ATV

Category: Lajme

  • Hamza del nga takimi me Kurtin: PDK këtë mandat në opozitë, VV-së i dëshirojmë suksese me partitë e tjera

    Hamza del nga takimi me Kurtin: PDK këtë mandat në opozitë, VV-së i dëshirojmë suksese me partitë e tjera

    Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka dalë nga takimi me kreun e LVV-së, AlbinKurti. Hamza ka thënë se PDK këtë mandat do të jetë në opozitë dhe ka thënë se i dëshiron suksese Kurtit me partitë e tjera.

    Hamza ka përmendur edhe prioritetet me të cilat PDK kishte garuar në zgjedhje dhe synimin për realizimin e tyre.

    “E dini qëndrimin tim që ka qenë publik. PDK ka garuar për program e prioritet që kanë të bëjnë me ekonomi e pensione, projekte në energji. Ky ka qenë projekti jonë, që me bo punë si me përmirësu vendin e jetën. Pastaj kanë me u zbatu këto prioritete, kemi thënë se s’kemi vija të kuqe dhe se jemi të hapur për marrëveshje gjithpërfshirëse politike, duke i përfshirë të gjitha institucionet. Bazuar në bisedat korrekte, qëndrimi i jonë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses z. Kurti dhe të gjithë atyre që takohen e bisedojnë”, ka thënë Hamza.

  • Kanosi zyrtarin policor për një rast të hetuar prej tij, arrestohet prizrenasi

    Kanosi zyrtarin policor për një rast të hetuar prej tij, arrestohet prizrenasi

    Një person është arrestuar mbrëmë në Prizren, pasi dyshohet se ka kanosur një zyrtar policor.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, i dyshuari i kishte dërguar mesazh me përmbajtje kërcënuese zyrtarit policor, ndërsa dyshohet se rasti lidhet me një hetim penal të zhvilluar nga viktima.

    “Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Therje me thikë në qendër të Ferizajit, lëndohen dy persona – i dyshuari arratiset

    Therje me thikë në qendër të Ferizajit, lëndohen dy persona – i dyshuari arratiset

    Një person dyshohet se ka sulmuar sot rreth orës 07:50 dy të tjerë me mjet të mprehtë (thikë), të cilët janë transportuar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt, pasi kanë marrë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes nga ekipet mjekësore.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Ferizajt, Kanun Veseli.

    Sipas tij, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

    “Sot, rreth orës 07:50, kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’, në afërsi të Postës Qendrore në Ferizaj, ka ndodhur një incident, ku një person dyshohet se ka sulmuar dy persona me mjet të mprehtë (thikë), të cilët janë transportuar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt, pasi kanë marrë ndihmën e parë në vendin e ngjarjes nga ekipet mjekësore. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, ka thënë Veseli.

    Tutje ai tha se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprime intensive hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

  • Ekuadori godet rrjetin mafioz shqiptaro-polak, 18 të arrestuar deri tani

    Ekuadori godet rrjetin mafioz shqiptaro-polak, 18 të arrestuar deri tani

    Një operacion i përbashkët midis Policisë Kombëtare të Ekuadorit, Prokurorisë së Përgjithshme të Shtetit dhe Europol-it bëri të mundur çmontimin e një organizate të dyshuar të narkotrafikut me lidhje ndërkombëtare, e cila vepronte nga Ekuadori dhe që dyshohet se ishte e lidhur me struktura kriminale me origjinë shqiptare dhe polake. Operacioni rezultoi me arrestimin e 18 personave, mes tyre dy shtetas evropianë të identifikuar si drejtues të rrjetit.

    Operacioni ‘Gran Fénix 0043 – Azkaban’, u zhvillua gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes, më 8 korrik, dhe, sipas hetimeve zyrtare, bëri të mundur çmontimin e një strukture që dyshohet se kishte transportuar rreth 7,5 tonë kokainë, me një vlerë të vlerësuar prej 225 milionë dollarësh në tregjet ilegale ndërkombëtare.

    Drejtues të huaj të identifikuar nga autoritetet

    Sipas informacionit të autoriteteve, një nga të arrestuarit kryesorë është Jakimec Tomasz, shtetas polak, ndaj të cilit ishte lëshuar një njoftim i kuq i Interpolit për vepra penale që lidhen me trafikimin e drogës.

    Hetimet e identifikojnë atë si përgjegjës për krijimin dhe administrimin e kompanive fasadë, të përdorura për të fshehur ngarkesat me drogë të dërguara me rrugë detare drejt Evropës.

