ATV

Category: Lajme

  • Parandalohen dy raste të kontrabandimit në Jarinje

    Parandalohen dy raste të kontrabandimit në Jarinje

    Dogana e Kosovës, këtë të shtunë ka parandaluar dy raste të tentim-kontrabandës në pikën kufitare në Jarinje.

    Rasti i parë, sipas doganës, ka të bëjë me një kontroll të detajuar në një automjet të udhëtarëve, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë, në të cilin u zbuluan dhe u sekuestruan rreth 300 gram argjend të padeklaruar. Bëhet e ditur se malli ishte fshehur me qëllim të shmangies së detyrimeve doganore dhe futjes ilegale në tregun e Kosovës.

    Sakaq, në rastin e dytë, gjatë kontrollit të një automjeti tjetër, zyrtarët doganorë zbuluan sasi të konsiderueshme produktesh të qumështit, të cilat, siç thotë dogana, po tentohej të kontrabandoheshin pa dokumentacionin e nevojshëm shoqërues dhe pa respektuar rregullat e importit të produkteve me prejardhje shtazore.

    Mallrat janë sekuestruar dhe procedurat ligjore janë duke u ndjekur në bashkëpunim me institucionet kompetente.

  • Policia shpëton dy turistë gjermanë të bllokuar te Ujëvara e Shëngjergjit, kërkimi zgjati 12 orë

    Policia shpëton dy turistë gjermanë të bllokuar te Ujëvara e Shëngjergjit, kërkimi zgjati 12 orë

    Policia e Tiranës ka ardhur në ndihmë dy turistëve gjermanë që kishin mbetur të bllokuar në zonën e Ujvarës së Shëngjergjit.

    Shërbimet e Komisariatit të Policisë, në bashkëpunim me Njësinë Alpine të Forcës Kombëtare të Sigurisë Tiranë, pas marrjes së njoftimit organizuan menjëherë operacionin për shpëtimin e turistëve.

    Për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur, si dhe largësisë së zonës nga rrugët e aksesueshme me automjete, kërkimi zgjati 12 orë.

    Pas lokalizimit, dy turistët gjermanë u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore.

  • Sulmet izraelite vrasin 14 njerëz në Gaza, teksa disa shtete po përgatiten ta njohin shtetin palestinez

    Sulmet izraelite vrasin 14 njerëz në Gaza, teksa disa shtete po përgatiten ta njohin shtetin palestinez

    Të paktën 14 njerëz janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite natës në qytetin e Gazës, thanë zyrtarët shëndetësorë të shtunën.

    Izraeli i ka shtuar sulmet në një kohë kur vendet perëndimore po shfaqin gjithnjë e më shumë pakënaqësi lidhur me përshkallëzimin e luftës në Gazë, disa prej të cilave synojnë ta njohin shtetin palestinez në mbledhjen e udhëheqësve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme.

    Të premten, Ministria e Jashtme e Portugalisë tha se do ta njohë shtetin palestinez të dielën.

    Portugalia në mesin e disa vendeve të tjera perëndimore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Australinë, Maltën, Belgjikën dhe Luksemburgun, që pritet ta njohin shtetin palestinez në ditët në vijim.

    Operacioni më i fundit izraelit, i cili filloi këtë javë, e përshkallëzon më tej konfliktin që ka trazuar Lindjen e Mesme dhe, me gjasë, e shtyn edhe më larg mundësinë e një armëpushimi.

    Ushtria izraelite, e cila thotë se synon të “shkatërrojë infrastrukturën ushtarake të Hamasit”, nuk ka dhënë një afat kohor për ofensivën, por ka indikacione se mund të zgjasë me muaj.

    Hamasi është grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Bombardimet izraelite gjatë 23 muajve të fundit i kanë vrarë mbi 65.000 palestinezë në Gazë, e kanë shkatërruar pjesë të mëdha të vendit, e kanë zhvendosur rreth 90 për qind të popullsisë dhe kanë shkaktuar krizë humanitare katastrofike.

