ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet infermierja, burri e kapi duke kryer marrëdhënie me djalin e tij 15-vjeçar

    Arrestohet infermierja, burri e kapi duke kryer marrëdhënie me djalin e tij 15-vjeçar

    Një ish-infermiere nga Florida është dënuar me dy vite burg, pasi u shpall fajtore për abuzim seksual ndaj djalit 15-vjeçar të bashkëshortit të saj.

    Alexis Von Yates, 35 vjeçe, u paraqit më 16 shtator 2025 para Gjykatës së Qarkut Marion, ku gjyqtari Timothy McCourt dha vendimin përfundimtar. Përveç 24 muajve burg, ajo do të qëndrojë edhe dy vite nën mbikëqyrje komunitare dhe dhjetë vite në lirim me kusht, e regjistruar si shkelëse e veprave seksuale.

    Vendimi erdhi pas një marrëveshjeje të pranimit të fajësisë, e cila uli akuzën nga “dhunë seksuale nga person me autoritet familjar” në “abuzim të turpshëm ndaj një fëmije 12–16 vjeç”.

    Ngjarja ndodhi më 26 korrik 2024, kur bashkëshorti i saj e kapi në flagrancë duke kryer marrëdhënie me djalin adoleshent në shtëpi. Më vonë, djali rrëfeu se ngacmimet dhe marrëdhëniet kishin ndodhur edhe më parë. Von Yates u arrestua në nëntor 2024, ndërsa menjëherë pas kësaj humbi edhe licencën e infermierisë.

    Nëna e djalit e quajti të pandehurën një “pedofile incestuozë”, duke thënë se ajo kishte shkatërruar besimin dhe jetën e një fëmije që duhej të mbrohej. Djali, sot 16 vjeç, raportohet se nuk ka mbajtur më kontakte me të atin që prej incidentit.

    Sipas urdhrit të gjykatës, Von Yates nuk do të ketë asnjë kontakt me viktimën, duhet të kryejë 200 orë shërbim komunitar dhe të paguajë gjoba e shpenzime gjyqësore.

    Nëse do të dënohej sipas akuzës fillestare – dhunë seksuale, një krim i shkallës së parë në Florida – ajo do të rrezikonte burgim të përjetshëm dhe një gjobë deri në 10 mijë dollarë.

  • Tetë vetura të përfshira në një aksident në hyrje të Prizrenit, tre persona të lënduar

    Tetë vetura të përfshira në një aksident në hyrje të Prizrenit, tre persona të lënduar

    Tre persona kanë mbetur të lënduar nga një aksident mes tetë automjeteve të ndodhur në rrugën Zhur-Prizren, në drejtim të pikëkalimit kufitar të Vërmicës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha. Ai ka bërë të ditur se rruga është e bllokuar përkohësisht.

    Ndërsa apelohet të përdoren rrugë të tjera alternative.

    “Apelojmë tek të gjithë shoferët, qe gjatë vozitjes të respektojnë rregullat e trafikut, të zvogëlojnë shpejtësinë, dhe të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë e tyre dhe të tjerëve.

    Pas raportimeve shtese nga kompetentet do te njoftoheni per informacione tjera”, tha Hoxha.

    Sipas mediave në Shqipëri, ngjarja ka ndodhur rreth 4 kilometra pas daljes nga kufiri i përbashkët Shqipëri–Kosovë.

    Deri te aksidenti, sipas A2CNN, erdhi pas përplasjes së një automjeti të vogël me targa të Shqipërisë, me një kamionçinë tip “Iveco” me targa të Kosovës. Goditja fillestare ka shkaktuar përplasjen zinxhirore edhe të katër mjeteve të tjera që po lëviznin në drejtim të Prizrenit.

  • Qeveria shqiptare synon paga më të larta: 500 € minimale, 1,200 € mesatarja

    Qeveria shqiptare synon paga më të larta: 500 € minimale, 1,200 € mesatarja

    Prezantohet nesër, më 18 shtator, në një seancë maratonë në Kuvend, programi qeverisës për legjislaturën e re.Programi në fjalë, që do të prezantohet nga vetë kryeministri Edi Rama, përfshin objektiva afatshkurtra dhe afatgjata në fusha të ndryshme, me fokus të veçantë tek punësimi, rritja e pagave dhe kthimi i emigrantëve.

    Pjesë nga programi:

    • Transformojmë shërbimet e punësimit me sistem të zgjuar orientimi karriere dhe platformë të dedikuar për emigrantët që duan të rikthehen e të punojnë në Shqipëri.
    • Ulim papunësinë e përgjithshme në 6% deri në 2030 dhe papunësinë e të rinjve nën 15%.Paga minimale në 500 euro deri në 2026, me 18 muaj pa asnjë taksë shtesë për punëmarrësit me paga të ulëta.Paga mesatare kombëtare 1,000 € deri në 2030; në sektorin publik 1,200 €.
    • Garancia Rinore ofron punë, trajnim ose arsim për mbi 40,000 të rinj brenda 4 muajve nga regjistrimi.Forcojmë barazinë në paga dhe politikat aktive për punësimin e grave.

    • Zgjerojmë modelin dual të arsimit profesional në partneritet me biznesin dhe certifikim ndërkombëtar të kualifikimeve.

