ATV

Category: Lajme

  • Sarkozy u dënua me 5 vite burg, Carla Bruni inatoset me gazetarët

    Sarkozy u dënua me 5 vite burg, Carla Bruni inatoset me gazetarët

    Pas vendimit të gjykatës franceze për të dënuar ish-presidentin Nicolas Sarkozy me 5 vite burg, tensionet kanë kaluar përtej sallës së gjyqit.

    Në qendër të vëmendjes ishte bashkëshortja e tij, ish-Zonja e Parë e Francës, Carla Bruni. Pas përfundimit të deklaratës së shkurtër të Sarkozy për mediat, Bruni ka humbur durimin me gazetarët dhe kamerat.

    Në një moment që është bërë viral në rrjetet sociale, ajo shihet teksa afrohet drejt mikrofonit të medias investiguese Mediapart dhe i heq sfungjerin me nervozizëm.

     

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by Paris Match (@parismatch)

     

    Ky veprim, i cilësuar si një shpërthim emocional, vjen në një kohë të vështirë për çiftin, ndërsa dënimi i Sarkozy-t ka shkaktuar një valë reagimesh në Francë dhe më gjerë.

    Pamjet janë duke qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale, ndërsa opinioni publik është i ndarë për sjelljen e Brunit ndaj gazetarëve.

    Ndërkohë, Nicolas Sarkozy ka kundërshtuar vendimin e gjykatës, që e dënoi atë me pesë vite burg këtë të enjte duke e shpallur fajtor për komplot kriminal në lidhje me akuzat për financim të paligjshëm të fushatës nga Libia.

    Ndërkohë, avokati i shoqatës Sherpa, Vincent Brengarth, thekson rëndësinë historike të vendimit dhe pavarësinë e gjyqësorit.

    Avokati mbrojtës i Sarkozy-së e ka kundërshtuar vendimin duke e cilësuar si të pabazuar.

    Këto reagime vijnë pasi ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, është shpallur fajtor për konspiracion kriminal në një çështje që lidhet me marrjen e miliona eurove fonde të paligjshme nga ish-udhëheqësi libanez, Muammar Gaddafi.

    Gjykata kriminale e Parisit e ka shfajësuar Sarkozy-n për të gjitha akuzat e tjera, përfshirë korrupsionin pasiv dhe financimin e paligjshëm të fushatës zgjedhore, ndërsa ka urdhëruar që 70-vjeçari të futet në qeli në datën që do t’i komunikohet nga ana e prokurorëve. Këta të fundit kanë afat 1 muaj.

  • Lirohen nga pagesa e “Trafikut Urban” mjekët, mësimdhënësit, nxënësit dhe studentët nga 1 tetori

    Lirohen nga pagesa e “Trafikut Urban” mjekët, mësimdhënësit, nxënësit dhe studentët nga 1 tetori

    Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që të lirojë nga pagesa e “Trafikut Urban” disa kategori të caktuara, që përfshijnë edhe nxënësit e shkollave të mesme, studentët, mjekët e mësimdhënësit.

    Sipas vendimit të nënshkruar nga kryetari i komunës, Përparim Rama, disa kategori të caktuara do të përjashtohen nga pagesa për shfrytëzimin e transportit publik në qytet, duke filluar nga data 1 tetor 2025.

    Vendimi parasheh që nga pagesa për Trafikun Urban të lirohen këto kategori:

    “Lirohen nga pagesa e Trafikut Urban kategoritë si në vijim: 1.1. Stafi shëndetësor dhe stafi administrativ, teknik dhe mbështetës i të gjitha institucioneve shëndetësore të Kryeqytetit; 1.2. Stafi mësimor dhe stafi administrativ, teknik dhe mbështetës i të gjitha institucioneve arsimore të Kryeqytetit, përfshirë institucionet parashkollore; 1.3. Të gjithë punonjësit e administratës së Kryeqytetit të të gjitha niveleve, përfshirë institucionet varëse të Kryeqytetit; 1.4. Të gjithë nxënësit dhe shkollave te mesme të Kryeqytetit; 1.5. Të gjithë studentët e Kryeqytetit”, thuhet në njoftim.

    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, ndërsa zbatimi i tij fillon nga data e përcaktuar – 1 tetor 2025.

     

  • Si ndikon orari i mëngjesit në shëndetin tuaj afatgjatë?

    Si ndikon orari i mëngjesit në shëndetin tuaj afatgjatë?

    Shpesh thuhet se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Studimi i ri në Massachusetts, ka sugjeruar të njëjtën gjë.

