ATV

Category: Lajme

  • Gjykimi për vrasjen në Gllogjan rihapet, Koci zbulon provën e re

    Gjykimi për vrasjen në Gllogjan rihapet, Koci zbulon provën e re

    Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur që të rihapë shqyrtimin gjyqësor në rastin ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, të cilët akuzohen për vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogjan në vitin 2021.

    Vendimi u mor në seancën e së premtes, në të cilën ishte paraparë shpallja e aktgjykimit.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, tre të akuzuarit dyshohet se kanë organizuar dhe kryer sulmin në bashkëpunim me njëri tjetrin, me motiv hakmarrjen.

    Avokati i familjes së dëmtuar, Arianit Koci, tha se në seancën e sotme pritej shpallja e aktgjykimit, por gjykata vendosi ta rihapë gjykimin për administrimin e një prove shtesë.

    “Sot e kemi pritur vendimin. Sidoqoftë, gjykata ka vlerësuar se duhet të vërtetohet edhe një provë, prandaj e ka rihapur gjykimin. Deri më tash, kryetari i trupit gjykues e ka udhëhequr proceduralisht shumë mirë. Unë, si përfaqësues i familjes së dëmtuar, jam i kënaqur dhe besoj se pas seancës së radhës do të merret vendimi dhe personat e akuzuar do të dënohen”, deklaroi Koci.

    I pyetur nga gazetarët nëse ka dijeni për provën që ka ndikuar në rihapjen e gjykimit, avokati Arianit Koci tha se bëhet fjalë për një video.

    “Gjykata e ka arsyetuar sot vendimin e vet. Bëhet fjalë për një video dhe për fjalën përfundimtare të prokurores. Sidoqoftë, do ta shqyrtojmë dhe do të përfundojë edhe ky proces”, tha Koci.

    Aktakuza thekson se objektiv i sulmit ishte shoferi i autobusit, tashmë i ndjeri Gani Gjokaj. Sipas Prokurorisë, familja Mehmetaj e konsideronte atë përgjegjës për vetëvrasjen e vajzës së tyre, Heroina Mehmetaj, çka pretendohet se ka qenë motivi i krimit.

    Në dosjen e rastit thuhet se Halil Mehmetaj ishte zotuar për hakmarrje ndaj Gjokajt dhe se gjatë ceremonisë së varrimit të vajzës së tij kishte vendosur orën e dorës në arkovin e saj.

    Sipas aktakuzës, të akuzuarit paraprakisht kishin vëzhguar zonën ku ndodhi ngjarja, duke zgjedhur një vend pa kamera sigurie dhe larg banesave. Prokuroria pretendon se ata i kishin zënë pritë autobusit që qarkullonte në linjën Gjakovë, Gllogjan, ndërsa gjatë sulmit mbetën të vrarë tre persona.

    Organi i akuzës pretendon se Kastriot Mehmetaj, i armatosur me një pushkë automatike AK-47, kishte shkuar në këmbë deri në vendin e ngjarjes. Me afrimin e autobusit, ai kishte dalë në mes të rrugës duke u shtirur si i dehur për ta detyruar shoferin të ngadalësonte ose të ndalonte. Pasi autobusi uli shpejtësinë, sipas aktakuzës, ai qëlloi në drejtim të shoferit Gani Gjokaj, duke e lënë të vdekur, ndërsa nga të shtënat humbën jetën edhe dy nxënës 17 vjeçarë, L.H. dhe G.M., si dhe u plagos rëndë F.T.

    Më tej, sipas aktakuzës, pas kryerjes së sulmit Kastriot Mehmetaj ishte larguar në drejtim të fshatit Shaptej, ku e priste me veturë Kreshnik Mehmetaj. Prokuroria pretendon se pas kthimit në shtëpi arma e përdorur në krim ishte shkatërruar.

