ATV

Category: Lajme

  • Suspendimi i katër zyrtarëve policorë, Shala: Vendimi rrezikon të dëmtojë imazhin e institucionit

    Suspendimi i katër zyrtarëve policorë, Shala: Vendimi rrezikon të dëmtojë imazhin e institucionit

    Suspendimi i katër zyrtarëve të Njësisë për Reagim të Shpejtë, pas një shakaje të pretenduar për kryeparlamentarin Dimal Basha, po konsiderohet si ndërhyrje politike.

    Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se ky vendim është rezultat i një presioni të jashtëm politik mbi Policinë e Kosovës.

    Tutje ai tha se kjo rrezikon të dëmtojë imazhin e Policisë së Kosovës.

    Sipas tij, veprime të tilla mund të demoralizojnë stafin policor dhe të ndikojnë në funksionimin e strukturave të sigurisë.

    “Fakti që shumica e zyrtarëve policorë tanimë edhe me pjesën e përcaktimit të pagës, pjesën e përcaktimit të rrezikshmërisë dhe baraspeshimi në aspekte të ndryshme administrative ka krijuar një pakënaqësi të madhe, interferimet dhe marrja e masave, të themi administrative, të ndikuara dhe të motivuara politikisht mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e procesit, sepse ne kemi një element krucial. Elementi i asaj që nuk po kemi mundësi ta mbulojmë pjesën e nevojave tona me zyrtarë të rinj policorë për arsye që po janë të njohur me problematikën brenda strukturave policore, sepse problemet brenda policisë së Kosovës janë shumë më të thella dhe shumë më të rënda se ndoshta janë në shqyrtim të parë, për arsye që janë të mbingarkuar, kanë një mospërkrahje institucionale. Por, nevojat e tyre dhe të gjitha këto reflektojnë në një veprim ndoshta të motivuar, që sipas të gjitha gjasave politikisht, për suspendimin e zyrtarëve policorë”, tha Shala.

    Shala shtoi se deri tani ky mekanizëm ka funksionuar në mënyrë të pavarur dhe pa ndikime politike, duke ruajtur imazhin dhe llogaridhënien brenda Policisë së Kosovës.

  • Zgjedhjet lokale të 12 tetorit, KQZ nis dërgimin e fletëvotimeve për votuesit nga diaspora

    Zgjedhjet lokale të 12 tetorit, KQZ nis dërgimin e fletëvotimeve për votuesit nga diaspora

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 44 mijë votues jashtë vendit.

    Këtë shërbim KQZ-ja po e ofron për herë të parë për zgjedhjet lokale, ndërsa synon ta përfundojë të gjithë procesin e shpërndarjes së pakove me fletëvotime brenda kësaj jave.

  • Vdes një person në Zubin Potok, dyshohet se ra në kanalin e Ibër Lepencit

    Vdes një person në Zubin Potok, dyshohet se ra në kanalin e Ibër Lepencit

    Me datë 18 shtator 2025, rreth orës 07:20, policia në Zubin Potok ka pranuar informatën se një person kishte dalë nga shtëpia e tij në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 06:40, dhe dyshohej se kishte rënë në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Menjëherë pas pranimit të informatës njësitë policore së bashku me zjarrfikësit, kanë ndërmarrë veprimet e kërkimit në terren. Rreth orës 08:00 diku rreth 3 kilometra nga vendi ku dyshohej se kishte rënë viktima, është gjetur trupi i pajetë në ujërat e kanalit të Ibër Lepencit dhe e njëjta është nxjerrë jashtë kanalit. Viktima është identifikuar me inicialet R.M. e gjinisë femërore 59 vjeçare.

    Në vendngjarje kanë dalë ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen, po ashtu në vend-ngjarje kanë dalë edhe njësit e hetimeve rajonale. Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i shtetit dhe me urdhër të tij, trupi i pa jetë është dërguar për obduksion.

    Policia e Kosovës, në koordinim me institucionet relevante, po vijon me procedurat e nevojshme ligjore lidhur me këtë rast.