    Sipas studimit, koha kur konsumohet ushqimi i mëngjesit ka shumë rëndësi dhe ndikon në shëndet e jetëgjatësi, thuhet në uebfaqen e kuzhinieres së famshme, Martha Stewart.

    Studimi, që është publikuar në Communications Medicine, ka analizuar lidhjen mes orarit të vakteve dhe shëndetit tek të moshuarit.

    Studiuesit kanë ndjekur për më shumë se 20 vjet 2,945 persona të moshës 42 deri 94 vjeç në Britani, duke analizuar edhe mostrat e gjakut.

    Ata vunë re se me kalimin e viteve, të moshuarit fillonin të hanin më vonë mëngjesin dhe darkën, ndërkohë që ngushtonin orarin e përgjithshëm të ushqimit gjatë ditës.

    Mëngjesi i vonuar dhe rreziqet për shëndetin

    Studimi tregoi se ngrënia e mëngjesit më vonë lidhej rregullisht me probleme shëndetësore fizike dhe mendore, si depresioni, lodhja dhe problemet me shëndetin oral. Gjithashtu, u vu re se oraret e vona të ushqimit lidhen me vështirësi në përgatitjen e vakteve, gjumë më të dobët dhe, më së shumti, me rrezik më të lartë të vdekshmërisë gjatë periudhës së studimit.

    Edhe pasi studiuesit morën parasysh faktorët e moshës, ata zbuluan se “koha e mëngjesit të vonuar ishte e lidhur me rrezik më të lartë të sëmundjeve të shumta dhe mortalitetit”.

    “Studimi ofron informacionin që ka munguar mbi mënyrën si ndryshon koha e ushqimit në jetën e mëvonshme dhe se si ky ndryshim ndikon në shëndet dhe jetëgjatësi. Ne gjetëm se oraret e vona të vakteve, veçanërisht mëngjesi i vonuar, lidhen me sfida shëndetësore dhe rritje të vdekshmërisë tek të moshuarit”, ka thënë Hassan Dashti, shkencëtar e biolog në spitalin e Massachusetts (i lidhur me Harvardin).

    Pse ka rëndësi koha e ushqimit?

    Tradicionalisht, hulumtimet mbi ushqyerjen janë përqendruar tek ajo që hamë. Por ky studim nxjerr në pah rëndësinë e shkencës që studion kohën e vakteve, si faktor i mundshëm për të parandaluar probleme shëndetësore.

    “Studimi ynë sugjeron se ndryshimet në kohën kur të moshuarit hanë, veçanërisht mëngjesin, mund të shërbejnë si tregues i thjeshtë për gjendjen e tyre të përgjithshme shëndetësore”, ka shpjeguar Dashti.

    Ai ka shtuar se inkurajimi i të moshuarve për të pasur orare të qëndrueshme vaktesh mund të bëhet pjesë e strategjive më të gjera për të nxitur plakje të shëndetshme dhe jetë më të gjatë.

  • Kur dikush ta nënçmon punën, kujtoje këtë: Profetët kanë qenë barinj para se me u bo prijës të njerëzimit

    Kur dikush ta nënçmon punën, kujtoje këtë: Profetët kanë qenë barinj para se me u bo prijës të njerëzimit

    A e ke ditë që krejt profetët, para se me u bo udhëheqës të mëdhenj, kanë qenë barinj deleve?

    Po, po bile edhe vet Profeti Muhamed ka thanë
    “Çdo profet ka qenë bari i deleve.”

    Edhe s’është rastësi kjo punë. Para se me udhëheq popuj, Zoti i ka çu profetët me i udhëheq delet jo për me i lodhë, po për me i përgatit.

    Profeti Muhamed, kur ka qenë i ri n’Mekë, ka punu bari, pra për pak pare ka ruajtë delet e familjes e t’komshinjeve.

    Profeti Musa pas ikjes nga Egjiptit, për vite me radhë ka punu bari në shkretinat e Medjenit. Aty e ka gjet qetësinë, forcën, durimin përpara se me u përballë me Faraonin.

    Edhe Profeti Davudi, Profeti Isa e shumë tjerë krejt kanë kalu në këtë “shkollë t’heshtun” të jetës.

    E pse bari? Se bariu nuk është veç me qit dele n’livadh. Bariu mëson qysh me u ba i durueshëm, qysh me pas përgjegjësi, qysh me udhëheq me butësi e jo me frikë. Bariu nuk ndrrohet kurrë me tupanxhi. Ai është i qetë, po i vendosur.

    Mesazhi për neve është i kjartë

    Madhështia nuk nis gjithmonë me podium, me zyre t’madhe a me Rolex n’dorë. Niset n’heshtje, me një shkop n’dorë, pak zheg mbi kokë, e ca dele përreth. E Zoti i Madh, krejt këtë rrugë, e përdor si përgatitje për diçka ma të madhe.

