ATV

Category: Lajme

  • Izraeli thotë se do të hapë një rrugë të re për largim nga Qyteti i Gazës

    Izraeli thotë se do të hapë një rrugë të re për largim nga Qyteti i Gazës

    Ushtria izraelite tha se do të hapë një rrugë të re të përkohshme më 17 shtator, për t’iu mundësuar banorëve që të largohen nga Qyteti i Gazës, një ditë pasi nisi një ofensivë të madhe që synon shkatërrimin e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Ushtria izraelite nisi bombardime masive në Qytetin e Gazës mëngjesin e së martës dhe çoi trupat më thellë brenda qendrës më të madhe urbane në Rripin e Gazës.

    Ofensiva vjen pasi një hetim i kryer nga Kombet e Bashkuara e akuzoi Izraelin për kryerje “të gjenocidit” në territorin palestinez, duke thënë se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë nxitur këtë krim, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Të mërkurën, ushtria izraelite tha se po hap “një rrugë të përkohshme transporti përmes rrugës Salah al-Din”.

    Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, koloneli Avichay Adraee, tha se korridori do të mbetet i hapur vetëm për 48 orë duke nisur nga mesnata e së enjtes, sipas kohës lokale.

    Deri më tani, ushtria u kishte bërë thirrje banorëve që të largoheshin nga Qyteti i Gazës përmes rrugës buzë detit drejt asaj që e cilëson si “zonë humanitare” më në jug, përfshirë pjesë të Al-Mavasit.

    Rruga Salah al-Din kalon përmes Rripit të Gazës nga veriu në jug.

    Në gusht, OKB-ja vlerësoi se afër 1 milion banorë jetojnë në Qytetin e Gazës dhe rrethinën e qytetit.

    Izraeli tha se ofensiva tokësore e nisur të martën synon që të largojë Hamasin nga një prej bastioneve të tij të fundit në Rripin e Gazës.

    Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

    Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 64.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë – shifra që konsiderohen të besueshme nga OKB-ja./REL

  • Fushata zgjedhore: PZAP pranon ankesat e para

    Fushata zgjedhore: PZAP pranon ankesat e para

    Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka nisur zyrtarisht më 13 shtator.

    Gjatë kësaj periudhe, subjektet politike dhe kandidatët për kryetarë komunash po zhvillojnë takime me qytetarët, duke dhënë premtime të shumta në rast se arrijnë të fitojnë mandatin, transmeton Telegrafi.

    Ndërkohë, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kanë filluar të paraqiten ankesat e para nga subjektet politike.

    Deri tani, janë dorëzuar disa ankesa, Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur ankesë ndaj Partisë Demokratike të Kosovës dhe Listës Serbe.

    Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar ankesë ndaj kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci.

    Po ashtu, Lista Serbe ka bërë ankesë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

    Për momentin, PZAP nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me këto ankesa.

    Fushata zgjedhore do të zgjasë deri më 12 tetor.m

  • Rubin e vazhdon edhe sot dëshminë në Speciale

    Rubin e vazhdon edhe sot dëshminë në Speciale

    James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, vazhdon edhe sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Dje, ai e nisi dëshminë me përshtypjen fillestare të Shteteve të Bashkuara për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës më 1999, duke thënë ato kishin përshtypje më ndryshe.

    Rubin tregoi se si fillimisht e përshkruanim atë si organizatë me aktivitete terroriste, duke shtuar se “ne, natyrisht, me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, nuk donim të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitete terroriste”.

    “Ky qëndrim ndryshoi, sidomos pasi UÇK-ja u pajtua me Marrëveshjen e Rambujesë”, u shpreh ai.

    Rubin gjithashtu theksoi se organet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) shpesh nuk e përshkruanin mirë situatën në Kosovë.

    I pyetur nëse ishte në dijeni për një raport të vitit 1998 të OKB-së, ku flitej për gjoja rrëmbimin e civilëve serbë, shqiptarë dhe romë, dhe të oficerëve të policisë serbe, nga njerëz që besohej se i përkisnin UÇK-së, Rubin tha se hezitoi t’i besonte raportit.

    “Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport, sepse, organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh”, ka thënë ai.

    Në lidhje me autorin e shkrimit për vrasjen e rivalëve të Thaçit…

    Rubin u pyet për një artikull të gazetës The New York Times, të datës 25 qershor 1999, ku thuhej se komandantët e lartë të UÇK-së kanë kryer vrasje brenda radhëve të tyre.

    Akuzat për vrasje ishin bërë nga pjesëtarë të UÇK-së tek diplomatë amerikanë, të cilët gjoja thanë se kishin parë me sytë e tyre vrasjen e rivalëve të Thaçit.