    • Deri në 2030, 1 në 3 nxënës ndjek arsimin profesional; shkollat profesionale kthehen në qendra multifunksionale me konvikte moderne dhe kurse afatshkurtra për profesione të kërkuara.
    • Garantojme kushte të barabarta pune, trajtim dinjitoz, sistem social të qëndrueshëm dhe të besueshëm.
    • Vijojmë me nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale për njohjen e pensioneve, duke siguruar kushte të barabarta pune dhe mbrojtje sociale të plotë për shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit.
    • Ndërtojmë programe të dedikuara për diasporën për rikthim të talenteve, transferim expertise dhe ndërmjetësim punësimi në sektorët prioritarë.
  • Arrestohen tre persona në Klinë – ‘vodhën malin’ dhe ‘kanosën personat zyrtarë’

    Arrestohen tre persona në Klinë – ‘vodhën malin’ dhe ‘kanosën personat zyrtarë’

    Tre persona janë arrestuar në Klinë nga policia, si të dyshuar për “vjedhje të pyllit” dhe “kanosje ndaj personave zyrtarë”.

    Siç njofton PK-ja, më 15 dhe 16 shtator, personat e dyshuar kishin sekuestruar një kamion dhe një traktor, së bashku me masën drunore, të cilat tani do të përdoren për procedurat e mëtejshme ligjore.

    “Dy nga personat e dyshuar pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa njëri nga të dyshuarit është liruar në procedurë të rregullt.”, thuhet në njoftim.

  • Williams: Në Rambuje telefoni i Hashim Thaçit binte vazhdimisht, kishte trysni dhe presion ideologjik

    Williams: Në Rambuje telefoni i Hashim Thaçit binte vazhdimisht, kishte trysni dhe presion ideologjik

    Dëshmitari i mbrojtjes, Paul Williams, i cili ka qenë këshilltar për delegacionin kosovar në Rambuje deklaroi se Hashim Thaçi u raportonte komandantëve të zonës dhe se ai kontrollohej nga jashtë. Ai në Dhomat e Specializuara në Hagë tha se gjatë qëndrimit në fshatin Rambuje të delegacionit nga Kosova, Hashim Thaçi kishte “trysni dhe presion ideologjik”.

    Dëshmitari i mbrojtjes, Paul Williams, i cili ka qenë këshilltar për delegacionin kosovar në Rambuje deklaroi se Hashim Thaçi u raportonte komandantëve të zonës dhe se ai kontrollohej nga jashtë.

    Ai në Dhomat e Specializuara në Hagë tha se gjatë qëndrimit në fshatin Rambuje të delegacionit nga Kosova, Hashim Thaçi kishte “trysni dhe presion ideologjik”.

    Mbrojtja e Thaçit, Luka Mishetiq gjatë pyetjeve të tij ka paraqitur një dokument ku thuhej se “Thaçi kontrollohej nga jashtë” për çka Williams tha se një gjë të tillë e ka vërejtur gjatë bisedave në Rambuje.

    “Baza për këtë përfundim [se Thaçi kontrollohej nga jashtë], janë disa faktorë, biseda të shumta përmes thirrjeve telefonike që realizonte Hashim Thaçi me persona të ndryshëm nga jashtë kështjellës. Telefoni i tij binte në mënyrë të vazhdueshme, që shpesh nënkuptonte që atij i duhej ose të dilte jashtë ose të shkonte në një cep të dhomës. Delegacioni i Kosovës ishte në katin përdhese, kështu që mund të dilje lehtësisht në oborrin e kështjellës…Ti mund ta lexoje pak edhe nga gjestikulacioni ose nga paraqitja. Ndonjëherë ke një koklavitje ose një përzierje të aktorëve edhe ka shumë aktorë apo palë të tjera të cilët mua më kanë bërë që shkoj në këtë përfundim. Pra, krijohej përshtypja që dikush ishte në kontroll të negociatave ose në kontroll të pjesshëm të negociatave”, deklaroi ai.

    Tutje, ai tha se përshtypja e tij ishte që “Thaçi nuk kishte kontroll të plotë mbi negociatat dhe se ai “përfaqësonte interesat nga jashtë”.

    Williams tha se e kishte të qartë se Hashim Thaçi ishte “përfaqësues dhe zëri i UÇK-së nĽ atë kështjellë”.

    Misetiç: A ju kujtohet që ju keni vënë re zotëri Thaçi u raportonte në mos u nënshtrohej komandantëve të zonës?

    Williams: Po, kështu më kujtohet dhe mua.

    Misetiç: Si dolët në këtë konkluzion që ai ju raportonte në mos u nënshtrohej komandantëve të zonës?

    Williams: Ata e telefonin, ai e hapte telefonin, bisedonin në telefon për një periudhë të caktuar kohore edhe më pas ai komentonte për procesin, jepte feedback për procesin, prandaj thash që ai u raportonte atyre. Prandaj erdha në këtë përfundim.

    Misetiç: Ju flisnit shqip.

    Williams: Shpesh, meqë isha në kështjellë, shpesh ju kërkoja kolegëve shqiptarë të Kosovës, ju thosha ‘me kë po flet Hashimi, tërë kohën me kë është në telefon’, më thonin ‘me ekipin e tij, me shqiptarët, kosovarët’ dhe ata vet më kanë thënë që po flet me komandantët lokal.

