ATV

Category: Lajme

  • Dialogu me Serbinë, Rama: I dështuar, Kosova të mos e izolojë vetën

    Dialogu me Serbinë, Rama: I dështuar, Kosova të mos e izolojë vetën

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i pranishëm në konferencën “Shqipëria, horizont i ri”, mbajtur në Vjenë të Austrisë.

    Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe tek dialogu Kosovë-Serbi, ku sipas kreut të qeverisë, ka dështuar, kjo edhe për shkak të formatit.

    Rama shtoi se Prishtina nuk duhet ta izolojë veten.

    “Më vjen keq që nuk ka përparim. Serbia duhet të bëjë pjesën e vet, të bëjë detyrat e veta dhe duhet t’i japë BE të gjithë fletoren me detyrat e bëra të shtëpisë dhe të ecë përpara. Kjo ka të bëjë me pranimin e asaj që kërkon BE”.

    “Ky dialog i ndërmjetësuar nga BE, është dështim, sepse formati nuk është i duhuri. Kosova thjesht duhet ta bëjë këtë gjë. Në të kundërt do e izolojë veten akoma më shumë dhe do jetë më keq.”, theksoi Rama.

  • NATO-ja paralajmëron Rusinë që “të ndalë” shkeljet e hapësirave ajrore

    NATO-ja paralajmëron Rusinë që “të ndalë” shkeljet e hapësirave ajrore

    NATO paralajmëroi Rusinë që të ndalë sjelljen “përshkallëzuese” të shkeljeve të hapësirave ajrore në krahun e saj lindor, pasi aleanca mbajti bisedime urgjente pas inkursionit të javës së kaluar në Estoni.

    “Rusia mban përgjegjësinë e plotë të këtyre veprimeve, që përshkallëzojnë situatën, që rrezikojnë të ketë keqllogaritje dhe vënë në rrezik jetën e njerëzve. Këto veprime duhet të ndalen”, tha aleanca ushtarake prej 32 anëtarësh përmes një njoftimi, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Rusia nuk duhet të dyshojë: NATO dhe aleatët, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, do të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme ushtarake dhe joushtarake për të mbrojtur veten dhe për të penguar të gjitha kërcënimet nga të gjitha drejtimet”.

    Në njoftim u shtua se NATO “do të vazhdojë të përgjigjet në mënyrën, kohën që zgjedh” dhe se angazhimi i aleancës për paktin e saj të mbrojtjes kolektive mbetet “i pathyeshëm”.

    Estonia thirri konsultimet emergjente sipas Nenit 4 të traktatit themeltar të NATO-s pasi avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën e saj ajrore për 12 minuta të premten e kaluar.
    Ky incident – gjatë së cilit NATO-ja ngriti në ajër avionë – ndodhi një javë pasi aleanca rrëzoi dronë rusë mbi Poloni, duke detyruar Varshavën që të thërrasë konsultime të ngjashme.

    Në përgjigje të inkursionit rus me dronë në Poloni, NATO-ja njoftoi se po forconte mbrojtjen e saj në lindje për të ndihmuar në zmbrapsjen e kërcënimit nga Rusia.

    Përveç Polonisë, në krahun lindor të NATO-s janë edhe Rumania, Lituania, Letonia dhe Finlanda, që po ashtu kanë raportuar së voni shkelje të hapësirave të tyre ajrore.

    Rritja e tensioneve ka nxitur frikë se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të përhapet në mbarë kufirin e NATO-s.

    Shtetet e NATO-s u zotua se “këto veprime dhe veprime të tjera të papërgjegjshme të Rusisë nuk do të zmbrapsin përkushtimin e aleatëve për mbështetjen për Ukrainën”.

    Sipas Nenit 4 të NATO-s, çdo anëtar mund të thërrasë diskutime urgjente kur ndiejnë se “integriteti i tyre territorial, pavarësia politike apo siguria” janë në rrezik.