    Prandaj, herën tjetër kur dikush ta nënçmojë punën, a t’thotë “Qysh po merresh me këso sene të thjeshta?”, kujtoje këtë:
    Profetët kanë qenë barinj para se me u bo prijës të njerëzimit.

  • Osmani merr pjesë në takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor, Serbia u përfaqësua nga Gjuriq

    Osmani merr pjesë në takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor, Serbia u përfaqësua nga Gjuriq

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në takimin e punës me liderët e Ballkanit Perëndimor, i organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.

    Edhe pse presidentja Osmani publikoi vetëm një fotografi me kryediplomaten e BE-së, duke mos dhënë detaje rreth takimit, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ndau informacion më të gjerë.

    Në profilin e saj në Facebook, Siljanovska-Davkova publikoi një fotografi me pjesëmarrësit e takimit dhe komentoi:

    “Mora pjesë në takimin e punës për liderët nga Ballkani Perëndimor, organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas. Vura në dukje nevojën për t’i dhënë fund përfundimisht standardeve të dyfishta sepse ato nuk janë as mënyrë europiane, as vlerë europiane, por sjellje antievropiane. Kujtova se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është kyç jo vetëm si proces zgjerimi, por si riintegrim thelbësor i rajonit në Evropë, ku historikisht dhe kulturalisht i kemi përkitur gjithmonë. Është një kurë për dilemat e sigurisë dhe ndarjet e reja që tashmë po shfaqen. Unë besoj se BE, si në kohët e vështira në të kaluarën, do të tregojë kreativitet dhe unitet. Është e rëndësishme të perceptohet Ballkani Perëndimor në tërësi, dhe nëse ka një hendek në ecjen mes vendeve, mund të shkaktojë ndarje të mëtejshme në vend të bashkimit”, shkroi ajo.

  • Sarkozy dënohet me pesë vjet burgim

    Sarkozy dënohet me pesë vjet burgim

    Një gjykatë në Paris e dënoi ish-presidentin francez, Nicolas Sarkozy, me pesë vjet burgim, pasi e gjeti fajtor për komplot lidhur me një skemë të supozuar për financimin e fushatës së tij presidenciale më 2007 me fonde nga Libia.

    Gjykata vendosi se ai do të burgoset edhe nëse e apelon vendimin. Por, gjykata tha se data për dërgimin e tij në burg do të caktohet më vonë.

    Gjykata e gjeti fajtor Sarkozyn për pjesëmarrje në organizatë kriminale në komplotin nga viti 2005 deri më 2007 për financimin e fushatës së tij me fonde nga Libia në këmbim të favoreve diplomatike. Por, ai u lirua nga tri akuza të tjera, përfshirë për korrupsion pasiv, financim të paligjshëm të fushatës dhe fshehje të fondeve të përvetësuara publike.

    Sarkozy, 70 vjeç, e kritikoi vendimin dhe tha se ai ishte viktimë e një padrejtësie skandaloze, duke shtuar se do ta apelojë vendimin.

    “Kjo padrejtësi është skandaloze. Kërkoj nga populli francez, pavarësisht nëse ka votuar për mua apo jo, të mendojë për këtë çfarë ndodhi. Urrejtja vërtet nuk ka kufij”, tha ai.

    Gjykata po ashtu gjeti fajtorë dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sarkozys kur ai ishte president – ish-ministrat Claude Gueant Brice Hortefeux – për të njëjtën akuzë.

    Edhe ata u liruan nga tri akuzat e tjera, sikurse ish-presidenti francez, transmeton radio evropa e lirë.

    Sipas vendimit, Gjykata beson se të pandehurit kishin bërë komplot për të kërkuar fonde nga Libia për fushatën e Sarkozys më 2007, por gjykatësit nuk u bindën se vetë ish-presidenti ishte drejtpërdrejt i përfshirë në përpjekjet për financim ose nëse ndonjë fond nga Libia u përdor për fushatën e tij presidenciale.

    Kryetarja e trupit gjykues tha se Sarkozy lejoi bashkëpunëtorët e tij që të kontaktonin me autoritetet në Libi “për të marrë apo për të tentuar që të merrnin mbështetje nga Libia me qëllim financimin e fushatës”.

    Por, gjykata tha se nuk arriti të përcaktonte nëse para nga Libia ishin përdorur për financimin e fushatës së Sarkozys. Megjithatë, sipas ligjeve në Francë, një skemë e tillë konsiderohet krim edhe nëse paratë nuk janë pranuar apo nuk mund të vërtetohet se janë pranuar, shpjegoi gjykata.

