ATV

Category: Lajme

  • Ekstradohet oligarku moldavian Vladimir Plahotniuc, disa ditë para zgjedhjeve vendimtare

    Ekstradohet oligarku moldavian Vladimir Plahotniuc, disa ditë para zgjedhjeve vendimtare

    Oligarku moldavian, Vladimir Plahotniuc, është ekstraduar në Kishinjev për t’u përballur me akuza të kamotshme penale, duke e tronditur vendin vetëm disa ditë para një zgjedhjeje të përgjithshme të tensionuar, të cilat tashmë janë trazuar nga dyshimet për ndërhyrje nga Rusia.

    Plahotniuc, i cili është përfshirë në një rast mashtrimi bankar para një dekade, i njohur si “vjedhja e shekullit”, arriti në kryeqytetin moldavian më 25 shtator pas ekstradimit nga Greqia, ku ishte mbajtur që nga korriku.

    Plahotniuc është i dyshuari kryesor në një hetim të gjatë për zhdukjen e rreth 1 miliard dollarëve nga bankat në këtë republikë të vogël dhe të varfër ish-sovjetike në vitin 2014.

    Shuma, e quajtur “vjedhja e shekullit”, vlerësohej se përbënte rreth 12 për qind të produktit të brendshëm bruto të vendit.

    Plahotniuc ka luftuar kundër akuzave për vite me radhë. Ai pritet të dalë për herë të parë para një gjykate në Kishinjev më 26 shtator.

    Mbërritja e tij në Moldavi vjen ndërsa vendi po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 28 shtator, të cilat do të përcaktojnë nëse vendi do të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian apo nëse do të zhytet më thellë në orbitën politike të Rusisë.

    Presidentja Maia Sandu dhe Partia e saj proevropiane e Veprimit dhe Solidaritetit po përpiqen ta ruajnë shumicën e tyre në Parlament, përballë një përpjekjeje të fuqishme nga një bllok politik i udhëhequr nga ish-presidenti Igor Dodon, i cili ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën.

    Dodon e ka quajtur Qeverinë e tanishme, e zgjedhur në mënyrë demokratike, “regjim kriminal”.

    Në një fjalim këtë javë, Sandu paralajmëroi se pavarësia e vendit dhe e ardhmja me Evropën janë në rrezik, teksa akuzoi Kremlinin se po “derdh qindra miliona euro” në vend për të përhapur dezinformim.

    Po ashtu këtë javë, policia moldaviane tha se kishte konfiskuar armë dhe eksplozivë nëpër vend dhe kishte arrestuar 74 njerëz, duke i akuzuar për përfshirje në një komplot për të nxitur trazira.

    Disa nga të arrestuarit raportohet se kishin udhëtuar në Serbi për trajnim nga instruktorë rusë, duke përfshirë përdorimin e armëve, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Edhe pse akuzat për vjedhje bankash e kanë ndjekur Plahotniucin për vite me radhë, ai ka shërbyer disa herë në Parlament si anëtar i Partisë Demokratike.

    Në vitin 2019, ai u largua vendi, pak para se të merrte një thirrje nga prokurorët moldavianë.

    Ai kaloi muaj duke jetuar qetësisht në Shtetet e Bashkuara dhe aplikoi për azil politik, sipas një padie që ai dorëzoi në një gjykatë federale amerikane. Kërkesa për azil nuk iu pranua.

    Në janar 2020, viza e tij amerikane u revokua pasi sekretari i atëhershëm i Shtetit, Mike Pompeo, deklaroi se “veprimet e tij të korruptuara minuan sundimin e ligjit dhe komprometuan rëndë pavarësinë e institucioneve demokratike në Moldavi”.

    Ai jetonte në Miami, Florida, në atë kohë./REL

  • Ndërpritet furnizimi me ujë në disa lagje të Fushë Kosovës

    Ndërpritet furnizimi me ujë në disa lagje të Fushë Kosovës

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se është ndaluar furnizimi me ujë në disa lagje të Fushë Kosovës.

    “Ju njoftojmë se për shkak të një defekti teknik në fshatin Pomozotin,si dhe për nevoja të pastrimit dhe mirëmbajtjes së rezervuarit të ujit në Vragoli, do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm në këto zona: Fshatrat e Fushë -Kosoves ,dhe pjesa e lagjes 028,029.”, thuhet në njoftim.

    KRU “Prishtina” thotë se janë duke punuar për sanimin e defektit.

    “Ekipet tona janë duke punuar për sanimin sa më të shpejtë të defektit dhe për përfundimin e pastrimit teknik në mënyrë që furnizimi me ujë të rikthehet në afatin më të shkurtër të mundshëm. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe ju falënderojmë për durimin!”

