ATV

Category: Lajme

  • Në Prishtinë shënohet aksion në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës

    Në Prishtinë shënohet aksion në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës

    Në Prishtinë sot do të organizohet një aksion me rastin e 31-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, pranë Kino Armatës në sheshin “Edit Durham”.

    11 Korriku shënon Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, një nga krimet më të rënda të kryera në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.

    Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë. Gjenocidi është njohur nga gjykatat ndërkombëtare dhe, që nga viti 2024, 11 Korriku është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

  • Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht me diell, por do të ketë ndopak vranësira.

    Ndërkaq, temperaturat do të variojnë nga 10 gradë deri në 25 gradë Celsius.

    “Mbi vendin tonë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta lokale”, thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 14°C, ndërsa maksimalet e ditës do të arrijnë 22 deri në 25°C”.

  • Haradinaj kujton viktimat e gjenocidit në Srebrenicë: Bashkëndjejmë me popullin e Bosnjës

    Haradinaj kujton viktimat e gjenocidit në Srebrenicë: Bashkëndjejmë me popullin e Bosnjës

    Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot viktimat e Srebrenicës. Haradinaj ka shkruar se mijëra njerëz të pambrojtur dhe pa asnjë faj kanë pësuar nga gjenocidi i ushtruar nga regjimi i Millosheviqit.

    “Si popull që kaluam të njëjtin ferr, bashkëndjejmë me popullin e Bosnjës dhe e kuptojmë dhembjen e tyre!”, ka shkruar Haradinaj.

    Postimi i plotë:

    Kujtojmë sot mijëra jetë të shuara në Srebrenicë nga aparati shtetëror i Millosheviqit.

    Njerëz të pambrojtur dhe pa asnjë faj, përfshirë fëmijë, gra e të moshuar, pësuan nga projektet shoviniste të realizuara përmes gjenocidit të ushtruar nga regjimi i Millosheviqit.

    Si popull që kaluam të njëjtin ferr, bashkëndjejmë me popullin e Bosnjës dhe e kuptojmë dhembjen e tyre!

    Qoftë i përjetshëm kujtimi për viktimat!

  • Vidhet kasaforta e xhamisë në Kaçanik, policia jep detaje

    Vidhet kasaforta e xhamisë në Kaçanik, policia jep detaje

    Persona të panjohur dyshohet se kanë vjedhur kasafortën e një xhamie në Kaçanik.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 10 korrik 2026, rreth orës 20:00, në rrugën “Ismail Raka” në Kaçanik.

    Imami i xhamisë, ka njoftuar policinë se persona të panjohur kanë hyrë në objekt dhe kanë vjedhur kasafortën e xhamisë.

    Policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

  • Rusia sulmon Kievin me raketa dhe dronë, 11 të plagosur – mes tyre edhe një fëmijë

    Rusia sulmon Kievin me raketa dhe dronë, 11 të plagosur – mes tyre edhe një fëmijë

    Rusia ka kryer një tjetër sulm masiv ajror ndaj Ukrainës gjatë natës, duke përdorur raketa balistike, raketa lundruese dhe qindra dronë sulmues, njoftuan autoritetet ukrainase.

    Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, ushtria ruse ka lëshuar gjashtë raketa balistike “Iskander”, katër raketa lundruese Kh-59/69, dy raketa kundër rrezatimit Kh-31 dhe 121 dronë sulmues.

    Sulmet ruse në kryeqytetin ukrainas, Kiev, kanë shkaktuar të paktën 11 persona të plagosur, përfshirë një fëmijë, si dhe zjarre në disa zona të qytetit.

    Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se qyteti ishte nën sulm me raketa balistike dhe u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në strehimore.

    “Raportet e para tregojnë për një goditje në një ndërtesë jo-rezidenciale në distriktin Sviatoshynskyi. Një nënstacion transformatorësh është përfshirë nga zjarri në distriktin Darnytskyi, ndërsa në Solomianskyi ka shpërthyer zjarr në një ndërtesë zyrash trekatëshe”, tha Klitschko.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se sulmet kanë dëmtuar ndërtesa banimi, zyra dhe një seminar fetar, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

    Sipas ushtrisë ukrainase, mbrojtja ajrore ka arritur të rrëzojë 111 dronë dhe dy nga raketat Kh-59/69 të përdorura gjatë sulmit.