    Misetiç: Ju kujtohet ndonjë person konkret nga delegacioni që ua ka thënë këtë?

    Williams: Blerim Shala, Dugi nuk më kujtohet edhe mbiemri, ai madje më ndihmonte për përkthime dhe Edita Tahiri”, u përgjigj Williams.

    Avokati i Thaçit, Luka Misetiç u pyet edhe për një udhëtim të Thaçit në Slloveni për të takuar Adem Demaçin, gjatë kohës sa delegacioni kosovar po qëndronte në Rambuje.

    “U interesova në fakt, e bëra këtë pyetje se si na shërben kjo u thash, si i shërben kjo procesit, dhe përgjigja ishte që ‘ishte e domosdoshme për arsyeje politike dhe kulturore’. Ishte e nevojshme që Hashimi të shkonte në Slloveni dhe të vizitonte Demaçin.

    Misetiç: A zbulove pastaj se si lidhej kjo vizitë me Rambujenë, nëse kishte ndonjë lidhje?

    Williams: Gjatë kohës sa delegacioni kosovar ishte në Rambuje edhe po bënin ecuri, kishte proces për nënshkrimin e marrëveshjes, por ama kishte trysni nga jashtë të cilat i diskutuam më herët sot nga komandantë lokal por gjithashtu kishte presion ideologjik dhe kulturor prej Adem Demaçit, i cili po pengonte progresin e negociatave”, shtoi ai, duke thënë se problemi i Demaçit ishte “pavarësia”.

    Gjatë dëshmisë së tij në gjykatore, dëshmitari i dytë i mbrojtjes ka thënë që e ka përpiluar një propozim të delegacionit të Kosovës në Rambuje lidhur me hetimet dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës. Ai theksoi se qëllim i delegacionit ishte që të sigurohen për të marrë angazhim konkret për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

    Dëshmitari i mbrojtjes, Paul Williams tha se Hashim Thaçi ishte i vetëdijshëm se bashkëpunimi me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë do të përfshinte hetime potenciale të UÇK-së.

    Williams: Hashim Thaçi ishte i vetëdijshëm se bashkëpunimi me Tribunalin do të përfshinte hetime potenciale të UÇK-së

    Williams: Ai e pranoi në tërësi atë dhe tha po kjo pasqyron atë që na intereson edhe neve, katër pikat këtu.

    Misetiç: A ishte Hashim Thaçi i vetëdijshëm se bashkëpunimi me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë do të përfshinte bashkëpunimin TPNJ për çështje dhe hetime potenciale lidhur me UÇK-në?

    Williams: Po.

    Misetiç: Si e dini këtë?

    Williams: Ka pasur arsyeje të ndryshme në të cilën e mbështes përgjigjen time. E para ishte se delegacioni i Kosovës, përfshirë atë që përfaqësonin UÇK-në dhe përfshirë Hashim Thaçin kishin në anën e tyre mundësinë që të shihnin se si ky Tribunal për ish-Jugosllavinë vepronte në kontekstin e Kroacisë dhe Bosnjes, ku Tribunali kishte ngritur aktakuzë për pjesëtarë të këtyre palëve dhe situata faktike ishte e tillë që Tribunali Ndërkombëtar do të kërkonte prova në drejtime të veçanta”, u përgjigj Williams.

    Gjatë pyetjeve të mbrojtjes së Thaçit, Williams tha se ai bashkë me Mark Weller, i cili ka qenë këshilltar ligjor ndërkombëtar, e kanë përpiluar propozimin e delegacionit të Kosovës në Rambuje lidhur me hetimet dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.

    Paraprakisht, dëshmitari Paul Williams tha se ka punuar intensivisht me anëtarët e delegacionit gjatë bisedimeve në Rambuje dhe se i ishte kërkuar që të përgatis gjuhë gjithëpërfshirëse “për të siguruar që TPNJ të ishte në gjendje të kishte përgjegjësitë e veta për të zbatuar mandatin e saj”.

    Tutje, Williams tha se edhe delegacioni i Kosovës ishte në dijeni që do të përfshinte bashkëpunimin për arrestim dhe transferim në Tribunalin Penal Ndërkombëtar në ish-Jugosllavi të pjesëtarëve të UÇK-së.

    Williams: Ju kam shpjeguar delegacionit qartë dhe shprehimisht në gjuhën që më kishin kërkuar të përpiloja

    Williams: Sepse unë në cilësinë e juristit që punoja për ta ju kam shpjeguar atyre në mënyrë të qartë dhe shprehimisht gjuhën që ata kishin më kërkuar të përpiloja dhe se të bëhej pjesë e procesit të bisedimeve duke ua dorëzuar pastaj grupit kontaktit, gjithashtu edhe për nevoja të një kontrollimi të dyfishtë dhe verifikimit të dyfishtë Fehmi Agani i cili ishte jurist i tyre kryesor për çështje kushtetuese, tha pra që unë do të punoja së bashku me të për tu siguruar që ndërkohë që ne po transmetonim, po kalonim informacionet në mënyrë të drejtpërdrejt pjesëtarëve te delegacionit, që ai së bashku dhe unë do të kishim një komunikim të ndërsjellë të dispozitave që po përgatiteshin”, u përgjigj dëshmitari.