    Aktakuza ngarkon edhe Halil Mehmetajn se, në periudhën nga 14 qershori 2020 deri më 26 nëntor 2021, kishte nxitur Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajn për vrasjen e Gani Gjokajt, duke e fajësuar vazhdimisht atë për vetëvrasjen e vajzës së tij, Heroina Mehmetaj. /kp/

  • Haxhiu dekoron me Medalje Presidenciale Ushtarake kolonelin A. J. Berg për kontributin e tij në Kosovë

    Haxhiu dekoron me Medalje Presidenciale Ushtarake kolonelin A. J. Berg për kontributin e tij në Kosovë

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake Kolonelin A. J. Berg, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në forcimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Këtë e bëri të ditur Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook duke shkruar se në përfundim të mandatit të tij si Atashe i Mbrojtjes i ShBA-së në Kosovë, e falënderoi për angazhimin e tij të palëkundur në mbështetjen e zhvillimit dhe modernizimit të FSK-së

    “Sot pata kënaqësinë ta dekoroj me Medaljen Presidenciale Ushtarake Kolonelin A. J. Berg, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në përfundim të mandatit të tij si Atashe i Mbrojtjes i ShBA-së në Kosovë, e falënderova për angazhimin e tij të palëkundur në mbështetjen e zhvillimit dhe modernizimit të FSK-së, avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe thellimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve tona”, ka shkruar Haxhiu.

  • Haga arsyeton mbajtjen në paraburgim të  katërshes së UÇK-së: Mund të kryejnë vepra penale ndaj atyre që dëshmuan

    Haga arsyeton mbajtjen në paraburgim të katërshes së UÇK-së: Mund të kryejnë vepra penale ndaj atyre që dëshmuan

    Zëdhënësi i Gjykatës Speciale në Hagë, Michael Doyle, ka folur për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke deklaruar se gjyqtarët e shqyrtojnë këtë çështje çdo dy muaj.

    Në një deklaratë të publikar në faqën zyrtare të Gjykatës në rrjete sociale, Doyle ka thënë se Trupi Gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të bashkëpandehurve të tij vlerëson rregullisht nëse paraburgimi mbetet i nevojshëm dhe proporcional gjatë procesit gjyqësor.

    Sipas tij, vendimi për moslirimin e tyre deri më tani lidhet me vlerësimin se ekziston rreziku që ata të kryejnë vepra të tjera penale, veçanërisht ndaj personave që kanë dëshmuar në proces.

    “ Çdo dy muaj, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi etj. shqyrton nëse paraburgimi është ende i nevojshëm dhe proporcional për të pandehurit gjatë gjykimit të tyre. Deri më tani, ata gjithmonë kanë arritur në përfundimin se ekziston rreziku që z. Thaçi dhe të bashkëpandehurit e tij të kryejnë vepra të mëtejshme penale, veçanërisht kundër personave që dëshmuan në gjykimin e tyre”, ka deklaruar Doyle.

  • Për takimin Kurti-Hamza njofton Zyra e Kryeministrit, dërgojnë edhe fotografi, kreu i PDK shkoi vetëm

    Për takimin Kurti-Hamza njofton Zyra e Kryeministrit, dërgojnë edhe fotografi, kreu i PDK shkoi vetëm

    Zyra e Kryeministrit nxori edhe një fotografi nga takimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarit të PDK’së, Bedri Hamza.

    Nga fotografia shihet se derisa Kurti mori me vete edhe Hekuran Muratin, ministrin në detyrë të Financave, Hamza shkoi i vetëm.

    ZKM në këtë njoftim ndau disa nga mesazhet që Kurti i dha për gazetarët pas këtij takimi.

    Takimi u zhvillua në një sallë të Kuvendit.

  • Pas Turqisë, Egjipti i ndalon hyrjen anijes turistike me pasagjerë LGBTQ

    Pas Turqisë, Egjipti i ndalon hyrjen anijes turistike me pasagjerë LGBTQ

    Një anijes turistike me pasagjerë LGBTQ+ i është refuzuar hyrja në Egjipt.

    2,000 pasagjerët e anijes Scarlet Lady gjetën një shënim të vendosur nën dyert e kabinës së tyre, i cili i informonte se anija po kërkonte urgjentisht porte alternative.