    Bisedimet e së martës shënojnë herën e katërt që kur është aktivizuar Neni 4 që kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022 dhe po ashtu shënojnë herën e nëntë që kur u themelua aleanca 79-vjet më parë.

    Ndërkaq, siguria kolektive e NATO-s bazohet në parimin e Nenit 5: nëse një anëtar sulmohet, e gjitha aleanca i del në mbrojtje.

    Ky nen është aktivizuar vetëm një herë në historinë e NATO-s pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara./REL

  • 92 produkte kozmetike të padeklaruara kapen në Aeroportin e Prishtinës

    92 produkte kozmetike të padeklaruara kapen në Aeroportin e Prishtinës

    Në Pikën e Kalimit Kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, në zonën e arritjes, njësitë doganore kanë ndaluar një udhëtar për kontroll rutinë dhe gjatë procesit të skanimit të bagazhit, është identifikuar sasi e konsiderueshme mallrash.

    Pas kontrollit fizik, ne bagazh janë gjetur gjithsej 92 copë produkte kozmetike te padeklaruara, në kundërshtim me dispozitat ligjore që rregullojnë deklarimin e mallrave që udhëtarët i bartin me vete. Kjo sasi tejkalon kufirin e lejuar për përdorim personal dhe për këtë arsye kërkon deklarim të detyrueshëm doganor dhe pagesë të detyrimeve përkatëse.

    Mallrat janë ndaluar përkohësisht, ndërsa ndaj personit përgjegjës janë duke u ndjekur procedurat ligjore.

    Dogana u bën thirrje të gjithë udhëtarëve që të respektojnë detyrimet ligjore lidhur me deklarimin e mallrave, për të shmangur ndalime, konfiskime apo ndëshkime të mëtejshme, si dhe për të kontribuar në mbrojtjen e tregut të brendshëm.

     

  • Osmani në Fox News: Trump na ka ndihmuar në parandalimin e përshkallëzimeve, majin e kaluar patëm një përpjekje nga Serbia

    Osmani në Fox News: Trump na ka ndihmuar në parandalimin e përshkallëzimeve, majin e kaluar patëm një përpjekje nga Serbia

    Presidentja Vjosa Osmani e cila po qëndron në ShBA për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka dhënë një intervistë për televizionin republikan Fox News, ku ka lavdëruar raportet e mira në mes të SHBA-së dhe Kosovës.

    Osmani thotë se 95% e popullit Kosovar, është pro-amerikan që ‘beson në lidershipin amerikan’.

    “Që prej vitit 1999 kur ushtarët amerikanë erdhën për të ruajtur jetët tona. Sot ekzistojmë të lirë dhe si shtet Sovran falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse Amerika nuk qëndroi mënjanë dhe nuk mbylli njërin sy në përpjekjen tonë për të mbijetuar derisa po përjetonim gjenocid por erdhi që të na shpëtojë dhe të na jap të drejtën që të jemi të lirë. Sot, 95% e popullit tonë janë pro-amerikan dhe që besojnë në lidershipin amerikan dhe ne vazhdojmë të qëndrojmë krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – thotë Osmani në Fox News.

    Ajo ka thënë se Kosova ka telashe me fqinjin e saj Serbinë, e cila kohë pas kohe, shkakton tensione.

    “Ne kemi një fqinj që shkakton probleme kohë pas kohe. Në të kaluarën, Serbia ka shkaktuar një numër konfliktesh në Ballkanin Perëndimor sepse udhëhiqej nga ‘Kasapi i Ballkanit’ – Millosheviq. Ka ende njerëz në lidershipin serb që dëshirojnë të kthehen në të kaluarën derisa ne shikojmë drejt së ardhmes”, ka thënë Osmani.

    Presidentja Osmani edhe një herë ka përmendur një rast të muajit maj të këtij viti, ku thotë se Administrata Trump parandaloi eskalimin e mundshëm të situatës.

