ATV

Category: Lajme

  • FSK vlerësohet për performancën në SATMO-n e Amerikës

    FSK vlerësohet për performancën në SATMO-n e Amerikës

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Komandantin e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimit dhe Asistencë të Sigurisë të Ushtrisë së ShBA-së (SATMO), kolonel Thomas Melton.

    Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimit u vlerësuan të arriturat e deritanishme të ushtrisë kosovare dhe performanca e lartë e pjesëtarëve gjatë aktiviteteve të përbashkëta me ekipet e SATMO-s.

    Bisedimet përfshinë edhe mbështetjen e vazhdueshme të ekipeve amerikane në ngritjen e kapaciteteve trajnuese dhe procesin e validimit të njësive të FSK-së, si pjesë e planit të zhvillimit të forcës.

    “Gjithashtu u diskutua për planin trevjeçar të aktiviteteve të përbashkëta që do të realizohen në të ardhmen, ku roli i ekipeve të SATMO-s është i jashtëzakonshëm në trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të reja të FSK-së”, thuhet në njoftim.

    Në përmbyllje, u theksua rëndësia e madhe e mbështetjes nga ekipet trajnuese të SATMO-s për avancimin e profesionalizmit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

  • Një sulm kibernetik shkakton kaos në disa aeroporte evropiane

    Një sulm kibernetik shkakton kaos në disa aeroporte evropiane

    Pasagjerët që planifikojnë të udhëtojnë të shtunën, më 20 shtator, duhet të bëjnë durim në disa aeroporte evropiane, pasi një sulm kibernetik ka goditur një ofrues shërbimesh përgjegjës për sistemet e regjistrimit dhe imbarkimit, duke shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në Bruksel, Londër dhe Berlin.

    Operatori i aeroportit të Brukselit raportoi se sistemet e tij të automatizuara janë mbyllur, duke detyruar ekipet të përdorin procedura manuale.

    “Kjo do të ketë një ndikim të rëndësishëm në orarin e fluturimeve dhe për fat të keq do të rezultojë në vonesa dhe anulime”, tha aeroporti në një deklaratë.

    Ofruesi i prekur po punon për të zgjidhur problemin “sa më shpejt të jetë e mundur”. Pasagjerët këshillohen të konfirmojnë rezervimin e tyre me kompaninë ajrore përpara se të shkojnë në aeroport.

    Rreth orës 9:00 të mëngjesit të së shtunës, shërbimi për shtyp i aeroportit njoftoi disa media belge se nëntë fluturime janë anuluar dhe rreth pesëmbëdhjetë janë vonuar me një orë ose më shumë.

  • Kurti: Shqetësuese shkelja e hapësirës ajrore nga Rusia, Kosova mbështet Estoninë

    Kurti: Shqetësuese shkelja e hapësirës ajrore nga Rusia, Kosova mbështet Estoninë

    Tre avionë luftarakë rusë, MiG-31, kanë hyrë në hapësirën ajrore të Estonisë më 19 shtator, disa orë pasi Komisioni Evropian propozoi paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.

    Shumë liderë europianë dënuan këto akte të Rusisë dhe prapa me reagim nuk mbeti as kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

    “Lajmi për shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia është shumë shqetësues. Kosova solidarizohet me Estoninë gjatë kësaj kohe”, ka shkruar Kurti në X.

    Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, ish-kryeministre estoneze, akuzoi Moskën për një “provokim jashtëzakonisht të rrezikshëm” dhe tha se shkelja e fundit ruse e kufijve lindorë të NATO-s “përshkallëzon më tej tensionet në rajon”.

    Estonia ka kërkuar zyrtarisht një konsultim sipas Nenit 4 të NATO-s.

    Ky mekanizëm i lejon çdo vendi anëtar të paraqesë zyrtarisht një çështje për shqyrtim nga organi kryesor vendimmarrës i NATO-s, Këshilli i Atlantikut të Veriut, për të diskutuar hapat e mëtejshëm me aleatët.

    Konsultimet zhvillohen kur “integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria” e ndonjë prej vendeve anëtare është e kërcënuar.

    Ky nen nuk duhet ngatërruar me Nenin 5, gur-themelin e aleancës, i cili përcakton se një sulm i armatosur ndaj një anëtari të NATO-s konsiderohet si akt dhune ndaj të gjithë anëtarëve dhe kërkon ndihmë për vendin e prekur.

