë që dyshohet të jetë narkotike të llojit marihuanë në proces të tharjes (terjes)”, thuhet në njoftim.

    Pas peshimit të lëndëve narkotike ka rezultuar se pesha totale ishte 512 kg e 89 gr, ndërkaq vlerësohet se vlera në treg është rreth 750 mijë euro.

    “Në vend-ngjarje janë gjetur dhe konfiskuar dëshmi relevante me rastin”, thuhet në njoftim.

    Lidhur me rastin një person i dyshuar, i njohur për policinë ndodhet në arrati.

  • Kush është Paul Williams, dëshmitari i dytë i mbrojtjes në rastin e Thaçit

    Kush është Paul Williams, dëshmitari i dytë i mbrojtjes në rastin e Thaçit

    Paul Williams është jurist dhe profesor amerikan i së drejtës ndërkombëtare, i njohur për angazhimin e tij në çështje të shtetformimit, paqes dhe zgjidhjes së konflikteve.

    Në kohën e negociatave të Rambujesë (1999), ai ka qenë këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës, duke ndihmuar ekipin kosovar me argumentet juridike që lidhen me të drejtën e vetëvendosjes, të drejtat e njeriut dhe bazën ndërkombëtare për ndërhyrjen e NATO-s pas refuzimit të Serbisë.

    Më pas, Williams është bërë i njohur si bashkëthemelues dhe president i “Public International Law & Policy Group” (PILPG) – një organizatë jofitimprurëse që ofron asistencë ligjore për qeveri dhe grupe opozitare në procese paqeje dhe shtetformimi.

    Williams ka shërbyer edhe si pjesë e delegacioneve në negociatat për Marrëveshjen e Dejtonit (Bosnjë-Hercegovinë), negociatat e Marrëveshjes së Ohrit (Maqedoni) dhe negociatat e Podgoricës/Beogradit për Serbinë dhe Malin e Zi. Ai gjithashtu ka këshilluar palët në negociatat e Key West për Nagorno-Karabakun, negociatat e Oslos dhe Gjenevës për Luftën Civile të Sri Lankës, negociatat e konfliktit Gjeorgjio-Abkazi dhe bisedimet e paqes në Somali.

    Ai ka këshilluar dhjetëra qeveri dhe lëvizje në botë (p.sh. Sudanin e Jugut, Timorin Lindor, Ukrainën etj.) për negociata paqeje, kushtetuta dhe njohje ndërkombëtare.

    Në akademi, është profesor në American University, Washington College of Law në SHBA, ku ligjëron të drejtën ndërkombëtare dhe zgjidhjen e konflikteve.

  • Paul Williams, dëshmitari i radhës në mbrojtjen e Hashim Thaçit në Hagë

    Paul Williams, dëshmitari i radhës në mbrojtjen e Hashim Thaçit në Hagë

    Paul Williams do të paraqitet si dëshmitar i mbrojtjes në gjykimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Williams ishte këshilltar ligjor për delegacionin e Kosovës gjatë negociatave të Rambujesë.

    Lajmi në përditësim…

     

     

  • Shaip Kamberi inicon hetime për vdekjet e 135 ushtarëve shqiptarë në ish-ushtrinë jugosllave

    Shaip Kamberi inicon hetime për vdekjet e 135 ushtarëve shqiptarë në ish-ushtrinë jugosllave

    Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dorëzuar sot zyrtarisht propozimin për themelimin e një Komisioni të posaçëm parlamentar, me qëllim zbardhjen e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë që humbën jetën gjatë shërbimit në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) gjatë viteve 1980.

    Sipas Kamberit, kjo nismë vjen në një kohë kur autoritetet në Serbi po përgatiten për rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, duke rritur ndjeshëm shqetësimin e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës për shkak të përvojave të dhimbshme dhe diskriminimit historik që kanë përjetuar.

    “Shumë nga këto raste janë regjistruar si ‘vetëvrasje’, ‘aksidente’ apo ‘shkelje disiplinore’, por familjet e viktimave kanë raportuar vazhdimisht për shenja dhune mbi trupat e të ndjerëve, duke ngritur dyshime të forta për vrasje me motive etnike dhe politike,” ka deklaruar Kamberi në njoftimin e tij zyrtar.

    Ai shton se mungesa e hetimeve të pavarura dhe e transparencës në këto raste ka thelluar bindjen për trajtim të padrejtë ndaj shqiptarëve në APJ, në një periudhë të ngarkuar me tensione ndëretnike dhe diskriminim të hapur institucional.

    Kamberi thekson se themelimi i Komisionit do të ishte një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre, si dhe drejt një procesi të nevojshëm të përballjes me të kaluarën në Serbi. Ai propozon që përveç deputetëve, në përbërjen e komisionit të përfshihen edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të komunitetit shqiptar.

    “Drejtësia për viktimat është gurthemeli i pajtimit dhe i një të ardhmeje më të mirë për të gjithë,” përfundon Kamberi në deklaratën e tij.