    “Presidenti Trump na ka ndihmuar shumë në mbështetje të paqes dhe në një paqe të qëndrueshme. Në shtator të vitit 2023, kishte një agresion serb kundër Republikës së Kosovës. Ne e menaxhuam situatën me ndihmën e aleatëve tonë, derisa mbetet një kërcënim i vazhdueshëm që na vjen nga Serbia. Në maj po ashtu kishte një përpjekje për ngritje tensionesh dhe kjo administratë ka bërë një punë të mrekullueshme për të parandaluar eskalimin”, tha Osmani në Fox News, në lidhëzën e intervistës, që ka shpërndarë edhe vetë.

  • Fushat zgjedhore, AIP kërkon nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve

    Fushat zgjedhore, AIP kërkon nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve

    Agjencia për Informim dhe Privatësi ka kërkuar nga partitë politike që gjatë fushatës zgjedhore të mbrojnë të dhënave personale të qytetarëve.

    Përmes një reagimi, AIP ka bërë me dije se mbrojtja e këtyre të dhënave është obligim ligjor.

    “Në përmbushje të detyrimeve ligjore, për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe sigurimin e integritetit të procesit zgjedhor, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) kërkon nga Partitë Politike mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen më datës 12 tetor 2025”, është thënë në reagimin e agjencisë.

  • Akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Damka e Kamberaj deklarohen të pafajshëm

    Akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Damka e Kamberaj deklarohen të pafajshëm

    Ministri në dorëheqje i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe ish-sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni, Besim Kamberaj, janë deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Ata po përballen me aktakuzë nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të cilën e kundërshtuan gjatë paraqitjes para trupit gjykues. Pas leximit të aktakuzës, gjyqtari Kujtim Krasniqi udhëzoi palët që brenda 30 ditësh mund të paraqesin ankesë kundër aktakuzës.

    Sipas aktakuzës ata dyshohen se nga 16 gusht 2021 deri më 24 mars 2022 kanë tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy OJQ – “Germin” dhe “Caritas Zviceran”.

  • Infermieri sulmohet me thikë nga kolegu në Spitalin e Tiranës, i dyshuari në kërkim

    Infermieri sulmohet me thikë nga kolegu në Spitalin e Tiranës, i dyshuari në kërkim

    Një infermier i Spitalit rajonal të Tiranës “Shefqet Ndroqi” dyshohet se e ka plagosur me thikë kolegun e tij brenda vendit të punës.

    Policia e Shtetit ka njoftuar se rasti ka ndodhur të martën, ndërsa autori me inicialet D.Ç. është ende në kërkim.

    “Rreth orës 11:20, në ambientet e një spitali shtetëror, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi D.Ç., rreth 32 vjeç, ka goditur me mjet prerës shtetasin M. O., rreth 37 vjeç, të dy punonjës të spitalit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Infermieri i lënduar nga arma e ftohtë thuhet se është nën kujdesin e mjekëve.

    Shërbimet e Policisë po punojnë për kapjen e të dyshuarit.

  • Serbia do të nënshkruajë marrëveshje për import gazi me Rusinë në tetor

    Serbia do të nënshkruajë marrëveshje për import gazi me Rusinë në tetor

    Serbia do të nënshkruajë muajin e ardhshëm një marrëveshje trevjeçare për importin e gazit me Rusinë, duke siguruar një furnizim vjetor prej 2.5 miliardë metrash kub gaz natyror, tha për Radiotelevizionin e Serbisë kreu i kompanisë shtetërore serbe të gazit, Dushan Bajatoviq, të martën.

    Shefi i Srbijagas, Bajatoviq, bëri të ditur se Serbia ka siguruar tashmë furnizime ditore prej 2.5 milionë metrash kub gazi nga Azerbajxhani, dhe se merr, gjithashtu, 9.5 milionë metra kub në ditë nga Rusia, raporton Reuters.

    Ai, po ashtu, shtoi se e vetmja rezervë e gazit e Serbisë përmban 780 milionë metra kub gaz natyror, me një mundësi për 200 milionë metra kub shtesë, që mund të sigurohen nga një depo në Hungari nëse është e nevojshme.

