ATV

Category: Lajme

  • Gjashtë vjet pas zjarrit shkatërrues, Franca rihap kullat e Notre Dame

    Gjashtë vjet pas zjarrit shkatërrues, Franca rihap kullat e Notre Dame

    Presidenti francez Emmanuel Macron u ngjit shkallëve të kambanores së Notre-Dame de Paris për të inauguruar zyrtarisht rihapjen e kullave veriore dhe jugore të katedrales ikonike.

    Kullat e Notre Dame de Paris pritet të hapen zyrtarisht për publikun sot, të shtunën, më 20 shtator. Katedralja e Notre Dame u hap zyrtarisht në fund të vitit të kaluar, kur liderët botërorë u mblodhën më 7 dhjetor 2024, për ceremoninë e shenjtërimit të katedrales ikonike, pesë vjet pas flakëve që e shkatërruan atë.

    Në ceremoni morën pjesë 1,500 të ftuar, përfshirë Zonjën e Parë të SHBA-së, Jill Biden, Presidentin e zgjedhur të asaj kohe, Donald Trump, Elon Musk, Princin William, Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe Kryeministren italiane Giorgia Meloni.

    Katedralja, një nga shembujt më të rëndësishëm të arkitekturës gotike në zemër të kryeqytetit francez, daton rreth vitit 1260 pas Krishtit dhe ka qëndruar në këmbë për më shumë se 850 vjet, duke mirëpritur më shumë vizitorë sesa Kulla Eiffel ose Luvri.

  • Izraeli reagon ashpër për njohjen e Palestinës nga Britania, Kanadaja dhe Australia

    Izraeli reagon ashpër për njohjen e Palestinës nga Britania, Kanadaja dhe Australia

    Ministria e Jashtme e Izraelit ka reaguar ashpër pas vendimit të Mbretërisë së Bashkuar për të njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës.

    Përmes një njoftimi, ministria e Jashtme izraelite tha se ky veprim është shpërblim për Hamasin xhihadist.

    “Njohja nuk është gjë tjetër veçse një shpërblim për Hamasin xhihadist – të inkurajuar nga Vëllazëria Myslimane e lidhur me të në Mbretërinë e Bashkuar. Vetë udhëheqësit e Hamasit e pranojnë hapur: kjo njohje është një rezultat i drejtpërdrejtë, “fryti” i masakrës së 7 tetorit. Mos lejoni që ideologjia xhihadiste të diktojë politikën tuaj”, thuhet në deklarimin e Ministrisë së Jashtme izraelite transmeton Klankosova.tv.

    Reagimi izraelit vjen pasi kryeministri britanik Keir Starmer, ai i Kanadasë dhe Australisë, shpallën zyrtarisht njohjen e shtetit palestinez.

    Starmer deklaroi se kjo lëvizje nuk është një shpërblim për Hamasin, pasi ata nuk do kenë asnjë rol në qeverisje dhe nuk do të ketë vend në sigurinë e shtetit palestinez.

    Britania, Kanadaja dhe Australia iu bashkohen më shumë se 140 vende të tjera në njohjen e Palestinës.

    Britania dhe Kanadaja u bënë vendet e para të grupit të G7-ës që ndërmorën këtë hap, ndërsa Franca dhe vende të tjera pritet të ndjekin shembullin e tyre gjatë Asamblesë së Përgjithshme vjetore të OKB-së, e cila nis të hënën në New York.

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, e ka kundërshtuar njohjen e shtetësisë palestineze nga vendet, duke thënë se kjo shpërblen terrorin e Hamasit dhe forcon refuzimin e grupit për të liruar pengjet.

  • Osmani ia thekson sekretarit të Ligës Arabe nevojën për mbështetje në procesit e njohjes së Kosovës

    Osmani ia thekson sekretarit të Ligës Arabe nevojën për mbështetje në procesit e njohjes së Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në New York të dielën me sekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, të cilit ia ka theksuar nevojën për mbështetjen e procesit të njohjes së Kosovës.