    Rubin tha se nuk i kujtohet ky artikull, por shtoi se ka dyshime për autorin e tij, Chris Hedges.

    Ish-diplomati amerikan kishte kritika për Gjykatën Speciale.

    Ai e quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vullnetarisht.

    “Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me Prokurorinë, s’e kuptoj pse kanë qëndruar kaq gjatë në burg, kjo më shqetëson”, tha Rubin.

    Ai gjithashtu dëshmoi se nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK dhe se si SHBA-ja e konsideronte Thaçin si udhëheqës të caktuar nga vetë shqiptarët.

    Rubin më pas zbuloi një bisedë telefonike mes Hashim Thaçit dhe presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton, në qershor 1999, dhe se si Thaçi ishte zotuar se do t’i respektonte pakicat ndonëse populli i tij ishte keqtrajtuar për vite të tera.

    “Unë kam dëgjuar nga Sandy Berger, këshilltari për siguri i presidentit Clinton, sepse unë nuk kam folur drejtpërdrejt me presidentin. Ai i kishte thënë presidentit Clinton se, pavarësisht dhunës që kishin pësuar, nuk do të kundërpërgjigjeshin”, tha Rubin.

    Gjithashtu, sipas Rubinit, ishte “e qartë” se Thaçi kishte “eprorë diku nga të cilët duhej të merrte miratimin”.

  • Mot i vranët, temperaturat deri në 22 gradë

    Mot i vranët, temperaturat deri në 22 gradë

    Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira.

    IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-13°C, ndërsa maksimalet nga 20-22°C.

    Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi, e lehtë deri mesatare.

  • I arrestuari për krime lufte, gjilanasit dyshojnë se është Dragan Nikoliq

    I arrestuari për krime lufte, gjilanasit dyshojnë se është Dragan Nikoliq

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Djalit të Feti e Lutfije Musliut, Lulzimit, kënga për atdheun iu ndalë më 13 prill, 1999.

    Atë ditë lufte, të birin 11 vjeç ia vranë mizorisht forcat serbe në Llashticë të Gjilanit, teksa ruante bagëtinë.

    Pas tre muajsh, Lulin e kishin gjetur ne një kodrinë.

    Lirinë qe se pati Luli tashmë e gëzon çobani Hafiz Veseli.

    Ky thotë se saherë lëshon bagëtinë për kullosje i kujtohet 11 vjeçari, por edhe shumë te tjerë që u vranë fushave.

    Luli është ne mesin e 28 të vrarëve në Llashticë.

    Nën dyshimet për pjesëmarrje në këtë masakër, të hënën u arrestua N.D, në pikëkalimin Dheu i Bardhë.

    Emri i tij i plotë ende s’është bërë publik por në bazë të inicialeve, banorët thonë se mund të jetë serbi Dragan Nikoliq nga fshati Pasjanë. Nofka e tij, Roki, thonë se u dëgjua shpesh më fshat.

    D.N., dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën nga 13 prilli deri më 30 prill 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 25 civilëve shqiptarë.

    Të mërkurën pritet të mbahet seanca për caktimin e masës së paraburgimit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Vazhdojnë gërmimet në Kozhlje të Novi Pazarit

    Vazhdojnë gërmimet në Kozhlje të Novi Pazarit

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Qe pesë ditë, ekskavatorët po punojnë pa ndalë ne Kozhlje të Novi Pazarit në Serbi, që të depërtojnë në një pjesë ku dyshohet se ka mbetje mortore, nga lufta e fundit në Kosovë.

    Tereni është shumë i vështirë, andaj komisionin qeveritar thotë se nevojitet ende kohë të arrihet në perimetrin e dyshimtë.

    Ditëve në vijim pritet të gërmohet edhe ne disa lokacione të tjera.

    Autoritetet kosovare në vazhdimësi e kanë akuzuar Serbinë për pengim të procesit të gjetjes së mbetjeve mortore të të zhdukurve. Madje edhe në takimin e fundit në Bruksel, mes kryenegociatorëve, palët patën përplasje për dokumentin të cilin veçse ishin pajtuar në fund të vitit të kaluar.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Vrasja në Balaj, dorëzohet kërkesë për paraburgim

    Vrasja në Balaj, dorëzohet kërkesë për paraburgim

    Përgatiti: Armand Hoti

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka dorëzuar kërkesë për paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen që ndodhi të hënën mbrëma, në fshatin Balaj të Ferizajt.

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit B.R, nga komuna e Ferizajt, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

    Referuar kërkesës, vrasja ndodhi për shkaqe pronësore.