    Dëshmitari Paul Williams u pyet edhe për raportet me Veton Surroin , i cili tha se “e njihja goxha mirë në shkurt të vitit 1999, prej asaj kohe në vazhdim unë kam pasur një marrëdhënie shumë të fortë profesionale dhe personale”.

    Williams tha ai nuk i kishte thënë asnjëherë që është i kërcënuar nga Hashim Thaçi, kur ishin pjesë e delegacionit në Rambuje.

    Misetiç: Në shkurt të 99’tës, a ju ka thënë ndonjëherë zotëri Surroi që është ndjerë i kërcënuar nga Hashim Thaçi?

    Williams: Veton Surroi nuk më ka thënë asnjëherë, ose nuk më ka lënë të kuptoj në asnjë mënyrë ose nuk më ka shfaqur asnjë sjellje që do të më bënte mua të besoja që ai ishte i kërcënuar nga Hashim Thaçi apo nga askush tjetër nga delegacioni shqiptar i Kosovës”, u përgjigj Williams.

    Dëshmia e Paul Williams ka nisur sot dhe pritet të zgjas një ditë e gjysmë, mbrojtja e Thaçit ka parashikuar dy orë, ekipet tjera të mbrojtjes së bashku kanë kërkuar dy orë e gjysmë dhe ZPS dy orë e gjysmë.

    Ky është dëshmitari i dytë i mbrojtjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Mbrojtja e Thaçit tha se dëshmia e Williams do të tregojë që “Thaçi nuk e kishte autoritetin për të nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë”

  • Vrasja për pronë në Ferizaj, një muaj paraburgim për të dyshuarin

    Vrasja për pronë në Ferizaj, një muaj paraburgim për të dyshuarin

    Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit B.R., i cili dyshohet se të hënën mbrëma ka vrarë me armë zjarri djalin e axhës së tij, I.R.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një fshat të Ferizajt, si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme.

    Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, krimi i rëndë ka pasur si motiv një konflikt pronësor mes dy kushërinjve.

    Pas një fjalosjeje verbale në rrugën e fshatit, i pandehuri dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka shtënë katër herë në drejtim të viktimës.

    Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka ndërruar jetë rrugës për në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

    Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e prokurorisë, duke e lënë të dyshuarin në paraburgim për 30 ditë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.

  • Një muaj paraburgim ndaj të pandehurit D.N., i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile

    Një muaj paraburgim ndaj të pandehurit D.N., i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile

    Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe përmes Aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit D.N., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoj se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin D.N., pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.N. në cilësinë e Komandantit të Nënstacionit Policor në Zhegër, duke shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, përkatësisht nenit 86 dhe 87 të protokollit shtesë I të vitit 1977, Konventës së Gjenevës e vitit 1949, duke vepruar në përgjegjësin komanduese, nuk kishte ndërmarr asnjë veprim, që të parandaloj apo ndëshkoj kryerësit e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile të atij fshati nga forcat serbe dhe paramilitarët serb, të kryera me datë 30.04.1999 nga i pandehuri S.A ku janë vrarë 13 anëtarë të familjes Hyseni dhe Shabani në shtëpinë e familjes Hyseni. Edhe pse ishte lajmëruar përmes një letre nga të dëmtuarit D.H. dhe I.H., i pandehuri ka qenë i detyruar të ndërmarrë veprime brenda kompetencave të tij, si komandant i atij nënstacioni, i njëjti është larguar nga vendi i ngjarjes pa ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për të parandaluar, ndaluar ose për ti paraqitur rastet për hetim apo procedim penal dhe në këtë mënyrë është pajtuar me shkaktimin e pasojës së dëmshme, e këto veprime inkriminuese vërtetohen edhe me deklaratat e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, nga të cilat dëshmi vërtëtohet edhe fakti se i pandehuri D.N. ishte komandant i nënstacionit policor në Zhegër, në kohën e kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftim.

    Tutje në njoftim bëhet e ditur se Gjykata vlerësoj se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

    “Gjykata konstatoj se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.N. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se është shtetas i Serbisë, dhe i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”. /Telegrafi/

  • Hovenier: Deklaratat e Kurtit kundër Gjykatës Kushtetuese çuan në pezullimin e Dialogut Strategjik

    Hovenier: Deklaratat e Kurtit kundër Gjykatës Kushtetuese çuan në pezullimin e Dialogut Strategjik

    Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shpjegon se pezullimi i Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara është pasojë e një grumbullimi frustrimesh ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ku veçanërisht ndikoi kritika e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese.

    Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hovenier thotë se pezullimi duhet marrë seriozisht dhe e cilëson si një “humbje të madhe mundësie” për forcimin e partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së.

    Më 12 shtator, SHBA-ja pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, duke arsyetuar vendimin me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.

    Qeveria në detyrë e Kosovës i hodhi poshtë kritikat e SHBA-së, duke thënë se “veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit”.

    “[Dialogu Strategjik] do të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën, dhe është për keqardhje që nuk do të ndodhë. Kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi i vazhdueshëm është pezulluar ose dëmtuar, por do të thotë se një mundësi për ta rritur dhe forcuar atë, për momentin, është ngrirë. Kjo duhet të tërheqë vëmendjen e të gjithëve që brengosen për fuqinë dhe vitalitetin e marrëdhënies”, thotë Hovenier, tani bashkëpunëtor i lartë jorezident në Qendrën për Evropë të Këshillit Atlantik.

