ATV

Category: Lajme

  • Jahjaga takon Obamën, i kërkon angazhim për forcim të raporteve Kosovë-SHBA

    Jahjaga takon Obamën, i kërkon angazhim për forcim të raporteve Kosovë-SHBA

    Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar ish-presidentin amerikan, Barack Obama, në kuadër të samitit global në Erie, Pensilvani.

    Përmes një postimi në facebook, Jahjaga ka thënë se ka ka kërkuar nga Obama angazhimin e mëtejshëm në forcimin e marëdhenieve ndërmjet SHBA dhe Kosovës, që thotë se janë sfiduar me pezullimin e dialogut strategjik së fundmi.

    “Kerkova edhe ndihmen dhe perkrahjen e zotit Obama ne konsolidimin e shtetesise tone në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Jahjaga.

    Ajo ka thënë se Kosova nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli amerikan.
    “Falë këtij partneriteti, ne sot gëzojmë lirinë, pavarësinë, njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin në shumë organizata botërore. Për këtë mbetemi përjetësisht falënderues”.

  • Arrestohet nënkryetarja e Leposaviqit, dyshohet se e rrahu një grua në objektin e komunës

    Arrestohet nënkryetarja e Leposaviqit, dyshohet se e rrahu një grua në objektin e komunës

    Nënkryetarja e Komunës së Leposaviqit, Marina Bogojeviq, është arrestuar dje, pasi që dyshohet se në objektin e komunës, ka sulmuar fizikisht një grua që kishte kërkuar vendim mbi largimin nga puna.

    Policia ka bërë me dije se e njëjta është liruar pas intervistimit.

    “SULM -Leposaviq 17.09.2025-11:45. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare- zëvendës kryetare e komunës, pasi që dyshohet se në objektin e komunës, ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare, e cila kishte kërkuar vendim mbi largimin nga puna. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Gjenden uniforma e mjete ushtarake, i përkasin një personi që kërkohet për rastin “Banjska”

    Gjenden uniforma e mjete ushtarake, i përkasin një personi që kërkohet për rastin “Banjska”

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në Mitrovicë të Veriut kanë gjetur serish uniforma ushtarake, antiplumbë, karikatorë të armës së gjatë AK-47 me municion si dhe mjete tjera ushtarake.

    Ato dyshohet se i përkasin një peroni që është në kërkim për rastin “Banjska”.

    “Nuk ka persona të arrestuar dhe dyshohet se këto armë i përkasin një personi të dyshimtë i cili tashmë është në kërkim për rastin ‘Banjska’”, thuhet në njoftim.

    Mjetet ushtarake janë gjetur në një rimorkio të enjten në mëngjes.

    “Më datën 18.09.2025 rreth orës 09:45 njësia e hetimeve e Stacionit Policor Zveqan kanë hasur në një rimorkio ku pas kontrollit kishin hasur ne dy thasë me uniforma, antiplumbë, 5 karikatorë të AK-47 me municion dhe paisje tjera ushtarake”, thuhet në njoftimimin e Policisë.

    Mjetet e dyshimta të cilat janë konfiskuar janë si ne vijim: 1 Uniformë ushtarake kamufluese, 5 karikator me 132 fishek të armës AK-47, 5 fatrolla për mbajtje te karikatorëve në gjoks, 4 pale pantallona ushtrak, 4 jakne ushtarake, 3 fotrolla të radiolidhjeve, 1 antiplumb, 2 rripa brezi ushtarak, 1 jelek taktik, 1 çantë taktike, 1 helmetë e gjelbër, 1 kapelë dhe 1 dritë rrotative”, shtohet në njoftim.

    Ne vendin e ngjarjes thuhet se kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore. Të gjitha veprimet e ndërmarra thuhet se i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit i cili ka urdhëruar inicimin e rastit ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar të armëve’’.

  • Gjeneral Jashari: Kosova duhet të jetë pjesë e plotë e Kartës së Adriatikut

    Gjeneral Jashari: Kosova duhet të jetë pjesë e plotë e Kartës së Adriatikut

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në Konferencën e 28-të të Kartës së Adriatikut A5, e mbajtur në Tiranë, ku u diskutua për forcimin e sigurisë rajonale dhe sfidat e përbashkëta të Ballkanit Perëndimor.

    Konferenca u udhëhoq nga komandanti i Komandës Amerikane për Evropë (EUCOM) dhe njëkohësisht komandanti suprem i Forcave Aleate për Evropë (SACEUR), ndërsa bashkëkryesohej nga Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina.

    Në punimet e saj morën pjesë shefat e mbrojtjes të vendeve të rajonit dhe adjutantët e përgjithshëm të gardave kombëtare të shteteve partnere.

    Në adresimin e tij, gjeneral Jashari theksoi nevojën e anëtarësimit të plotë të Kosovës në këtë nismë, duke vlerësuar se ky hap do të sillte më shumë paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor.

    Në kuadër të konferencës, ai zhvilloi takime bilaterale me komandantin e EUCOM-it dhe SACEUR-in, gjeneral Alexus G. Grynkewich, si edhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingjin.

