ATV

Category: Lajme

  • Konsumuan karamele me kanabis: 3-vjeçarja në gjendje të rëndë, 2 motrat kalojnë rrezikun

    Konsumuan karamele me kanabis: 3-vjeçarja në gjendje të rëndë, 2 motrat kalojnë rrezikun

    Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e djeshme në Korçë, ku tre motra të mitura, të moshave 3, 7 dhe 11 vjeç, janë paraqitur në gjendje të rënduar në repartin e Pediatrisë së Spitalit Rajonal, pasi dyshohet se kanë konsumuar karamele që përmbanin substanca narkotike të llojit kanabis, raporton JOQ.

    Shefi i repartit të Pediatrisë, dr. Robert Rado, ka konfirmuar sot se gjendja më e rëndë është ajo e vajzës 3-vjeçare, e cila për disa orë është mbajtur e intubuar dhe ndodhet nën vëzhgim të vazhdueshëm nga mjekët. Ndërkohë, motrat e saj, 7 dhe 11 vjeç, ndodhen jashtë rrezikut për jetën, por kanë pasur simptoma të qarta të intoksikimit nga substanca narkotike.

    Sipas dr. Rados, ky është rasti i parë i këtij lloji në vend ku fëmijë kaq të vegjël preken nga konsumimi i produkteve që përmbajnë kanabis.

    “Vajza 10 vjeç në gjendje të mirë, vajza 7 vjeç me parametra normale. Vajza 3 vjeç në gjendje të rëndë për shkak të substancave që ndikojnë sistemin nervor. Karamelet kanë pasur përmbajtje kanabisi. Përdorja në mosha pediatrike është fatale. Në moshë të tillë nuk kemi pasur. Ishte rasti i parë. 3 vjeçarja ka dalë nga intubimi, ruan parametrat brenda normave. Këto substanca kanë efekt afatgjatë. Eleminohen deri në 15 ditë.

    Kanë konsumuar nga dy karamele. Analizat laboratorike do të tregojnë nivelin e narkotikëve në gjak”, tha mjeku pediatër.

    Mjekët paralajmërojnë për rrezikun serioz që këto substanca paraqesin për moshat pediatrike, veçanërisht kur konsumohen pa dijeni nga fëmijët.

    Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur origjinën e karameleve. Dyshohet se ato mund të jenë gjetur në ambientet publike pranë lagjes nr. 16 në Korçë. Autoritetet po këqyrin kamerat e sigurisë në bizneset e zonës për të kuptuar nëse fëmijët i kanë marrë ato aksidentalisht nga ndonjë kazan plehrash apo janë futur në kontakt me to në rrethana të tjera.

  • ShBA–ja synon të rimarrë bazën ajrore Bagram në Afganistan

    ShBA–ja synon të rimarrë bazën ajrore Bagram në Afganistan

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja po synon të rimarrë kontrollin e bazës ajrore Bagram në Afganistan.

    Gjatë një konference në Londër, Trump theksoi se arsyeja kryesore është vendndodhja strategjike e bazës, vetëm një orë larg objekteve bërthamore të Kinës.

    Sipas tij, një mundësi e tillë ekziston sepse udhëheqësit talibanë “kanë nevojë për gjëra” nga Washingtoni, pa dhënë më shumë hollësi. Ende mbetet e paqartë nëse kanë nisur bisedimet zyrtare, ndërkohë që as zyrtarët amerikanë dhe as talibanët nuk i kanë komentuar këto deklarata.

    Baza ajrore Bagram ishte instalimi më i madh ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Afganistan për dy dekada.

    Ajo iu dorëzua forcave të atëhershme afgane në korrik të vitit 2021, pak javë para tërheqjes kaotike të trupave amerikane dhe marrjes së plotë të pushtetit nga talibanët.

  • Rama dhe ministrat betohen para presidentit, kabineti “Rama 4” nis zyrtarisht mandatin e ri

    Rama dhe ministrat betohen para presidentit, kabineti “Rama 4” nis zyrtarisht mandatin e ri

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe anëtarët e kabinetit të ri qeveritar janë betuar sot para Presidentit Bajram Begaj, duke nisur zyrtarisht mandatin e katërt qeverisës.

