ATV

Category: Lajme

  • Time Kadrijaj: Kurti të mos merret me AAK-në, nëse na i plotëson kërkesat ia bëjmë kuorumin

    Time Kadrijaj: Kurti të mos merret me AAK-në, nëse na i plotëson kërkesat ia bëjmë kuorumin

    Deputetja e zgjedhur e AAK-së, Time Kadriaj, në një bisedë me Kosova Live në T7 ka folur për deklarimet e sotme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, rreth vendimit të AAK-së për të mos i shkuar në takim.

    Kadriaj ka thënë se Kurti s’ka nevojë të merret me AAK-në, duke theksuar se nëse deklarohet se i plotëson gjashtë kushtet e AAK-së, atëherë partia që drejton Gjini do t’ia bëjë kuorumin për president.

    “S’ka nevojë të merret me AAK-në. Pse spo flet për kërkesat e Aleancës, me thanë që AAK ka qenë transparente prej fillimit dhe se i realizon ato kërkesa për t’i marrë votat tona. A po don me bo zgjidhje, s’ka nevojë me u marrë pse Aleanca s’ka shku në takim. Ne i kemi bërë kërkesat, s’ka pasur reflektim nga z. Kurti që i realizon ato”, ka deklaruar ajo.

  • Bëhet shkrumb e hi një veturë te Rruga B në Prishtinë, në vendngjarje zjarrfikësit

    Bëhet shkrumb e hi një veturë te Rruga B në Prishtinë, në vendngjarje zjarrfikësit

    Një veturë është përfshirë nga flakët në Rrugën B në Prishtinë.

    Trafiku në atë pjesë është bllokuar, derisa në vendngjarje kanë dalë edhe zjarrfikësit.

    Nuk dihen ende shkaqet që kanë mundur të çojnë deri tek ndezja e veturës.

  • Në prag të aktgjykimit, djali e viziton Jakup Krasniqin në Hagë

    Në prag të aktgjykimit, djali e viziton Jakup Krasniqin në Hagë

    Altin Kransiqi, djali i Jakup Krasniqi, e ka vizituar sot babain e tij në Hagë.

    Kjo vizitë e tij vjen kur kanë mbetur edhe pak javë nga aktgjykimi për katërshen e UÇK-së.

    “Sot isha për vizitë në Hagë. Kanë mbetur edhe pak javë deri te vendimi përfundimtar.

    Pavarësisht gati 6 viteve të padrejtësisë, një gjë ka mbetur e pandryshuar: krenaria për luftën çlirimtare, për idealin e lirisë dhe për ata që nuk u përkulën as atëherë e nuk përkulen as sot.

    Me besim të palëkundur në të vërtetën dhe me kokën lart, presim epilogun e këtij procesi”, ka shkruar ai.

  • Irani varros udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei, në një faltore

    Irani varros udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei, në një faltore

    Udhëheqësi i ndjerë Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u varros në orët e para të mëngjesit të së premtes sipas orës lokale, sipas një deklarate të publikuar në llogarinë e tij zyrtare në X.

    Varrimi u bë në faltoren e Imam Rezas në qytetin e Mashhadit, ku kishte lindur Khamenei. Në ceremoninë private mori pjesë familja e tij, pas një ceremonie mortore publike disaditore, ku mijëra qytetarë i dhanë lamtumirën e fundit.

    Udhëheqësi i ri Suprem, Mojtaba Khamenei, nuk është parë në publik gjatë ceremonive mortore.

  • ​ATK thotë se në janar-qershor 2026 mbodhi më tepër para se më 2025 e më 2024

    ​ATK thotë se në janar-qershor 2026 mbodhi më tepër para se më 2025 e më 2024

    Administrata Tatimore e Kosovës ka shënuar rritje prej 14 për qind të të hyrave gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa ka shtuar edhe numrin e kontrolleve, vizitave në terren dhe rasteve të evidentuara të evazionit fiskal.

    Kështu bëri të ditur drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, gjatë prezantimit të raportit gjashtëmujor për vitin 2026, të premten në Prishtinë.