  • James Rubin përfundon dëshminë në Gjykatën Speciale – Pas pak nis dëshmia e radhës nga mbrojtja e Thaçit

    James Rubin përfundon dëshminë në Gjykatën Speciale – Pas pak nis dëshmia e radhës nga mbrojtja e Thaçit

    Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka përfunduar dëshminë e tij treditore para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ndërsa veç pas pak pritet të dëshmojë një tjetër dëshmitar i mbrojtjes së Thaçit.

    Rubin u paraqit si dëshmitar në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Rubin, i cili dëshmoi si pjesë e mbrojtjes së Thaçit, e cilësoi si të padrejtë mbajtjen për më shumë se pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, duke ngritur shqetësime për zgjatjen e këtij procesi dhe ndikimin që ka tek drejtësia.

    Ai deklaroi se, sipas njohurive të tij nga koha e angazhimit diplomatik, Thaçi nuk vepronte në mënyrë të pavarur gjatë luftës, por kishte eprorë nga të cilët merrte miratime.

    Rubin foli edhe për ndryshimin e qëndrimit të Shteteve të Bashkuara ndaj UÇK-së. Ai kujtoi se në fillim SHBA-ja e kishte cilësuar këtë organizatë si terroriste, por më vonë e kishte ndryshuar këtë vlerësim dhe kishte vendosur ta mbështeste në përpjekjen për çlirimin e Kosovës.

    Ndërkohë, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi vazhdojnë të mohojnë kategorikisht të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

  • Rubin: Donim që Thaçi të kthehej në një udhëheqës që e drejton kombin drejt lirisë

    Rubin: Donim që Thaçi të kthehej në një udhëheqës që e drejton kombin drejt lirisë

    Gjykatësi nga Irlanda, Fergal Gejnor, ka nisur pyetjet e tij drejtuar James Rubinit. Ai lëshoi një pjesë të një dokumentari të vitit 2000 të publikuar nga BBC ku ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, i referohet Thaçit si lider.

    Gjykatësi tha se dje Rubin deklaroi se Adem Demaçi ishte lider.

    Rubin u përgjigj se Demaçi ishte një person me status të lartë në Kosovë, në lartësinë e Nelson Madelës. Por, ai korrigjoi gjykatësin sa i përket deklaratës së Albrightit.

    “Unë mendoj që ajo ka zgjedhur me kujdes fjalët e saj. Ajo nuk tha lideri, por një prej liderëve. Dhe ka një dallim të madh. Ajo e krahasoi me Gary Adams. Një lider që e drejtoi kombin drejt lirisë”, tha Rubin.

    “Ne donim që ai të kthehej një udhëheqës i një kombi, që me shpresë do të ishte i lirë. Po ju korrigjoj, ajo tha një drejtues të një grupi. Një drejtues i një delegacioni që ishte zgjedhur nga delegacioni shqiptar. Ai ishte një prej, kishte një pozicion udhëheqës. Edhe nëse ka thënë udhëheqës i delegacionit, kjo është e saktë”, shtoi Rubin.

    Gjykatësi po ashtu e pyeti nëse Rubin ishte në dijeni se Thaçi kishte kërcënuar dy anëtarë të delegacionit të Kosovës në Rambuje që nuk ishin pjesë e UÇK-së, pasi në videon e transmetuar u shfaqën duke folur në atë dokumentar Veton Surroi dhe Dukagjin Gorani.

    “Ta ndajmë kërcënimin fizik nga ai moral. Jo nuk e kam ditur që ka pasur kërcënim fizik, por e di që ka pasur presion ideologjik pro ose kundër pavarësisë sepse kjo ishte kryesorja për lëvizjen gjatë luftës. Kështu që Albright e ka kërcënuar Thaçin duke i thënë se nëse nuk nënshkruan, nëse i lë njerëzit e pambrojtur nga serbët… kam dëgjuar edhe se është kërcënuar edhe Demaçi”, tha Rubin.

  • Bastisja në disa komuna dhe arrestimi pesë personave, policia jep detaje

    Bastisja në disa komuna dhe arrestimi pesë personave, policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka zhvilluar dje një operacion për armëmbajtje pa leje dhe tregtim të tyre në pesë lokacione të Kosovës. Pesë të dyshuar kanë rënë në pranga, teksa janë gjetur edhe armë.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të martën në Shtime, Lipjan, Drenas dhe Viti.

    Tutje sipas raportit bëhet e ditur gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar një AK-47, një pushkë e gjatë me dylbi, një pushkë gjuetie, një revole, 116 fishekë, tetë fishekë me gaz, dy pushkë ajrore, pesë telefona.

    “Më 16.09.2025 njësiti i DHKOKR në bashkëpunim me prokurorinë kanë bastisur pronat e 5 personave të dyshuar meshkuj kosovarë, ku janë gjetur dhe sekuestruar: një AK-47, një pushkë e gjatë me dylbi, një pushkë gjuetie, një revole, 116 fishekë, tetë fishekë me gaz, dy pushkë ajrore, pesë telefona. Pesë të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.