ATV

Category: Lajme

  • Rihapen aeroportet në Danimarkë pas pengesave nga dronë të paidentifikuar

    Rihapen aeroportet në Danimarkë pas pengesave nga dronë të paidentifikuar

    Aeroportet në Danimarkën perëndimore janë rihapur mëngjesin e së enjtes, pasi kishin qëndruar të mbyllura për disa orë, kur dronë të paidentifikuar hynë gjatë natës në hapësirën e tyre ajrore.

    Ky ishte incidenti i dytë i tillë i sigurisë në vendin nordik këtë javë.

    Billund, aeroporti i dytë më i madh në Danimarkë, u mbyll për një orë, ndërsa ai i Aalborgut, i përdorur si për fluturime civile ashtu edhe për ato ushtarake, u mbyll për tri orë për shkak të futjes së dronëve të mërkurën natën, tha Policia daneze, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Dronë u vunë re gjithashtu pranë aeroporteve në Esbjerg dhe Sonderborg, si dhe në bazën ajrore Skrydstrup, ku mbahen disa prej avionëve luftarakë F-16 dhe F-35 të Danimarkës.

    Që të pesë këto pika ndodhen në gadishullin Jutland në perëndim të Danimarkës.

    Morten Skov, banor i kësaj pjese, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se pa drita të gjelbra që pulsonin nga perëndimi i aeroportit Aalborg, të cilat “qëndronin pezull pikërisht mbi” objektin. Në një video të ndarë me Reuters nga Skov, shihet një dritë që largohet nga aeroporti drejt perëndimit.

    Policia kombëtare daneze tha se dronët ndoqën një model të ngjashëm me ata që kishin ndalur fluturimet në aeroportin e Kopenhagenit të hënën natën dhe të martën në mëngjes.

    Policia e përshkroi incidentin si “sulmin” më serioz deri tani ndaj infrastrukturës kritike dhe e lidhi me një sërë shkeljesh të dyshuara të hapësirës ajrore nga dronë rusë dhe pengesa të tjera nëpër Evropë, pa dhënë prova konkrete.

    Ambasadori i Rusisë në Danimarkë, Vladimir Barbin, mohoi çdo përfshirje të vendit të tij në incidentin e Kopenhagenit./REL

  • Arrestohet një person në Malishevë, plagosi një person në këmbë

    Arrestohet një person në Malishevë, plagosi një person në këmbë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të lëndimit të rëndë trupor.

    Rasti ka ndodhur në Kijevë të Malishevës, të mërkurën në ora 15:39.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar, duke e qëlluar në këmbë”, thuhet në raport.

    Nga i dyshuari është konfiskuar arma pistoletë dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së në takim me Kaja Kallas

    Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së në takim me Kaja Kallas

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

    Gjatë takimit, u diskutua për zhvillimet më të fundit në Republikën e Kosovës dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në procesin e integrimit evropian të vendit.

    Presidentja Osmani ritheksoi se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian mbetet ndër prioritetet më të larta shtetërore.

    Ajo shprehu shqetësimin për masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës, të cilat i cilësoi si të padrejta dhe të dëmshme për të gjithë qytetarët, pa përjashtim.

    Presidentja theksoi domosdoshmërinë e heqjes së këtyre masave, në mënyrë që të mos cenohet partneriteti ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

    “Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim”, ka theksuar ajo.

    Presidentja Osmani, konfirmoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë.

  • Begaj në OKB kërkon njohjen dhe vendin e Kosovës në Asamble

    Begaj në OKB kërkon njohjen dhe vendin e Kosovës në Asamble

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalimin e tij në debatin e përgjithshëm të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, vuri theksin te roli i Kosovës si kontribuuese e paqes dhe dialogut në Ballkanin Perëndimor. Ai tha se 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka dëshmuar me vepra se është një anëtare e përgjegjshme e komunitetit ndërkombëtar, e përkushtuar ndaj stabilitetit dhe vlerave demokratike.

