ATV

Category: Lajme

  • Shabani: Nënkalimi me tri korsi është investimi më i madh që kemi paraparë

    Shabani: Nënkalimi me tri korsi është investimi më i madh që kemi paraparë

    Kandidati për kryetar të Shtimës, Kastriot Shabani, nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës, tregoi në emisionin “Compass” në ATV prioritetet e tij për Shtimën.

    “Një prej investimeve më të mëdha që kemi paraparë si LDK është nënkalimi me tri korsi, bulevardi i qytetit dhe stacioni i autobusëve,” deklaroi Shabani.

    Përveç këtyre, kandidati i LDK-së tregoi se një prej projekteve të para që do të realizojnë është Plani Zhvillimor Komunal.

    Fokus, Shabani tha se do të ketë edhe në fushat e shëndetësisë, kulturës, rinisë dhe sportit, si dhe në zhvillimin ekonomik të qytetit.

    Për më shumë detaje, klikoni videon më poshtë.

  • Rusët provokojnë: Avionë luftarakë hyjnë në hapësirën ajrore të Estonisë

    Rusët provokojnë: Avionë luftarakë hyjnë në hapësirën ajrore të Estonisë

    Avionët luftarakë rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të Estonisë, kanë njoftuar zyrtarët.

    Në një deklaratë, qeveria e Estonisë tha se incidenti përfshiu tre avionë luftarakë rusë MiG-31, të cilët fluturuan mbi vend për gjithsej 12 minuta pa leje. Ministri i Mbrojtjes e quajti incidentin “jashtëzakonisht brutal”, raporton skynews.

    Ministri i Jashtëm, Margus Tsahkna, tha se Rusia tashmë e ka shkelur hapësirën ajrore të Estonisë katër herë këtë vit, “që është e papranueshme vetvetiu, por shkelja e sotme, gjatë së cilës tre avionë luftarakë hynë në hapësirën tonë ajrore, është jashtëzakonisht e guximshme”.

    “Testimi gjithnjë e më i shpeshtë i kufijve nga Rusia dhe agresiviteti i saj duhet të marrin përgjigje me forcimin e shpejtë të presionit politik dhe ekonomik”, shtoi ai.

    Estonia është vendi i tretë i NATO-s që raporton një shkelje të hapësirës së saj ajrore nga Rusia në javët e fundit: të dielën, Rumania tha se një dron kishte hyrë në hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi rus ndaj Ukrainës fqinje.

    Edhe Polonia javën e kaluar raportoi për një “shkelje të paprecedentë” të hapësirës së saj ajrore nga Rusia.

  • Nxirret trupi i pajetë i 57-vjeçarit nga Kosova që ra në lumin Moraça

    Nxirret trupi i pajetë i 57-vjeçarit nga Kosova që ra në lumin Moraça

    Një shtetas i Kosovës, A.M., 57 vjeç, ka humbur jetën në një aksident trafiku në Mal të Zi.

    Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në qytetin Bezdan, në rrugën Podgoricë–Kolashin, kur kamioni që ai po drejtonte me targa të Kosovës doli nga rruga dhe përfundoi në lumin Moraça.

    Ekipet e shpëtimit arritën ta nxjerrin trupin e viktimës të premten.

    Sipas Zyrës së Prokurorit Themelor, me urdhër të prokurorit trupi është dërguar për autopsi në Departamentin e Patologjisë të Qendrës Klinike.

    Shkaku i aksidentit pritet të përcaktohet gjatë hetimeve.

    Policia njoftoi për aksidentin rreth orës 22:00, mes tuneleve 11 dhe 12. Për shkak të terrenit të vështirë dhe kushteve të natës, ekipet nuk mundën ta nxirrnin menjëherë kamionin nga lumi.

  • Qeveria miraton 904 mijë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçiente dhe izolimin e shtëpive

    Qeveria miraton 904 mijë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçiente dhe izolimin e shtëpive

    Qeveria e Kosovës ka miratuar bartjen e 904 mijë eurove nga Pako për përballje me krizën energjetike, pasi më parë kishte pranuar mjetet nga Bashkimi Evropian për ta përmbyllur me sukses disbursimin e fondeve në kuadër të Pakos së Mbështetjes Energjetike (IPA 2023).

    Ministrja Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli njoftoi se me ndarjen e këtyre mjeteve do të bëhet disbursimi i subvencioneve për pajisje efiçiente ngrohëse nga thirrja e fundit, që tashmë janë trajtuar dhe miratuar nga Ministria e Ekonomisë dhe trajtimi i listës së pritjes së thirrjes së fundit për izolim të shtëpive nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

    Ministria e Ekonomisë dhe Fondi i Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё do të ndërmarrin hapat e mëtejmë për këto procese në kohën më të shkurtër të mundshme.