    Ekspertët thonë se Qyteti i Gazës – qyteti më i madh në vend – po përjeton zi buke.

    Rami Mhanna, udhëheqës i spitalit Shifa, ku u sollën disa nga trupat, tha se mes viktimave ishin gjashtë persona nga e njëjta familje, pasi një sulm goditi shtëpinë e tyre herët në mëngjesin e së shtunës. Ata ishin të afërm të drejtorit të spitalit, Mohamed Abu Selmiya, shtoi ai.

    Kryqi i Kuq palestinez tha se pesë persona të tjerë u vranë nga një tjetër sulm pranë Sheshit Shava.

    Ditët e fundit, Izraeli u ka bërë thirrje qindra mijëra palestinezëve që strehohen në Qytetin e Gazës të zhvendosen në jug, në atë që e quan zonë humanitare.

    Palestinezët kanë filluar të largohen nga qyteti, disa me makinë, të tjerë në këmbë.

    Izraeli hapi një korridor tjetër në jug të qytetit për dy ditë këtë javë për të lejuar më shumë njerëz të evakuohen. Por shumë palestinezë në qytetin e goditur nga uria nuk duan të shpërngulen sërish, janë tepër të dobët për të lëvizur ose nuk kanë mundësi financiare për t’u zhvendosur.

    Organizatat humanitare kanë paralajmëruar se detyrimi i mijëra njerëzve për t’u evakuuar do të përkeqësojë më tej krizën e rëndë humanitare.

    Ato bëjnë thirrje për një armëpushim në mënyrë që ndihma të arrijë tek ata që e kanë nevojë.

    Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit, ku militantët vranë rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbyen 251 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

  • Kishte një urdhërarrest nga Gjykata, arrestohet një person në Pejë

    Kishte një urdhërarrest nga Gjykata, arrestohet një person në Pejë

    Një person i kërkuar nga organet e drejtësisë është arrestuar të premten pasdite në fshatin Raushiq të komunës së Pejës. Policia ka bërë të ditur se ndalimi i tij u realizua rreth orës 14:00 nga njësitet policore gjatë një kontrolli rutinë në atë zonë.

    Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i tij është kryer në bazë të një urdhërese të vlefshme të lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë. Personi në fjalë, një burrë me shtetësi kosovare, ishte në kërkim nga autoritetet pasi që i njëjti nuk ishte paraqitur për të zbatuar një vendim gjyqësor.

    Menjëherë pas ndalimit dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore për identifikim, i arrestuari i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe është dërguar në qendrën përkatëse për të filluar vuajtjen e dënimit.

  • Arrestohet një person në Podujevë, sulmoi fizikisht një grua në qytet

    Arrestohet një person në Podujevë, sulmoi fizikisht një grua në qytet

    Një person është arrestuar të premten paradite në Podujevë, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua në rrugën “19 Qershori” të këtij qyteti.

    Policia ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur rreth orës 11:10, ku njësitet policore kanë ndërhyrë menjëherë pas raportimit të rastit.

    Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari është një burrë, shtetas kosovar, i cili për arsye ende të paqarta ka sulmuar viktimën, një grua po ashtu kosovare

    Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor për intervistim. Me vendim të prokurorit të rastit, pas përfundimit të procedurave fillestare, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Trump dhe Erdogan do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, zbulohet data e fokusi i diskutimeve

    Trump dhe Erdogan do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, zbulohet data e fokusi i diskutimeve

    Donald Trump ka njoftuar takimin e tij me Rexhep Tajip Erdogan në Shtëpinë e Bardhë më 25 shtator, në një postim në Truth Social.

    Presidenti amerikan zbuloi se ai dhe homologu i tij turk po punojnë për shumë marrëveshje tregtare dhe ushtarake.

    Midis tyre është marrëveshja për F-16, ndërsa Donald Trump shtoi se do të vazhdojnë të diskutojnë për F-35, për të cilin theksoi se pret një rezultat pozitiv.

