ATV

Category: Lajme

  • Rregullatori i barnave i BE-së: Paracetamoli është i sigurt për t’u përdorur gjatë shtatzënisë

    Rregullatori i barnave i BE-së: Paracetamoli është i sigurt për t’u përdorur gjatë shtatzënisë

    Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha të martën se nuk ka prova të reja që do të kërkonin ndryshime në rekomandimet aktuale të rajonit për përdorimin e paracetamolit, i njohur si Tylenol në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë shtatzënisë.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, të hënën lidhi autizmin me përdorimin e vaksinave të fëmijërisë dhe marrjen e ilaçit të njohur kundër dhimbjeve, Tylenol, nga gratë gjatë shtatzënisë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Kësisoj, ai e ngriti në qendër të politikës shëndetësore të SHBA-së një pretendim që nuk mbështetet nga prova shkencore.

    “Provat e disponueshme nuk kanë gjetur asnjë lidhje mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe autizmit”, tha EMA në një deklaratë për Reuters.

    Agjencia shtoi se paracetamoli mund të përdoret gjatë shtatzënisë kur është i nevojshëm, por gjithmonë në dozën dhe shpeshtësinë më të ulët efektive./REL

    LEXONI EDHE:

    Trump u kërkon grave shtatzëna të shmangin paracetamolin, shkak dyshimet se shkakton autizëm

  • Trump u kërkon grave shtatzëna të shmangin paracetamolin, shkak dyshimet se shkakton autizëm

    Trump u kërkon grave shtatzëna të shmangin paracetamolin, shkak dyshimet se shkakton autizëm

    Mjekët në SHBA së shpejti do të këshillohen të mos përshkruajnë ilaçin për dhimbje Tylenol për gratë shtatzëna, deklaroi presidenti Donald Trump, duke përmendur një lidhje të diskutueshme mes ilaçit dhe autizmit. Ai tha se gratë duhet ta përdorin vetëm për temperatura të larta ekstreme.

    Ekspertët mjekësorë, përfshirë Steven Fleischman, president i Kolegjit Amerikan të Gjinekologëve-Obstetrëve, kundërshtuan deklaratat, duke thënë se nuk ka prova shkencore të forta që lidhin përdorimin e acetaminofeinit (paracetamolit) me probleme zhvillimore tek fëmijët. Paracetamoli mbetet ilaçi më i sigurt për shtatzëna sipas grupeve mjekësore dhe qeverive botërore, shkruan BBC.

    Prodhuese e Tylenol-it, Kenvue, theksoi se shkenca nuk tregon lidhje midis acetaminofeinit dhe autizmit, duke paralajmëruar për rreziqet e kufizimit të opsioneve të sigurta për lehtësimin e dhimbjeve.

    Trump bëri njoftimin në Zyrën Ovale së bashku me Sekretarin e Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., i cili tha se FDA do të lëshojë udhëzime për mjekët dhe do të rishikojë etiketën e ilaçit. Kennedy njoftoi gjithashtu se FDA do të aprovojë përdorimin e leucovorin-it për fëmijët me autizëm, bazuar në studime të hershme që tregojnë përfitime në përmirësimin e komunikimit verbal.

    Në gusht, një rishikim i kërkimeve i udhëhequr nga dekan i Chan School of Public Health, Universiteti i Harvardit, gjeti se fëmijët mund të jenë më të prirur për të zhvilluar autizëm dhe çrregullime të tjera neurozhvillimore kur ekspozohen ndaj Tylenol-it gjatë shtatzënisë. Studiuesit sugjeruan që të merren disa hapa për të kufizuar përdorimin e ilaçit, por thanë se ai mbetet i rëndësishëm për trajtimin e temperaturës dhe dhimbjeve tek nënat, të cilat gjithashtu mund të kenë efekte negative tek fëmijët.

    Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se kërkimet janë në faza të hershme dhe nuk ka konkluzione të qarta. Studime të tjera kanë treguar se përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë nuk lidhet në mënyrë të sigurt me autizmin, ADHD ose paaftësi intelektuale.

    Diagnozat e autizmit kanë rritur që nga 2000, me një shkallë prej 2.77 për qind tek fëmijët 8-vjeçarë në 2020 (CDC). Shkencëtarët e atribuojnë rritjen pjesërisht vetëdijes më të madhe dhe zgjerimit të definicionit të çrregullimit. Kennedy më parë ka promovuar teori të debatuara, duke fajësuar vaksinat, pa prova.

  • Punonjëses së OSBE-së që akuzohet për spiunazh i vazhdohet paraburgimi edhe për 2 muaj

    Punonjëses së OSBE-së që akuzohet për spiunazh i vazhdohet paraburgimi edhe për 2 muaj

    Punonjëses së misionit të OSBE-së në Kosovë, e akuzuar si spiune e Serbisë, Jelena Gjukanoviq, i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj.