    Ky sulm vjen vetëm disa ditë pas një tjetër bombardimi masiv rus ndaj Kievit, ku u vranë të paktën 30 persona dhe u goditën më shumë se 20 lokacione në kryeqytet. Klitschko e kishte cilësuar atë si “sulmin më masiv” ndaj Kievit.

    Ndërkohë, autoritetet lokale kanë bërë të ditur se sulmet ruse në rajonin lindor të Donetskut të premten kanë lënë të vrarë shtatë persona dhe kanë plagosur 21 të tjerë.

    Në kundërpërgjigje ndaj sulmeve ruse, Ukraina ka intensifikuar goditjet ndaj sektorit energjetik të Rusisë, duke synuar rafineri, depo dhe objekte të tjera të naftës.

    Sulmet ukrainase kanë shkaktuar probleme me furnizimin me karburant në disa zona të Rusisë dhe territoret e pushtuara, me radhë të gjata në pikat e karburantit dhe rritje të çmimeve.

    Presidenti Zelenskyy tha se forcat ukrainase gjatë javës kanë goditur një rafineri nafte në Omsk, si dhe objekte energjetike në disa rajone ruse.

    Megjithatë, komandanti i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka paralajmëruar se një kthesë vendimtare në luftën kundër Rusisë mbetet ende larg, duke theksuar se Moska nuk ka hequr dorë nga synimet për pushtimin e plotë të rajoneve Luhansk dhe Donetsk.

  • Berlin: Gruaja mbahet peng për 11 orë në një supermarket, arrestohet agresori

    Berlin: Gruaja mbahet peng për 11 orë në një supermarket, arrestohet agresori

    Policia gjermane i ka dhënë fund një situate pengmarrjeje në një supermarket në Berlin, ku një grua ishte mbajtur peng për rreth 11 orë e 20 minuta. I dyshuari është arrestuar pas ndërhyrjes së forcave speciale.

    Ngjarja përfundoi rreth orës 09:20 të së shtunës, kur njësitë speciale të policisë hynë në objekt dhe neutralizuan personin e dyshuar me një armë elektrike “Taser”, para se ta arrestonin.

    Sipas mediave gjermane, një arkëtare e supermarketit ishte mbajtur peng nga një burrë, i cili dyshohet se e kishte kërcënuar me thikë pasi kishte hyrë në dyqan rreth orës 22:00 të së premtes.

    Gjatë gjithë operacionit, zona përreth supermarketit ishte rrethuar nga policia, ndërsa në vendngjarje ishin angazhuar forca speciale, ambulanca, zjarrfikës dhe një numër i madh i automjeteve policore.

    Negociatorët e policisë kishin qenë në kontakt të vazhdueshëm me pengmarrësin gjatë përballjes, ndërsa ende nuk është bërë e ditur nëse ai dhe gruaja njiheshin mes vete.

    Punonjësit e tjerë që ndodheshin brenda supermarketit në momentin e nisjes së incidentit kanë arritur të largohen pa u lënduar dhe janë asistuar nga shërbimet emergjente.

    Një punonjës i supermarketit ka deklaruar për gazetën gjermane “Bild” se personi i dyshuar kishte qenë fillimisht te arka dhe më pas kishte nxjerrë një thikë. Megjithatë, policia nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë dëshmi.

    Hetimet për rastin po vazhdojnë.

  • Shtrenjtohet nafta, MINT-i publikon çmimet e derivateve

    Shtrenjtohet nafta, MINT-i publikon çmimet e derivateve

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës, të cilat hyjnë në fuqi nga ora 10:00 e ditës së sotme.

    Sipas vendimit të ri, çmimi maksimal i lejuar për një litër naftë është 1.49 euro.

    Ndërkohë, çmimi maksimal për benzinën është përcaktuar në 1.38 euro për litër, ndërsa për gazin në 0.61 euro për litër.