    Sipas tij, rritja e të hyrave në këtë periudhë ka tejkaluar rezultatet e të njëjtës periudhë kohore edhe për vitet 2025 e 2024, ndërsa tatimi mbi vlerën e shtuar përbën mbi 37 për qind të të hyrave tatimore.

    Në bazë të të dhënave të prezantuara nga Hyseni, numri i kontrolleve është rritur për 35.7 për qind, ndërsa evidentimi i evazionit fiskal është dyfishuar. Po ashtu, sipas tij, vizitat në terren janë rritur nga 11 mijë e 900 në rreth 16 mijë.

    “Në 2026 në këtë gjashtë mujor kemi një rritje prej 14 për qind që tejkalon dy vitet paraprake. Nëse e shohim ka përbërja, në pjesën e TVSH-së e kemi mbi 37 për qind që është pjesa e të hyrave tatimore, nëse shohim historinë e saj për 2024-2025 kemi një rritje prej 16 për qind ndërsa 2025-26 kemi 11 për qind, parashihet një rënie e TVSH-së krahasim me vitet paraprake.. 10 punëtorë na kanë dalë në pension në këtë gjashtë mujorin e parë, por megjithatë me këtë mungesë të punëtorëve, ne kemi arritur ta rrisim numrin e kontrolleve për 37 për qind në krahasim me vitin paraprak, 35.7 për qind është rritur numri i kontrolleve. Rezultatet nuk tregojnë që ka pasur vetëm rritje efektive të numrit. Me rritjen prej 35.7 për qind të kontrolleve kemi rritur 100 për qind pjesën e evazionit fiskal që e kemi gjetur. Kjo nuk ka shënuar vetëm efikasitet në rritje të numrit të kontrolleve, por edhe efektivitet në mënyrën se si janë kontrolluar bizneset. E njëjta dinamikë tregohet tek rezultatet e vizitave. Numri tyre është prej 36.97 për qind krahasuar me vitin paraprak sa kanë qenë 11 mijë e 900 tash janë 16 mijë vizita në terren”, tha Hyseni.

    Ndërkohë, masat ndëshkuese ndaj tatimpaguesve kanë shënuar rënie, nga 2 mijë e 700, në 2 mijë e 500.

    Hyseni tha se menaxhimi dhe mbledhja e borxheve vazhdon të jetë një prej sfidave kryesore për ATK-në. Sipas tij, decentralizimi i mbledhjes së borxheve në dhjetë regjione ka ndikuar që numri i marrëveshjeve të trajtuara të rritet nga 1 mijë e 300, në 2 mijë e 300.

    “Masat ndëshkuese ndaj tatimpaguesve kanë shënuar rënie, nëse e shohim me numër prej 2 mijë e 700 kanë ra në 2 mijë e 500.. Pjesa e borxheve ka qenë pjesa më sfiduese e ATK. Fondi monetar ndërkombëtarë ka bërë një strategji për koncentrim të mbledhjes së borxheve, mirëpo ne e kemi pa që nuk ka funksionuar. Të gjithë mbledhjen e borxheve i kemi decentralizuar dhe dërgu në 10 regjione. Nëse shohim numrin e marrëveshjes sa janë trajtuar, prej një mijë e 300 marrëveshje në 2 mijë e 300”, tha ai.

    Hyseni foli edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional të ATK-së me Doganën, Policinë dhe Prokurorinë, duke veçuar operacionin e javës së kaluar lidhur me sektorin e derivateve, ndërsa tha që në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 është shtuar edhe numri i denoncimeve të bëra në platformën online të krijuar për këtë gjë

    “Përveç aktiviteteve të ATK brenda kemi edhe aktivitete në institucione tjera si Dogana, Policia e Kosovës, Prokuroria. Aktivitetin e fundit që kemi pasur ka qenë operacioni për derivate, kanë qenë kryesisht të ndara në dy plane operative. 12 njësi në planin penal kanë qenë të organizuar, 48 zyrtarë të angazhuar, 26 inspektorë dhe 22 inspektorë të tjerë tatimorë prej regjioneve të ndryshme. 30 pika të shitjes së derivateve janë kontrolluar dhe janë mbledhur provat që do na shërbejnë neve. Tek pjesa e denoncimeve diku 48 përqind ka rritje. 1 mijë e 759 denoncime, 1 mijë e 300 aktivitete të organizuara, 219 denoncime në proces, 234 denoncime të refuzuara”, tha Hyseni. /KP/

  • Publikohet video, presidenti i Sllovakisë tregon armën që mori dhuratë nga Erdogani në samitin e NATO-s

    Publikohet video, presidenti i Sllovakisë tregon armën që mori dhuratë nga Erdogani në samitin e NATO-s

    Presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini, ka bërë publik armën që mori si dhuratë nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan gjatë Samitit të NATO-s në Ankara.