    Serbia mbetet një nga blerësit e paktë të gazit natyror rus në Evropë, edhe pse kërkon anëtarësim në Bashkimin Evropian, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Qeveria është përballur me presion nga vendet perëndimore për t’u përafruar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, por deri tani nuk ka ndërmarrë veprime.

    Industria e Naftës e Serbisë (NIS), shumica e aksioneve të së cilës janë në pronësi të Gazprom Neft-it dhe Gazprom-it të Rusisë, po kërkon një përjashtim të shtatë për të shtyrë sanksionet amerikane që do ta vinin në rrezik furnizimin e shtetit serb me naftë të papërpunuar./REL

  • Presidenti francez bllokohet nga eskorta e Trump në Nju Jork – Macron telefonon Trumpin me humor: Po pres në rrugë, sepse po kaloni ju

    Presidenti francez bllokohet nga eskorta e Trump në Nju Jork – Macron telefonon Trumpin me humor: Po pres në rrugë, sepse po kaloni ju

    Një situatë e pazakontë dhe disi komike ndodhi mbrëmjen e së hënës në Nju Jork, ku liderët botërorë janë mbledhur për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përfundoi në mes të një bllokade të sigurisë të vendosur për lëvizjen e eskortës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

    Pas mbajtjes së fjalimit të tij në selinë e OKB-së – ku njoftoi edhe vendimin historik të Francës për njohjen e shtetit të Palestinës – Macron u përball me një situatë aspak diplomatike: rrugët e bllokuara.

    “Më falni, zoti President, gjithçka është e mbyllur, qarkullimi është ndalur kudo”, i tha një oficer amerikan Macronit, i cili u tregua i qetë dhe i buzëqeshur, pavarësisht ndalesës së papritur.

    Në vend që të irritohej, lideri francez zgjodhi t’i telefonojë me humor homologut të tij amerikan. “Merreni me mend, po pres në rrugë sepse gjithçka është ndalur për ju,” u dëgjua të thoshte ai në telefonatë.

    Pasi autokolona e Trump kaloi, vetëm këmbësorëve iu lejua lëvizja. Macron, duke shmangur çdo ceremoni protokollare, zgjodhi të kthehej në ambasadën franceze në këmbë, duke vijuar bisedën telefonike me Trump gjatë ecjes.

  • “Hahaha, ne ishim në luftë, jo në hotel me 5 yje”: Dëshmitari ironizon pyetjen e prokurorit për disa rroba të ushtarëve të UÇK-së

    “Hahaha, ne ishim në luftë, jo në hotel me 5 yje”: Dëshmitari ironizon pyetjen e prokurorit për disa rroba të ushtarëve të UÇK-së

    Në një tjetër seancë të zhvilluar në Dhomat e Specializuara në Hagë, Prokuroria ka ngritur një tjetër pyetje që është pritur me habi dhe ironi nga vëzhguesit diplomatikë dhe vetë dëshmitari në sallë.

    Ish-këshilltari i Clark, John Duncan u pyet për disa rroba të ushtarëve të UÇK-së, që ishin të njëjta për 3 ditë me radhë.

    “Dëshmitar e shohim zotëriun e njëjtë duke veshur të njëjtën bluzë, në atë që ju thoni është data 19. Në fakt të gjithë kanë veshur rrobat e njëjta në tri pjesët filmike. A mund të shpjegoni, a po dërgonin të gjithë sinjale optike?”, pyeti prokurori.

    “Haha. Le të jemi të sinqertë me atë që po ndodhte. Ne jemi në zone lufte, nuk mbajmë rroba të ndryshme me vete. Ishte erë beteje, shumica e njerëzve e kishin me vete, nuk ishim duke udhëtuar në hotel me 5 yje, normalisht që njerëzit do të mbanin rrobat më shumë se një ditë”.

    “Nuk e shoh nëse ka ndodnjë problem që njerëzit kanë rrobat e njëjta. Dhe ka pasur mundësi të lahen më 18, brenda dy diskutimeve”, u përgjigj John Duncan.