    “Nga gjyqtari jemi njoftuar se ndaj të pandehurës J.Gj. është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Kohën.

    Në seancën e shqyrtimit fillestar avokati i Gjukanoviqit ka kërkuar që masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak, që që ishte kundërshtuar nga prokurori i rastit.

    Në seancën fillestare Gjukanoviq është deklaruar e pafajshme.

    Prokuroria Speciale e akuzon atë se ka kryer veprën penale deri në momentin e arrestimit të saj, në shkurt të këtij viti.

    Sipas aktakuzës, Gjukanoviq si zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë me vetëdije të plotë ka kryer veprime të përsëritura duke përcjellë informacione të dokumentuara për agjentin rezident të BIA-së, Aleksandër Vllajiq, të cilat informacione pastaj janë transmetuar te zyrtarët e lartë të BIA-s.

    Përveç komunikimeve me të dënuarin për spiunazh, Aleksandër Vllajiq, në aktakuzë thuhet se Gjukanoviq ka komunikuar edhe me zyrtarë të tjerë të BIA-s serbe.

    Ajo akuzohet se ka ndihmuar edhe në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të Kosovës.

    Gjukanoviq është arrestuar më 28 shkurt të këtij viti, nën akuzën se ka shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme tek Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Serbisë.

  • Edhe një i arrestuar për “ndihmë në detyrim” në rastin e familjes Gërbeshi në Vushtrri

    Edhe një i arrestuar për “ndihmë në detyrim” në rastin e familjes Gërbeshi në Vushtrri

    Është arrestuar edhe një person për “ndihme në detyrim”, e që ka të bëjë me rastin e operacionit të madh policor që ndodhi të dielën në Vushtrri.

    Rasti ka të bëjë me familjen Gërbeshi.

    “Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se është arrestuar një person me iniciale Rr.M., pasi i njëjti dyshohet që në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Ndihmë në detyrim”, duke ndihmuar personat e arrestuar dy ditë më parë në operacionin në Vushtrri, në kryerjen e veprës penale”, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Duncan pyetet për Xhavit Halitin: Kemi hyrë në një zonë të ndjeshme, ky person kishte interes të veçantë për ne

    Duncan pyetet për Xhavit Halitin: Kemi hyrë në një zonë të ndjeshme, ky person kishte interes të veçantë për ne

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me dëshminë e John Duncan.

    Në fillim të dëshmisë, atij i është lëshuar një video e një takimi që ishte mbajtur në mes komandantëve të zonave dhe persona të tjerë nga UÇK-ja ku zhvilloheshin negociatat për Marrëveshjen e Demilitarizimit.

    Në pamje është shfaqur Xhavit Haliti, teksa dëshmitari është pyetur se a e njeh këtë person.

    “Zotëri kryegjykatës jemi futur në një pjesë të ndjeshme. Unë e di kush është ky zotëri. Ai ishte një person me interes të veçantë për ne, por nuk jam i sigurtë nëse jam i përgatitur ose i gatshëm të tregoj se kush është ky person”, tha Duncan.

    “Ky nuk është personi që mua më kanë thënë që ka qenë Xhavit Haliti në Tiranë, në takimin në Tiranë”, vazhdoi tutje ai.

    I pyetur se a e di se a ka qenë komandant zone Haliti, dëshmitari Duncan kërkoi që të kalohet në seancë private.

  • Formimi i qeverisë së re, Kurti nuk tregon nëse ka siguruar votat

    Formimi i qeverisë së re, Kurti nuk tregon nëse ka siguruar votat

    Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka pranuar të përgjigjet nëse ka siguruar votat për formimin e qeverisë së re.

    Kurti pasi përuroi Poliklinikën Specialistike në Podujevë nuk u përgjigj në pyetjet e gazetarëve se ka pasur ndonjë takim me liderët e partive parlamentare për të siguruar shumicën parlamentare.

    Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
    Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re, pas ankesës së Listës Serbe, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.

    Ankesa e tyre erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.
    Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, ndërkaq dhjetë deputetët e komunitetit serb nuk arritën të sigurojnë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post, përfshirë edhe deputetin Nenad Rashiq.
    Kësisoj deputetët e Kuvendit kanë zgjedhur kryetarin, Dimal Basha si dhe katër nënkryetarë, por jo edhe nënkryetarin nga komuniteti serb. Përkundër kësaj, kryeparlamentari Basha ka mbyllur seancën konstituive.