    Arma, një Gümüşay .357 Magnum e prodhuar në Turqi, ishte vendosur në një kuti druri me flamurin turk dhe logon e NATO-s.

    Mbi të ishte gdhendur emri i Pellegrinit, ndërsa dhurata përfshinte edhe gjashtë fishekë.

    E njëjta dhuratë iu dha të gjithë liderëve pjesëmarrës në samit.

    Videoja e publikuar në rrjete sociale ka tërhequr vëmendje në rrjetet sociale, ndërsa dhurata e pazakontë ka ngjallur debat edhe për vështirësitë ligjore të transportit të armëve në disa vende evropiane.

  • Rrahja e të miturës në Fier, dërgohet në mbajtje 19-vjeçarja

    Rrahja e të miturës në Fier, dërgohet në mbajtje 19-vjeçarja

    Gjykata në Fier ka ndryshuar masën e sigurisë për vajzat që rrahën e më pas filmuan 17-vjeçaren.

    Pasi rasti u bë mediatik institucionet reaguan duke mos e konsideruar thjesht një rrahje mes adoleshenteve.

    Për 19-vjeçaren gjykata ka vendosur masën e burgut pa afat deri në përfundim të hetimeve ndërsa autorja tjetër 15 vjeç u la në arrest shtëpie.

    E mitura tjetër e përfshirë në ngjarje është lënë në masën e mjekimit të detyruar sepse pas dhunimit edhe të nënës së saj rezultoi me probleme të shëndetit mendor.

    Dhuna ndaj bashkëmoshatares nuk është e vetmja vepër penale në të cilën janë përfshirë 3 adoleshentet. Top Channel mëson se ato po hetohen edhe për vepra të tjera penale.

    Nga të dhënat që Policia e Fierit ka grumbulluar dhe po analizon rezulton se vajzat kishin ndërtuar një skemë shantazhi ku fusnin në kurth burra, të cilët fillimisht i joshnin dhe u linin takim në një hotel.

    Më pas teksa personi priste në dhomë për të kryer takimin e premtuar aty paraqitej dikush tjetër që i fotografonte dhe me anë të këtyre imazheve i shantazhonte.

    Në këtë rrjet shantazhi kishte rënë dhe një punonjës policie baba i 2 fëmijëve, i cili ishte kontaktuar nga 15-vjeçarja.

    Në bisedë ajo kishte tentuar të joshte policin duke i lënë takim në hotel por polici e kishte takuar vetëm në kafe. Gjithsesi bisedat e shkëmbyera mes tyre mjaftuan që polici të intimidohej e shantazhohej që çështja penale ndaj tyre për rrahjen e shoqes të mbyllej në të kundërt bisedat do të publikoheshin online.

    Për rastin efektivi u përjashtua nga policia ndërsa agjencia e mbikëqyrjes policore po kryen verifikimet e nevojshme. /Tch/

  • Sulmoi me thikë dy persona, ndalohet i mituri për tentim vrasjeje në Ferizaj

    Sulmoi me thikë dy persona, ndalohet i mituri për tentim vrasjeje në Ferizaj

    Një i mitur është ndaluar për 24 orë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Vrasja në tentativë”.

    Rasti ka ndodhur sot rreth orës 07:53, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në afërsi të Postës Qendrore në Ferizaj, ku, sipas informatave fillestare, i dyshuari ka sulmuar me thikë dy persona.

    Pas ngjarjes, i mituri dyshohet se është larguar nga vendi i rastit, por është lokalizuar nga Policia pas veprimeve hetimore.

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit në këtë rast, do të vazhdoj tutje me procedurat dhe veprimet e nevojshme ligjore”, thuhet në komunikatën për media.