    “Herët këtë mëngjes, na u njoftua se Scarlet Lady i është mohuar hyrja në ujërat egjiptiane”, u tha pasagjerëve Rich Campbell, drejtori ekzekutiv i Atlantis Events, grupit turistik që mori me qira anijen Virgin Voyages.

    Vizita në Egjipt ishte tashmë një ndryshim nga turi i planifikuar, i organizuar me nxitim pasi anijes iu refuzua hyrja në Turqi .

    Ende nuk është dhënë asnjë arsye zyrtare për vendimin e qeverisë egjiptiane.

    Lundrimi 10-ditor nga Athina në Venecia u bllokua nga Turqia pasi autoritetet publikuan një deklaratë në internet duke thënë se lundrimi ishte marrë me qira “nga grupe të njohura për sjellje që nuk përputhen me strukturën e shoqërisë dhe vlerave morale”.

    Ata shtuan se mbërritja e anijes ishte anuluar pasi “ngjalli shqetësim të konsiderueshëm publik”.

    “Nuk ka absolutisht asnjë mundësi që grupi në fjalë të vizitojë provincën tonë për një ngjarje të kësaj natyre”, thanë autoritetet turke.

  • E FUNDIT| Rihapet gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

    E FUNDIT| Rihapet gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

    Në Gjykatën Themelore në Pejë është vendosur që rasti ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajt, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, të kthehet në rigjykim.

    Vendimi është marrë në seancën ku ishte paraparë shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarve, por gjykata ka vendosur që çështja të shqyrtohet sërish.

    Në këtë rast, në vitin 2021 mbetën të vrarë dy nxënës dhe shoferi i autobusit, pasi ndaj autobusit që barte udhëtarë në fshatin Gllogjan ishte shtënë me armë zjarri.

  • Kalaja e Prizrenit me shteg të ri

    Kalaja e Prizrenit me shteg të ri

    Komuna e Prizrenit ka njoftuar qytetarët për shtegun e ri tek Kalaja e Prizrenit e cila po bëhet edhe më atraktive.

    Drejtori i Shërbimeve Publike, Ismail Ukimeri vizitoi nga afër punimet e shtegut të ri (2500m) për turizëm, kulturë dhe rekreacion, që shpie në Kala, të cilat punime tashmë janë në fazën përfundimtare.

    “Së shpejti, qytetarët dhe vizitorët do të kenë përvojë edhe më të bukur gjatë rrugëtimit nga pjesa e pasme drejt thesarit të çmuar historik të Prizreni” tha Ukimeri.

  • “I hodhi vetes benzinë”, i mituri që sulmoi qytetarët në Ferizaj, u arrestua bashkë me nënën

    “I hodhi vetes benzinë”, i mituri që sulmoi qytetarët në Ferizaj, u arrestua bashkë me nënën

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për rastin e tentim-vrasjes që ndodhi mëngjesin e së premtes në Ferizaj, ku një 16-vjeçar dyshohet se sulmoi qytetarë dhe më pas plagosi edhe një zyrtar policor.

    Sipas Policisë, rreth orës 07:50 është pranuar një informacion se një person po sulmonte qytetarët me thikë në sheshin e qytetit. Në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë konstatuar se një person kishte pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë, ndërsa një qytetar tjetër ishte lënduar gjatë tentimit për t’u larguar nga i dyshuari.

    Pas ngjarjes, i dyshuari ishte larguar, ndërsa hetuesit rajonalë, të mbështetur nga njësitë tjera policore, nisën kërkimin për lokalizimin e tij. Ai u gjet fillimisht në banesën e tij dhe më pas në një adresë në fshatin Greme.

    Policia bën të ditur se, gjatë tentimit për arrestim, 16-vjeçari refuzoi t’u bindet urdhrave, sulmoi zyrtarët policorë me gurë dhe mjete të forta, si dhe u vërsul ndaj tyre me thikë.