    I huaji i dytë i arrestuar është Daci, me shtetësi shqiptare, i cili dyshohet se vepronte si përfaqësues dhe lidhës i organizatave kriminale evropiane në territorin e Ekuadorit.

    Sipas Policisë, roli i tij ishte të koordinonte operacionet midis grupeve kriminale të Amerikës së Jugut dhe rrjeteve të vendosura në Evropë, duke lehtësuar zgjerimin e aktiviteteve të paligjshme.

    Si vepronte struktura kriminale?

    Hetimet tregojnë se organizata vepronte të paktën që nga viti 2019 dhe kishte lidhje të dyshuara me grupe të armatosura kolumbiane dhe banda kriminale ekuadoriane.

    Droga dyshohet se sigurohej në zonat e kufirit verior dhe transportohej përmes korridoreve tokësore drejt provincave Esmeraldas, Guayas, Azuay dhe El Oro, ku përgatiteshin dërgesat për destinacione ndërkombëtare.

    Mekanizmi i përdorur nga rrjeti konsistonte në kontaminimin e kontejnerëve të eksporteve të ligjshme me ngarkesa kokaine. Ndër produktet e përdorura për të fshehur lëndën narkotike ishin bananet, kafeja, prodhimet e detit dhe druri, mallra që më pas dërgoheshin në vende evropiane si Holanda, Belgjika, Gjermania, Italia, Danimarka dhe Polonia.

    Autoritetet deklaruan gjithashtu se anëtarët e dyshuar përdornin sisteme komunikimi të koduara (të enkriptuara) për të shmangur zbulimin dhe ndjekjen e aktiviteteve të tyre.

    Të arrestuarit dhe provat e mbledhura

    Përveç dy shtetasve evropianë, gjatë kontrolleve u arrestuan edhe 16 shtetas ekuadorianë, të cilët, sipas hetimit, ishin pjesë e zinxhirit logjistik të transportit, magazinimit dhe sigurisë së organizatës.

    Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu telefona celularë dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat do të analizohen si pjesë e hetimit.

    Të 18 të arrestuarit iu dorëzuan autoriteteve gjyqësore për seancën përkatëse të ngritjes së akuzave për veprën penale të dyshuar të krimit të organizuar.

    Ndërsa hetimet vazhdojnë, autoritetet po përpiqen të përcaktojnë shtrirjen e plotë të rrjetit dhe lidhjet e mundshme me struktura të tjera kriminale që veprojnë në rajon.

  • Një djalë zhduket në Prishtinë, nëna e tij lajmëron rastin në Polici

    Një djalë zhduket në Prishtinë, nëna e tij lajmëron rastin në Polici

    Një person është raportuar i zhdukur para dy ditësh në Prishtinë.

    Sipas raportit të Policisë, rastin e ka paraqitur nëna e të zhdukurit, e cila ka deklaruar se djali i saj ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij.

    “Ankuesja femër kosovare ka raportuar se djali i saj ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij. Rasti është nën hetime”, thuhet në raportin policor 24-orësh.

  • Gripi i rrezikshëm H5N1 përhapet në Australi, konfirmohet rasti i parë në bregdet

    Gripi i rrezikshëm H5N1 përhapet në Australi, konfirmohet rasti i parë në bregdet

    Australia ka konfirmuar rastin e parë të virusit vdekjeprurës të gripit të shpendëve H5N1 te një shpend detar vendas, ndërsa autoritetet po testojnë edhe një fokë të ngordhur për një infeksion të mundshëm.

    Ministrja e Bujqësisë, Julie Collins, bëri të ditur se testimet laboratorike nga agjencia kombëtare shkencore e Australisë kanë konfirmuar praninë e virusit te një shpend detar i llojit “greater crested tern”, i gjetur në zonën bregdetare Robe, në Australinë e Jugut, shkruan Reuters.

    Ky është rasti i parë i konfirmuar te një shpend detar në territorin e Australisë kontinentale, pasi rastet e mëparshme ishin regjistruar te shpendë shtegtarë.

    Me këtë rast, numri i rasteve të konfirmuara me H5N1 në vend ka shkuar në 12, pasi autoritetet njoftuan edhe për dy raste të reja në Australinë e Jugut dhe një tjetër në Australinë Perëndimore.

    Collins e cilësoi situatën si “shqetësuese”, por tha se ajo nuk ishte e papritur. Sipas saj, deri tani nuk ka dëshmi për ngordhje masive të kafshëve apo për përhapje të virusit te specie të tjera, si dhe në sektorin e shpendarisë apo bujqësisë.

    Shkencëtarët australianë po vijojnë hetimet për të përcaktuar mënyrën se si virusi ka arritur të infektojë shpendin detar.