    Radio Evropa e Lirë: Ambasador Hovenier, sa serioz është vendimi i Uashingtonit për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën?

    Jeffrey Hovnier: Mendoj se duhet marrë seriozisht. Dialogu Strategjik është një instrument diplomatik, që Shtetet e Bashkuara e përdorin për t’i avancuar marrëdhëniet dypalëshe me vende të ndryshme. Ai përfshin diskutime në nivel të lartë mbi një agjendë të gjerë, të përcaktuar paraprakisht.

    Ne nuk kemi pasur më parë Dialog Strategjik formal me Kosovën. Por, jemi angazhuar në procese të tilla me disa vende në Evropën Juglindore: Bullgarinë, Rumaninë, Greqinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut.

    Në to trajtohen gjëra si: siguria, mbrojtja, siguria energjetike, tregtia, investimet, siguria kibernetike, lidhjet mes njerëzve. Ideja është që të promovohen stabiliteti dhe prosperiteti, pjesëmarrja ose integrimi më i thelluar në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

    [Dialogu Strategjik] do të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën, dhe është për keqardhje që nuk do të ndodhë. Kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi i vazhdueshëm është pezulluar ose dëmtuar, por do të thotë se një mundësi për ta rritur dhe forcuar atë, për momentin, është ngrirë.

    Kjo duhet të tërheqë vëmendjen e të gjithëve që brengosen për fuqinë dhe vitalitetin e marrëdhënies.

    Radio Evropa e Lirë: Çfarë mesazhi po përpiqet të dërgojë SHBA-ja tek udhëheqësia e Kosovës me këtë hap?

    Jeffrey Hovnier: Nëse lexoni deklaratën e SHBA-së, atë të lëshuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë në kohën kur është bërë njoftimi, është e qartë se ky vendim është marrë nga autoritetet e Uashingtonit, si rezultat i perceptimit të tyre se Qeveria e kryeministrit në detyrë [Albin] Kurti nuk po bashkëpunon mjaftueshëm. Ato konsiderojnë se, pavarësisht këshillave, sugjerimeve dhe përpjekjeve të SHBA-së, kryeministri dhe Qeveria e tij në detyrë vazhdojnë të ndërmarrin veprime që, sipas Shteteve të Bashkuara, ndikojnë drejtpërdrejt dhe negativisht në sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

    Por, vini re se kjo pikëpamje nuk duket të jetë vetëm e Shteteve të Bashkuara. Partnerët evropianë, gjithashtu, kanë vazhduar të shprehin shqetësime të vërteta, lidhur me disa nga zgjedhjet politike të Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Kurti.

    Nëse gjithçka do të ishte mirë, Dialogu Strategjik nuk do të pezullohej
    Radio Evropa e Lirë: A mund të jetë kjo pika më e ulët në marrëdhënie që nga pavarësia?

    Jeffrey Hovenier: Është e vështirë ta them, sepse edhe më herët ka pasur sfida të tjera në këtë marrëdhënie dypalëshe. Por, kjo nuk është një situatë e këndshme. Kjo është një pengesë e keqe për realizimin e vizionit që SHBA-ja ka pasur që nga pavarësia, dhe që populli i Kosovës ka pasur po ashtu, për një bashkëpunim të përmirësuar dhe një partneritet më të fuqishëm.

    Një gjë që kam vënë re në postimet në rrjetet sociale dhe deklaratat e tjera të zyrtarëve, është se disa po përpiqen ta minimizojnë këtë. Disa thonë se Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës ende kanë marrëdhënie të mira me SHBA-në, por kjo, thjesht, nuk është e vërtetë. Nëse gjithçka do të ishte mirë, nuk do të kishte pasur nevojë për këtë vendim për të pezulluar Dialogun Strategjik – përkohësisht ose për një kohë të pacaktuar.

    Kjo tregon se administrata e Trumpit u frustrua aq shumë sa ndjeu se duhej të ndërmerrte veprime, sepse deklaratat publike nuk mjaftonin për ta rikthyer marrëdhënien siç donte.

    Radio Evropa e Lirë: Pse Dialogu Strategjik është i rëndësishëm për Kosovën?

    Jeffrey Hovenier: Mendoj se është i rëndësishëm për Kosovën për shkak të mundësive që ofron. Siç e thashë më herët, temat që trajtohen në këtë dialog, janë: mbrojtja, siguria, siguria energjetike, tregtia, investimet, rritja ekonomike, siguria kibernetike dhe forcimi i lidhjeve mes njerëzve.

    Gjatë tre vjetëve të mi si ambasador në Kosovë, këto ishin gjërat që populli i Kosovës dëshironte me të vërtetë t’i shihte – gjithnjë e më shumë.

    Dialogu Strategjik mundëson një bashkëpunim më të madh dhe më të thelluar. Funksionon kështu: delegacionet shkojnë në Uashington, ose delegacionet vijnë në Prishtinë; Qeveria e SHBA-së sjell njerëz nga Departamenti i Energjisë, Departamenti i Mbrojtjes, Departamenti i Bujqësisë, Departamenti i Tregtisë… Në njëfarë mënyre, e gjithë Qeveria punon për të forcuar marrëdhënien. Ndaj, humbja e kësaj mundësie është një humbje e madhe.