    Diskutimet e nisura nga Neni 4 mund të “çojnë potencialisht në një vendim ose veprim të përbashkët”, sipas NATO-s, por rezultatet varen nga konsensusi mes vendeve anëtare.

    Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, ka deklaruar se Këshilli i Atlantikut të Veriut do të mblidhet në fillim të javës së ardhshme për të diskutuar më në detaje incidentin.

  • Një person në Klinë plagoset në kokë nga një plumb qorr

    Një person në Klinë plagoset në kokë nga një plumb qorr

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se një person në Klinë është plagosur në kokë nga një plumb qorr.

    Viktima është dërguar së pari në QMF Klinë e me pastaj në Spitalin rajonal të Pejës për trajtim të mëtutjeshëm.

    Tutje, shtohet edhe se policia është duke e hetuar rastin, për të cilin është informuar edhe prokurori.

    “Pogragjë, Klinë. Viktima mashkull kosovar deri sa ishte duke qëndruar në oborrin e axhës se tij, është goditur në kokë nga një plumb qorr. Viktima, është dërguar fillimisht në QMF Klinë e me pastaj në Spitalin rajonal të Pejës për trajtim të mëtutjeshëm. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin’’, thuhet në raportin e PK-së. 

  • Tre të vdekur dhe dhjetëra të plagosur pas sulmeve ruse gjatë natës në Ukrainë

    Tre të vdekur dhe dhjetëra të plagosur pas sulmeve ruse gjatë natës në Ukrainë

    Tre persona kanë mbetur të vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një nga sulmet më të mëdha të Rusisë gjatë luftës gjatë natës, ka thënë Volodymyr Zelenskyy.

    Në një deklaratë, lideri ukrainas tha se Moska kishte nisur “40 raketa cruise dhe balistike dhe rreth 580 dronë të llojeve të ndryshme” gjatë natës.

    “Çdo sulm i tillë nuk është një nevojë ushtarake, por një strategji e qëllimshme e Rusisë për të frikësuar civilët dhe për të shkatërruar infrastrukturën tonë,” tha Zelenskyy, duke bërë thirrje për një reagim të fortë ndërkombëtar.

    Në rajonin e Dnipropetrovsk, një person u vra dhe të paktën 26 të tjerë u plagosën pas një “goditjeje të drejtpërdrejtë” në një ndërtesë të lartë. Serhiy Lysak, guvernatori i rajonit, tha: “Sulmi i natës ishte një tjetër test për mbrojtjen tonë ajrore.”

    “Një burrë 55-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë. Ai ka djegie në 70% të trupit. Mjekët po luftojnë për jetën e tij,” shtoi Lysak.

  • Macron: Franca do ta njohë shtetin e Palestinës të hënën në Nju Jork

    Macron: Franca do ta njohë shtetin e Palestinës të hënën në Nju Jork

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka njoftuar se vendi i tij do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës të hënën, gjatë një takimi në Nju Jork.

    Përmes një postimi në platformën X, Macron tha se ka biseduar me Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, të cilin e ka falënderuar për bashkëpunimin që çoi në arrestimin e njërit prej organizatorëve kryesorë të sulmit terrorist në Rue des Rosiers, në Paris.

    “Ne ramë dakord të punojmë për të siguruar ekstradimin e tij sa më shpejt që të jetë e mundur. Duke marrë parasysh urgjencën e jashtëzakonshme të situatës në Gaza dhe në territoret palestineze, i përsërita Presidentit Abbas synimin tim për ta njohur Shtetin e Palestinës të hënën në Nju Jork”, ka shkruar Macron.

    Ai e cilësoi këtë hap si pjesë të një plani gjithëpërfshirës paqeje për rajonin, që synon përmbushjen e aspiratave të të dyja palëve – izraelite dhe palestineze – për siguri dhe stabilitet.

    Sipas Macron, Abbas ka rikonfirmuar përkushtimin e tij për të ndërmarrë reformat e nevojshme që synojnë rinovimin e qeverisjes palestineze dhe përballjen me sfidat për ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm.