    “Me të arritur në vendngjarje, i dyshuari ka refuzuar t’u bindet urdhrave policorë, duke mbajtur një thikë në dorë, ka sulmuar zyrtarët policorë me gurë dhe mjete të forta, si dhe është vërsulur ndaj tyre me thikë. Gjatë ndërhyrjes, nëna e tij ka penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare. “Në një moment, i dyshuari ka marrë një shishe me benzinë dhe ia ka hedhur vetes mbi trup, duke vazhduar t’i kërcënojë policët me thikë dhe duke mos lejuar afrimin e tyre. Gjatë përpjekjeve për vënien e tij nën kontroll, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime, ndërsa njëri prej tyre është goditur me thikë në pjesën e qafës”, thuhet në komunikatë.
    Pas ndërhyrjes policore, i dyshuari me inicialet P.GJ (16 vjeç) është vënë nën kontroll dhe është arrestuar së bashku me nënën e tij D.GJ (47 vjeçe).

    Gjithashtu, Policia thotë se është sekuestruar edhe thika, e cila dyshohet se është përdorur në sulmin ndaj qytetarëve.

    “Me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari është ndaluar për 24 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhet në komunikatë.

    Sulmoi me thikë dy persona, ndalohet i mituri për tentim vrasjeje në Ferizaj

  • Aksident mes dy veturash në Mitrovicë, lëndohen katër persona

    Aksident mes dy veturash në Mitrovicë, lëndohen katër persona

    Katër persona kanë marrë lëndime trupore sot rreth orës 11:30 në një aksident i cili ka ndodhur në fshatin Shupkovc të Mitrovicës.

    Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

    Sipas tij, të lënduarit kanë marrë trajtim mjekësorë, ndërsa në aksident ishin të përfshira dy vetura.

    “Sot, rreth orës 11:30, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin rrugor në fshatin Shupkovc, është shkaktuar një aksident trafiku me të lënduar. Në aksident janë përfshirë dy vetura në lëvizje. Si pasojë e aksidentit, katër persona kanë pësuar lëndime dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor”, ka thënë Zahiti.

    Po ashtu ai tha se njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po zhvillojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

  • “Mori armën, vrau gruan dhe priti policinë”, del fotoja e autorit pak para rastit të rëndë në Shkodër

    “Mori armën, vrau gruan dhe priti policinë”, del fotoja e autorit pak para rastit të rëndë në Shkodër

    Detaje të reja dhe tronditëse janë publikuar nga vrasja e Bardhe Ziçit në Shkodër, e cila u privua tragjikisht nga jeta prej bashkëshortit të saj.

    Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar skenën e plotë të krimit.

    Policia ka sekuestruar sistemin e monitorimit të banesës së çiftit, ku shfaqet qartë dinamika dhe veprimet autorit 62-vjeçar gjatë kryerjes së aktit të rëndë.

    Në pamjet filmike të sekuestruara nga grupi hetimor, burri shihet teksa lëviz me qetësi brenda mjediseve të shtëpisë, merr armën e gjahut dhe afrohet pranë derës kryesore të oborrit, raportojnë mediat shqiptare.

    Pasi hap derën dhe vëzhgon ambientin jashtë për të parë nëse ka kalimtarë, ai kthehet dhe qëllon për vdekje bashkëshorten e tij 55-vjeçare.

    Pas kryerjes së krimit, Ziçi nuk ka bërë asnjë tentativë për t’u larguar nga vendngjarja, por ka pritur mbërritjen e forcave të rendit për t’u vënë në pranga.

    Në momentet e para arrestimit, autori i dyshuar i ka thënë grupit hetimor në vendngjarje se nuk është penduar.

    Paraprakisht dyshohet se konflikti ka nisur pasi 55-vjeçarja ka marrë një telefonatë në celularin e saj, e cila dyshohet se mund të ketë qenë nga fëmijët (djali që jeton në Kanada ose vajza) ose të afërm të tjerë.

    Ndaj shtetasit Shtjefën Ziçi, prokuroria ka ngritur zyrtarisht akuzën për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, kod ky që parashikon si masë maksimale dënimi burgimin e përjetshëm