ATV

Category: Lajme

  • Budakova: Do të ndërtojmë një kampus shkollor në Lipjan

    Budakova: Do të ndërtojmë një kampus shkollor në Lipjan

    Ndërtimin e një kampusi shkollor premtoi kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bashkim Ramosaj, për Komunën e Lipjanit.

    “E përmenda arsimin si prioritet, sepse arsimi në komunën tonë ka çaluar në shumë drejtime. Përmirësimi i infrastrukturës shkollore është paraparë me ndërtimin e një kampusi shkollor për të eliminuar problemet që i ka arsimi në komunën tonë,” deklaroi Budakova.

    Bursa për nxënës dhe studentë të dalluar është një tjetër prioritet i Budakovës.

    Kandidati i AAK-së premtoi edhe përmirësim të infrastrukturës në Lipjan.

    “Infrastrukturë – përmirësimi i rrugëve, investim në ujësjellës dhe kanalizim,” tha Budakova.

    Budakova premtoi po ashtu shtimin e parqeve dhe këndeve të lojërave.

    Për më shumë detaje, klikoni videon më poshtë.

  • Bytyqi: Do të mundohemi të krijojmë dy kompani publike

    Bytyqi: Do të mundohemi të krijojmë dy kompani publike

    Dy kompani publike premtoi të krijohen kandidati, Ardian Bytyqi nga Guxo.

    “Do të mundohemi të krijojmë dy kompani publike: ajo e transportit urban dhe për menaxhimin e mbeturinave,” u zotua Bytyqi.

    Prioritet i pretendentit për të parin e Lipjanit është edhe arsimi.

    “Kemi paraparë që dy shkolla pilot projekt të jenë në Lipjan, ajo në qendër të Vëllezërit Frashëri dhe Ismail Luma, shkolla me maksimum 24 nxënës dhe vetëm në një ndërrim. Praktikë me pagesë për studentët e profileve të ndryshme, çerdhe në disa fshatra ku mungojnë ose janë të vogla,” tha Bytyqi.

    Sa i përket sektorit të shëndetësisë, sipas Bytyqit, prioritet do të jetë Qendra satelit për pacientët me hemodializë.

    Kandidati i Listës Guxo ndër të tjera premtoi edhe fuqizim të subvencioneve në bujqësi.

    Për më shumë detaje, klikoni videon më poshtë.

  • Ilir Qeriqi kandiatat për kryetar të Lipjanit premton ujë të pijshëm 24/7

    Ilir Qeriqi kandiatat për kryetar të Lipjanit premton ujë të pijshëm 24/7

    Furnizim me ujë të pijshëm 24/7 u zotua të sigurojë për qytetarët kandidati për të udhëhequr Lipjanin në 4 vitet e ardhshme, Ilir Qeriqi nga subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje.

    “Menaxhimi i ujërave të zeza, transformimi urban i qytetit si dhe zhvillimi lokal dhe fuqizimi i bujqësisë përmes subvencioneve.” janë disa nga premtimet tjera të Qeriqit.

    Qeriqi u zotua po ashtu edhe për përmirësim dhe rritje të shërbimeve shëndetësore.

    “Sigurim i mjekut familjar, me investime në digjitalizim, me vizita në shtëpi dhe çdo shtatzënë dhe lehonë do të ketë vizita shëndetësore. Do të tentohet që komuna të ketë para edhe për barna për pensionistët në nevojë.” deklaroi kandidati i VV-së.

    Në fokus të programit qeverisës është edhe arsimi.

    Zhvillimi i platformave digjitale, depolitizimin, pilotimin e mësimit gjithëditor, përmirësim të kushteve dhe siguria në shkolla” tha Qeriqi.

    Për më shumë detaje, klikoni videon më poshtë.

  • Buja: Do ta depolitizojmë dhe digjitalizojmë arsimin

    Buja: Do ta depolitizojmë dhe digjitalizojmë arsimin

    Depolitizim dhe digjitalizim të arsimit premton kandidati për kryetar të Komunës së Lipjanit nga Partia Demokratike e Kosovës, Shukri Buja.

    “Kemi arsimin, i cili do të digjitalizohet me tabela ‘smart’ dhe me ‘editarin’. Do të ndërtojmë shkolla dhe do të zgjerojmë rrjetin e çerdheve,” deklaroi Buja.