  • Gjendet pa shenja jete një shtetase e Malit të Zi në Banjë të Istogut

    Gjendet pa shenja jete një shtetase e Malit të Zi në Banjë të Istogut

    Një femër shtetase e Malit të Zi është gjetur pa shenja jete të enjten rreth orës 17:00, në fshatin Banjë të komunës së Istogut.

    Sipas policisë, ekipi mjekësor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit, me qëllim përcaktimin e rrethanave dhe shkakut të vdekjes.

    Autoritetet kompetente po vazhdojnë hetimet lidhur me rastin.

  • “Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!” – Policia me fushatë për bashkatdhetarët

    “Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!” – Policia me fushatë për bashkatdhetarët

    Policia e Kosovës sot nis fushatën vetëdijësuese “Mirë se erdhët në Republikën e Kosovës!”, e cila i kushtohet bashkatdhetarëve që hyjnë në vend.

    Hapja e fushatës do të bëhet në orën 11:00 në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdar, ku do të prezantohen masat parandaluese dhe angazhimet policore për rritjen e sigurisë në trafik.

    Gjatë aktivitetit do të shpërndahen edhe broshura informuese me këshilla për pjesëmarrësit në komunikacion dhe udhëzime praktike që duhet t’i kenë parasysh gjatë udhëtimit në Kosovë.

    “Broshura (fletë-palosja) përmban disa këshilla njoftuese rreth pjesëmarrjes në trafik si dhe udhëzimet praktike që çdo pjesëmarrës duhet t’i ketë parasysh me të hyrë në Republikën e Kosovës”, thuhet në një postim të Policisë në Facebook.

  • ​ASK: Inflacioni vjetor në Kosovë arrin 6 për qind, transporti dhe energjia me rritjen më të madhe

    ​ASK: Inflacioni vjetor në Kosovë arrin 6 për qind, transporti dhe energjia me rritjen më të madhe

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin qershor 2026, sipas të cilit inflacioni vjetor ka arritur në 6.0 për qind, ndërsa në baza mujore është regjistruar një rënie prej 0.1 për qind.

    Sipas ASK-së, rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i transportit me 13.7 për qind, strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse me 11.1 për qind, pijeve alkoolike, duhanit dhe narkotikëve me 5.1 për qind, restoranteve dhe shërbimeve të akomodimit me 4.5 për qind, si dhe shëndetësisë me 4.1 për qind.

    Rritje të çmimeve janë regjistruar edhe te ushqimet dhe pijet joalkoolike me 3.9 për qind, kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme me 3.2 për qind, mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 3.0 për qind, veshjet dhe këpucët me 2.3 për qind, rekreacioni, sporti dhe kultura me 2.0 për qind, si dhe informacioni dhe komunikimi me 0.2 për qind.

    Në anën tjetër, ulje vjetore e çmimeve është regjistruar vetëm te shërbimet arsimore, me 0.6 për qind.

    Krahasuar me muajin maj, indeksi i çmimeve të konsumit ka shënuar rënie mesatare prej 0.1 për qind. Kjo është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 0.6 për qind, si dhe e strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve djegëse me 0.3 për qind.

    Ndërkohë, në baza mujore janë shënuar rritje të çmimeve në rekreacion, sport dhe kulturë (0.8 për qind), shërbimet arsimore (0.5 për qind), kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme (0.4 për qind), transporti (0.3 për qind), pije alkoolike, duhani dhe narkotikët (0.2 për qind), mobiljet dhe pajisjet shtëpiake (0.2 për qind), restorantet dhe shërbimet e akomodimit (0.2 për qind), veshjet dhe këpucët (0.1 për qind), si dhe shëndetësia (0.1 për qind).

    ASK njofton se publikimi është realizuar duke zbatuar klasifikimin e ri COICOP 2018, me vit bazë 2025 = 100 dhe metodologji të përditësuar.

  • MINT me çmime të reja për derivatet, rritet nafta – ja sa kushton një litër sot

    MINT me çmime të reja për derivatet, rritet nafta – ja sa kushton një litër sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat hyjnë në fuqi sot, më 10 korrik 2026, nga ora 10:00.

    Sipas vendimit të ri, çmimi maksimal i naftës (dizelit) është 1.47 euro – litri, duke shënuar një rritje prej 3 centësh krahasuar me ditën e djeshme, kur ishte 1.44 euro – litri.

    Ndërkohë, çmimi maksimal i benzinës është 1.37 euro – litri, ndërsa i gazit 0.61 euro – litri.

    Vendimi është publikuar nga MINT-i dhe vlen për datën 10 korrik 2026.