    “Në NeW York, zhvillova një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit. Theksova rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Ligës Arabe, si dhe nevojën për mbështetje në procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet anëtare të kësaj organizate që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap”, ka shkruar Osmani në Facebook. /ATVLIVE/

  • Mbretëria e Bashkuar dhe Australia njohin zyrtarisht Shtetin e Palestinës

    Mbretëria e Bashkuar dhe Australia njohin zyrtarisht Shtetin e Palestinës

    Menjëherë pas njohjes së Palestinës nga Kanadaja, dhe Mbretëria e Bashkuar, edhe Australia ka ndjekur shembullin.

    Në një deklaratë, kryeministri Anthony Albanese thotë se “Australia njeh aspiratat legjitime dhe të kahershme të popullit të Palestinës për një shtet të vetin”.

    Ai thotë se kjo vjen paralelisht me Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar që po bëjnë të njëjtën gjë.

    Letra e Albanese vazhdon: “Presidenti i Autoritetit Palestinez ka ripohuar njohjen e së drejtës së Izraelit për të ekzistuar dhe ka dhënë angazhime të drejtpërdrejta ndaj Australisë, duke përfshirë angazhimet për të mbajtur zgjedhje demokratike dhe për të miratuar reforma të rëndësishme në financa, qeverisje dhe arsim.

    “Organizata terroriste Hamas nuk duhet të ketë asnjë rol në Palestinë”.

  • Oficeri i FSK’së diplomon në SHBA

    Oficeri i FSK’së diplomon në SHBA

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se nëntogeri Enis Cikaqi ka përfunduar me sukses kursin “Air Defense Artillery Basic Officer Leader Course (ADA BOLC)” në Fort Sill, Oklahoma të ShBA, duke u bërë oficeri i parë nga Kosova që diplomon në këtë program.

    “Nëntoger Enis Cikaqi ka përfunduar me sukses kursin “Air Defense Artillery Basic Officer Leader Course (ADA BOLC)” në Fort Sill, Oklahoma të ShBA, duke u bërë oficeri i parë nga Kosova që diplomon në këtë program.”

    FSK thotë se kjo arritje përbën dëshmi të përkushtimit dhe profesionalizmit të oficerëve.

    “Kjo arritje përbën dëshmi të përkushtimit dhe profesionalizmit të oficerëve tanë, të cilët po përfaqësojnë denjësisht Republikën e Kosovës në programe ndërkombëtare të trajnimit ushtarak. Pjesëmarrja dhe suksesi i tyre në këto kurse të specializuara jo vetëm që forcon aftësitë individuale të oficerëve, por gjithashtu sjell përvojë të vlefshme për zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.”

    “Forca e Sigurisë së Kosovës është e përkushtuar në përkrahjen e oficerëve tanë në zhvillimin profesional dhe avancimin e standardeve të mbrojtjes dhe sigurisë së vendit.

  • Rubin: Shpresoj që me Thaçin t’i shtrëngojmë duart në liri

    Rubin: Shpresoj që me Thaçin t’i shtrëngojmë duart në liri

    15 shtatori shënoi një ditë tejet domethënëse për ish-krerët e UÇK-së që tashmë prej gati pesë vitesh po mbahen në Hagë.

    Në gjykatoren e Hagës, po jepte dëshminë i pari nga 11 dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, James Rubin.

    Detajet pas dëshminë së tij treditore, ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit i rrëfeu mbrëmë në Klan Kosova.

    Rubin, si fillim bëri të ditur se Thaçin nuk e kishte parë prej pesë viteve, madje sipas tij, as në gjykatore nuk kanë shkëmbyer asnjë fjalë, madje as nuk e kanë shikuar njëri-tjetrin.

    Megjithëse Rubin shtoi se Thaçin e kishte në mendje gjatë gjithë kohës që po dëshmonte.

    “Avokatët e tij, gjyqtarët ma kanë bërë shumë të qartë që nuk donin që unë të flisja me askënd për sa i përket dëshmisë gjatë kohës sa isha aty. Kjo është diçka e zakonshme”, tha Rubin.

    Tutje, Rubin tha se shpreson që ta shoh së shpejti Thaçin në liri dhe t’ia shtrëngojnë duart njëri-tjetrit, teksa procesin e Gjykatës Speciale dhe akuzat kundër Thaçit i quajti si të tmerrshme dhe të rremë.