    Prioritet tjetër i kandidatit nga PDK është edhe riorganizimi i sistemit shëndetësor.

    “12 njësitë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare janë në kaos dhe mosfunksionimi i Qendrave të Mjekësisë Familjare në Magurë, Shalë dhe Sllovi, të cilat nuk funksionojnë 24 orë, po e mbingarkon emergjencën në Lipjan,” tha Buja.

    Një tjetër prioritet i Bujës është edhe sporti.

    “Ndërtimi i stadiumit në qytet është bërë jashtë normave të FIFA-s. Do të duhet të rikthehet me bar natyral dhe jo sintetik,” thekson kandidati Buja.

    Për më shumë detaje, klikoni videon më poshtë.

  • Policia kap mallra të kontrabanduara mbi 35 mijë euro në Han të Elezit

    Policia kap mallra të kontrabanduara mbi 35 mijë euro në Han të Elezit

    Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës në zonën kufitare të Hanit të Elezit, duke sekuestruar mallra në vlerë prej mbi 35 mijë euro.

    Rasti ka ndodhur rreth orës 16:30, kur njësitë patrulluese kanë hasur një furgon që kishte hyrë ilegalisht nga Maqedonia e Veriut përmes rrugëve malore. Shoferi i dyshuar, ende i paidentifikuar, braktisi automjetin dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

    Në automjet u gjetën mjete pune, motosharra, motor 4×4 për fëmijë, si dhe sasi të konsiderueshme tekstili, bizhuterish dhe veshmbathjesh të markave të njohura si Adidas, Nike, Louis Vuitton, Versace e të tjera.

    Policia njoftoi se automjeti kishte targa të falsifikuara dhe dokumentacion të parregullt. Me urdhër të prokurorit, rasti është proceduar si “kontrabandim me mallra”, ndërsa mallrat e sekuestruara janë dërguar në terminalin doganor për verifikim.

    Njoftimi i plotë:

    Njësitë patrulluese të Drejtorisë Rajonale Kufitare – Lindje (DRK-Lindje) Kaçanik, konkretisht Stacioni Policor për Mbikëqyrje Kufitare – Hani i Elezit, kanë parandaluar një rast të kontrabandës në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

    Rreth orës 16:30, gjatë një prite të mirëorganizuar policore, njësitë patrulluese kanë identifikuar një automjet të tipit furgon me targa 05-XXX-XX, i cili kishte hyrë përmes rrugëve ilegale malore nga territori i Maqedonisë së Veriut në drejtim të Republikës së Kosovës. Me të vërejtur zyrtarët policorë, personi i dyshuar – i cili për momentin mbetet i paidentifikuar – ka tentuar të kthehet në drejtim të fshatit Bllacë (RMV). Në pamundësi për t’iu shmangur kontrolleve policore, ai ka braktisur automjetin në një rrugë malore dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

    Gjatë kontrollimit të automjetit është gjetur një sasi e konsiderueshme mallrash të kontrabanduara me dokumentacion nga Maqedonia e Veriut, përfshirë: mjete pune, motosharra, motor 4×4 për fëmijë, produkte kozmetike, bizhuteri, tekstile dhe veshmbathje të markave të mbrojtura si Adidas, Boss, Nike, Louis Vuitton, Versace, Diesel, Philipp Plein etj.

    Nga verifikimet është konstatuar se automjeti nuk posedonte dokumentacion të rregullt dhe targat ishin të falsifikuara. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është proceduar si “kontrabandim me mallra”, ndërsa automjeti dhe mallrat e kontrabanduara janë konfiskuar dhe janë dërguar në terminalin doganor në Han të Elezit për numërim dhe vlerësim. Sipas parashikimeve, vlera e përgjithshme e mallit së bashku me automjetin e sekuestruar kalon shumën prej 35.000 euro.

    Policia Kufitare e Kosovës mbetet e vendosur në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke garantuar siguri dhe kontroll të plotë në kufijtë e Republikës së Kosovës.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj gjashtë personave për përdorim të granatave, armëve dhe dhunës ndaj policisë në veri

    Ngrihet aktakuzë ndaj gjashtë personave për përdorim të granatave, armëve dhe dhunës ndaj policisë në veri

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave me inicialet S.S., I.V., M.V., M.R., N.M. dhe A.L., për veprat penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale Huliganizmi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit dyshohet se më 13 tetor 2021 kanë marrë pjesë me dashje në një turmë të organizuar në Mitrovicë të Veriut, e cila ishte përfshirë në veprime të dhunshme kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe Doganës.