    Sarkozy së bashku me bashkëshorten e tij, Carla Bruni-Sarkozy ishin të pranishëm në gjykatore.

    Sarkozy ishte zgjedhur president më 2007, por kishte humbur garën për rizgjedhje më 2012. Ai ka mohuar të gjitha akuzat gjatë gjykimit që u mbajt për tre muaj më herët gjatë këtij viti. Në këtë rast kanë qenë të përfshirë edhe 11 persona të tjerë, përfshirë tre ish-ministra.

    Akuzat u ngritën pasi më 2011, agjencia shtetërore e lajmeve në Libi dhe vetë diktatori i ndjerë, Muammar Gaddafi kishin thënë se shteti i Libisë në mënyrë sekrete kishin dërguar miliona euro për fushatën presidenciale të Sarkozys.

    Më 2012, një media në Francë publikoi një memo të inteligjencës libiane që fliste për një marrëveshje për financim prej 50 milionë eurosh. Sarkozy e kishte hedhur poshtë këtë dokument.

    Hetuesit po ashtu kanë hetuar një sërë udhëtimesh në Libi që kishin realizuar njerëz të afërt të Sarkozys kur ai kishte qenë ministër i Brendshëm nga viti 2005 deri më 2007.

    Prokurorët kanë pretenduar se Sarkozy me vetëdije kishte përfituar nga ajo që e përshkruan si “pakt korruptiv” me Qeverinë e Gaddafit.

    Diktatori i Libisë u rrëzua nga pushteti dhe u vra gjatë kryengritjes më 2011, që i dha fund sundimit të tij prej katër dekadash në këtë shtet të Afrikës së Veriut./REL

  • Rohde: Kosova duhet të tregojë seriozitet për detyrimet në dialog, të nisë zbatimin e Asociacionit

    Rohde: Kosova duhet të tregojë seriozitet për detyrimet në dialog, të nisë zbatimin e Asociacionit

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili është në ditët e fundit të mandatit të tij, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin obligimet e tyre që kanë dalë nga marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut.

    Rohde ka thënë se Kosova duhet të tregojë seriozitet për zbatimin e detyrimeve që dalin nga Dialogu, duke përmendur nisjen e zbatimit të Asociaconit të Komunave me Shumicë Serbe.

    “Siç e thashë, është në interes të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare, institucioneve të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve në Kosovë që dialogu të përparojë me shpejtësi dhe që rruga drejt pranimit në BE të hapet. Megjithatë, secila palë në dialog duhet të bëjë pjesën e saj dhe të përmbushë detyrimet e saj”.

    “Kosova është kryesisht e detyruar të krijojë një Kuvend dhe të formojë një qeveri të re. Qytetarët e Kosovës kanë pritur për më shumë se gjysmë viti që dikush t’i përfaqësojë ata, dhe vendi po humbet ngadalë gjithnjë e më shumë mbështetje financiare dhe politike sa më gjatë që i mungon përfaqësimi demokratik i qytetarëve të saj”, tha ai për Kosovo Online.

    “Më lejoni të përsëris, Gjermania dhe BE-ja janë të gatshme dhe të vullnetshme të ndihmojnë, por Kosova së pari duhet të tregojë se e merr seriozisht dialogun dhe detyrimet e saj drejt normalizimit, siç është fillimi i zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar Rohde.

  • Shqipëria e ngre fort zërin për Kosovën në Nju Jork: Begaj kërkon anëtarësimin e Kosovës në OKB, Spiropali heqjen e sanksioneve të BE-së

    Shqipëria e ngre fort zërin për Kosovën në Nju Jork: Begaj kërkon anëtarësimin e Kosovës në OKB, Spiropali heqjen e sanksioneve të BE-së

    Shqipëria ka vazhduar lobimin për Kosovën edhe gjatë punimeve të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Udhëheqësit e shtetit shqiptar që po qëndrojnë në Nju Jork kanë kërkuar njohje të reja për Kosovën dhe heqjen e pengesave në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në OKB, kurse, kryediplomatja Elisa Spiropali ka kërkuar heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës.

    Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti shqiptar ka bërë me dije se Kosova duhet ta ketë karrigen e saj në OKB.

    Ai ka vlerësuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga kjo organizatë është një akt drejtësi nga populli i Kosovës.

    “Megjithatë, vendi i Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht bosh. Njohja e pavarësisë së saj dhe mbështetja për anëtarësimin në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare është një akt drejtësie ndaj popullit të Kosovës dhe një hap që forcon paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor,” ka thënë Begaj.