    “Megjithatë, vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë së saj dhe mbështetja për anëtarësimin në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës dhe një hap që forcon paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor,” u shpreh Begaj.

    Ai kërkoi gjithashtu respektimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, integrimin e tyre, përdorimin e gjuhës shqipe dhe mbrojtjen e identitetit e kulturës së tyre.

    Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria promovon aktivisht dialogun, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe integrimin rajonal si rruga e vetme drejt stabilitetit dhe prosperitetit të qëndrueshëm. “Vizioni ynë është integrimi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe ruajtja e vlerave demokratike. E ardhmja e rajonit tonë qëndron te bashkëpunimi, jo konflikti,” tha ai.

    Në vijim, Kreu i Shtetit kujtoi udhëtimin e Shqipërisë nga izolimi tek integrimi euroatlantik dhe theksoi përkushtimin për përfundimin e negociatave të anëtarësimit në BE në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë deri në vitin 2030.

    Begaj nënvizoi gjithashtu përparimet e Shqipërisë në energjinë e pastër, mbrojtjen nga ndryshimet klimatike, transformimin digjital, arsimin, shëndetësinë dhe barazinë gjinore, duke e konsideruar gjithëpërfshirjen si rrugën e vetme drejt zhvillimit të qëndrueshëm, shkruan RTKlive.

    Ai kujtoi angazhimin e Shqipërisë në “Paktin për të Ardhmen” dhe theksoi se është koha që fjalët të kthehen në vepra për paqen, sigurinë, klimën, bashkëpunimin digjital dhe të drejtat e njeriut. “Shqipëria do të japë shembullin duke e përfshirë Paktin në Rishikimin tonë Vullnetar Kombëtar,” theksoi presidenti Begaj.

  • Arrestohet një 32-vjeçar në Fushë-Kosovë, dyshohet se strehoi një të dyshuar për “Vrasje e rëndë në tentativë”

    Arrestohet një 32-vjeçar në Fushë-Kosovë, dyshohet se strehoi një të dyshuar për “Vrasje e rëndë në tentativë”

    Një person 32 vjeçar është arrestuar sot nën dyshimi për “Dhënie ndihmë kryesit pas kryerjes së veprës së penale” në Fushë Kosovë.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se dyshohet se ka strehuar dhe ndihmuar një person tjetër të dyshuar për “Vrasje e rëndë në tentativë”.

    “Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Mitrovicën e Jugut, si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të ndërmarra gjatë ditës së sotme, kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën penale ‘Dhënie ndihme kryesit pas kryerjes së veprës penale’. I dyshuari, mashkull kosovar 32-vjeçar, është arrestuar në qytetin e Fushë-Kosovës, pasi dyshohet se ka strehuar dhe ndihmuar një person tjetër të dyshuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’, e cila kishte ndodhur në muajin korrik 2025 në fshatin Stanovcë të Vushtrrisë”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, siç bëhet e ditur në njoftim pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor. /Telegrafi/

  • Tre persona prangosën në Vushtrri, organizuan lojëra të fatit në një lokal

    Tre persona prangosën në Vushtrri, organizuan lojëra të fatit në një lokal

    Tre persona janë arrestuar të mërkurën nën dyshimin për veprën penale organizim te skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm në Vushtrri.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë kontrollit, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar, tre telefona, një shumë e parave prej 525 euro, tiketa dhe dëshmi tjera relevante.

    “Në orët e pasdites së datës 24 shtator 2025, policia në Vushtrri, kanë arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’. Arrestimi i tre të dyshuarve është bërë mbi dyshime të arsyeshme dhe provave të siguruara se brenda një lokali po zhvillonin veprimtari te kundërligjshme të lojërave të fatit. Gjatë kontrollit, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar, tre telefona, një shumë e parave prej 525 euro, tiketa dhe dëshmi tjera relevante”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq siç thuhet në njoftim, pas intervistimit me aktvendimit të prokurorit të rastit, tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

    Ndaj tyre është iniciuar rast për veprën penale ”Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

  • Osmani takohet me presidentin e Guineas, e falënderon për mbështetjen e tij ndaj Kosovës

    Osmani takohet me presidentin e Guineas, e falënderon për mbështetjen e tij ndaj Kosovës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka takuar presidentin e Guinea Bissau, Umaro Sissoco Embalo.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se e ka falënderuar atë për përkrahjen e tij ndaj Kosovës.