    “Franca do të vazhdojë të qëndrojë përkrah autoriteteve palestineze në këtë rrugëtim dhe do të sigurohemi që angazhimet e marra të përmbushen, për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit”, ka theksuar Macron në deklaratën e 19 shtatorit 2025.

  • Vdekja e ish-ambasadorit shqiptar, Abdi Baleta – Kurti: Vepra e tij dëshmi e një jete të kushtuar kombit

    Vdekja e ish-ambasadorit shqiptar, Abdi Baleta – Kurti: Vepra e tij dëshmi e një jete të kushtuar kombit

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Abdi Baletës, duke theksuar kontributin e tij të vyer në politikë dhe publicistikë, raporton Sinjali.

    Abdi Baleta ishte një nga emrat e politikanëve që shqiptarët e Kosovës e mësuan sapo në Shqipëri ra regjimi komunist.

    Disa e kishin emër të dëgjuar edhe më parë, kur ai përfaqësonte Shqipërinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa për publikun e gjerë ai u bë i njohur me fjalimet në Kuvendin e Shqipërisë dhe me shkrimet në shtyp, që si kryetemë kishin çështjen e pazgjidhur shqiptare.

    Ishte një zë që spikaste për nga forca e argumentimit dhe vendosmëria me të cilën mbronte identitetin kombëtar dhe të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje dhe bashkim kombëtar.

    Abdi Baleta ishte një nga njohësit e thellë të ligjit ndërkombëtar dhe rrjedhave të gjeopolitikës.

    pjesë të shkrimeve të viteve 1990 për Kosovën i botoi në librin Kosova: Nga Dejtoni në Rambuje. Ai vijoi të komentonte zhvillimet në hapësirën shqiptare dhe në botë, në shkrimet e tij në gazetën Bota Sot të Prishtinës, në Rimëkëmbja të Tiranës, në revistën Shenja të Shkupit etj. Në takimet e mia me të në Tiranë e dalloja pasionin me të cilin mbronte mendimet, që mbështeteshin nga përvoja e gjatë diplomatike dhe erudicioni, gëzimin për përparimet e Kosovës dhe të kombit shqiptar, pezmatimin për pengesat që ende shqiptarët kanë për të kapërcyer, por dhe besimin e tij se e drejta herët a vonë fiton.

    Vepra e tij publicistike është një shkollë e vërtetë për mendimin politik dhe strategjik shqiptar dhe një dëshmi e një jete kushtuar kombit.

  • Dëshmitë e Rubin dhe Williams në Hagë, avokati Musa: Mund të ndryshojnë kahjen e procesit

    Dëshmitë e Rubin dhe Williams në Hagë, avokati Musa: Mund të ndryshojnë kahjen e procesit

    Të hënën e kësaj jave filloi procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku u dëgjua dëshmitari i parë i mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ndihmëssekretari i departamentit të shtetit James Rubin.

    Këtë proces gjyqësor e ka komentuar avokati Skënder Musa, i cili në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se dëshmitarët e mbrojtjes, do të vendosin drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    “Fundi është pak proces i komplikuar për shkak se ka pasur një numër jashtëzakonisht të madh dëshmitarësh dhe dëshmitarë që ne i kemi pasur kanë qenë tmerrësisht jo kredibilë. Pastaj kemi dëshmitarë që janë propozuar nga mbrojtja e zotit Thaçi dhe Krasniqi. Dëshmitari i parë ka filluar mirë, ka arritur të vendosë shumicën e dëshmitarëve në një pozitë të pafavorshme. Presim, i kemi rreth 14 dëshmitarë. Besoj që pas dëgjimit të këtyre dëshmitarëve kaq të rëndësishëm dhe kredibilë, procesi do të ndryshojë dhe do të marrë kahjen e drejtë. Kur them kahjen e drejtë, në fund gjykata të vendosë drejt dhe nëse vendoset, ata do të lirohen”, përfundoi ai.

    Sa i përket dëshmive të dëshmitarëve të Prokurorisë së Specializuar, ai ka hedhur kritika se si në Hagë u dëgjuan dëshmitë që ishin dirigjuar e përgatitur nga BIA serbe.