    Këto çmime do të vlejnë deri në vendimin e radhës nga MINT për përcaktimin e çmimeve maksimale të lejuara të derivateve.

  • Deficiti tregtar u rrit me 4%, ekonomistët kërkojnë mbështetje urgjente për prodhuesit vendorë

    Deficiti tregtar u rrit me 4%, ekonomistët kërkojnë mbështetje urgjente për prodhuesit vendorë

    Rritja e deficitit tregtar të Kosovës gjatë muajit maj 2026 po konsiderohet si pasojë e mungesës së mbështetjes institucionale për sektorin privat, kostove të larta të prodhimit dhe orientimit gjithnjë e më të madh të ekonomisë drejt importeve. Njohësit e ekonomisë, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, dhe ekonomisti Bashkim Mustafa, vlerësojnë se pa politika konkrete për stimulimin e prodhimit vendor dhe eksportit, vendi do të vazhdojë të thellojë varësinë nga importi.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), deficiti tregtar në muajin maj 2026 u rrit për 4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 544.4 milionë euro, nga 523.4 milionë euro sa ishte në maj 2025. Eksportet mbuluan vetëm 14.7 për qind të importeve.

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online tha se sektori privat po përballet me sfida të shumta, ndërsa sipas tij mungon mbështetja institucionale dhe promovimi i prodhimeve vendore.

    “Sektori privat është duke u ballafaquar me sfida të shumta. Në rend të parë, mungon një mbështetje institucionale, qoftë në mënyrë direkte, qoftë indirekte. Në rend të dytë, kemi një vakum diplomatik, ku vërtet, në vend që të promovohen vlerat e prodhimeve dhe shërbimeve ‘Made in Kosova’, ata merren me zgjedhje dhe me agjenda politike. Dhe, definitivisht, situata aktuale në Kosovë është më se shqetësuese, gjë që rëndohet edhe nga fakti që Kosova çdo ditë e më tepër po e vulos fatin e dënimit për të qenë shtet i varur nga importi. Prandaj, është krijuar ky luks që ne mund të jetojmë nga importi. Nuk kemi një trajtim të mirëfilltë për të promovuar prodhimet dhe shërbimet vendore. Fati i diplomacisë ekonomike në Kosovë shumë më tepër ka mbetur në dorë të bizneseve sesa në dorë të institucioneve dhe kjo është vërtet goditja më e madhe”, tha ai.

    Gërxhaliu tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe problemet me furnizimin kanë ndikuar drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e prodhimeve kosovare.

    “Prandaj, nuk duhet të na habisë fakti që sot jemi vërtet një shoqëri e varur, ku krahas importit të produkteve, importojmë edhe inflacion të heshtur. Dhe kur krejt kësaj i shtohet fakti që me ngritjen e çmimit të energjisë dhe me këtë mungesë që po ndodh sa i përket furnizimit me energji elektrike, prodhimet dhe shërbimet e Kosovës kanë rënë në konkurrencë dhe nuk janë konkurrente në tregjet evropiane. Është vërtet shqetësimi më i madh. Këtë e thotë diaspora, e cila në të kaluarën është furnizuar me shumë prodhime ‘Made in Kosova’, por tani, falë krejt kësaj që është duke ndodhur në Kosovë, prodhimet e Kosovës nuk janë konkurrente në tregun evropian. Ata furnizohen nga Polonia, Hungaria, Bullgaria, Spanja e Portugalia e jo nga Kosova. Prandaj duhet vërtet të jenë të orientuar në mbështetje ekonomike të sektorit privat, mbështetje të sektorit prodhues dhe vetëm atëherë mund të kemi trende pozitive që mund të ndikojnë në përmirësimin e bilancit të pagesave. Kur krejt kësaj i shtohet fakti që sot nuk kemi investitorë të huaj apo fare pak investime nga diaspora, besoj që është një momentum që duhet të na orientojë më tepër për stabilitet politik, për diplomaci ekonomike dhe për tërheqjen e investitorëve apo investimeve të huaja, qoftë nga diaspora, qoftë nga brendet ndërkombëtare”, u shpreh ai.