    Prej vitit 2022, fillimisht përmes masave të Ministrisë së Ekonomisë e tutje me mbështetje të Bashkimit Evropian, janë përkrahur mbi 43 mijë familje dhe biznese me mbi 19.6 milionë euro, duke ulur kostot e energjisë dhe përmirësuar kushtet e jetesës në mbarë vendin.

    Ministria e Ekonomisë, falënderon Bashkimin Evropian për partneritetin e vazhdueshëm dhe besimin që e bën të mundur realizimin e programeve të tilla, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.

  • KFOR shpall zonën operacionale të KEK-ut si “Zonë të Ndaluar për Fluturime”

    KFOR shpall zonën operacionale të KEK-ut si “Zonë të Ndaluar për Fluturime”

    KFOR ka shpallur zonën operacionale të KEK-ut si “Zonë të Ndaluar për Fluturime” , me fokus të veçantë në ndalimin e dronëve, për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike energjetike të Kosovës.

    Kështu ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duke njoftuar se vendimi ka hyrë në fuqi më 1 shtator.

    “Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton opinionin publik se, bazuar në dispozitat e Ligjit Nr. 06/L-014 për Infrastrukturën Kritike, objektet dhe asetet e KEK-ut kategorizohen si pjesë e infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës. Kjo infrastrukturë përfaqëson themelin e furnizimit me energji elektrike për të gjithë qytetarët dhe ekonominë e vendit, duke e bërë atë një produkt thelbësor dhe të pazëvendësueshëm për jetën e përditshme dhe zhvillimin kombëtar. Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj infrastrukture, institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë i kanë kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes së saj. Në këtë drejtim, KEK ka pranuar sot vendimin zyrtar të KFOR-it, me Ref. Nr. BKPR:0736/25, përmes të cilit zona operacionale e KEK-ut është shpallur Zonë e Ndaluar për Fluturime (“No Flight Zone”), me theks të veçantë në sistemet ajrore pa pilot (dronë), thuhet në komunikatë.

    Tutje, thuhet se ky hap përfaqëson një dëshmi të qartë të angazhimit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të mbështetur sistemin e sigurisë së infrastrukturës energjetike të Kosovës, si një nga shtyllat kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes.

    “KEK sh.a. shpreh mirënjohjen e thellë për rolin e KFOR-it në kontributin ndaj sigurisë së objekteve të saj.Gjithashtu, KEK sh.a. falënderon të gjitha institucionet që kontribuojnë në mbrojtjen dhe sigurinë e infrastrukturës energjetike dhe u bën thirrje qytetarëve të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e saj dhe të respektojnë plotësisht të gjitha masat ligjore dhe të sigurisë në këtë drejtim”, vijon njoftimi. /Telegrafi/

     

  • Ushtria izraelite thotë se do të përdorë “forcë të paprecedent” në Qytetin e Gazës

    Ushtria izraelite thotë se do të përdorë “forcë të paprecedent” në Qytetin e Gazës

    Ushtria izraelite paralajmëroi më 19 shtator se do të operojë me “forcë të paprecedent” në Qytetin e Gazës, duke u bërë thirrje banorëve që të largohen drejt jugut dhe po ashtu duke njoftuar për mbylljen e një rruge të përkohshme për evakuim, që e hapi 48 orë më parë.

    Përpjekjet e Izraelit për të marrë nën kontroll të plotë Qytetin e Gazës kanë nxitur zemërim ndërkombëtar, teksa Rripi i Gazës ka pësuar shkatërrime të mëdha pas pothuajse dy vjet luftë dhe banorët po përballen me katastrofë humanitare.

    Ofensiva izraelite vjen po ashtu në kohën kur disa shtete perëndimore, përfshirë Francën dhe Britaninë, pritet të njohin një shtet palestinez gjatë samitit të Kombeve të Bashkuara që mbahet javën e ardhshme.

    OKB-ja në fund të gushtit vlerësoi se afër 1 milion banorë jetonin në Qytetin e Gazës dhe zonat përreth. Izraeli thotë se qindra mijëra prej tyre janë larguar nga ky qytet, që është më i madhi në Rripin e Gazës, Radio Evropa e Lirë.