    Ceremonia solemne u mbajt paraditen e sotme në ambientet e Presidencës në Tiranë, duke formalizuar kështu ekzekutivin e ri të vendit.

    Ky akt pason votëbesimin që kabineti “Rama 4” mori një ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, ku programi i ri qeverisës u miratua me 82 vota pro.

    Ceremonia e sotme përmbyll procesin institucional të formimit të qeverisë, duke i hapur rrugë fillimit të punës së saj.

    Menjëherë pas përfundimit të betimit, Këshilli i ri i Ministrave pritet të zhvillojë mbledhjen e parë zyrtare në Kryeministri.

  • Zhduken dy të mitur në dy raste të ndara, ishin larguar nga shtëpia të dielën

    Zhduken dy të mitur në dy raste të ndara, ishin larguar nga shtëpia të dielën

    Policia po heton dy raste të ndara të personave të zhdukur, të raportuara gjatë ditës së djeshme në Fushë Kosovë dhe Podujevë.

    Në të dyja rastet, familjarët kanë njoftuar se fëmijët e tyre të mitur, janë larguar nga shtëpitë që nga dita e diel.

    Sipas raportit të policisë, në Fushë Kosovë një grua ka njoftuar se djali i saj ka dalë nga shtëpia më 14 shtator dhe prej atëherë nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij.

    Ndërkohë, në Podujevë, një baba ka raportuar se vajza e tij është larguar nga shtëpia po të njëjtën ditë, dhe nuk është kthyer më.

    Të dyja Rastet janë klasifikuar si ‘person i zhdukur’, dhe Policia ka nisur hetimet intensive për gjetjen e të miturve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të largimit të tyre.

  • Sanksione të reja kundër Rusisë, BE-ja pritet të bëjë njoftimin sot

    Sanksione të reja kundër Rusisë, BE-ja pritet të bëjë njoftimin sot

    Bashkimi Evropian pritet të shpallë sot paketën më të fundit, të 19-të, të sanksioneve kundër Rusisë, për të cilën presidentja e komisionit, Ursula von der Leyen, tha se do të synojë kriptovalutat, bankat dhe energjinë.

    BE-ja po shqyrton gjithashtu vendosjen e sanksioneve ndaj kompanive në Kinë dhe Indi që po ndihmojnë tregtinë e naftës së Rusisë, ka raportuar Bloomberg, sipas The Guardian.

    Ky hap vjen mes presionit në rritje nga presidenti amerikan, Donald Trump, që blloku të përshpejtojë gjithashtu planet e tij për të hequr dorë nga nafta ruse.

    Duke folur krah kryeministrit britanik, Keir Starmer, ai tha dje se SHBA-ja ishte “për të bërë gjëra të tjera” për të ndihmuar evropianët të kundërshtojnë Rusinë, por “jo kur njerëzit për të cilët po luftoj po blejnë naftë nga Rusia”.

    “Nuk mund ta bëni [këtë], kjo nuk është lojë e ndershme me Shtetet e Bashkuara, dhe ne nuk mund ta pranojmë”, tha ai.

  • Kujdes! Këto mesazhe mund t’ju rrezikojnë privatësinë dhe paratë

    Kujdes! Këto mesazhe mund t’ju rrezikojnë privatësinë dhe paratë

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Shpeshherë, qytetarët pranojnë mesazhe të kamufluara si ky, kinse njofton dicka që ndërlidhet me poseduesin e numrit.

    Me mesazhin bashkëngjitet një link, vegzë e cila ka për qëllim marrjen e të dhënave personale e bankare të individëve.

    Ky fenomen i shkeljes se privatësisë, sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi është bërë edhe me i dukshëm me zhvillimin e teknologjisë dhe vështirë se gjendet dërguesi.

    Andaj, apelohet për kujdes të shtuar kur hasen mesazhe të dyshimta.

    Shkelje e privatësisë po konsiderohet te jenë edhe mesazhet e marketingut që dërgohen kryesisht nga kompanitë private.

    Disa sosh, kohëve të fundit kanë marrë gjoba.