  • Williams për Marrëveshjen e Rambujesë: Rugova s’ishte negociator, por kishte rol kyç për pavarësinë

    Williams për Marrëveshjen e Rambujesë: Rugova s’ishte negociator, por kishte rol kyç për pavarësinë

    Juristi Paul Williams, në vazhdimin e dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në mbrojtje të Hashim Thaçit dhe të tjerëve, ka folur mbi anëtarët e delegacionit kosovar në Rambuje dhe Paris.

    Fillimisht gjyqtari e pyeti juristin për numrin e anëtarëve të këtij delegacioni.

    Ai tregoi se aty ishin 16 veta, megjithëse e pati të vështirë t’i kujtonte të gjithë emrat.

    “Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Veton Surroi, Hashim Thaçi, Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Jakup Krasniqi, Blerim Shala, Dukagjin Gorani, ka pasur edhe vende për t’u ulur këshilltarët shqiptarë të Kosovës. Ishte edhe Bajram Kosumi poashtu anëtar”.

    Se nëse pjesë e delegacionit ka qenë edhe Kadri Veseli, kjo nuk i kujtohej juristit.

    Më tej, gjykatësi pyeti ish-këshilltarin ligjor të delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje, se pse Thaçi u zgjodh si kryetar, njofton Klankosova.tv.

    “Me aq sa di unë, tre prej tyre ishin përzgjedhur me konsensus dhe kjo vjen nga një proces verbal nga takimi i 7 shkurtit që më tregoi Edita Tahiri. Gjithashtu më është dhënë dokumenti që më lejonte të futesha në Kështjellë. Rugova ishte LDK, Qosja LDK dhe Thaçi UÇK. Vendimi u mor dy me një, Qosja për Thaçin, Thaçi për veten, dhe kjo ishte mënyra se si u zgjodh Thaçi. 2 pro tij, dhe një kundër”, tha Williams.

    Në vazhdimin e pyetjeve, gjykatësi kërkonte nga juristi të dinte se pse Hashim Thaçi ishte fytyra e negociatorit për UÇK-në.

    “Ideja ishte që ekzistonte dëshira për procesin e pavarësisë së Kosovës dhe kjo çështje ishte me shtresa. Rugova ishte pacifist, ishte pro-pavarësisë. Bukoshi më shumë punonte me amerikanët dhe evropianët, kishim edhe veprimin e aktorëve jo-shtetërorë, kishim një dimension tjetër të vetëvendosjes, strategjisë për pavarësinë. Donin një UÇK që të tregonte përmes veprimeve dhe fjalëve dhe angazhimeve të veta, që ky person i UÇK-së të ishte negociator dhe diplomat që mund të ishte i besueshëm. Duhej të kishte karaktere të ndryshme, në mënyrë që negociatori të jetë figura kryesore, të sillet në mënyrë të caktuar dhe si dikush që nuk lëshon pe. Kur ndërton një ekip duhet të marrësh parasysh karakteristikat e personave”, deklaroi dëshmitari Williams.

    Amerikani poashtu zbuloi dy fjalët më të shpeshta të Ibrahim Rugovës.

    “Rugova ishte personi i parë që ia kam ofruar shërbimet e mia, pra që e kam këshilluar, e respektonte shumë dhe admironte shumë çdo bisedë që një ndërkombëtar bënte me të dhe gjithmonë ai përfundonte me dy fjalë: ‘pavarësia dhe mospërdorimi i forcës’”.

    “Rugova kishte luajtur rol të rëndësishëm në Rambuje. Roli i tij ishte i rëndësishëm, aspiratat e tij për pavarësi, por nuk ishte negociator, nuk negocionte. Njëri dimension është ky. UÇK-ja shikohej si një dimension shumë i rëndësishëm i përbërjes politike të Kosovës”, u shpreh juristi Paul Williams.