    Në adresimin e tij Begaj ka theksuar përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqes, sigurisë dhe multilateralizmit dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

    Edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e ka vazhduar lobimin për Kosovën.

    Në një intervistë për “ABC News Albania” kryediplomatja shqiptare ka kërkuar nga BE-ja heqjen e sanksioneve.

    Ajo ka thënë se ato janë të padrejta.

    Megjithatë, ajo ka kërkuar që edhe institucionet e Kosovës të jenë më të përgjegjshme në raport me partnerët e tyre.

    “Bashkimi Evropian duhet t`i heq sanksionet për Kosovën. Në këtë pikë nuk kanë asnjë kuptim. Janë të bartura nga një krizë e mëparshme dhe ne e kemi bërë të qartë këtë në qëndrimin tonë me të gjithë vendet anëtare, por edhe në forumet e BE-së. Nuk kanë më asnjë kuptim. Por, sigurisht që edhe institucionet në Kosovë duhet të jenë më përgjegjëse në raport me këta partner, të cilët nuk janë luks, por janë vendimtar, janë domosdoshmëri për progresin dhe integrimin e Kosovës, përveçse ekzistencën”, ka thënë Spiropali.

    Ajo ka folur edhe për sulmi terrorist në Banjskë.

    Spiropali ka thënë autorët e atij sulmi duhet të dalin para drejtësisë.

    “Sulmi në Banjskë ishte i papranueshëm dhe asnjë alibi nuk mund të fshehë përgjegjësinë e atyre që ndërmorën atë sulm. Sa i takon çështje të sigurisë në Kosovë, SHBA e ka bërë të qartë që misioni i UNMIK nuk duhet të jetë më. KFOR, EULEX, autoritet e Kosovës mjaftojnë për të garantuar sigurinë. Pra, garantimi i sovranitetit dhe shtrirjes së këtij sovraniteti në gjithë territorin duhet të ecin paralelisht. Duhet gjetur një marrëveshje që garanton kohë për zhvendosjen e UNMIK”, është shprehur Spiropali.

  • Keqpërdori kartelat bankare, arrestohet një 24-vjeçare në Prishtinë

    Keqpërdori kartelat bankare, arrestohet një 24-vjeçare në Prishtinë

    Një 24-vjeçare është arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin se keqpërdori kartela bankare.

    Sipas njoftimit të policisë, 24-vjeçarja A.G., është arrestuar pas një pune hetimore operacionale të policisë, dhe në koordinim me prokurorin i është iniciuar rast për veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

    “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e veprimtarive kriminale dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar dhe njëkohësisht fton qytetarët që të kenë kujdes të shtuar në mbrojtjen e të dhënave personale e bankare”.

  • Gjykata lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj Sveçlës, Pacolli-Dalipit dhe Zybës- seanca pritet të mbahet në tetor

    Gjykata lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj Sveçlës, Pacolli-Dalipit dhe Zybës- seanca pritet të mbahet në tetor

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 shtator 2025 ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetëve të Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, të cilët bashkë me ish-deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku, akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës.

    Kjo urdhëresë është lëshuar pasi Sveçla, Zyba dhe Pacolli-Dalipi munguan në seancën e 16 shtatorit 2025. Për tre të akuzuarit, gjyqtari Sabit Sadikaj në atë seancë tha se janë ftuar sipas procesverbalit të seancës paraprake dhe nuk kishte kërkesë për shtyrje të seancës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi“, Gjykata Themelore në Prishtinë konfirmoi se urdhëresa e lëshuar nga gjyqtari Sadikaj duhet të ekzekutohet nga Policia e Kosovës dhe të akuzuarit të sjellen në seancë më 31 tetor 2025.

    “Në seancën e shqyrtimit gjyqësor të datës 16.09.2025, të pandehurit F.P.D, S.Z., dhe XH.S. edhe pse ishin ftuar me procesverbalin e seancës së shqyrtimit paraprak, të njëjtit kanë munguar në seancë, ndërsa mungesën nuk e kanë arsyetuar. Gjyqtari i kësaj çështje penale Sabit Sadikaj, bazuar në një gjendje të tillë të fakteve, jashtë seancës me datë 18.09.2025 ka lëshuar Urdhëresë për sjellje me detyrim kundër të pandehurve F.P.D, S.Z., dhe XH.S., dhe ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të ndërmarr veprimet e duhura, në mënyrë që të mund të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale nga gjykata dhe të vendoset lidhur me këtë çështje penalo-juridike. Urdhëresën do ta ekzekutoj Policia e Kosovës, ashtu që tre të pandehurit duhet të sjellen në gjykatë me datë 31.10.2025 në ora 10.00”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.

    Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.