    “Ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehuri kanë goditur me gurë, shufra druri dhe metali, si dhe me granata dore, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe Doganës, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

    Po ashtu, sipas Prokurorisë, të pandehurit kishin zënë pritë policisë në vendin e ngjarjes duke vendosur barrikada, ndërsa mjetet e blinduara të policisë janë goditur me plumba nga të shtënat me armë zjarri dhe me granata dore. Si pasojë e dhunës, disa zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore.

    Në aktakuzë përmendet se “B.A., E.V. dhe S.A., pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kanë pësuar lëndime trupore”.

    Gjithashtu, në lagjen “Berxhane” në Mitrovicë të Veriut, të njëjtën ditë, tre nga të akuzuarit (I.V., M.V. dhe M.R.) dyshohet se kanë përdorur armë zjarri dhe bombola gazi kundër zyrtarëve policorë dhe doganorë.

    Sipas njoftimit, turma më pas është drejtuar drejt një barnatoreje, ku kanë lënduar edhe zyrtarë të tjerë policorë dhe kanë shkaktuar dëme materiale.

    “Janë lënduar zyrtarët policorë M.M., Xh.M., A.R., B.Sh. dhe A.M., dhe është shkaktuar dëm në vlerë mbi 20,000 euro”, thuhet në fund të njoftimit.

  • Konfirmohet viktima e dytë në aksidentin tragjik në Zajm të Klinës

    Konfirmohet viktima e dytë në aksidentin tragjik në Zajm të Klinës

    Është konfirmuar viktima e dytë e aksidentit tragjik që ndodhi në mëngjesin e sotëm në fshatin Zajm të Klinës. Bëhet fjalë për Përparim Dushkollin, banor i Korroticës së Epërme të Drenasit, i cili fatkeqësisht humbi jetën si pasojë e plagëve të rënda të marra në këtë ngjarje.

    Lajmin e trishtë e kanë bërë të ditur familjarët, të cilët shprehin dhimbjen e madhe për humbjen e të dashurit të tyre.

    “Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të shokut tonë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve. Kujtimi i tij të jetë i paharruar, dhe shpirti i tij qoftë në paqe!”, thuhet në një nga reagimet prekëse të të afërmve.

    Policia ka bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë vazhdojnë, ndërsa ngjarja tashmë ka marrë dy jetë njerëzish.

  • Shërbimi Sekret Amerikan eliminon kërcënimet para Asamblesë së OKB-së

    Shërbimi Sekret Amerikan eliminon kërcënimet para Asamblesë së OKB-së

    Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ka shkatërruar një rrjet të gjerë me mbi 300 servera SIM në New York, të cilët kishin kapacitet për të çaktivizuar kullat e telefonisë celulare dhe për të ndërprerë shërbimet e emergjencës.

    Sipas njoftimit të agjencisë, pajisjet përfshinin 100 mijë karta SIM të shpërndara në vende të ndryshme dhe ishin të vendosura brenda një distance prej 56 kilometrash nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në New York.

    Hetimi nisi pas një sërë kërcënimesh telekomunikuese kundër zyrtarëve qeveritarë, duke përfshirë edhe incidente me goditje ajrore dhe kërcënime me bomba.

    “Duke pasur parasysh kohën, vendndodhjen dhe potencialin për ndërprerje të konsiderueshme të telekomunikacionit në New York të shkaktuar nga këto pajisje, agjencia veproi shpejt për të ndërprerë këtë rrjet”, thuhet në deklaratën e Shërbimit Sekret.

    Agjencia bëri të ditur se përmes serverave ishte e mundur të kryheshin kërcënime anonime telefonike dhe të çaktivizoheshin kullat celulare.

    “Kishin potencialin të ndalnin rrjetin celular në New York City”, tha Matt McCool, agjent special i Shërbimit Sekret në New York.

    Ai shtoi se labirinti elektronik i fshehur ishte aq i fuqishëm sa mund të kishte dërguar një mesazh të koduar dhe anonim te çdo qytetar në Shtetet e Bashkuara brenda 12 minutash.