    Në përfundim, shtetet pjesëmarrëse u pajtuan se nisma të tilla janë të domosdoshme për forcimin e bashkëpunimit dhe adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë në rajon.

  • Gati 1 milion njerëz në rrugë, Franca përgatitet për trazira në protestën e sotme

    Gati 1 milion njerëz në rrugë, Franca përgatitet për trazira në protestën e sotme

    Franca po përgatitet për njërën prej protestave më të mëdha të viteve të fundit, ndërsa sindikatat po tregojnë unitet të rrallë për t’i bërë presion kryeministrit të ri që të rishikojë shkurtimet buxhetore dhe të marrë masa për pagat, pensionet dhe shërbimet publike.

    Sipas të dhënave të policisë, sot pritet që rreth 800 mijë njerëz të dalin në rrugë në marshime në mbarë vendin, ndërsa shkollat, transporti hekurudhor dhe ajror do të preken nga kjo protestë.

    Në terren do të dislokohen gjithsej 80 mijë policë. Kjo ditë protestash vjen në një kohë krize politike në Francë, pasi Emmanuel Macron javën e kaluar emëroi aleatin e tij të ngushtë, Sebastien Lecornu, si kryeministrin e tretë brenda vitit – pas rrëzimit të dy paraardhësve, nga parlamenti për shkak të mosmarrëveshjeve të ashpra buxhetore.

    Protesta e sotme pritet të jetë më e madhja që nga viti 2023, kur turma të mëdha njerëzish dolën kundër vendimit për të rritur moshën e pensionit në 64 vjeç, përmes fuqive ekzekutive dhe pa votim në parlament.

  • Trump vazhdon vizitën në Britani, sot takohet me kryeministrin Starmer

    Trump vazhdon vizitën në Britani, sot takohet me kryeministrin Starmer

    Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të takohet sot me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer në rezidencën e tij të enjten, teksa vizita shtetërore e tij kalon nga parada mbretërore në bisedime politike.

    Udhëheqësit parashihet të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit.

    Gjatë një organizimi mbretëror mbrëma, Trumpi u prit dje në Windsor nga Mbreti, Mbretëresha dhe një sërë anëtarësh të lartë të familjes mbretërore.

    Ai tha se vizita e dytë shtetërore ishte një nga “nderimet më të larta të jetës së tij, ndërsa Mbreti vlerësoi “angazhimin personal të presidentit për të gjetur zgjidhje për disa nga konfliktet më të vështira në botë”.

  • Tre emigrantë arratisen nga Qendra e Mbajtjes për Emigrantë, dy nga Bangladeshi dhe një nga Maroku

    Tre emigrantë arratisen nga Qendra e Mbajtjes për Emigrantë, dy nga Bangladeshi dhe një nga Maroku

    Tre persona janë arratisur gjatë orëve të para të mëngjesit të së mërkurës nga Qendra e Mbajtjes për Emigrantë në fshatin Vranidoll.

    Policia ka bërë të ditur se personat e arratisur janë shtetas të huaj, konkretisht dy prej tyre me origjinë nga Bangladeshi dhe njëri nga Maroku.

    Sipas njoftimit zyrtar, shkaqet që i kanë shtyrë tre personat të ndërmarrin këtë veprim janë ende të panjohura për hetuesinë.

    Rasti është duke u hetuar në mënyrë intensive për të kuptuar se si ka ndodhur arratisja dhe për të lokalizuar vendndodhjen e tre personave të larguar.

  • Sekuestrohet arsenal armatimi në Prishtinë, lidhet me një rast të mëhershëm të vrasjes në tentativë

    Sekuestrohet arsenal armatimi në Prishtinë, lidhet me një rast të mëhershëm të vrasjes në tentativë

    Policia ka bastisur shtëpinë e një personi të dyshuar për vrasje në tentativë, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme armatimi dhe pajisjesh.

    Operacioni policor u zhvillua të mërkurën në Prishtinë, si pjesë e hetimeve intensive lidhur me një rast që kishte ndodhur disa muaj më parë.

    Gjatë kontrollit në pronën e të dyshuarit, njësitet hetimore kanë gjetur dhe konfiskuar një armë automatike AK-47.

    Sipas Policisë, kjo armë dyshohet të jetë përdorur në rastin e vrasjes në tentativë që ndodhi më 12 maj të këtij viti në rrugën “Bardhyl Qaushi” në kryeqytet.

    Përveç armës së zjarrit, janë gjetur edhe dy jelekë anti-plumb, një helmetë dhe një palë pranga.

  • Britania në fundjavë do ta njohë shtetin palestinez

    Britania në fundjavë do ta njohë shtetin palestinez

    Britania e Madhe do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës këtë fundjavë, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump të përfundojë vizitën e tij shtetërore, raportoi të mërkurën “The i Paper”, duke cituar burime qeveritare, transmeton Anadolu.

    Në korrik, kryeministri Keir Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar do ta njohë shtetësinë palestineze në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York në shtator, nëse Izraeli nuk ndërmerr “hapa thelbësorë” për të adresuar situatën humanitare në Gaza dhe për të rënë dakord për një armëpushim.