    Pika që e mbushi kupën
    Radio Evropa e Lirë: Disa argumentojnë se ky është rezultat i frustrimit të grumbulluar ndaj Qeverisë së Kurtit. Jo shumë kohë më parë, kur keni qenë edhe ju në shërbim, kemi parë situata të ngjashme, siç e thatë më parë. Cila mendoni se është arsyeja për këtë vendim tani?

    Jeffrey Hovenier: Qartazi, nuk flas në emër të administratës Trump, ndaj është e vështirë t’i shpjegoj saktësisht motivet dhe vendimet e saj.

    Do t’ju jap vlerësimin tim, i cili mund të jetë i gabuar. Nuk besoj se kishte një akt të vetëm që çoi në këtë vendim. Mendoj, gjithashtu, se ishte një grumbullim i frustrimeve, ose, për të përdorur një shprehje amerikane, ishte pika që e mbushi kupën.

    Mendoj se akti i fundit që çoi në këtë vendim – ai që bëri që njerëzit në Uashington të vendosnin se duhej të ndërmerrnin veprime – ishin deklaratat e kryeministrit dhe të tjerëve në Qeverinë e tij që kritikuan drejtpërdrejt Gjykatën Kushtetuese, një institucion i pavarur, i themelur me Kushtetutë, në hartimin e së cilës ka kontribuuar edhe SHBA-ja.

    Nga këndvështrimi i çdo vëzhguesi, kjo dukej e papajtueshme me parimet e një demokracie të mirë, me mbrojtjen e pavarësisë së gjykatave dhe me respektimin e aftësisë së gjykatës për të marrë vendime.

    Mendoj se kjo, ndoshta, ishte shkaku kryesor. Por, nuk ishte vetëm reagim ndaj kësaj. Ishte reagim pas një serie përpjekjesh nga zyrtarët amerikanë në këtë administratë, përfshirë një vizitë së fundmi të zyrtarit të lartë të Zyrës për Çështjet Evropiane, Brendan Hanrahan, në Prishtinë, ku ai u takua me presidenten [Vjosa] Osmani dhe kryeministrin [në detyrë] Kurti, për të diskutuar se si të përmirësohet marrëdhënia.

    Nuk isha aty, por mendoj se diskutimi lidhej me bashkëpunimin më të ngushtë me SHBA-në, për mënyrën se si Kosova do të trajtonte çështjet komplekse të mbështetjes për komunitetin serb dhe komunitetet tjera joshumicë.

    Qeveria amerikane ka përshtypjen se Qeveria e kryeministrit në detyrë, Kurti, nuk po e dëgjon.

    Radio Evropa e Lirë: Përveç pezullimit të këtij dialogu, çfarë masash të tjera mund të marrë SHBA-ja për të shtuar presionin mbi Kurtin?

    Jeffrey Hovenier: Nuk e di përgjigjen për këtë. Sfida me të cilën përballet Qeveria amerikane, ashtu siç përballej edhe gjatë kohës sime, është se ka disa prioritete që shpesh bien në kundërshtim me njëri-tjetrin, ndërsa një prioritet kryesor mbetet shumë i rëndësishëm.

    Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan e mbështesin Kosovën. Ne e mbështesim rrugëtimin e saj si një shtet evropian dhe euro-atlantik, si një demokraci shumetnike, si një burim stabiliteti dhe sigurie në Evropën Juglindore, dhe jemi të përkushtuar të mbështesim popullin e Kosovës. Këtë e shihni në shumë mënyra: programet, aktivitetet, angazhimet, njerëzit…

    Nëse shkoni në pothuajse çdo universitet në Kosovë, do të gjeni se amerikanët kanë ndihmuar në themelimin e tyre, kanë ndihmuar me programin e tyre mësimor, ose janë ende të pranishëm… Pra, Shtetet e Bashkuara duan të vazhdojnë të jenë një nga partnerët më të ngushtë – nëse jo partneri më i afërt – që ka Kosova.

    Ne e dimë tmerrin e spastrimit etnik të viteve 1990 dhe jemi krenarë që e ndihmuam popullin e Kosovës të krijojë dhe të konsolidojë shtetin e tij.

    Administrata e [ish-presidentit amerikan, Joe] Biden dhe tani administrata e Trumpit kanë shqetësime të vërteta për disa veprime dhe vendime politike të Qeverisë së kryeministrit Kurti. Është kaq e thjeshtë.

    Kjo administratë ka arritur në të njëjtin përfundim si edhe administrata e mëparshme: mënyra më e mirë për të trajtuar çështjen delikate të mbështetjes së integrimit të mëtejshëm të Kosovës dhe sovranitetit të saj, është duke respektuar të drejtat dhe statusin e komuniteteve joshumicë, sidomos komunitetit serb, duke respektuar dispozitat kushtetuese, në mënyrë që ai komunitet të mund të jetojë në kushte dinjiteti dhe sigurie.

    Siguria e Kosovës mbetet prioritet i SHBA-së
    Radio Evropa e Lirë: A ka mundësi që administrata aktuale e SHBA-së të vendosë kushte për bashkëpunim më të gjerë – për shembull në fushën e sigurisë ose ndihmës – nëse ndjen se po injorohet?