  • Oficerë të FSK-së diplomojnë në Shqipëri, u stërviten për drejtim të operacioneve ushtarake

    Oficerë të FSK-së diplomojnë në Shqipëri, u stërviten për drejtim të operacioneve ushtarake

    Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë diplomuar me sukses në Kursin e Lartë të Oficerit dhe në Kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm, ka njoftuar sot FSK.

    Forca tha se këto programe të avancuara të edukimit ushtarak kanë për qëllim zhvillimin e njohurive dhe aftësive profesionale për planifikimin, organizimin dhe drejtimin e operacioneve ushtarake në mjedise komplekse të sigurisë.

    “Ato përgatisin oficerët për të marrë vendime të bazuara në vlerësime profesionale dhe për të ofruar këshillim ushtarak në proceset e planifikimit dhe përdorimit të forcës. Përfundimi me sukses i këtyre kurseve përfaqëson një arritje të rëndësishme në zhvillimin profesional të oficerëve të FSK-së, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve udhëheqëse dhe operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

    Gjithashtu, FSK tha se kjo ngjarje dëshmon bashkëpunimin e ngushtë dhe të qëndrueshëm ndërmjet institucioneve ushtarake të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në fushën e edukimit dhe aftësimit ushtarak.

  • RTK pa paga prej 10 ditësh, sindikatat paralajmërojnë protestë të hënën

    RTK pa paga prej 10 ditësh, sindikatat paralajmërojnë protestë të hënën

    Federata Sindikale e RTK-së dhe SPERTK kanë paralajmëruar protesta, duke bërë të ditur se kanë përfunduar të gjitha mundësitë për pritje lidhur me ekzekutimin e pagave të punonjësve.

    Sipas njoftimit të sindikatave, sot është dita e 10-të që punëtorët e transmetuesit publik janë pa paga të rregullta.

    “Pas takimit urgjent të zhvilluar me U.D. Drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së, u kërkua alokimi i menjëhershëm i mjeteve, Sindikatat vendosin këtë ultimatum të prerë: Nëse pagat nuk alokohen në llogaritë e punëtorëve gjatë ditës së sotme, nga dita e hënë do të fillojmë me protesta. Të hënën, më 13 Korrik 2026, në ora 11:30, ftojmë të gjithë punëtorët pa dallim që të bashkohen në protestë para objektit të RTK-së- TV. Duhet ta bëjmë të qartë se paga nuk është privilegj, por është një e drejtë elementare dhe ligjore që po u mohohet punëtorëve të RTK-së”, thuhet në komunikatën për media.

    Federata Sindikale e RTK-së dhe SPERTK kanë kritikuar Bordin dhe Menaxhmentin e RTK-së, duke i akuzuar për dështim në menaxhimin e situatës dhe për përsëritje të krizave me pagat e punëtorëve.

    “Nuk ka më hapësirë për premtime apo arsyetime burokratike që rrezikojnë mirëqenien e qindra familjeve. Përveç bllokimit të procesit të punës, Federata Sindikale e RTK-së dhe SPERTK nga e hëna do të kërkojë llogaridhënie të plotë ligjore dhe morale. Këto dy organe të RTK-së po luajnë normalitetin ndonëse situata aspak nuk është normale Kjo papërgjegjshmëri është duke u përsëritur, ndonëse ligji i obligon edhe Bordin edhe Menaxhementin të sigurojnë funksionim normal të RTK-së”.

    “Bordi dhe Menaxhmenti kanë treguar dështim total, paaftësi operative dhe shkelje të drejtave elementare. Rikujtojmë se ky nuk është lëshimi i tyre i parë; të njëjtit (Bordi) dhe menaxhmenti, janë përgjegjës që i lanë punëtorët pa paga edhe gjatë muajve të kaluar. Përsëritja e këtyre krizave tregon qartë se këta zyrtarë janë tërësisht të paaftë për ta ushtruar këtë veprimtari dhe për të udhëhequr transmetuesin publik. Gjendja ekonomike e kolegëve tanë nuk pret më. Ftojmë të gjithë punëtorët e RTK-së që të qëndrojnë të bashkuar dhe të gatshëm për të mbrojtur dinjitetin dhe djersën tonë”, thuhet në komunikatë.