  • Osmani takohet me kryeministrin e Bangladeshit, flasin për përpjekjet në skenën ndërkombëtare

    Osmani takohet me kryeministrin e Bangladeshit, flasin për përpjekjet në skenën ndërkombëtare

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Bangladeshit, Muhammad Yunus, ku kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

    Siç njofton Osmani, në këtë takim u diskutua për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, si dhe mbi përpjekjet e përbashkëta në skenën ndërkombëtare.

    “Ne takim me Kryeministrin e Bangladeshit, Muhammad Yunus, diskutuam për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, si dhe mbi përpjekjet e përbashkëta në skenën ndërkombëtare”, ka shkruar Osmani në njoftimin e saj.

    Ajo shtoi se Kosova mbetet e përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e palëkundur të Bangladeshit.

  • Erion Veliaj shkarkohet nga detyra e kryebashkiakut

    Erion Veliaj shkarkohet nga detyra e kryebashkiakut

    Qeveria e Shqipërisë ka miratuar propozimin e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga detyra.

    Vendimi u mor sot gjatë mbledhjes së qeverisë.

    Mbledhja erdhi një ditë pasi Prefekti i Tiranës i kishte njoftuar zyrtarisht Veliajn për propozimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak.

    Mbetet të shihet nëse vendimi do të hyjë menjëherë në fuqi apo pas publikimit në Fletoren Zyrtare.

    Më pas, ky vendim do t’i shkojë presidentit Bajram Begaj. Dekretimi i datës së zgjedhjeve të reja pritet të vonohet, pasi avokatët e Veliajt kanë paralajmëruar se vendimin do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

  • I riu 22-vjeçar hyn në librin Guinness, vrapon me të katër gjymtyrët më shpejt se kushdo tjetër

    I riu 22-vjeçar hyn në librin Guinness, vrapon me të katër gjymtyrët më shpejt se kushdo tjetër

    Një burrë japonez theu Rekord Botëror Guinness duke vrapuar 328 metra në 14.55 sekonda – me duar dhe këmbë.

    Ryusei Yonee, 22 vjeç, theu rekordin për 100 metrat më të shpejtë në vrapim me të katër gjymtyrët, duke mposhtur kohën e vitit 2022 prej 15.66 sekondash të amerikanit Collin McClure.

    Yonee tha se ka vrapuar kështu që nga shkolla e mesme.

    “Mësuesi tha se kafshët me të katër këmbët mund të vrapojnë më shpejt. Kjo më bëri të mendoj: Unë mund të jem njeriu më i shpejtë”, tha ai për Guinness.

    Yonee tha se u përgatit për rekordin duke vëzhguar se si vrapojnë kafshët me katër këmbë si qentë, macet dhe majmunët.

    Ai tha se i duhej pak kohë për të përshtatur teknikën e tij me vrapimin në një pistë.

    “Unë po stërvitesha kryesisht në rërë”, tha ai.

    Atleti tha se ka të ngjarë të thyejë më shumë rekorde botërore në të ardhmen. /Telegrafi/

  • Ushtarët turq e skocez të KFOR-it me patrullime të përbashkëta në Kosovë

    Ushtarët turq e skocez të KFOR-it me patrullime të përbashkëta në Kosovë

    Ushtarët turq nga Komanda Rajonale Lindore e misionit të KFOR-it kanë zhvilluar një patrullim të përbashkët në zonën e tyre të përgjegjësisë, së bashku me personelin e Gardës Skoceze të Mbretërisë së Bashkuar, i cili është i vendosur në Kosovë si pjesë e forcave rezervë të NATO-s.

    Nga KFOR-i kanë bërë të ditur se aktivitete të tilla synojnë të ruajnë një prani të dukshme dhe të paanshme, të rrisin ndërgjegjësimin për situatën dhe të mbështesin sigurinë e përgjithshme në rajon, në përputhje me mandatin e misionit nga OKB-ja.

    Më tej, KFOR-i rithekson se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

  • Dita botërore e mushkërive – Turbekulozi mbetet sfidë në Kosovë, 548 raste u regjistruan vitin që shkoi

    Dita botërore e mushkërive – Turbekulozi mbetet sfidë në Kosovë, 548 raste u regjistruan vitin që shkoi

    Tuberkulozi vazhdon të mbetet një sfidë për shëndetin publik në Kosovë.

    Në Ditën Botërore të Mushkërive, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 548 raste të reja me këtë sëmundje në mbarë vendin.

    Krahas tuberkulozit, edhe sëmundje të tjera si astma e bronkiti kronik po prekin një numër të madh të qytetarëve.

    Përballë kësaj situate, Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve të mos hezitojnë, duke theksuar se diagnostikimi dhe trajtimi i tuberkulozit ofrohen falas.