    Në një postim në X drejtuar banorëve të Qytetit të Gazës, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, tha: “nga ky moment rruga Salah al-Din është mbyllur për kalim drejt jugut. Ushtria izraelite do të vazhdojë të operojë me forcë të paprecedent kundër Hamasit [grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian] dhe kundër organizatave të tjera terroriste”.

    Ai shtoi se rruga e vetme drejt jugut ishte Al-Rashid dhe u bëri thirrje banorëve “që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe t’iu bashkohen qindra mijëra banorëve të qytetit të cilët janë zhvendosur në jug në zonën humanitare”.

    Izraeli të mërkurën kishte njoftuar se do të hapte një rrugë të re “të përkohshme” të cilën banorët e Qytetit të Gazës mund ta përdornin për t’u larguar. Kjo rrugë u hap pasi Izraeli nisi ofensivën tokësore dhe bombardimet masive ndaj Qytetit të Gazës.

    Ushtria tha se rruga përmes Salah al-Din do të ishte e hapur vetëm për 48 orë.

    Rruga Salah al-Din kalon përmes Rripit të Gazës nga veriu në jug.

    Izraeli nisi ofensivën në Qytetin e Gazës të martën dhe nisja e saj erdhi pasi Kombet e Bashkuara e akuzuan shtetin për kryerje të “gjenocidit” në Rripin e Gazës. Në një hetim të kryer nga OKB-ja u tha se kryeministri Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë të lartë kishin nxitur këtë krim.

    Izraeli hodhi poshtë gjetjet dhe i cilësoi si “të rreme”.

    Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Fushata hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 65.000 persona në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë – shifra që konsiderohen të besueshme nga OKB-ja./REL

     

  • Bajrami: Kurti po tallet me ShBA-në, qytetarët dhe shtetin e Kosovës

    Bajrami: Kurti po tallet me ShBA-në, qytetarët dhe shtetin e Kosovës

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së kryeministrit Albin Kurti në raport me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në një postim në Facebook, Bajrami ka thënë se Kurti jo vetëm që po i injoron paralajmërimet e SHBA-së, por po tregon mospërgjegjësi ndaj qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

    “Kryeministri Kurti po tallet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe me vetë shtetin që ai përfaqëson. Kjo qasje arrogante po i kushton Kosovës në planin ndërkombëtar dhe të brendshëm,” ka deklaruar Bajrami.

    Ajo e ka akuzuar Kurtin për izolim të vendit dhe për dështime në politikën e jashtme, duke thënë se raportet me aleatët tradicionalë janë më të përkeqësuarat që nga shpallja e pavarësisë.

    “Për herë të parë që nga viti 2008, Kosova ka marrë vërejtje kaq të rënda nga SHBA-ja. Dhe për këtë përgjegjës është një njeri – Albin Kurti,” u shpreh ajo.

    Reagimi i Bajramit vjen pas zhvillimeve të fundit në raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe ndërkombëtarëve, përfshirë paralajmërimet për pasoja politike dhe diplomatike ndaj vendit.

  • Aktakuzë në mungesë ndaj dy ish-pjesëtarëve të forcave serbe për krime lufte në Gjakovë

    Aktakuzë në mungesë ndaj dy ish-pjesëtarëve të forcave serbe për krime lufte në Gjakovë

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj dy personave, të identifikuar me inicialet L.D dhe V.O, të cilët akuzohen për kryerjen e krimeve të luftës gjatë periudhës 1998-1999 në rajonin e Gjakovës.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kanë shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare. Ata akuzohen për pjesëmarrje në vrasje, keqtrajtime, arrestime arbitrare, vjedhje dhe shkatërrim të pasurisë së popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

    Prokuroria thekson se këto veprime përbëjnë shkelje të rënda të ligjeve ndërkombëtare dhe janë pjesë e një modeli të qëndrueshëm të dhunës kundër civilëve gjatë konfliktit.

    Aktakuza është ngritur në mungesë, pasi të pandehurit nuk janë të pranishëm në Kosovë dhe gjenden jashtë juridiksionit e drejtësisë kosovare.

    Kjo është njëra nga rastet e shumta që Prokuroria Speciale po trajton lidhur me krimet e kryera gjatë luftës së Kosovës, në përpjekje për të siguruar drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre. inicialet L.D dhe V.O, të cilët akuzohen për kryerjen e krimeve të luftës gjatë periudhës 1998-1999 në rajonin e Gjakovës.