    “Vërtetë shpresoj ta shoh së shpejti pasi të lirohet nga burgu, shpresoj që të jemi në gjendje t’ia shtrëngojmë duart njëri-tjetrit dhe do të më vinte shumë mirë që më është dhënë mundësia të ndihmoja në këtë kapitull të tmerrshëm në historinë politike të Kosovës. Akuzat kundër tij janë të rreme për dy arsye kryesore. E para nuk kishte zinxhir vertikal komandues në kuadër të UÇK-së që do t’ia mundësonte atij të jepte urdhra apo të merrte vendime. Edhe në atë masë që kishte zinxhir vertikal komandues udhëhiqej nga një njeri që quhej Gjeneral Çeku”, tha ish-diplomati amerikan.

    Por, ai shtoi se nëse Thaçi do të dënohet, Rubin tha se do të tmerrohej me këtë rezultat.

    “Mendoj se gjykata do të bënte vetë një dëm shumë të madh ndaj të drejtës ndërkombëtare sepse kur punoja për Madeleine Albright, kur e kishim themeluar Tribunalin për krime të luftës, në vitin 1993, të parin, ideja ishte që të caktohej faji individual, E jo të fajësohej bashkërisht njëra palë ose tjetra”.

    “Kjo është tash ajo që po ndodhë, të fajësohen Hashim Thaçi dhe liderët e tjerë të UÇK për gjërat që nuk kanë ditur dhe nuk mund të ishin përgjegjës, do të ishte fajësim kolektiv i shqiptarëve, kështu do të rritej dhuna. Andaj, duhet gjetur kryesit dhe të dënohen ata, ky është edhe qëllimi i sundimit të ligjit dhe këtyre tribunaleve”, tha ish-zyrtari i lartë amerikan.

    Derisa, sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale, Rubin tha se nuk mendon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë shteti kyç në nismën e saj.

    “Kanë qenë liderët evropianë që e donin këtë gjykatë, për të treguar se Kosova ishte duke ndjekur sundimin e ligjit. SHBA-të ndoshta e kanë mbështetur këtë ide, por nuk mendoj se kanë qenë motori shtytës i kësaj,” ka thënë Rubin.

    Rubin shtoi se themelimi i Speciales mund të ketë qenë gabim, si dhe shpreson për lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Rubin komentoi edhe fjalët e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, ku ky i fundit e pati kritikuar Gjykatën Speciale se “Thaçi është peng politik” i saj. Rubin tha se duke marrë parasysh vitet e shumta për aktakuzë, sipas tij, do të ishte më e lehtë dhe më e arsyeshme që Thaçi të mbrohej nga liria.

    Tutje, ai foli edhe për Kosovën, ku tha se për dallim nga intervenimet e tjera që Amerika i ka kryer në Afganistan, Irak e Libi, Kosova është storie suksesi.

    E krejt në fund të intervistës në Klan Kosova, Rubin tha se dëshmia e tij pro ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi në Hagë ishte privilegji i jetës së tij.

  • Presidenti turk Erdogan niset për në SHBA, thotë se do t’i diskutojë “masakrat” e Gazës në OKB

    Presidenti turk Erdogan niset për në SHBA, thotë se do t’i diskutojë “masakrat” e Gazës në OKB

    Presidenti turk, RecepTayyip Erdogan, ka thënë të dielën se do të ngrejë temën e “masakrave” të Izraelit në Rripin e Gazës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dhe ka shprehur shpresën se njohja më e gjerë e Palestinës do të përshpejtonte përpjekjet për një zgjidhje me dy shtete.

    Duke folur me gazetarët para se të nisej për në Nju Jork, Erdogan ka thënë se do të diskutojë bashkëpunimin në tregti dhe industrinë e mbrojtjes me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe se do të takohej gjithashtu me presidentin sirian, Ahmed al-Sharaa, gjatë udhëtimit të tij.

    Më 22 shtator, Kombet e Bashkuara do të rifillojnë Konferencën Ndërkombëtare të Nivelit të Lartë për Zgjidhjen Paqësore të Çështjes së Palestinës dhe Zbatimin e Zgjidhjes me Dy Shtete, të bashkëkryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite.

    Konferenca do të riafirmojë angazhimet ndërkombëtare ndaj zgjidhjes me dy shtete dhe do të kërkojë të mobilizojë mbështetje për zbatimin e saj.