    “Jam i kënaqur të mirëpres Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në Shtëpinë e Bardhë më 25 shtator. Ne po punojmë me Presidentin për shumë marrëveshje tregtare dhe ushtarake, duke përfshirë një blerje në shkallë të gjerë të avionëve Boeing, një marrëveshje të rëndësishme për F-16 dhe vazhdimin e bisedimeve për F-35, të cilat presim të përfundojnë me një rezultat pozitiv. Unë dhe Presidenti Erdogan kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë. Pres me padurim ta shoh më 25!”, shkroi ai.

    Presidenti turk gjithashtu reagoi në rrjetet sociale lidhur me takimin e njoftuar nga Trump më 25 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

    “Gjatë takimit tonë në Shtëpinë e Bardhë me homologun dhe mikun tim të çmuar, Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të diskutojmë shumë çështje me aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara, me të cilët kemi marrëdhënie të gjera strategjike, kryesisht në tregti, investime dhe industrinë e mbrojtjes.

    Unë besoj se takimi që do të kemi me Presidentin Trump do të kontribuojë në përfundimin e luftërave dhe konflikteve në rajonin tonë, brenda kuadrit të vizionit tonë të përbashkët për paqen botërore, dhe do të forcojë më tej bashkëpunimin midis vendeve tona.”

  • Tahiri: Sot nën sanksione të ShBA-së dhe BE-së janë vetëm Kosova, Rusia dhe Bjellorusia

    Tahiri: Sot nën sanksione të ShBA-së dhe BE-së janë vetëm Kosova, Rusia dhe Bjellorusia

    Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka treguar se në Evropë sot vetëm tri shtete janë në sanksione të ShBA-së dhe BE-së.

    Ai ka bërë me dije se në kuadër të këtyre shteteve hyn Kosova, Rusia dhe Bjellorusia.

    Në profilin e tij në “Facebook”, Tahiri ka shkruar se një gjë e tillë ka ndodhur vetëm për fajin e Kurtit.

    “Të nderuar qytetarë, Në të gjithë kontinentin evropian sot vetëm tri shtete janë nën sanksione nga BE dhe SHBA: 🇽🇰Kosova e qeverisur nga Kurti; 🇷🇺Rusia e qeverisur nga Putini; 🇧🇾Bjellorusia e qeverisur nga Lukashenko.

    Megjithatë, kryeministri i izoluar Kurti sot ka filluar të shqetësohet për veprimet e Rusisë, ndërsa Kosovën e ka vendosur vetë në anën e saj. Albin Kurti, që prej dy vitesh e ka mbajtur Kosovën nën sanksione, sot flet për shkeljet e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia.

    600 milionë euro të BE-së kanë mbetur të pashfrytëzuara për shkak të sanksioneve. * SHBA ka pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, për shkak të dëmeve që i ka shkaktuar Qeveria Kurti”, ka shkruar ai.

  • Shqipëri: Policia publikon pamje të personit që vidhte qaforet e grave në rrugë

    Shqipëri: Policia publikon pamje të personit që vidhte qaforet e grave në rrugë

    Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar të dyshuarin, E. R, 42-vjeçar i cili ua vidhte me forcë shtetaseve qaforet.

    I dyshuari është banues në Durrës.

    “Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, si dhe pas kallëzimeve të bëra nga disa shtetase për vjedhje me dhunë të varëseve të floririt, intensifikuan veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe profesionale të kryera, u bë e mundur zbardhja e tre rasteve të denoncuara dhe identifikimi i autorit të dyshuar të këtyre rasteve.

    Bazuar në provat e siguruara nga hetimi, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Medalioni”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. R., 42 vjeç, lindur dhe banues në Durrës”, thuhet në njoftim.

    Ky shtetas dyshohej për disa raste.

    Më datë 21.08.2025, rreth orës 09:30, në lagjen nr. 12, dyshohet se i ka marrë me forcë varësen e floririt shtetases L. T.

    Më datë 10.09.2025, në të njëjtën lagje, duke kaluar vijat e bardha, dyshohet se i ka vjedhur me dhunë varësen shtetases Sh. M.

    Më datë 15.09.2025, dyshohet se i ka marrë me dhunë varësen e floririt shtetases O. A.