  • Ellek në protestën në Mitrovicë të Veriut: Shëndetësia dhe arsimi janë vija të kuqe

    Ellek në protestën në Mitrovicë të Veriut: Shëndetësia dhe arsimi janë vija të kuqe

    Para Qendrës Klinike në Mitrovicë të Veriut, të premten u mbajt një protestë e punëtorëve shëndetësorë, pas një bastisjeje që kreu një natë më herët Policia e Kosovës mbi bazën e një sinjalizimi për armë.

    Policia, më pas, njoftoi se nuk kishte gjetur asgjë të dyshimtë.

    Drejtori i Qendrës Klinike, njëkohësisht kryetar i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha gjatë protestës se policia kishte hyrë në ambientet e tyre dhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë të Veriut, duke “maltretuar” rojet e sigurisë me kërkesa për dokumente identifikimi dhe informacione mbi numrin e punëtorëve.

    Ellek theksoi se nuk do të ketë asnjë integrim të sistemit shëndetësor e arsimor të Serbisë në sistemin e Kosovës, duke shtuar se një gjë e tillë nuk është paraparë në asnjë marrëveshje ndërkombëtare mes Prishtinës dhe Beogradit.

    Ai u bëri thirrje punëtorëve – të cilët mbanin parulla si “Duart larg spitalit”, “Evropë, mbroji të drejtat tona” dhe “Shëndetësia dhe arsimi janë të drejta themelore të njeriut” – që të mbeten të qetë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Ne nuk kemi ku të shkojmë, kjo është shtëpia jonë dhe detyra jonë është të qëndrojmë pranë pacientëve tanë. Kjo është një porosi për institucionet ndërkombëtare se këto janë vijat e kuqe që ata kanë garantuar se nuk do të kalohen”, tha Ellek.

    Ai kërkoi nga misioni evropian për sundim të ligjit, EULEX, dhe misioni i NATO-s, KFOR, që t’i vendosin pjesëtarët e tyre para të gjitha institucioneve shëndetësore dhe arsimore.

    Të gjitha institucionet shëndetësore në mjediset me shumicë serbe të Kosovës funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

    Përveç arsimit, ato konsiderohen nga popullsia lokale serbe dhe nga Beogradi zyrtar si shtylla të mbijetesës së komunitetit serb në Kosovë.

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 18 shtator se “sistemi i dyfishtë i arsimit dhe shëndetësisë nuk është i qëndrueshëm” dhe se duhet inkorporim dhe bashkim në një sistem unik.

    Ai tha se në procesin e integrimit të sistemit serb në atë kosovar do të konsultohet komuniteti serb dhe partnerët ndërkombëtarë: Bashkimi Evropian, vendet e QUINT-it dhe KFOR-i.

    Lista Serbe reagoi duke theksuar se “kërcënimet për njëfarë integrimi të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Kosovës, nuk janë pjesë e asnjë negociate apo marrëveshjeje”.

    Në deklaratë, kjo parti e përshkroi shëndetësinë dhe arsimin si “shtylla të mbijetesës së popullit serb dhe të tilla do të mbeten”.

    Ndërkaq, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në reagimin e saj, nuk e përmendi integrimin e mundshëm të institucioneve arsimore e shëndetësore në sistemin e Kosovës, por i quajti “shpikje dhe të pavërteta” deklaratat e Kurtit për të drejtat e garantuara të serbëve në Kosovë, duke i cilësuar ato si “fyerje për çdo serb”.

    Debati për integrimin e institucioneve shëndetësore e arsimore u aktualizua pasi më 4 shtator e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, deklaroi se një proces i tillë do të duhej të ndodhte një ditë, por vetëm në konsultim me komunitetin serb.

    Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ministër në detyrë, Nenad Rashiq, tha për Radion Evropa e Lirë se integrimi i institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës është i pashmangshëm, por, sipas tij, nuk pritet që kjo çështje të hapet gjatë këtij viti./REL

  • Betohen 19 kadetë të rinj të FSK-së

    Betohen 19 kadetë të rinj të FSK-së

    Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë u mbajt sot ceremonia ushtarake e betimit të 19 kadetëve të rinj të gjeneratës 2029.

    Sipas njoftimit të FSK-së në Facebook, gjenerata 2029 ka fituar me meritë vendin e saj në Akademinë Ushtarake, pasi ka përballuar me sukses sfidat e “Javës 0” dhe muajit të rekrutit.

    “Me guxim, disiplinë dhe këmbëngulje, ata dëshmuan se janë të gatshëm t’i shërbejnë atdheut. Sot, me betimin solemn, ata nisin rrugëtimin e tyre të ri për tu bërë udhëheqësit e së nesërmes”, thuhet në njoftimin e FSK-së.