ATV

Category: Lajme

  • Kosova vendos sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë

    Kosova vendos sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë

    Kosova ka ndërmarrë masa ndëshkuese kundër Rusisë, për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës, duke i miratuar katër pakot me sanksionet e fundit të Bashkimit Evropian kundër Moskës.

    Në një mbledhje të premten në mëngjes, Qeveria në detyrë i miratoi pakot 15, 16, 17 dhe 18 të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

    “Miratimi i këtyre vendimeve nga ana e Qeverisë, do të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit të ngushtë me BE-në dhe partnerë të tjerë strategjikë, përfshirë Shtetet e Bashkuara”, tha ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, gjatë prezantimit të kërkesës për miratim të masave.

    Sveçla e bëri kërkesën në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në mungesë të ministres në detyrë, Donika Gërvalla, e cili ndodhet jashtë vendit.

    Të gjitha pakot u miratuan njerëzi, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Çfarë përmbajnë pakot?
    Pakoja e 15-të, e miratuar në dhjetor 2024, përfshinte ngrirje pasurish dhe ndalime udhëtimi për 54 individë dhe 30 entitete, si dhe kufizime të reja ndaj të ashtuquajturës anijes ruse në hije, me 52 anije të listuara, si dhe ndalime të eksportit për teknologji me përdorim të dyfishtë.

    Ndërsa, pakoja e 16-të, e miratuar në shkurt, në përvjetorin e dytë të agresionit rus në Ukrainë, shtoi 48 individë dhe 35 entitete në listën e zezë.

    Kjo pako ndaloi importin e aluminit nga Rusia dhe shënjestroi edhe 74 anije të tjera, duke e çuar totalin në 153.

    Masa shtesë prekën sektorin energjetik, transitin dhe shërbimet që ndihmojnë shmangien e sanksioneve, ndërsa sanksionet ndaj Bjellorusisë dhe territoreve të pushtuara u harmonizuan me ato ndaj Rusisë.

    BE miratoi paketën e 17-të në maj, duke u fokusuar te kërcënimet hibride si, dezinformimi dhe sulmet kibernetike.

    U vendosën kufizime për mediat shtetërore ruse në territorin e BE-së, u shtuan ndalesat për mallra dhe teknologji ushtarake, si dhe u shënjestruan individë e kompani që ndihmonin Moskën t’ shmangte sanksionet ekzistuese.

    Pakoja e 18-të u miratua në korrik dhe ajo përfshiu masa të forta ekonomike.

    Me ketë pako u ul çmimi i kufirit për naftën bruto ruse nga 60 dollarë në 47,60 dollarë për fuçi, me rishikime çdo gjashtë muaj. BE-ja vendosi gjithashtu ndalime për transaksione që lidhen me tubacionet Nord Stream 1 dhe 2, bllokoi importet e produkteve të rafinuara nga nafta ruse në vende të treta dhe zgjeroi listën e anijeve të flotës në hije.

    Paketës iu shtuan masa të gjera financiare dhe ndalime të reja për eksportin e teknologjive strategjike.

    Kosova u rreshtua përkrah Perëndimit menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë Ukrainës në shkurt 2022, duke i vënë sanksione Moskës.

    Kjo luftë, e cila po vazhdon, sipas Kombeve të Bashkuara, ua mori jetën mbi 10.000 civilëve në Ukrainë.

    Të paktën 40 për qind e popullsisë kanë nevojë për një lloj të ndihmës humanitare./REL

  • Rohde: Unë po shkoj, por Kosovën gjithmonë do ta mbajë në zemër

    Rohde: Unë po shkoj, por Kosovën gjithmonë do ta mbajë në zemër

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka përmbyllur zyrtarisht mandatin e tij pesëvjeçar, duke shprehur mirënjohjen e thellë për mikpritjen dhe bashkëpunimin gjatë qëndrimit të tij në vend.

    Në një pritje lamtumire të mbajtur të mërkurën në rezidencën e tij zyrtare, Ambasadori Rohde u shpreh thellësisht mirënjohës për përkrahjen që ka marrë dhe lidhjet e forta që janë ndërtuar gjatë këtyre viteve.

    “Jam thellësisht mirënjohës për pesë vite kuptimplota në Kosovë. Do ta mbaj gjithmonë në zemër këtë përvojë dhe do të mbetem i lidhur me këtë vend,” u shpreh ai para të ftuarve.

    Të pranishëm në ngjarje ishin figura të shumta nga jeta politike dhe diplomatike, përfshirë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Gjermanisë dhe ndikimin pozitiv që ka pasur Ambasadori Rohde në forcimin e këtyre lidhjeve.

    “Ambasadori Rohde nuk ishte vetëm një përfaqësues diplomatik, por një mik i vërtetë i Kosovës,” tha Presidentja Osmani.

    Në fjalimin e tij, Rohde përmendi me emocion mikpritjen e popullit kosovar, pasionin për ecjen në male dhe lojërat futbollistike me kolegë dhe miq. Ai përmendi gjithashtu fitoren e fundit të ekipit kombëtar të Kosovës kundër Suedisë, duke theksuar pjesëmarrjen e lojtarëve të lindur në Gjermani si simbol i lidhjes së dy vendeve.

  • Hargreaves viziton ushtarët britanikë në Bondsteel: Prania e tyre tregon përkushtimin tonë për sigurinë në Kosovë

    Hargreaves viziton ushtarët britanikë në Bondsteel: Prania e tyre tregon përkushtimin tonë për sigurinë në Kosovë

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka vizituar sot ushtarët britanikë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it dhe që janë të stacionuar në kampin amerikan “Bondsteel”.

    Ai ka deklaruar se prania e tyre është dëshmi e angazhimit të Britanisë së Madhe për sigurinë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

    “Prania e tyre tregon aftësinë e ushtrisë britanike për të përmbushur këtë angazhim të NATO-s për sigurinë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Hargreaves.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e disa grave, të dyshuara për “shpërdorim të pasurisë së huaj”

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e disa grave, të dyshuara për “shpërdorim të pasurisë së huaj”

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e disa grave të dyshuara për shpërdorim të pasurisë së huaj.

    Në njoftimin për media bëhet e ditur se rasti ka ndodhur në Prizren.

    “Më datë 08.09.2025 rreth orës 12:40 e dëmtuara femër, derisa ishte duke bërë fotografim në hapësirën e jashtme të qendrës tregtare ‘ABI Çarshia’ në rr. ‘Ekrem Rexha’ në Prizren e njëjta kishte harruar kuletën e saj në tokë, ndërsa kur është kthyer te lokacioni i njëjtë ka vërejtur se kuleta e saj nuk gjendet më aty.

    E njëjta përmes sigurimit të qendrës ka shikuar kamerat e sigurisë, ku ka vërejtur se një grup të personave të gjinisë femërore ndalen afër kuletës saj dhe njëra nga ato e merr kuletën, e së bashku largohen nga qendra. Në bazë të veprimeve hetimore kemi siguruar disa fotografi të personave të dyshuar nga kamerat e sigurisë, mirëpo deri më tani nuk është arritur të bëhet identifikimi i tyre”, thuhet në njoftim.

    Tutje, bëhet e ditur se me qëllim të ndriçimit të rastit nga Prokuroria Themelore në Prizren kanë marr autorizimin në pajtim dispozitave të nenit 76 prag 2 të KPPRK-së, për publikimin e fotografive të dyshuarës në mediume televizive dhe media sociale, ku kërkohet bashkëpunim-ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, që do të na ndihmonin në identifikim dhe arrestimin e të dyshuarit.

    “Andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse kanë çfarëdo informate apo dinë diçka për vendndodhjen e të dyshuarit në foto, të raportojnë Policinë në Prizren në numrin 192, në rrjetet sociale, në faqen zyrtare të Facebook-ut të policisë apo në cilindo stacion të Policisë në Kosovë”, thuhet në njoftim.

  • Murati: Besojmë në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së, Gjykata Speciale është e padrejtë

    Murati: Besojmë në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së, Gjykata Speciale është e padrejtë

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka folur edhe për Gjykatën Speciale.

    Ai para gazetarëve tha se sa i përket procesit në Hagë, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë konsistente gjatë gjithë kohës.

    “Sa i përket çështja e procesit në Hagë, po besoj që Lëvizja Vetëvendosje ka qenë konsistente gjatë gjithë kohës, sa i përket Gjykatës Speciale. Ne e kemi kundërshtuar që në fillim një gjykatë që gjykon mono etnikisht, pra vetëm një etni. Ne kemi qenë kundër që të bëhet në proces i tillë, kjo është dëshmuar edhe gjatë procesit të votimit të asaj kohe, pra kemi kundërshtuar e refuzuar”, tha Murati.

    Tutje, ministri në detyrë u shpreh se besojnë në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së.

    “Ne shpresojmë, besojmë dhe urojmë në pafajësi, pra që Gjykata të nxjerrë verdiktin e pafajësisë për të gjithë ata që po gjykohen atje dhe të kthehen këtu, pastaj janë çështje të tjera ato se çfarë ka ndodhur gjatë procesit të qeverisjeve… Sa i përket Gjykatës Speciale si të tillë, ne qysh atëherë e kemi thënë të njëjtin qëndrim që ka qenë dhe është gjykatë e padrejtë dhe ne besojmë në pafajësinë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur Murati.

  • Huawei gati për prezantimin e Watch GT 6 dhe Watch Ultimate 2

    Huawei gati për prezantimin e Watch GT 6 dhe Watch Ultimate 2

    Huawei pritet të zbulojë këtë javë modelet më të reja të orëve inteligjente: serinë Watch GT 6 dhe Watch Ultimate 2. Rrjedhjet e fundit kanë hedhur dritë mbi dizajnin dhe specifikimet e tyre, duke ngjallur interes të madh te përdoruesit.

    Njëri nga modelet do të vazhdojë trashëgiminë e vitit të kaluar me Huawei Watch Ultimate, duke sjellë një kasë të fortë dhe të përshtatshme për zhytje në thellësi. Ndërkohë që shumica e smartwatch-eve ofrojnë certifikim 5ATM (deri në 50 metra), Watch Ultimate ishte i pari nga Huawei me 10ATM, që lejon zhytje deri në 100 metra.

    Modeli i ri pritet të vijë me bateri më të fuqishme, sensorë të rinj të vendosur në anën e djathtë të kutisë, si dhe me përmirësime të harduerit dhe softuerit – duke përfshirë gjurmim më të avancuar të shëndetit dhe monitorim të përmirësuar të stërvitjeve.

    Orët do të ofrohen në dy ngjyra, të zezë dhe blu, me diametër 48.5mm. Megjithatë, ende mbetet për t’u parë nëse Watch Ultimate 2 do të ruajë kapacitetet e zhytjes deri në 100 metra dhe nëse seria Watch GT 6 do të sjellë gjithashtu kasa më rezistente ndaj ujit.

  • Qeveria në detyrë shpronëson disa prona, Kurti: Po bëhet për investime e projekte në komunat e Kosovës

    Qeveria në detyrë shpronëson disa prona, Kurti: Po bëhet për investime e projekte në komunat e Kosovës

    Qeveria në detyrë e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të premten, ka marrë një sërë vendimesh për shpronësimin e disa pronave në disa komuna të vendit, në funksion të projekteve të ndryshme infrastrukturore.

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në hapje të mbledhjes, tha se vendimet kanë të bëjnë me investime të rëndësishme në nivel komunal.

    “Kemi në rend dite vendimin për shpronësimin e pronave nga realizimi i projektit të banimit të përballueshëm dhe social në Podujevë, aty po ndërtohen dy ndërtesa me 133 njësi banesore, prej të cilave 1-6 janë të dedikuara për banim të përballueshëm dhe 27 për banim social”, tha Kurti.

    Ai shtoi se në Ferizaj do të shpronësohen prona nën menaxhimin e AKP-së, për ndërtimin e një qendre për sport dhe kulturë, derisa në komunën e Prizrenit, po i shpronësojmë disa prona për realizimin e projektit për objekte edukativo-arsimore dhe sportive.

    Ndërkohë, në Suharekë, vijojnë procedurat për shpronësim në funksion të infrastrukturës rrugore:

    “Në Suharekë po vazhdojnë procedurat për shpronësim, duke i hapur rrugë projektit për zgjerimin e rrugës në fshatin Mushtisht që e lidh Komunën e Suharekës me atë të Shtërpcës”, deklaroi Kurti.

  • Tritol në banesën e deputetit në Shqipëri, momenti i shpërthimit të fortë

    Tritol në banesën e deputetit në Shqipëri, momenti i shpërthimit të fortë

    Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Kamëz. Sipas burimeve jozyrtare mësohet se është banesa e deputetit Xhelal Mziu.

    Sipas policisë, ngjarja është shënuar rreth orës 1:00 të mengjesit, dhe lenda plasese është vendosur në murin rrethues të banesës. Për pasojë, ka pasur vetëm dëme materiale, raporton Euronewsalbania.

    “Rreth orës 00:55, dyshohet se në rrugën “Arjan Sala”, në murin rrethues të banesës së shtetasit Xh. M., është vendosur një sasi e dyshuar lënde plasëse.

    Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

    Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.

  • Aksident në kryeqytet: Tri vetura përfshihen në përplasje, tre të lënduar

    Aksident në kryeqytet: Tri vetura përfshihen në përplasje, tre të lënduar

    Një aksident trafiku ka ndodhur sot në mëngjes rreth orës 08:30 në rrugën “Jusuf Gërvalla” në Prishtinë, ku janë përfshirë tri vetura.

    Si pasojë e përplasjes, tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, ndërsa me rastin po merret Njësia e Trafikut e Kryeqytetit, e cila është duke hetuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

    Për momentin, nuk raportohet për rrezik për jetën e të lënduarve.

  • Ndahen mbi 2 milionë euro për subvencionimin e teksteve shkollore

    Ndahen mbi 2 milionë euro për subvencionimin e teksteve shkollore

    Qeveria e Kosovës në detyrë ka miratuar kërkesën për transferimin e mjeteve buxhetore deri në 25% të ndarjes së ndikuar negativisht për vitin 2025, për subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore për vitin shkollor 2025/2026, njoftoi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT).

    Ministri në detyrë, Hekuran Murati, tha se kërkesa për këtë transferim ka ardhur nga Ministria e Arsimit.

    “Nga MASHTI kemi pranuar kërkesën për transfer të brendshëm në vlerë prej 2 milionë e 41 mijë eurove që ndikon deri në 25 për qind të ndarjes së ndikuar negativisht nga ligji për ndarjet buxhetore”, tha ai.