    Me moton “Mushkëri të shëndetshme, jetë e shëndetshme”, kjo ditë i kushtohet rritjes së ndërgjegjësimit publik për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve që prekin organet e frymëmarrjes.

  • Ukraina nis eksportin e armëve, Zelensky: Të testuara në luftë dhe të sigurta

    Ukraina nis eksportin e armëve, Zelensky: Të testuara në luftë dhe të sigurta

    Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në Nju Jork, se vendi i tij do të fillojë eksportimin e armëve të prodhuara në Ukrainë.

    Ky vendimi do të transformojë industrinë mbrojtëse të Ukrainës dhe do t’u lejojë partnerëve të Kievit të kenë qasje në llojin më të rrallë të armëve.

    “Ne vendosëm të hapim eksportet tona të armëve. Këto janë sisteme të fuqishme, të testuara në luftë të vërtetë,” tha Zelensky.

    Udhëheqësi ukrainas shtoi se vendi i tij dëshiron t’u tregojë partnerëve globalë se armët janë “të besueshme dhe moderne.”

    “Nuk keni pse të filloni nga e para, ne jemi gati të ndajmë atë që tashmë është provuar efektive në mbrojtjen në botën reale,” theksoi ai.

    Eksporti i armëve nga Ukraina ka qenë shumë i kufizuar që nga fillimi i pushtimit rus, si rezultat i shpalljes së ligjit ushtarak në vitin 2022, me gjithçka që dilte nga linjat e prodhimit të orientuar drejt përpjekjeve të luftës.

    Prodhuesit e armëve i kanë kërkuar Zelensky-t prej muajsh që të heqë kufizimet për shitjen e pajisjeve ushtarake të prodhuara në vend, veçanërisht të dronëve, si një mënyrë për të gjeneruar më shumë të ardhura.

  • Operacioni “Qielli i thyer”, shtatë të arrestuarit dalin para gjykatës

    Operacioni “Qielli i thyer”, shtatë të arrestuarit dalin para gjykatës

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë personave që u arrestuan gjatë ditës së djeshme në Prishtinë dhe Pejë, në kuadër të operacionit “Qielli i thyer”.

    Kjo u konfirmua nga zëdhënësja e PSRK-së, Arbnora Luta.

    “Sot me fillim nga ora 13:00 është caktuar të mbahet seanca dëgjimore”, deklaroi ajo.

    Ndryshe, të pandehurit dyshohet për veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” si dhe pastrimi i parave.

    Të pandehurit dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e enkriptuar “SkyECC” për të koordinuar aktivitetet e tyre kriminale.

    Kujtojmë se gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar: 638 gramë kokainë, mbi 11 mijë euro para të gatshme, 34 automjete, shtatë armë zjarri, dokumente të rreme, pajisje elektronike si dhe dokumentacion pronësor e financiar.

    Aksioni i djeshëm i policisë është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Belgjikës, Francës, Holandës dhe Europol-in, duke siguruar koordinim ndërkufitar.

    Aplikacionin e njëjtë “SkyECC” e kishin përdorur 22 persona të tjerë të cilët u arrestuan një aksion të madh në qershor të këtij viti.

    Avokati Visar Rrecaj tregoi se personat qe ngarkohen me këtë vepër penale mund të dënohen dy deri në 10 vite burg.

    Ndërsa, Muharrem Ademi nga Labyrinth thotë se kokaina është droga që po përdorë më së shumti në Kosovë.

    Ndërsa vetëm gjatë 5 viteve të fundit janë arrestuar 148 persona për kultivimin bimës kanabis sativa.

     

  • Presioni amerikan mbi Brukselin, BE-ja shqyrton tarifa për naftën ruse

    Presioni amerikan mbi Brukselin, BE-ja shqyrton tarifa për naftën ruse

    Bashkimi Evropian po shqyrton vendosjen e tarifave për importet e mbetura të naftës nga Rusia.

    Ky hap vjen pas presionit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili ka kërkuar një ndalim të plotë të naftës ruse si kusht për sanksione të përbashkëta kundër Moskës.

    Si përgjigje, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një takimi të martën, ia konfirmoi presidentit Trump se Bashkimi Evropian është duke e shqyrtuar një mundësi të tillë. Aktualisht, Bashkimi Evropian ka ulur importet e naftës ruse me 90 për qind që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe synon heqjen e plotë deri në vitin 2027.

    Nisma për tarifa ndaj naftës ruse pritet të miratohet edhe pa pëlqimin e Hungarisë dhe Sllovakisë. Ndonëse këto dy vende e kundërshtojnë planin për shkak të varësisë nga nafta ruse, vendimi nuk kërkon votën unanime të të gjithë anëtarëve të Bashkimit Evropian.