    Jeffrey Hovenier: Nuk e di përgjigjen. Mund të them vetëm se është prioritet amerikan që Kosova të jetë e sigurt. Jemi krenarë që po ndihmojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës të bëhet një forcë shumetnike, e aftë të punojë me NATO-n, dhe me misionin e mbrojtjes territoriale. Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e sigurisë dhe stabilitetit.

    Por, do të thosha se kjo administratë – pjesë e së cilës nuk jam – ka qenë më e gatshme për të ndërmarrë veprime që administratat e tjera nuk i kanë marrë. Prandaj, çdo qeveri e Kosovës duhet të sigurohet që të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-në.

    Kam vënë re se presidentja [Vjosa] Osmani vazhdon të flasë shpesh për nevojën e koordinimit me Shtetet e Bashkuara… dhe – edhe kur nuk biem dakord si miq dhe partnerë – të ulemi së bashku dhe të gjejmë mënyra të përbashkëta për të ecur përpara. Kjo është shumë e rëndësishme.

    Radio Evropa e Lirë: Por, disa ndiejnë se vëmendja e SHBA-së tani nuk është aq shumë në Ballkan…

    Jeffrey Hovenier: Mendoj se kjo është e vërtetë. SHBA-ja është një fuqi globale dhe mund t’i ndjekë zhvillimet dhe t’i mbrojë interesat e saj në të gjithë botën. Por, është e vërtetë se më parë, në vitet ’90 dhe fillim të viteve 2000, çështja e Kosovës merrte vëmendje të drejtpërdrejtë nga presidenti, sekretari i Shtetit, këshilltari i Sigurisë Kombëtare dhe sekretari i Mbrojtjes. Tani nuk është më kështu, dhe kjo është diçka pozitive. Do të thotë se është bërë më e rregullt, më normale.

    Ka ndoshta më shumë njerëz që merren me Kosovën dhe shqetësohen për çështjen e Kosovës sesa për, le të themi, Zvicrën ose Austrinë. Por, nga ana tjetër, ka shumë më tepër njerëz që u kushtojnë kohë shqetësimeve dhe hartimit të politikave amerikane për çështje si Izraeli-Palestina ose Ukraina.

    Ambasadat tona kanë njerëz të mirë dhe Qeveria amerikane ka ekspertë që i kushtojnë vëmendje Kosovës. Kosova mbetet një interes i SHBA-së. Jemi krenarë për ndihmën që i kemi dhënë popullit të Kosovës për të konsoliduar dhe krijuar shtetin e tij, dhe duam ta shohim Kosovën të suksesshme.

    Suksesi ndërkombëtar i Kosovës varet nga partneriteti me SHBA-në
    Radio Evropa e Lirë: Në një situatë hipotetike, si do të dukej Kosova me më pak ndikim amerikan në praktikë? A mund të navigojë Kosova pa mbështetje të fortë amerikane?

    Jeffrey Hovenier: Ky është një vendim që i takon vetëm popullit të Kosovës, jo SHBA-së. SHBA-ja do të vazhdojë të ofrojë miqësi dhe partneritet, por vendimin e fundit duhet ta marrë Kosova.

    Nëse do të isha udhëheqës politik i Kosovës – që nuk jam – do të isha shumë i kujdesshëm për të mos bërë asgjë që do të dëmtonte ose do të ndikonte negativisht në marrëdhënien time me Shtetet e Bashkuara. Pothuajse të gjitha sukseset që ka arritur Kosova në arenën ndërkombëtare, kanë përfshirë mbështetjen aktive nga Shtetet e Bashkuara.

    Radio Evropa e Lirë: Atëherë, nëse ky pezullim i Dialogut Strategjik vazhdon, me çfarë rreziku përballet Kosova, veçanërisht duke pasur parasysh lidhjet në rritje të Serbisë me Rusinë dhe Kinën?

    Jeffrey Hovenier: Siç thashë, Dialogu Strategjik është vetëm një nga shumë mjetet. [Pezullimi i tij] përfaqëson thjesht një mundësi të humbur. Nuk përfaqëson më shumë se kaq, por është një humbje reale e mundësisë.

    Disa vende në rajon kanë Dialog Strategjik me Shtetet e Bashkuara, disa nuk kanë, por mendoj se partneriteti dhe bashkëpunimi do të forcoheshin përmes Dialogut Strategjik. Pra, efekti për Kosovën është humbja e mundësive dhe bashkëpunimit. Vendet që punojnë më ngushtë me SHBA-në, kanë më shumë gjasa të përfitojnë nga bashkëpunimi më i madh.

    Radio Evropa e Lirë: Çfarë mesazhi dërgon ky vendim te partnerët e BE-së dhe NATO-s për prioritetet e SHBA-së në Ballkan dhe veçanërisht në Kosovë?

    Jeffrey Hovenier: Nuk mendoj se do të përfundojnë duke thënë se Kosova nuk është prioritet. Por, do të kuptojnë se SHBA-ja po tregon shqetësim më të madh për mungesën e bashkëpunimit të mirë dhe partneritetit që dëshiron nga Kosova.