    “Duke u nisur nga procesi gjyqësor, nga dëshmitë e dëshmitarëve, gjyqtarët e Gjykatës Speciale duhet të jenë të vetëdijshëm dhe ta kenë të qartë që provat që janë dërguar nga një shtet armik, nga një shtet me të cilin ka luftuar UÇK-ja, atyre nuk mund t’u falet besimi. Është ndryshe nëse dëshmon një person i përgatitur nga BIA e Serbisë, prokurori i Serbisë dhe nga njerëzit brenda EULEX-it, ku të gjitha provat i kanë marrë në Serbi dhe kanë lidhje me Serbinë, qoftë në aspektin emocional apo familjar me Serbinë. Ata njerëz nuk mund të paraqesin prova kredibile, ata dëshmitarë nuk mund të jenë kredibilë. Ndryshe kur është paraqitur një dëshmitar, një punëtor i sigurimit shtetëror të Serbisë dhe ndryshe kur paraqitet si dëshmitar nënsekretar i shtetit amerikan. Pa marrë parasysh tash pozitën, atëherë ka qenë në pikën kyçe i cili ka arritur së bashku me sekretarën, me presidentin, me njerëzit kryesorë të Amerikës dhe të NATO-s që ta arrijnë marrëveshje paqësore në mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Musa.

    Musa pa asnjë dyshim ka thënë se procesi në Hagë është absurd.

    “E di që për gjykatën nuk është e rëndësishme se kush i dërgon provat dhe kush janë dëshmitarë, mirëpo edhe gjyqtarët edhe prokurorët duhet ta kenë të qartë që një shtet në të cilin është luftuar dhe ka kryer gjenocid është i interesuar dhe punon ditë e natë që të shpallet fajtor qoftë Hashim Thaçi apo të tjerët. Në mënyrë që t’i barazojë krimet që ka bërë vetë me krimet e pretenduara që kinse i ka bërë UÇK-ja. Ata nuk janë duke hequr dorë, edhe pse e kanë njohur pothuajse të gjitha shtetet demokratike Kosovën, ata ende nuk heqin dorë dhe pretendojnë dhe bindin popullin e vet dhe botën që Kosova është pjesë e tyre. Këta duhet ta kenë parasysh regjimin e Serbisë. Njerëzit që kanë dëgjuar këta dëshmitarë pothuajse janë pjesë e administratës, policisë dhe ushtrisë së Millosheviqit, i cili vetë ka qenë i akuzuar në gjykatë për krime lufte”, deklaroi ai.

  • 24 orëshi i Policisë: 38 aksidente trafiku dhe mbi dy mijë gjoba të shqiptuara

    24 orëshi i Policisë: 38 aksidente trafiku dhe mbi dy mijë gjoba të shqiptuara

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit mbetet një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve në vendin tonë. Si një ndër masat më të zakonshme parandaluese, policia po vazhdon të shqiptojë gjoba ndaj shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit.

    Statistikat e fundit tregojnë se vetëm gjatë kësaj periudhe janë lëshuar mijëra gjoba. Nga ana tjetër, policia njofton se nuk është shënuar asnjë aksident me fatalitet, por janë regjistruar 25 aksidente me të lënduar dhe 38 me dëme materiale.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 2571 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 22 persona, prej të cilëve 12 ka dërguar në mbajtje.

  • E rrëmbyen dhe e rrahën gjithë natën, Policia arreston dy persona – i treti në arrati

    E rrëmbyen dhe e rrahën gjithë natën, Policia arreston dy persona – i treti në arrati

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të rëndë të rrëmbimit dhe dhunës fizike që ka ndodhur në lagjen Veternik të Prishtinës.

    Sipas raportit zyrtar, më 19 shtator 2025 është bërë e ditur se një viktimë mashkull kosovar ishte marrë me forcë nga dy persona dhe ishte futur në një veturë. Viktima ka deklaruar se ishte dërguar në një shtëpi të pabanuar, ku ishte mbajtur deri në mëngjes dhe ishte dhunuar fizikisht.

    Hetimet e policisë kanë çuar në identifikimin e tre të dyshuarve. Dy prej tyre janë arrestuar dhe ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit me vendim të prokurorit, ndërsa personi i tretë ndodhet ende në arrati.

    Gjatë aksionit policor janë bastisur katër shtëpi dhe banesa, ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë gjuetie. Rasti është në proces hetimesh.