    Megjithatë, autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi personat apo grupin përgjegjës për krijimin e këtij rrjeti.

  • Talebanët thonë se Afganistani “nuk do ta dorëzojë kurrë” bazën ajrore të Bagramit, pavarësisht kërcënimeve të Trump

    Talebanët thonë se Afganistani “nuk do ta dorëzojë kurrë” bazën ajrore të Bagramit, pavarësisht kërcënimeve të Trump

    Një zyrtar i lartë talebanësh të martën hodhi poshtë kërkesën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump që Kabuli të dorëzojë bazën ajrore të Bagramit, duke këmbëngulur se objekti është një pjesë e pandashme e Afganistanit.

    Duke folur për Al Arabiya English në një intervistë ekskluzive, zëdhënësi kryesor i qeverisë së talebanëve, Zabihullah Mujahid, tha: “Bagrami është pjesë e territorit të Afganistanit. Nuk është ndryshe nga asnjë copë tjetër toke afgane. Ne kurrë nuk do të pranojmë të negociojmë ose të dorëzojmë ndonjë pjesë të vendit tonë”.

    Ai shtoi se “afganët janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj pushtimit dhe asnjë afgan nuk do të lejojë kurrë që toka e tyre të merret ose kontrollohet nga të huajt – as edhe një inç”.

    Bagrami, i vendosur në veri të Kabulit, ishte instalimi më i madh ushtarak amerikan në Afganistan dhe qendra e luftës së tij dy-dekadëshe kundër talebanëve.

    Forcat amerikane e braktisën atë në korrik 2021, disa javë para kthimit të talebanëve në pushtet.

    Dhe Trump të shtunën kërcënoi me ndëshkim nëse baza nuk u kthehet amerikanëve.

    “Nëse Afganistani nuk ua kthen Bazën Ajrore të Bagramit atyre që e ndërtuan, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, GJËRA TË KEQIJA DO TË NDODHIN!!!”, shkroi ai në Truth Social.

    Juventusi mendon shitjen e yllit të tyre pas zhgënjimit që nga transferimi i tij
    Serie A
    Juventusi mendon shitjen e yllit të tyre pas zhgënjimit që nga transferimi i tij
    Siç theksojnë mediat, zëdhënësi konfirmoi bisedimet me zyrtarët amerikanë, por theksoi se ata janë përqendruar në shkëmbimet e të burgosurve, marrëdhëniet diplomatike dhe investimet ekonomike – jo në Bagram, të cilin ai e përshkroi si të panegociueshëm.

    Trump tha të enjten se SHBA-të po përpiqeshin të rifitonin Bagramin sepse talebanët “kanë nevojë për gjëra nga ne”.

  • AIP kërkon mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës

    AIP kërkon mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës

    Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka kërkuar nga partitë politike dhe subjektet e përfshira në fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 që të sigurojnë mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve dhe të respektojnë detyrimet ligjore në këtë drejtim.

    Në njoftimin e bërë publik, AIP thekson se çdo përpunim i të dhënave duhet të bëhet vetëm mbi baza të qarta ligjore, si pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjekteve politike apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj.

    Agjencia paralajmëron se është e ndaluar përdorimi i të dhënave kontaktuese të qytetarëve, të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo përmes formave të tjera, për qëllime të marketingut politik. Po ashtu, ndalohet ekspozimi i të dhënave personale përmes komunikimeve elektronike si e-mail, SMS apo thirrje telefonike, pa pëlqim paraprak të qytetarëve.

    “AIP kërkon të respektohet e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndërpritet menjëherë komunikimi pas paraqitjes së kundërshtimit. Subjektet politike duhet të shmangin çdo formë të profilizimit apo përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve kur ekziston bazë ligjore e qartë dhe janë ndërmarrë masa mbrojtëse përkatëse”, thuhet në njoftim.

    Gjithashtu, AIP kërkon transparencë të plotë ndaj qytetarëve për mënyrën e përpunimit të të dhënave, duke publikuar politika të qarta të privatësisë në formë të thjeshtë dhe të qasshme.

    Në fund, Agjencia shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me partitë politike “për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës” dhe apelon që informacionet e qytetarëve të trajtohen me kujdes gjatë gjithë periudhës së fushatës zgjedhore.

    Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka nisur më 13 shtator.