    Shumë prej tyre ndajnë këtë pikëpamje. Shumë prej tyre, gjithashtu, kanë ndërmarrë veprime në mënyra të ndryshme. Gjatë kohës sime në Kosovë, flisnim për sanksionet e BE-së, që gjithashtu sinjalizonin shqetësim.

    SHBA-ja mbetet partnere e popullit të Kosovës
    Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh rolin e Amerikës në ndërtimin e shtetit të Kosovës, çfarë do t’u thoshit kosovarëve të zakonshëm që mund të ndihen të shqetësuar për këtë vendim?

    Jeffrey Hovenier: Do t’u thosha këtë: Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të braktisin partneritetin me popullin e Kosovës. Por ,ne bëjmë dallimin midis përkushtimit tonë ndaj Kosovës – shtetit, popullit dhe institucioneve – dhe çdo qeverie të veçantë. Dhe, është e qartë se administrata e Trumpit ka shqetësime për cilësinë e partneritetit me Qeverinë e kryeministrit në detyrë, Kurti.

    Radio Evropa e Lirë: Dhe, çfarë do t’u këshillonit udhëheqësve të Kosovës tani, nëse duan të rikthejnë besimin tek Uashingtoni?

    Jeffrey Hovenier: Unë nuk kam qenë së voni pjesë e bisedimeve me kryeministrin, ministrat e tij dhe homologët amerikanë, kështu që nuk e di saktësisht se çfarë po rekomandon Qeveria e SHBA-së tani.

    Gjatë kohës sime, ajo që kërkonim ishte bashkëpunim më i ngushtë mbi mekanizmin e vështirë të shfuqizimit të mbështetjes së shtetit serb për komunitetin serb në Kosovë, si dhe të mos ndërmerren veprime të nxituara ose të njëanshme, si mbyllja e klinikave shëndetësore, zyrave të sigurimeve shoqërore apo gjërave të tjera të ngjashme.

    Ne pajtoheshim që ato duhej të integroheshin në strukturat e shtetit të Kosovës, por një gjë e tillë duhej të bëhej në një mënyrë të dakordësuar përmes dialogut [për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë].

    [I dërguari i BE-së] Peter Sorensen është një negociator shumë i aftë. Gjetja e një rruge përpara, që të jetë e pranueshme për të dyja palët, besoj se vazhdon të jetë ajo që kërkon kjo administratë. Por, siç e thashë, unë nuk kam qenë pjesë e këtyre bisedimeve që nga fundi i dhjetorit.

  • Williams: Thaçi e dinte që bashkëpunimi me TPNJ-në përfshinte hetime potenciale edhe ndaj UÇK-së

    Williams: Thaçi e dinte që bashkëpunimi me TPNJ-në përfshinte hetime potenciale edhe ndaj UÇK-së

    Dëshmitari Paul Williams duke folur para Gjykatës Speciale për mbështetjen që delegacioni kosovar i ka dhënë Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) gjatë bisedimeve në Rambuje, pohoi se Hashim Thaçi e dinte që kjo mund të përfshijë edhe hetime potenciale ndaj anëtarëve të UÇK-së.

    Ldhur me angazhimin që TPNJ-ja të ketë mundësinë që të ketë kompetenca të mjaftueshme që të zbatojë mandatin e saj, Williams tha se edhe Thaçi ishte i këtij mendimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Ai tha se kjo pasqyron këtë që na intereson edhe neve”, deklaroi Williams për Thaçin.

    Dëshmitari pohoi se ishte i vetëdjshem se bashkëpunimi me TPNJ-në përfshinte edhe hetime potenciale lidhur me UÇK-në.

    “Delegacioni i Kosovës që përfaqësonin UÇK-në duke përfshirë edhe Hashim Thaçin kishin mundësinë që të shihnin se si TPNJ-ja vepronte në kontekstin e Kroacisë dhe Bosnjës dhe se Tribunali kishte ngritur aktakuzë ndërmjet këtyre palëve”, tha ai.

    Ai tha se dihej që Tribunali Ndërkombëtar do të kërkonte prova në drejtime të ndryshme.

    “Situata ishte faktike se Tribunali Ndërkombëtar do të kërkonte prova në drejtime të ndryshme që do të përfshinte edhe aktorë të armatosur joshtetëror”, tha ai.

    Në draftin e marrëveshjes, dëshmitari tha se shkruhej se prokurorja do të kishte qasje edhe në territorin e Kosovës përveçse në Serbi.

  • Zhduket një grua në Mitrovicë, është larguar nga shtëpia që prej të hënës

    Zhduket një grua në Mitrovicë, është larguar nga shtëpia që prej të hënës

    Policia ka njoftuar se një grua është raportuar e zhdukur në fshatin Kçiq i Madh të Mitrovicës së Jugut. Rasti është denoncuar nga familjarët e saj të martën.

    Sipas informacioneve fillestare të ofruara në raportin e Policisë, gruaja ishte larguar nga shtëpia e saj ditën e hënë rreth orës 10:00.

    Që nga ai moment, familjarët nuk kanë pasur asnjë kontakt me të dhe nuk kanë informacion për vendndodhjen e saj aktuale.

    Rasti është iniciuar si ‘Person i zhdukur’ dhe njësitet relevante policore kanë nisur hetimet për gjetjen e saj.