    Agjencia për Informim dhe Privatësi u bënë thirrje qytetarëve që kushdo që pranon mesazhe të tilla mos t’i klikojnë ato dhe poashtu të raportojnë çdo kompani që prezanton produktet përmes numrave telefonik./ATVLIVE.TV

  • Lagje të tëra të Prishtinës mbesin pa ujë sot – ja cilat janë

    Lagje të tëra të Prishtinës mbesin pa ujë sot – ja cilat janë

    KRU “Prishtina” ka njoftuar se disa rrugë në Prishtinë do të mbesin pa ujë, për shkak të një defekti të papritur në rrjetin e ujësjellësit në rrugën “Luan Haradinaj”.

    Deri në sanimin e problemit, pa furnizim me ujë do të mbesin këto rrugë: Rruga” Luan Haradinaj”, Qendra, Dardania dhe një pjesë e lagjes Kalabria.

    Ndërkohë, ekipet e mirëmbajtjes do të intervenojnë në këto zona shërbimi; Rr.”Luan Haradinaj”, Rr.”Holger Pedersen”, Rr.”Sylejman Vokshi”, Rr.”Agim Ramadani”, Rr.”Asllan Pireva”, Rr.”Elez Geci”, Rr.”Faton Shabani”, Fshati Leban, Fshati Milevc.

  • “Nuk jemi prishur me Amerikën” – Kurti sqaron marrëdhëniet me ShBA: Ka vetëm pezullim të planifikimit të dialogut strategjik

    “Nuk jemi prishur me Amerikën” – Kurti sqaron marrëdhëniet me ShBA: Ka vetëm pezullim të planifikimit të dialogut strategjik

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të premten, ka sqaruar se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhet me pezullimin e planifikimit të dialogut strategjik dhe jo me ndërprerjen e tij.

    Ai ka theksuar se marrëdhëniet me SHBA-në mbeten të qëndrueshme dhe se nuk ka prishje të raporteve.

    “Së pari duam të qartësojmë për qytetarët tanë se bëhet fjalë për pezullim e planifikimit për dialog strategjik, jo të dialogut strategjik si proces të nisur as të komunikimit të rregullt që ne kemi. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime. I siguroj qytetarët se qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat e Ambasadës Amerikane. Në diplomaci kemi dallime në raport me Serbinë dhe veprimet e saj në Kosovë. Bashkëpunimi ushtarak po vazhdon. Marrëdhëniet janë të thella”, tha ai.

  • Një grua në Mitrovicë ka njoftuar policinë se nipi i saj ka tentuar ta vrasë

    Një grua në Mitrovicë ka njoftuar policinë se nipi i saj ka tentuar ta vrasë

    Një grua ka raportuar në polici se nipi i saj ka tentuar ta privojë nga jeta.

    Rasti ka ndodhur të enjten në orët e mëngjesit, rreth orës 09:00.

    “Mitrovicë Jug 18.09.2025 – 09:00. Ankuesja femër kosovare, ka informuar se nipi i saj i dyshuari mashkull kosovar, kishte tentuar të privojë nga jeta. I dyshuari është dërguar në neuropsikiatri nga familjarët”, ka njoftuar policia.

    Viktima është dërguar në IML për ekzaminim.

    Rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

  • Viti: Tentativë vrasjeje, i dyshuari ende në arrati

    Viti: Tentativë vrasjeje, i dyshuari ende në arrati

    Një tentim vrasje ka ndodhur ditën e enjte në fshatin Debëlldeh të Vitisë.

    Në njoftimin e policisë thuhet se një person është plagosur nga arma e zjarrit nga një i dyshuar, dhe se deri tani motivet janë ende të panjohura.

    “Viktima mashkull kosovar, ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pasi që i dyshuari mashkull kosovar (për motive të panjohura), dyshohet se ka shtënë me armë gjuetie në drejtim të tij. Viktima për shkak të lëndimeve është dërguar për tretman mjekësor në QE-në Gjilan, ndërsa i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur”, ka njoftuar policia.

    Njësitet policore në konsultim e koordinim me prokurorin gjatë bastisjes në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të dyshuarit kanë gjetur dhe konfiskuar: 1 pushkë gjysmë automatike, 1 pushkë pneumatike, 1pistoletë me gaz, 149-fishekë, 3-gëzhoja dhe 2-DVR të kamerave të sigurisë.

    Rasti është duke u hetuar.