    Policia njofton se gjatë operacionit u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, varësja e shtetases O. A.

    “Vijon puna për gjetjen e varëseve të tjera, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale ‘Vjedhje me dhunë’, thuhet në njoftim.

  • SHBA: Amendament në Kongres me prioritet anëtarësimin e Kosovës në NATO

    SHBA: Amendament në Kongres me prioritet anëtarësimin e Kosovës në NATO

    Kongresisti amerikan propozon amendament për ta bërë anëtarësimin e Kosovës në NATO prioritet të SHBA-së

    Kongresisti republikan Brian Mast ka paraqitur një amendament në Kongresin amerikan, i cili synon ta vendosë anëtarësimin e Kosovës në NATO si një nga prioritetet kryesore të politikës së Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Kjo nismë, e mbështetur edhe nga kongresisti Keith Self, është cilësuar nga organizata “Albanians for America” si ndër zhvillimet më të rëndësishme për rajonin që nga viti 2002.

    Amendamenti përfshin disa pika kyçe, si: prioritet në emërimin e ambasadorëve amerikanë në vendet e Ballkanit, mbështetje të qartë për pavarësinë e Kosovës dhe integrimin e saj në NATO, si dhe rekomandime për forcimin e sigurisë energjetike rajonale – përfshirë zgjerimin e rrjeteve të tubacioneve në Kroaci dhe zëvendësimin e energjisë ruse me burime alternative.

    Gjithashtu, nisma parasheh mbështetje për implementimin e programit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) në Kosovë, inkurajimin e Shqipërisë dhe Kosovës për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s. Një element tjetër është vazhdimi i programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare, duke përfshirë pajisje moderne inspektimi në pikën kufitare të Merdarit me Serbinë për të parandaluar trafikun e armëve të paligjshme.

    Organizata “Albanians for America” e ka përshëndetur këtë hap, duke e quajtur “historik” dhe duke theksuar se për herë të parë pas dy dekadash, Kosova dhe Ballkani Perëndimor po vendosen në prioritet të politikës amerikane.

    Amendamenti është pjesë e një procesi ligjor që duhet të shqyrtohet nga komisionet përkatëse dhe më pas të votohet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat. Vetëm pas miratimit në të dyja dhomat, ai mund të hyjë në fuqi si pjesë e ligjit ose udhëzimit zyrtar të politikës së SHBA-së.

  • Serbia mban paradë ushtarake mes valës së protestave antiqeveritare

    Serbia mban paradë ushtarake mes valës së protestave antiqeveritare

    Në kryeqytetin e Serbisë, sot po mbahet parada ushtarake nën sloganin “Fuqia e Unitetit”, në një kohë kur qytete të shumta të vendit janë përfshirë nga protestat studentore.

    Një ditë para paradës, tanket dhe ushtarët dolën në rrugë, ndërsa një pjesë e lagjes Beogradi i Ri është mbyllur për qarkullim që nga 9 shtatori. Policia ka vendosur kordon për të mos lejuar pjesëmarrësit e tubimit studentor të afrohen në zonën ku po zhvillohet parada.

    Radio Evropa e Lirë raporton se përveç anëtarëve të policisë së trazirave, ka edhe pjesëtarë të Xhandarmërisë të pajisur për shpërndarjen e demonstratave. Megjithatë, policia është e pozicionuar në disa unaza, duke detyruar studentët të kërkojnë rrugë alternative për të arritur në paradë.

    Pjesëmarrësit e tubimit studentor thonë se do të përpiqen të hyjnë individualisht në zonën e paradës. Ata shprehin indinjatën për veprimet e policisë së trazirave dhe të Xhandarmërisë, duke theksuar se “ushtria nuk është e Vuçiqit, por e popullit”, dhe se “askush nuk mund t’i ndalojë ata të kalojnë”.

    Studentët gjithashtu pyesin pse individët që vijnë në mënyrë të organizuar dhe pretendojnë të jenë mbështetës të qeverisë lejohen të hyjnë si spektatorë në paradë.