    Prokuroria kumtoi se i dyshuari dhe viktima, kanë lidhje gjaku.

    “I pandehuri me dashje e ka privuar nga jeta të dëmtuarin – djalin e axhës se tij, I.R., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje te mëhershme qe kishin pasur si pasoje e problemeve në lidhje me një konflikt pronësor, me t’u takuar ne rrugën e fshatit me njeri-tjetrin, pas fjalosjes verbale, në atë moment i pandehuri B.R., e nxjerr revolen e tipit ZIG 14 TISAS dhe shtënë katër herë në drejtim të viktimës I.R., duke e goditur në pjesët e sipërme të trupit, me ç’rast viktima nga lëndimet e shkaktuara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë rrugës duke e dërguar për në Qendrën Emergjente”, thuhet më tej në njoftimin nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

    Pas aktit, i dyshuari thirri policinë dhe i njoftoi për lokacionin e tij.

    Autoritetet e gjetën armën me të cilën dyshojnë se u krye krimi, në oborrin e të dyshuarit.

    “Nga hetuesit dhe krimteknikët është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ndërsa edhe i trupit të viktimës, si dhe janë intervistuar dëshmitarët. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër (4) gëzhoja, ndërsa në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit është gjetur arma e zjarrit (pistoletë), me të cilën dyshohet se është kryer vrasja”, thuhet në njoftimin nga Policia.

    Në shtëpinë e tij, u gjetën edhe një pushkë gjuetie me 72 fishekë si dhe një pushkë ajrore.

    Trupi i pajetë i viktimës, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Jelena Gjukanoviq deklarohet e pafajshme

    Jelena Gjukanoviq deklarohet e pafajshme

    Përgatiti: Diellëza Krasniqi

    E shoqëruar me masa të rrepta të Policisë dhe me pranga në duar, serbja Jelena Gjukanoviç u soll të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Në seancën fillestare, Prokurori Special, Bekim Kodraliu, deklaroi se Gjukanoviç akuzohet për spiunazh në bashkëpunim me një person tjetër, i cili po ashtu është nën hetime.

    ‘’Me vetëdije të plotë dhe me dashje direkte ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë (e njohur si BIA), duke i ofruar të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme, të siguruara gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare në kuadër të aktivitetit të Misionit të OSBE-së’’, tha Kodraliu.

    Sipas aktakuzës, informatat e transmetuara janë dërguar tek zyrtarë të lartë të BIA-së, përfshirë Aleksandër Vlajiqin përgjegjës për Novi Pazarin dhe një tjetër zyrtar të këtij shërbimi, me të cilin dyshohet se ajo zhvilloi takime në Beograd.

    Me këto veprime Gjukanoviq ka cenuar rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare dhe ka vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve të vendit si dhe personelit ndërkombëtar të Misionit të OSBE-së në Kosovë”, tha Kodraliu.

    Karshi aktakuzës së Prokurorisë, Gjukanivic u deklarua e pafajshme.

    Gjykatësi Rrahman Beqiri informoi të akuzuarën Jelena Gjukanoviq dhe avokatin e saj, Predrag Milkoviq, se brenda një afati prej 15 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e tyre ndaj provave si dhe të dorëzojnë kërkesë për hedhjen e aktakuzës.

    Avokati mbrojtës, Predrag Milkoviq, i kërkoi trupit gjykues që të rishqyrtojë masën e paraburgimit ndaj të akuzuarës.

    Por kërkesën e mbrotjes e kundërshtoi Prokurori Kordaliu, me arsyetimin se ekziston rreziku i ikjes ose përsëritjes së veprës.

    Për këtë kërkesë, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, tha se do të vendosë me aktvendim të veçantë.

    Gjukanoviq, nga Mitrovica e Veriut, punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, u arrestua më 28 shkurt në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës, dhe prej asaj kohe ndodhet në paraburgim.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Rubin: Më shqetëson fakti që dikush të qëndrojë i paraburgosur për pesë vjet, ata u dorëzuan vullnetarisht

    Rubin: Më shqetëson fakti që dikush të qëndrojë i paraburgosur për pesë vjet, ata u dorëzuan vullnetarisht

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Para disa minutave, James Rubin, ish-ndihmëssekretar i Departamentit të Shtetit në SHBA, përfundoi dëshminë e tij në Gjykatën Speciale.

    Në ditën e dytë, Rubin u mor në pyetje vetëm nga Prokuroria, për afro katër orë.