    Duke folur për rritjen e importeve, përfshirë edhe ato nga Serbia, ai tha se bizneset udhëhiqen nga logjika ekonomike.

    “Jo vetëm nga Serbia, rritja e importit është vërtet evidente nga viti në vit. Në këtë drejtim duhet të kuptohet që në një biznes emocionet janë dytësore, racionaliteti ekonomik dhe kalkulimet janë vendimtare. Vetë fakti që i njëjti mall i importuar nga Austria apo Gjermania koston e transportit e ka 2 mijë e 800 deri në 3 mijë euro, ndërsa i njëjti prodhim nga Serbia e ka vetëm 500 euro, është arsyeja e parë. E dyta, mos harroni që brendet më të mëdha evropiane janë të fokusuara dhe të orientuara në përfaqësitë e tyre në Serbi. Në këtë drejtim, kur analizohet struktura e prodhimeve, shumë pak janë prodhime njëqind për qind serbe. Janë shumë më tepër brende evropiane dhe ndërkombëtare që janë aktive në Serbi dhe ato produkte, qoftë si finale, qoftë si gjysmëprodukte, të cilat inkorporohen në prodhimet kosovare, janë të importuara. T’i thuash dikujt që ne importojmë lëndë të parë për mobileri, kur mobilerinë e kemi sektorin më të zhvilluar, apo që importojmë lëndë të parë për paketimin e pijeve freskuese apo pijeve energjetike dhe shumë gjysmëprodukte të tjera që inkorporohen në prodhimin final në Kosovë, është realitet i kohës. Mirëpo, besoj që në aspektin e partneritetit rajonal ne duhet shumë më tepër të bëjmë në drejtim të fuqizimit të prodhimit vendor dhe jo gjithmonë të jemi ata që në emër të patriotizmit e kalkulojnë kah importon lëndë të parë dhe prodhime biznesi kosovar”, theksoi Gërxhaliu, për Ekonomia Online.

    Edhe ekonomisti Bashkim Mustafa e lidh rritjen e deficitit tregtar me mungesën e politikave që mbështesin prodhimin vendor.

    “Mungesa e politikave të duhura dhe adekuate për të stimuluar bizneset vendore dhe për të përkrahur prodhimin vendor ka bërë që tregtarët dhe bizneset ta kenë më të lehtë të blejnë dhe të importojnë produkte sesa të prodhojnë dhe të zgjerojnë zinxhirin e prodhimit. Pse ndodh kjo? Sepse kostot operative të bizneseve janë rritur. Janë rritur çmimet e energjisë elektrike, është rritur kostoja e fuqisë punëtore dhe është rritur çmimi i derivateve në muajt e fundit. Kjo bën që bizneset e Kosovës të mos jenë konkurruese me ato të huaja. Ato fitojnë më lehtë dhe më shumë duke importuar mallra dhe shërbime sesa duke prodhuar. Për eksport, pothuajse nuk mund të flitet”, deklaroi Mustafa.

    Ai shtoi se qeveria e ardhshme duhet ta ketë prioritet krijimin e politikave fiskale që ndihmojnë prodhuesit dhe eksportuesit.

    “Hapat e parë të qeverisë së ardhshme, kushdo që ta formojë atë, duhet të jenë një analizë e mirëfilltë e gjendjes së bizneseve dhe krijimi i politikave të duhura fiskale, të cilat do t’i stimulojnë bizneset prodhuese dhe ato që kanë potencial eksporti. Këto biznese duhet të mbështeten dhe subvencionohen në forma të ndryshme, qoftë përmes uljes së kostos së energjisë elektrike, qoftë përmes subvencionimit të kostos së fuqisë punëtore. Duhet të gjenden politika të duhura, në mënyrë që të shpëtohen edhe këto pak biznese prodhuese që kanë mbetur në vend”, tha Mustafa.

    Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në maj 2026 arriti në 94.1 milionë euro, ndërsa importi në 638.6 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, eksportet u rritën për 15.7 për qind, ndërsa importet shënuan rritje prej 5.6 për qind.