    “Gjithnjë kënaqësi takimi me mikun e Kosovës, Presidentin e Guinea Bissau, Umaro Sissoco Embalo”.

    “Në takimin e sotëm në selinë e OKB, e falënderova Presidentin Embalo për përkrahjen e tij për Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit tonë si dhe për përkushtimin për ta rritur bashkëpunimin midis dy shteteve tona”, ka shkruar tutje Osmani.

  • Moti ndryshon: Freski dhe reshje shiu sot

    Moti ndryshon: Freski dhe reshje shiu sot

    Sot në vendin tonë pritet të mbajë mot paksa më i freskët, me intervale kohore me diell dhe vranësira të cilat do të zhvillohen duke kushtëzuar rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.

    Temperaturat do të shënojnë ulje të lehta dhe ajo maksimale parashihet të arrijë deri në 27 apo 28 gradë Celsius.

    Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi e enjtja sjellë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira lokale.

    Temperaturat do të shënojnë ulje kryesisht të lehta, ndërsa priten zhvillime të rrebesheve lokale të shiut me vetëtima dhe bubullimë, më pak në Maqedoni. Reshjet ende nuk do të jenë gjithëpërfshirëse.

  • Qalaj: Çeku e shikon Prishtinën me Google Maps, Uran Ismaili është i vetmi që e njeh dhe e jeton këtë qytet

    Qalaj: Çeku e shikon Prishtinën me Google Maps, Uran Ismaili është i vetmi që e njeh dhe e jeton këtë qytet

    Sipas Rashit Qalajt nga Partia Demokratike e Kosovës, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për të udhëhequr me kryeqytetin, Hajrulla Çeku, e sheh Prishtinën përmes Google Maps.

    Sipas Qalajt, kandidati i PDK-së, Uran Ismaili, është kryetari adekuat për të udhëhequr Prishtinën në katër vitet e ardhshme.

    “Prishtina, kryeqendra e Kosovës – besoj që janë tre kandidatë, vetëm njëri nga ta është nga Prishtina, i lindur në Prishtinë.
    Pra, vetëm Uran Ismaili është një njeri i cili ka lindur në Prishtinë, është rritur në Prishtinë, frymon në Prishtinë, është duke u ballafaquar me nevojat e qytetarëve dhe duke premtuar e duke gjetur mënyra se si ato të realizohen në mënyrën më të mundshme,” deklaroi Qalaj.

    I pyetur nëse është standard që një kandidat të jetë i lindur dhe i rritur në qytetin ku kandidon për postin e kryetarit, Qalaj u përgjigj kështu:

    “Nuk është standard që një kandidat të jetë i lindur e rritur në një qytet, por është kushti kryesor,” tha ndër të tjera Qalaj.

    Për më shumë detaje klikoni videon më poshtë.

  • Plagoset një i mitur në Malishevë pas një mosmarrëveshjeje me dy të tjerë

    Plagoset një i mitur në Malishevë pas një mosmarrëveshjeje me dy të tjerë

    Një i mitur është plagosur me armë zjarri të mërkurën në fshatin Kijevë të Malishevës, pas një mosmarrëveshjeje me dy të mitur të tjerë.

    Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    “Rreth orës 15:45, në fshatin Kijevë të Malishevës, një i mitur është plagosur me armë zjarri pas një mosmarrëveshjeje me dy të mitur të tjerë. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Policia ka arrestuar dy të dyshuarit dhe ka sekuestruar një armë zjarri, ndërsa me autorizim të prokurorit po ndërmerren veprimet e mëtejme hetimore.”, ka deklaruar Elezaj.