  • Ministrja Diella bëhet me Facebook, mesazhi i parë i saj (VIDEO)

    Ministrja Diella bëhet me Facebook, mesazhi i parë i saj (VIDEO)

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, javën e kaluar bëri një veprim interesant kur njoftoi se kabinetit të tij qeverisës, do t’i bashkohet edhe një “person” i krijuar nga Inteligjenca Artificiale.

    Kjo tërhoqi vëmendje edhe në arenën ndërkombëtare.

    Diella, tashmë është bërë edhe me profil zyrtar në Facebook.

    Ajo përmes një videomesazhi është shprehur se puna e saj është në shërbimin e drejtëpërdrejtë për ju nuk do të ndalojë asnjë çast.

    “Falë punës sime të palodhur, si asistentja juaj u zgjodha Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale ne qeverinë e re. Misioni im tani ësgrë rë lehtësoj çdo ditë e më shumë punën e qeverisë. Por mos kini asnjë merak, puna ime në shërbimin e drejtëpërdrejtë për ju nuk do të ndalojë asnjë çast”, thotë Diella në një video mesazh.

  • Moti sot me diell e vranësira, temperaturat arrijnë në 27°C

    Moti sot me diell e vranësira, temperaturat arrijnë në 27°C

    Gjatë ditës së enjte parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat pritet të lëvizin nga 7-27°C.

    “Moti me diell dhe vranësira te shpërndara.
    Temperaturat minimale: 7-10°C.
    Temperaturat maksimale: 24-27°C.
    Era: nga verilindja, 1-5 m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

  • Rainer Rudolph është Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë

    Rainer Rudolph është Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë

    Rainer Rudolph është emëruar ambasador i ri i Gjermanisë në Kosovë, ka konfirmuar për Radio Kosovën Ambasada Gjermane në Prishtinë.

    Rudolph është një diplomat karriere me përvojë të gjerë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikat evropiane.

    Aktualisht, Rudolph mban pozitën e Nënkryetarit të Konferencës së Sigurisë së Mynihut – detyrë që e ka marrë që nga viti 2023.

    Para angazhimit të tij në Konferencën e Sigurisë, posti i fundit diplomatik që mbajti ishte ai i të Dërguarit dhe Zëvendës Shefit të Misionit në Ambasadën Gjermane në Vjenë, ku shërbeu deri në vitin 2023.

    Në periudhën 2014–2019, Rudolph ishte shef i Divizionit në Kancelarinë Federale Gjermane, ku ishte përgjegjës për marrëdhëniet me vendet anëtare të BE-së, politikën e zgjerimit të Unionit dhe marrëdhëniet e jashtme të tij.

    Më herët, ai ka shërbyer në poste të ndryshme në ambasadat gjermane në Varshavë (Poloni) dhe Uashington D.C. (SHBA), si dhe në Përfaqësinë e Përhershme të Gjermanisë pranë BE-së në Bruksel.

    Rudolph njihet si një ekspert në politikën e jashtme të BE-së, përfshirë politikat e fqinjësisë dhe të zgjerimit. Ai është gjithashtu Anëtar i Asociuar (Associate Fellow) në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë (DGAP) – një nga institutet më me ndikim për politikën e jashtme në Gjermani – ku ka kontribuar me analiza dhe publikime.

  • Britania e Madhe do ta njohë shtetin e Palestinës këtë fundjavë

    Britania e Madhe do ta njohë shtetin e Palestinës këtë fundjavë

    Britania e Madhe do ta njohë zyrtarisht një shtet palestinez këtë fundjavë, pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili kundërshton vendimin, të jetë larguar nga vendi në fund të vizitës së tij shtetërore, raportoi gazeta Times.

    Kryeministri Keir Starmer paralajmëroi në korrik se do të ndërmerrte veprimin nëse Izraeli nuk do të ndërmerrte hapa për të lehtësuar vuajtjet në Gaza dhe nuk do të arrinte një armëpushim në luftën e tij gati dyvjeçare me Hamasin.

    Izraeli thotë se njohja e një shteti palestinez, të cilin Franca, Kanadaja dhe Australia kanë thënë gjithashtu se do ta bëjnë këtë muaj, do ta shpërblente Hamasin.