    Tregtia e jashtme e Kosovës në maj 2026 u karakterizua me rritje të deficitit tregtar, ndërsa eksportet vazhduan të mbulojnë vetëm një pjesë të importeve.

    “Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një rritje të deficitit tregtar prej 4,0 % në muajin maj 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 544,4 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 523,4 milion Euro në vitin 2025. Eksporti mbulon importin me 14,7 %”, njoftoi Agjencia e Statistikave e Kosovës.

    Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në muajin maj 2026 kishte vlerën 94,1 milionë euro, ndërsa importi 638,6 milionë euro – që është një rritje prej 15,7% për eksport, si dhe një rritje prej 5,6% për import – duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

  • Kurti pyetet për një mandat të ri të Vjosa Osmanit: Presidenti duhet të jetë figurë konsensuale, fokusi nuk është te emrat

    Kurti pyetet për një mandat të ri të Vjosa Osmanit: Presidenti duhet të jetë figurë konsensuale, fokusi nuk është te emrat

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së presidentit të ardhshëm duhet të zhvillohet në përputhje me frymën dhe germën e Kushtetutës, duke theksuar se kreu i shtetit duhet të jetë një figurë që përfaqëson unitetin dhe gëzon mbështetje sa më të gjerë politike.

    Pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, Kurti u pyet nëse është diskutuar mundësia e një mandati të ri për Osmanin, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ai nuk komentoi për emra konkretë, duke thënë se diskutimet aktualisht janë përqendruar në sigurimin e konsensusit të nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.

    “Fryma dhe germa e Kushtetutës është për president që është shprehje e unitetit të popullit dhe që, në këtë kuptim, duhet të jetë konsensual”, tha Kurti.

    Sipas tij, sfida kryesore është sigurimi i numrit të nevojshëm të deputetëve në seancën ku do të votohet presidenti, pasi kërkohen së paku 80 deputetë të pranishëm.

    “Përqendrimi ynë nuk ka qenë tash për emrat e përveçëm për president, por për konceptin e përparimeve, për vizionin përpara dhe për atë se çfarë duhet të bëjmë strategjikisht që ta maksimizojmë numrin e deputetëve të cilët duhet të jenë së paku dy të tretat në ditën vendimtare kur do të vihet çështja e zgjedhjes së presidentit”, u shpreh ai.

    Kurti përmendi se në diskutimet e mëhershme janë përmendur edhe emra të tjerë për këtë pozitë, si Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti, por theksoi se sigurimi i kuorumit dhe mbështetjes së nevojshme mbetet çështja kryesore.

    Ai tha se procesi duhet të synojë një figurë presidenciale që mund të marrë mbështetje sa më të gjerë politike dhe të kontribuojë në stabilitetin institucional.

  • Qeveria mban mbledhje – I ndan mbi 2.2 milionë euro për RTK’në

    Qeveria mban mbledhje – I ndan mbi 2.2 milionë euro për RTK’në

    Qeveria në detyrë e Kosovës, ditën e sotme ka mbajtur mbledhje elektronike ku ka marrë vendim për miratimin e kërkesës për alokimin e ndarjeve buxhetore në shumë prej dy milionë e dyqind e dyzet mijë euro për Radio Televizionin e Kosovës.

    Komunikata:

    Mbledhja e 27-të e Qeverisë

    Prishtinë, 10 korrik 202

    Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka:

    – Miratuar kërkesën për alokimin e ndarjeve buxhetore në shumë prej 2,240,000 € (dy milionë e dyqind e dyzet mijë euro) për Radio Televizionin e Kosovës.

    – Miratuar kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve në shumën prej 48,216.57 € (dyzetetetë mijë e dyqindegjashtëmbëdhjetë euro e pesëdhjetë e shtatë centë), të transferuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës, për Ndërmarrjen Shoqërore NSH. “Magjistrala”.

    Kurti për bisedat me Abdixhikun: Ndërmarrje e gjerë, po flasim për parime, orare e funksione, do kohë për realizim
    Read more