    Prokurorit i kishte mbetur në mendje deklarimi i Rubinit për vendosjen në krah të shqiptarëve, të cilët ishin viktima. Për këtë arsye, sot i parashtroi pyetje
    shtesë, të cilave dëshmitari iu përgjigj shpejt.

    “Fillimisht e përshkruam UÇK-në si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste. Ky qëndrim më pas ndryshoi me kalimin e kohës, veçanërisht pasi UÇK u pajtua me Marrëveshjen e Rambujesë. Atëherë e konsideruam se ata ishin në anën e engjëjve, sepse nënshkruan marrëveshjen e paqes”, tha Rubin.

    Më tej, Prokurorit i interesoi të kuptonte qëndrimin e Rubinit lidhur me vetë Prokurorinë Speciale, pasi ai kishte refuzuar të intervistohej nga ajo.

    Në këtë çështje, amerikani dha një qëndrim të qartë dhe të prerë, duke e cilësuar procesin të padrejtë.

    “Fakti që të akuzuarit kanë qenë në paraburgim këtu në Hagë për më shumë se pesë vite, dhe fakti që ata janë dorëzuar vullnetarisht, si dhe fakti që janë mbajtur kaq gjatë, më shqetëson. Mendoj që kjo lidhet me politikën dhe me shtetin e së drejtës. Më shqetëson fakti që dikush të mbahet i burgosur për pesë vite para se të fillojë një proces gjyqësor, ndërkohë që këta persona janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me gjykatën”, tha Rubin.

    Megjithatë, për dëshminë e tij, James Rubin kishte qenë i përgatitur për një proces të gjatë.

    “U përgatita për më shumë se 100 orë për këtë dëshmi. Ndërkohë, u konsultova me juristë. Më thanë se të mbash një burrë shteti në këtë mënyrë është e padrejtë”, tha Rubin.

    Në vijim, 65-vjeçari u pyet nga prokurori për një raport ku thuhej se rreth 200 persona ishin ndaluar nga UÇK-ja, disa prej të cilëve edhe ishin vrarë. Por përgjigjja e tij ishte e prerë.

    “Raportet e asaj kohe shpeshherë ishin të pavërteta. Qarkullonin shumë lajme të rreme. Por ne nuk kemi pasur dëshmi për këtë”, tha Rubin.

    Kah fundi, prokurori e përmendi një fotografi të Rubinit së bashku me Artan Behramin, një të afërm të ish-presidentit.

    Në përgjigje, Rubin shtoi edhe një dozë humori.

    “Sa i takon zotit Behrami, nuk më kujtohet. Shqiptarët e Kosovës më kërkojnë shpesh që të bëjmë fotografi dhe unë mundohem të jem miqësor. I kërkoj ndjesë atij, por nuk më kujtohet. Meqë ra fjala, postimi më pëlqen, aty ku falënderohet Rubin dhe presidenti i SHBA-së për lirinë”, shtoi Rubin.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Familjarë e veprimtarë përcollën nga afër në speciale për dëshminë e James Rubinit

    Familjarë e veprimtarë përcollën nga afër në speciale për dëshminë e James Rubinit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Nga Zvicra, Salih Bislimi erdhi në Hagë për të protestuar të dielën.

    Por, veprimtari nuk e la me kaq, ai mori leje nga Gjykata, për ta përcjellë edhe gjykimin nga afër, për dy ditë me radhë.

    Kështu, ky dëgjoi nga afër edhe dëshminë e James Rubinit, e cila i ka lenë jo pak mbresa.

    “James rubin është një hero i kosoves. Ne mënyrë shume konkrete shpjegoi rolin e Thacit, dhe u distancu nga akuzat. Sot e dje u konststu se aktakuzat janë të pabaza”, tha Bislimi.

    Bazuar në këtë dëshmi, Bislimi, me prejardhje nga Kamenica beson se ish-liderët e UÇK-së do dalin faqebardhe nga ky proces.

    “Unë mendoj që tash jemi në fund të tunelit dhe po e shohim dritën. Dhe se shpejti besoj se do vjen edhe liria per udheheqesit tanë (Thaci).”, tha Bislimi.

    Por derisa të krijohen kushtet qe t’i takojë fizikisht ata që i vlerëson shumë, Bislimi e shfrytëzoi rastin të paktën t’i përshëndetë nga dhoma që i ndante vetëm një xham.

    “Unë e krijova një emocion sepse i përshëndeta të gjithë me dorë me shume respekt dhe dashuri”, shtoi Bislimi.

    Përveç Bislimit, seancën e parë e kanë përcjellë nga galeria më shumë se 30 persona, ndërsa ne te dytën, kishte diçka më pak.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: