ATV

Category: Lajme

  • Zbulohet plantacion i kanabisit në Dumnicë të Podujevës – 4 të arrestuar

    Zbulohet plantacion i kanabisit në Dumnicë të Podujevës – 4 të arrestuar

    Një rast i kultivimit të bimëve narkotike është zbuluar pasditen e së shtunës në fshatin Dumnicë e Poshtme të Podujevës.

    Gazeta Sinjali raporton se rreth orës 17:30, policia në bashkëpunim me DHTN Prishtinë dhe Prokurorin e Shtetit ka bastisur pronën e M. B rreth 52-vjeçar, ku ka hasur në një sipërfaqe prej rreth 1 hektari të mbjellë me misër dhe bimë të kanabisit.

    Në vendin e ngjarjes janë arrestuar katër persona: M. B. rreth 52-vjeçar dhe i biri D. B. rreth 26-vjeçar, si dhe dy shtetas të Shqipërisë, Xh. Xh rreth 33-vjeçar dhe K.S. rreth 16-vjeçar. Njëri prej tyre, Xh, u kap duke fjetur në ara dhe tentoi të ikte, por u arrestua dhe u dërgua në QKMF Podujevë për trajtim të lëndimeve të lehta.

    Të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa për të miturin ka qenë i pranishëm edhe punëtori social.

    Me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda, tre të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i mituri me vendim të Prokurores për të Mitur, është ndaluar për 24 orë.

    Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

  • Vdes në moshë të re piloti shqiptar në Francë

    Vdes në moshë të re piloti shqiptar në Francë

    Ka vdekur në moshë të re, Ajet Gashi nga Barani i Pjeës.

    I ndjeri ishte pilot i suksesshëm në aviacionin në Francë.

    Varrimi i tij do të bëhet të dielën, më 21 shtator 2025, pas namazit të drekës, në Varrezat e Zllatarit, Lagjja Mat, në Prishtinë.

    Në njoftim thuhet se pamja do të mbahet të hënën, më 22 shtator 2025, në Hotel Grand, Prishtinë, nga ora 09:00 deri në 17:00.

  • Operacion policor në tri lokacione në Vushtrri – arrestohen katër persona

    Operacion policor në tri lokacione në Vushtrri – arrestohen katër persona

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë në koordinim me Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka bërë realizimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë – dega Vushtrri për kontrollin e shtëpive të katër (4) personave të dyshuar, ku që nga orët e hershme të mëngjesit janë kontrolluar gjithsej tri (3) lokacione, dy (2) në fshatin Ropicë të Vushtrrisë dhe një (1) lokacioni në qytetin e Vushtrrisë.

    Nga ky operacion policor janë arrestuar tre (3) persona lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale “Detyrimi”, si dhe një (1) person i cili ka qenë në arrati për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor“ dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria“.
    Me vendim të prokurorit, katër (4) të pandehurit ndalohen për 48 orë, ndërkaq operacioni është duke vazhduar.

  • Osmani e nis vizitën në SHBA në takim me mërgatën

    Osmani e nis vizitën në SHBA në takim me mërgatën

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nisur vizitën në SHBA me një takim me mërgatën tonë në Waterbury, Connecticut.

    E para e vendit ka falëndëruar për mikpritjen dhe dashurinë që mbajnë gjithmonë për vendlindjen.

    “Mirënjohje të veçantë për Shoqatën “Hasan Prishtina” dhe për bashkëkombësit tanë për pjesëmarrjen”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

  • Moti sot, temperaturat shkojnë deri në 31 gradë

    Moti sot, temperaturat shkojnë deri në 31 gradë

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot stabil, i nxehtë dhe me diell. Temperaturat nuk pritet të kenë ndonjë ndryshim të madh. Minimalja parashihet të jetë 11 gradë Celsius, kurse maksimalja pritet të arrijë deri në 31 gradë Celsius.

    Në Shqipëri dhe rajon sot pritet të mbajë mot me diell, i nxehtë dhe stabil. Temperaturat do të vazhdojnë të jenë verore në gati të gjitha viset, ndërsa në zonat më të nxehta pak mbi 30 gradë Celsius.

    Fillimi i javës së re pritet të karakterizohet me mot të kthjellët, stabil dhe të nxehtë veror. Për reshje atmosferike as që bëhet fjalë.

  • Dogana e Kosovës parandalon tri raste kontrabande në Aeroportin e Prishtinës

    Dogana e Kosovës parandalon tri raste kontrabande në Aeroportin e Prishtinës

    Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë një operacioni në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë parandaluar tri raste të tentim kontrabandës, përfshirë dy me telefona dhe një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare.

    Sipas komunikatës zyrtare, gjatë kontrollit të një pasagjeri që vinte nga një linjë ndërkombëtare, zyrtarët doganorë zbuluan disa telefona të fshehur në trupin e tij, të cilët dyshohet se ishin të destinuar për tregun e zi. Tek një udhëtar tjetër u gjetën gjithashtu telefona të mençur gjatë tentativës për kontrabandë.

    Në të njëjtin rast, gjatë kontrollit të bagazhit, janë zbuluar 36,500 euro të padeklaruara, prej të cilave 9,000 euro janë konfiskuar, në përputhje me ligjin që rregullon qarkullimin e mjeteve monetare në kufi.

    “Prej dy vitesh e ka mbajtur Kosovën nën sanksione”, “Po imiton Vuçiqin”, kritikat që sot PDK ia bëri Kurtit
    Dogana ka bërë të ditur se rasti është referuar për hetime të mëtejshme në Drejtorinë e Hetimeve të Doganës së Kosovës, për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore dhe procedurat tjera.

    Institucioni theksoi se mbetet i përkushtuar në parandalimin e kontrabandës, pastrimit të parave dhe aktiviteteve ilegale që dëmtojnë ekonominë dhe sigurinë e vendit.

  • DASh publikon raportin për transparencën fiskale për vitin 2025, Kosova në mesin e 71 vendeve që përmbushin standardet minimale

    DASh publikon raportin për transparencën fiskale për vitin 2025, Kosova në mesin e 71 vendeve që përmbushin standardet minimale

    Departamenti i Shtetit ka publikuar sot raportin për transparencën fiskale për vitin 2025, ku Shqipëria renditet mes 71 vendeve që përmbushin standardet.

    DASH deklaron se nga 139 vende dhe Autoriteti Palestinez të vlerësuara, 71 qeveri rezultojnë se përmbushin kërkesat minimale, ndërsa 69 nuk arritën të plotësonin kriteret.

    Kosovs së bashku me disa vende të tjera, ka siguruar transparencë në dokumentet buxhetore, kontratat dhe licencat publike, duke përmbushur standardet në lidhje me publikimin, përmbajtjen dhe besueshmërinë e tyre, thuhet në raportin e DASH.

    Sakaq, vendet që përmbushin kërkesat minimale të transparencës fiskale përfshihen edhe Brazili, Kroacia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Izraeli, Turqia, Portugalia, Rumania, Afrika e Jugut, India etj.

    “Departamenti arriti në përfundimin se, nga 139 vendet (dhe Autoriteti Palestinez) të vlerësuara, 71 qeveri përmbushën kërkesat minimale të transparencës fiskale dhe 69 nuk i përmbushën kërkesat minimale. Megjithatë, nga këto 69, 26 bënë përparim të konsiderueshëm drejt përmbushjes së kërkesave minimale të transparencës fiskale.

    “Departamenti vlerësoi qeveritë e mëposhtme si qeveri që përmbushin kërkesat minimale të transparencës fiskale për vitin 2025: Shqipëria, Argjentina, Armenia, Bahamas, Benini, Bosnja dhe Hercegovina, Botsvana, Brazili, Bullgaria, Burkina Faso, Kepi i Gjelbër, Kili, Kolumbia, Komoret, Kosta Rika, Bregu i Fildishtë, Kroacia, Çekia, Estonia, Fixhi, Gjeorgjia, Gana, Greqia, Guatemala, Guajana, Hondurasi, Hungaria, India, Indonezia, Izraeli, Xhamajka, Jordania, Kazakistani, Kenia, Kosova, Republika e Kirgistanit, Letonia, Lituania, Malajzia, Malta, Mauritiusi, Meksika, Mikronezia (Shtetet e Federuara), Moldavia, Mali i Zi, Maroku, Namibia, Nepali, Maqedonia e Veriut, Panamaja, Paraguai, Peruja, Filipinet, Polonia, Portugalia, Rumania, Ruanda, Serbia, Sejshelet, Singapori, Sllovakia, Sllovenia, Afrika e Jugut, Sri Lanka, Tailanda, Timori Lindor, Trinidad dhe Tobago, Tunizia, Turqia, Uganda dhe Uruguai.

    Departamenti vlerësoi se sa vijon nuk i përmbushin kërkesat minimale të transparencës fiskale për vitin 2025, dhe tabela më poshtë identifikon nëse secila prej tyre ka bërë përparim të rëndësishëm drejt përmbushjes së këtyre kërkesave’, teksohet ndër të tjera në raport.

  • Estonia publikon hartën, si u shkel hapësira e tyre ajrore nga 3 avionë rusë

    Estonia publikon hartën, si u shkel hapësira e tyre ajrore nga 3 avionë rusë

    Forcat Mbrojtëse të Estonisë, ka publikuar një hartë e cila tregon rrugën se ku kanë kaluar tre avionët luftarakë rusë MiG-31, të cilët e shkelën hapësirën ajrore të këtij shteti.

    Në njoftim thuhet se avionët rusë qëndruan për gati 12 minuta me transponderë të fikur, pa kontakt radio.

    ‘’Harta tregon rrugën e fluturimit të tre MiG-31 rusë që shkelën hapësirën ajrore estoneze pranë ishullit Vaindloo më 19 shtator. Ata qëndruan për gati 12 minuta me transponderë të fikur, pa kontakt radio. F-35 të Policisë Ajrore Baltike të NATO-s reaguan. Shkelja e 4-t e hapësirës ajrore nga Rusia këtë vit’’, thuhet në postim.

  • Gjeneral Kingji: Kosova mbetet për Shqipërinë një çështje parësore e interesit strategjik kombëtar

    Gjeneral Kingji: Kosova mbetet për Shqipërinë një çështje parësore e interesit strategjik kombëtar

    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant, Arben Kingji, ka vlerësuar nivelin e lartë të bashkëpunimit mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe FSK-së gjatë një takimi me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

    Kingji tha se është shprehur përkushtimi për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, ku së shpejti pritet të finalizohet plani trevjeçar në këtë drejtim.

    Ai theksoi se politika e dyerve të hapura mbetet parimi themelor i kësaj nisme dhe se anëtarësimi i Kosovës, i merituar dhe tashmë i vonuar, do të përbënte një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin rajonal.

    “Kosova mbetet për Shqipërinë një çështje parësore e interesit strategjik kombëtar, dhe si e tillë është gjithmonë temë diskutimi në çdo takim, forum apo nismë rajonale ku përfaqësohet vendi ynë”, shkroi ai mes të tjerash./ATVLIVE/

  • Dosja e Prokurorisë për vrasjen e dyfishtë në Kolovicë: Shkaku hakmarrja për tregtinë me narkotikë

    Dosja e Prokurorisë për vrasjen e dyfishtë në Kolovicë: Shkaku hakmarrja për tregtinë me narkotikë

    Prokuroria Themelore ka ngritur aktakuzë ndaj Naim dhe Ahmet Berishës, Lum Halimajt dhe Kaltrim Gashit për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 26 mars 2024 në Kolovicë të Prishtinës, ku viktima mbetën E.H. dhe Z.G. Sipas aktakuzës, palët e armatosura u përplasën për motive hakmarrjeje të lidhura me tregtinë e narkotikëve, duke shkaktuar edhe lëndime të tjera të rënda. Të pandehurit ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, si dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”. Naim dhe Ahmet Berisha, si dhe Kaltrim Gashi, ndodhen ende në arrati.

    “Betimi për Drejtësi” ka publikuar aktakuzën e plotë ndaj Naim, Ahmet Berisha, Lum Halimaj dhe Kaltrim Gashi, të cilët po ngarkohen nga Prokuroria Themelore për vrasjen e dyfishtë që ndodhi më 26 mars 2024 në Kolovicë të Prishtinës.

    Çka thuhet në pikën e parë të aktakuzës?

    Rreth orës 21:10 të datës 26 mars 2024, në rrugën “Butrinti” në Prishtinë, në bashkëkryerje, Ahmet dhe Naim Berisha, me dashje dhe të pajisur me armë zjarri, privuan nga jeta të ndjerin E.H.

    Tutje, të njëjtit kishin vënë në rrezik jetën e të pandehurve të tjerë: Lum Halimaj, Kaltrim Gashi dhe Bilal Kqiku – i ndjerë, ku fillimisht Ahmet dhe Naim Berisha, së bashku me persona të panjohur, ndërmorën veprimet.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, arsyeja për veprimet del të jetë hakmarrja për tentim-vrasjen që i ishte bërë po atë ditë Naim Berishës, e cila lidhet me shitblerjen e narkotikëve. Qëllimi i të pandehurve ishte privimi nga jeta i njëri-tjetrit.

    Sipas aktakuzës, Ahmet Berisha kishte marrë armën me kalibër të panjohur me veturën Golf 8, ndërsa Naimi, si pasagjer, me armë të tipit Skorpion, së bashku me persona të panjohur, dolën nga shtëpia në ora 19:32.

    Sipas aktakuzës, rreth orës 21:10, në rrugën “Butrinti”, takohen me të pandehurit e tjerë, të cilët ishin me veturë të tipit Honda, të drejtuar nga Halimaj. Pasagjerë ishin Bilal Kqiku – i ndjerë, E.H. – i ndjerë, dhe Kaltrim Gashi.

    Aktakuza thotë se Ahmet Berisha filloi të shtie me armë në drejtim të veturës për të siguruar rrugën për Naim Berishën. Ky i fundit hapi derën, del nga vetura, pozicionohet pas shtyllës së betonit, riplikon armën dhe shtinë 11 herë, pastaj 4 herë duke u kthyer në veturë, duke privuar nga jeta E.H.

    Prokuroria sqaron se Haziri ndërroi jetë për shkak të gjakderdhjes masive, shqyerjes së zemrës dhe mushkërive të majta nga predha, duke vënë në rrezik jetën e të tjerëve dhe duke shkaktuar lëndime të rënda Kqikut.

    Për këto veprime, Ahmet dhe Naim Berisha ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.5, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Çka thuhet në pikën e dytë të aktakuzës?

    Më të njëjtën datë dhe orë, 26 mars 2024, ora 21:10, në rrugën “Butrinti”, Lum Halimaj dhe Kaltrim Gashi, në bashkëkryerje dhe me dashje, të pajisur me armë AK-47, privuan nga jeta viktimën Z.G. dhe vunë në rrezik jetën e të dëmtuarve Shkurta, Qamil Ragip Gashi, Elmedina Mavriqi, si dhe të pandehurve Naim dhe Ahmet Berisha dhe personave të paidentifikuar.

    Veprimet lidhen me shitblerjen dhe shpërndarjen e narkotikëve, ku qëllimi ishte privimi nga jeta i dyanshëm me Naim dhe Ahmet Berishën.

    Aktakuza sqaron se Halimaj, Gashi, Kqiku dhe Haziri dolën në kërkim të Naim Berishës që prej orës 15:17, me qëllim privimin nga jeta. Në rrugën “Butrinti”, Lumi ndaloi veturën që Kqiku të shënjestrojë dhe të gjuajë Naim Berishën.

    Bilal Kqiku shtiu 6 herë, dhe njëra nga predhat goditi Z.G., e cila ndërroi jetë si rezultat i gjakderdhjes së jashtme dhe brendshme, ku predha i shkaktoi shqyerje të arteries së këmbës së majtë. Elmedina Mavriqi pësoi lëndime të lehta.

    Halimaj u mundua të shmangë sulmin duke dalë nga vetura, ndërsa Kaltrim Gashi mori drejtimin e veturës që t’i mundësonte Halimajt të hipë përsëri në të. Me shpejtësi të madhe vazhduan drejt spitalit, ku më pas Kqiku dhe Gashi largohen dhe kthehen sërish në Emergjencën e QKUK-së.

    Për këto veprime, Lum Halimaj dhe Kaltrim Gashi ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.5, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

    Çka thuhet në pikën e tretë të aktakuzës?

    Më datë, kohë dhe vend të njëjtë, Ahmet dhe Naim Berisha, Lum Halimaj dhe Kaltrim Gashi, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për armët, kanë poseduar armët me të cilat kryen veprat penale.

    Aktakuza specifikon se Ahmet Berisha mbante armë dhe shtiu nga vetura. Naim Berisha mbante armë të tipit Skorpion. Halimaj mbante armë të tipit Kallashnikov si vozitës.

    Gashi mbante armë të tipit Kallashnikov pas kryerjes së veprës dhe e fshehu në vend të panjohur së bashku me të ndjerin Kqiku.

    Për këto veprime, të pandehurit ngarkohen me veprën penale “Mbajtja, posedimi ose kontrolli i paautorizuar i armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së.

    Naim, Ahmet Berisha dhe Kaltrim Gashi ndodhen në arrati.