  • Malta njeh Palestinën, Belgjika vendos njohje të kushtëzuar

    Malta njeh Palestinën, Belgjika vendos njohje të kushtëzuar

    Kryeministri i Maltës, Robert Abela, thanë Asamblenë e Përgjithshme se vendi i tij po njeh gjithashtu shtetësinë palestineze.

    “Më lejoni të filloj duke deklaruar qartë dhe pa mëdyshje se Republika e Maltës është krenare që konfirmon njohjen tonë zyrtare të shtetësisë palestineze”.

    Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, poashtu tha se vendi i tij po u bashkohet kombeve të tjera në njohjen e shtetit palestinez për t’i dhënë botës një “sinjal të fortë politik dhe diplomatik”.

    Por, ai shtoi se njohja ligjore e një shteti palestinez mund të vazhdojë vetëm “pasi të jenë liruar të gjithë pengjet dhe të gjitha organizatat terroriste si Hamasi të jenë larguar nga qeverisja e Palestinës”, ka shkruar gazeta Guardian.

    Marrëdhëniet diplomatike do të kryhen sapo të arrihen objektivat e Deklaratës së Nju Jorkut.

  • Emisioni i Jimmy Kimmelit rikthehet të martën, njofton Disney

    Emisioni i Jimmy Kimmelit rikthehet të martën, njofton Disney

    Emisioni i komedianit Jimmy Kimmel, i cili u ndërpre papritur javën e kaluar, do të rikthehet të martën, ka njoftuar kompania Disney.

    Ndërprerja e befasishme e programit në televizionin ABC, që është në pronësi të Disney-t, ndodhi pas ankesave të qarqeve konservatore për komentet e Kimmelit pas vrasjes së aktivistit konservator, Charlie Kirk.

    “Të mërkurën e kaluar morëm vendimin të ndalonim prodhimin e emisionit, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës së tensionuar në një moment emocional për vendin tonë. Kjo ishte një vendim i marrë pasi vlerësuam se disa nga komentet ishin të papërshtatshme dhe të pandjeshme”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

    “Në ditët e fundit kemi zhvilluar biseda të kujdesshme me Jimmyn dhe pas tyre kemi marrë vendimin që programi të kthehet të martën”, thuhet më tej në deklaratë.

    Kimmel bëri disa deklarata lidhur me reagimet ndaj vrasjes së aktivistit konservator, gjatë emisionit “Jimmy Kimmel Live”, përfshirë edhe deklaratën se “shumë njerëz në botën MAGA [Bëje Amerikën Sërish Madhështore] po punojnë shumë për të përfituar nga vrasja e Charlie Kirkut”.

    ABC, që e transmeton emisionin e Kimmelit që nga viti 2003, mori vendimin pasi grupi Nextar Communications, që ka në pronësi një numër stacionesh, tha se do të ndalte transmetimin e emisionit nga e mërkura.

    Deklaratat e Kimmelit për vdekjen e Kirkut “janë fyese, të pandjeshme dhe janë bërë në një moment kritik të diskutimit tonë politik kombëtar”, tha Andrew Alford, president i divizionit të transmetimeve në Nextar, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Nextar operon me 23 stacione të lidhura me ABC-në.

    Njoftimi i ABC-së se Jimmy Kimmel do të rikthehet në ekran erdhi vetëm disa orë pasi qindra yje nënshkruan një letër në mbrojtje të humoristit të njohur.

    Jennifer Aniston, Meryl Streep dhe Robert De Niro janë mes emrave më të mëdhenj që e kanë quajtur pezullimin e Kimmelit një “moment të errët për lirinë e fjalës në vendin tonë”./REL

  • Osmani takohet me Ruge: Kosova e përkushtuar për anëtarësim në NATO

    Osmani takohet me Ruge: Kosova e përkushtuar për anëtarësim në NATO

    Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani po vazhdon takime me përfaqësues të lartë në ShBA.

    Osmani ka shkruar se në Nju Jork është takuar me ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge, për çka tha se gjatë këtij takimi ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.

    “Gjatë takimit, ritheksova mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në vendin tonë, si dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike”, ka shkruar ajo.

     

  • Aksident me fatalitet, dy të vdekur në Zajm të Klinës

    Aksident me fatalitet, dy të vdekur në Zajm të Klinës

    Dy persona kanë mbetur të vdekur dhe dy të lënduar si pasojë e një aksidenti të ndodhur në rrugën Pejë-Prishtinë.

    Aksidenti ka konkretisht në Zajm të Klinës.

    Lajmin e ka konfirmuar Fadil Gashi, zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës.

    Aksidenti ka ndodhur rreth orës 5 të mëngjesit, ndërsa kanë qenë të përfshirë një kamion transportues, një kombi dhe një veturë.

    “Dy të lënduarit po trajtohen në spitalin rajonal të Pejës”, konfirmoi Gashi.