    Arsyeja për shtyrjen e njoftimit deri pas largimit të Trumpit nga Mbretëria e Bashkuar është sepse “mund të kishte rrezikuar thellimin e tensioneve me Washingtonin, pasi Trump dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio ofruan mbështetje të fortë për ofensivën tokësore të Izraelit në Gaza”, thuhet në raport.

    Zëdhënësi i kryeministrit tha se njohja ishte hartuar për të mbrojtur qëndrueshmërinë e një zgjidhjeje me dy shtete.

    “Shtetësia është e drejtë e patjetërsueshme e popullit palestinez dhe është absolutisht thelbësore në mbrojtjen e qëndrueshmërisë së një zgjidhjeje me dy shtete që ta bëjmë të qartë këtë të drejtë të patjetërsueshme”, shtoi ai.

    Vitin e kaluar, Irlanda, Norvegjia dhe Spanja iu bashkuan një liste prej 147 vendesh që tani e njohin zyrtarisht Palestinën.

    Franca njoftoi planet për të njohur shtetin palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke u bërë shteti i parë anëtar i G7-ës, një forum joformal i shtatë vendeve dhe demokracive kryesore të industrializuara, që e bën këtë.

  • Shtyhet seanca ndaj Simiqit për sulmin ndaj gazetarëve në veri

    Shtyhet seanca ndaj Simiqit për sulmin ndaj gazetarëve në veri

    Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë është shtyrë seanca fillestare lidhur me aktakuzën ndaj deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, dhe Urosh Vuksanoviq, për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq në qershor të vitit 2023.

    Gjykata më pas vendosi që seanca të shtyhet për 9 tetor, duke nisur nga ora 13:30.

    Avokatët e dy të akuzuarve thanë se njëri nga të pandehurit nuk i ka pranuar shkresat nga prokurori, ndërkaq tjetri i ka pranuar vetëm pjesërisht.

    Prokurorja e rastit, Ajtene Zoti, tha se avokatët janë njoftuar disa herë përmes telefonit për të marrë shkresat e lëndës, por ajo tha se ata nuk kishin shkuar për t’i marrë.

    Pas shtyrjes së seancës, Simiq gjatë një deklarimi për gazetarë i hodhi poshtë akuzat dhe tha se “misioni im jetësor është të promovoj paqen, bashkëjetesën, dialogun dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve përmes institucioneve, dhe kurrsesi e kundërta”.

    “Principet e mia themelore, kodi im politik, bazohet në atë se gazetari është ishenjtë dhe askush nuk duhet ta prekë gazetarin, dhe kështu kam vepruar ndaj gazetarëve, si në veri, ashtu edhe në jug”, deklaroi ai, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Për çfarë akuzohet deputeti Simiq?
    Më 13 qershor të këtij viti, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ngriti aktakuzë ndaj deputetit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Simiq akuzohet për veprën “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

    Sipas Prokurorisë, Simiq më 16 qershor të vitit 2023 gjatë protestave kundër vizitës të ministrit, tashmë në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi “me dashje ka marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë persona, ashtu që në momentin që nga objekti i Komunës së Leposaviqit del ministri E.K., personat civil të maskuar fillojnë të gjuajnë shok bomba në drejtim të veturës zyrtare, dhe pasi që kalon vetura zyrtare, i pandehuri u jep urdhër turmës duke thënë që të i sulmojnë mediat”.

    Në njoftimin për ngritjen e aktakuzës, Prokuroria tha se sulmi vazhdoi në drejtim të gazetarëve, fillimisht me shok bomba, e më pas turma u godit me grushte, shqelma, mjete të forta, tulla betoni, e gjësende të tjera. Gjatë këtij sulmi pësuan lëndime të rënda trupore dy gazetarë, tha Prokuroria.

    Ndërkaq, të pandehurin Urosh Vuksanoviq, Prokuroria e akuzon për përfshirje “të drejtpërdrejtë në përdorimin e forcës ndaj gazetarëve të Kosovës”.

    Ai akuzohet për veprat penale “sulmi” dhe “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

    Pasi u ngrit aktakuza, Lista Serbe deklaroi se Simiq kishte tentuar “të mbrojë të gjithë të pranishmit, përfshirë ekipet mediale”.

    Sulmi i 16 qershorit të vitit 2023 ishte dënuar nga politikanë vendorë dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Atë vit, në Leposaviq dhe në tri komunat e tjera në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, gazetarët ishin cak i disa sulmeve teksa ata po mbulonin protestat e serbëve lokalë kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë të komunave.

    Zgjedhja e kryetarëve shqiptarë erdhi pasi kryetarët serbë ishin tërhequr dhe më pas partitë serbe bojkotuan zgjedhjet që u mbajtën në prill.

    Protestat më 2023 kulmuan me përplasjen mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Zveçan më 29 maj. Gjatë kësaj përplasjeje u lënduan dhjetëra ushtarë të KFOR-it dhe protestues. NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që përgjegjësit për dhunën të përballen me drejtësinë./REL