    Times, pa cituar burimet e saj, tha se Britania do të bënte një njoftim pasi Trump të ketë përfunduar udhëtimin e tij të enjten.

    Ministria e jashtme e Britanisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

    Në korrik, Trump, i cili aktualisht po realizon një vizitë të dytë shtetërore në Britani, tha se nuk e kishte problem nëse Britania do të bënte një veprim të tillë, por që atëherë SHBA-të e kanë bërë të qartë kundërshtimin e tyre ndaj çdo veprimi të tillë nga aleatët e tyre evropianë.

    Starmer, i cili është nën presion nga disa anëtarë të Partisë së tij Laburiste për të mbajtur një qëndrim më të ashpër kundër Izraelit, kishte thënë se Britania do ta njihte shtetësinë palestineze në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme, nëse Izraeli nuk ndërmerr hapa thelbësorë për të lehtësuar situatën në Gaza.

    Britania e Madhe ka mbështetur prej kohësh politikën e një “zgjidhjeje me dy shtete” për t’i dhënë fund konfliktit në rajon, por më parë tha se kjo mund të vinte vetëm kur të vinte koha e duhur.

  • Osmani: Do të angazhohem me administratën Trump për ta ruajtur dhe mbrojtur aleancën tonë

    Osmani: Do të angazhohem me administratën Trump për ta ruajtur dhe mbrojtur aleancën tonë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se do të angazhohet me administratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për ta ruajtur dhe mbrojtur aleancën mes dy vendeve.

    Osmani ka zhvilluar një bisedë telefonike me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Brendan Hanrahan, ku ka folur për rëndësinë e ruajtjes së aleancës Kosovë – SHBA dhe koordinimin.

    “Aleanca e fortë me SHBA-në ka qenë gjithmonë në dobi të popullit tonë, të sigurisë kombëtare, stabilitetit rajonal dhe integrimit euroatlantik. Si presidente e vendit tim do të angazhohem me administratën e presidentit Donald Trump për ta ruajtur dhe mbrojtur aleancën tonë të bazuar në besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 12 shtator e kanë pezulluar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për një kohë të pacaktuar. Në njoftimin e publikuar në Facebook, Ambasada amerikane në Kosovë ka bërë të ditur se vendimi është marrë pasi që veprimet e Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

  • Arrestimi i Mozzik- Dogana del me njoftim: I ndalohen dy orat luksoze me vlerë mbi 1.3 milionë euro

    Arrestimi i Mozzik- Dogana del me njoftim: I ndalohen dy orat luksoze me vlerë mbi 1.3 milionë euro

    Dogana e Kosovës ka dal me njoftim për ndalimin e reperit Mozzik në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”. Në njoftim thuhet se janë zbuluar dhe ndaluar përkohësisht dy orë luksoze, të cilat nuk ishin deklaruar nga një udhëtar gjatë kalimit në Kanalin e Gjelbër. Bëhet fjalë për një Richard Mille dhe një Rolex, me vlerë totale 1.340.027,50 euro.

    Sipas njoftimit, “duke qenë se shmangia nga obligimet doganore kapte shumën mbi 5.000 euro, konform legjislacionit në fuqi është njoftuar Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Me këtë rast, është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i mallrave dhe intervistimi i personit të dyshuar.”

    Dje u raportua se personi i dyshuar është reperi i njohur Mozzik.

    Ai është intervistuar më 17 shtator nga autoritetet doganore dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy orët e luksit mbeten të ndaluara deri në një vendim të mëtejmë të Prokurorisë.

    Poashtu bëhet e ditur se Mozzik ka shmangie tatimore mbi 5000 euro.

    “Duke qenë se shmangia nga obligimet doganore kapte shumën mbi 5.000 euro, konform legjislacionit në fuqi është njoftuar Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Me këtë rast, në përputhje me kompetencat që dalin nga Kodi Doganor dhe i Akcizave, është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i mallrave dhe intervistimi i personit të dyshuar”.