  • Shqiptarja nga Kosova dënohet në Zvicër për mashtrim, shtatë burrave dhe një gruaje ua mori gati 1 milion franga

    Shqiptarja nga Kosova dënohet në Zvicër për mashtrim, shtatë burrave dhe një gruaje ua mori gati 1 milion franga

    Një grua 39-vjeçare me shtetësi zvicerano-kosovare është dënuar me katër vjet e gjysmë burg nga Gjykata e Qarkut në Baden, pasi mashtroi shtatë burra dhe një grua duke u marrë pothuajse 1 milion franga zvicerane.

    Sipas aktakuzës, ajo përdori gënjeshtra të qëllimshme për të marrë para, duke u justifikuar me paga të rreme ose nevoja urgjente, dhe premtonte se do t’i kthente shumat.

    Paratë i shpenzoi për lojëra fati, si dhe për artikuj luksi, përfshirë një orë Rolex, të cilën e raportoi si të vjedhur pasi e kishte lënë peng.“Kemi mbetur të habitur që keni arritur të merrni kaq shumë para. Është e pabesueshme,” u shpreh kryetari i trupit gjykues, sipas Aargauer Zeitung.

    Rasti është një tjetër shembull që tregon se Zvicra vazhdon të jetë e prekshme ndaj rasteve të mashtrimit individual.

  • Aksident me fatalitet në Gjakovë, vetura del nga rruga dhe përfundon në një restorant

    Aksident me fatalitet në Gjakovë, vetura del nga rruga dhe përfundon në një restorant

    Një aksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në rrugën Wesley Clark në Gjakovë, rreth orës 23:16.

    Sipas informacioneve zyrtare, viktima mashkull kosovar, ka qenë duke drejtuar automjetin e tij me targa vendore kur në një moment ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe ka dalë jashtë rrugës.

    Automjeti ka goditur një rrethojë metalike dhe ka përfunduar brenda hapësirës së një restoranti, ku si pasojë e përplasjes shoferi ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

    Vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkakun e këtij aksidenti tragjik.

  • Çitaku: Zgjedhjet e reja të pashmangshme, pritet të mbahen në fund të vitit 2025

    Çitaku: Zgjedhjet e reja të pashmangshme, pritet të mbahen në fund të vitit 2025

    Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, Vlora Çitaku, ka deklaruar se zgjedhjet e reja parlamentare janë të pashmangshme dhe sipas saj mund të mbahen kah fundi i vitit 2025.

    Në një intervistë për KosovaPress, Çitaku tha se kriza aktuale politike nuk mund të zgjidhet ndryshe, por paraprakisht duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për hapat që duhen ndërmarrë nga Kuvendi i Kosovës. Ajo shtoi se teknikisht është e pamundur që zgjedhjet të mbahen para përfundimit të balotazhit të zgjedhjeve lokale të tetorit.

    “Zgjedhjet e reja parlamentare janë bërë të pashmangshme. Është humbur shumë kohë. Zoti Kurti i ka humbur Kosovës jo vetëm këto muaj pa institucione, por edhe vite të tëra, duke vendosur popullizmin para qeverisjes së përgjegjshme dhe duke zgjedhur konfrontimin në vend të koordinimit me aleatët”, tha Çitaku.

    Kosova vazhdon të mos ketë institucione funksionale edhe tetë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke u ndaluar deputetëve të ndërmarrin hapa për formimin e qeverisë së re, pas ankesës së Listës Serbe lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit.

    Çitaku gjithashtu komentoi edhe procesin e konstituimit të Kuvendit, duke kujtuar se pavarësisht zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve, posti i nënkryetarit nga komuniteti serb mbeti vakant. Ajo tha se rregullorja e miratuar nga legjislatura e kaluar – kur Vetëvendosje kishte shumicën – parashikon votimin në pako të nënkryetarëve nga komunitetet jo-shumicë, dhe se kjo nuk nënkupton kushtëzim apo veto të Listës Serbe.

    Në lidhje me zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Çitaku shprehu bindjen se PDK-ja do të ruajë komunat që aktualisht udhëheq, duke paralajmëruar edhe fitore në komuna të tjera, përfshirë Prishtinën.

    Ajo u bëri thirrje të rinjve të ndjekin me vëmendje dëshminë e ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në procesin gjyqësor në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së.