ATV

Category: Lajme

  • Kushtetuesja e RS-së: Referendumi për Dodikun nuk cenon interesin vital të boshnjakëve

    Kushtetuesja e RS-së: Referendumi për Dodikun nuk cenon interesin vital të boshnjakëve

    Këshilli për mbrojtjen e interesit jetik të Gjykatës Kushtetuese të Republikës Sërpska (RS) ka vendosur se vendimi për referendumin mbi aktgjykimin kundër Millorad Dodikut dhe heqjen e mandatit të tij si president i entitetit, nuk e cenon interesin vital kombëtar të popullit boshnjak.

    Gjykata Kushtetuese e RS-së ka vendosur mbi kërkesën e boshnjakëve në Këshillin e Popujve të entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë.

    Gjykata konstatoi se deklarata e Klubit të delegatëve të popullit boshnjak në Këshillin e Popujve të RS-së, që shpreh shqetësime dhe supozime rreth pasojave të mundshme që rezultati i referendumit dhe zbatimi i tij mund të kenë për popullin boshnjak, si edhe për diskriminimin potencial, “nuk janë juridikisht të rëndësishme për çështjen e shkeljes së interesit vital kombëtar”.

    Vendimin për mbajtjen e referendumit e miratoi Kuvendi Popullor i RS-së më 22 gusht, pas aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës dhe vendimit të Komisionit Qendror të zgjedhjeve për t’ia marrë mandatin Dodikut.

    Mandati iu hoq zyrtarisht në mesin e muajit gusht pasi Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e dënoi Dodikun me vendim të formës së prerë me një vit burg për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë – dënim që ai e shleu me pagesë – si dhe me gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve publike dhe politike.Me njërin nga përfundimet e miratuara në Kuvendin e RS-së është paraparë që referendumi të mbahet më 25 tetor të këtij viti.

    Kushtetuta e Bosnjë e Hercegovinës nuk e parasheh mundësinë që entitetet të shpallin në mënyrë të njëanshme referendume për vendimet e institucioneve shtetërore.

    Nivelet më të ulëta të pushtetit në Bosnjë e Hercegovinë ligjërisht mund të shpallin referendum vetëm për çështje që janë në kompetencat e tyre, por jo për ato shtetërore.

    Ndryshe, vendimi për referendumin më 22 gusht u shoqërua edhe me miratimin e ndryshimeve të Ligjit për referendumin dhe nismën qytetare me procedurë të përshpejtuar, të cilat do t’i mundësonin Kuvendit të RS-së të formojë komisione të posaçme për referendume.

    Klubi i Boshnjakëve në Këshill, më 29 gusht e inicioi procedurën për mbrojtjen e interesit kombëtar për shkak të këtij vendimi.

    Gjithashtu, për këtë Klub problematike janë edhe ndryshimet në Ligjin e referendumit të RS-së, të cilat parashohin që referendumin mund ta realizojë edhe një komision ad-hoc që emërohet nga Parlamenti i entitetit.

    Pas kësaj, Këshilli i Popujve të Republikës Sërpska nuk e miratoi veton e Klubit të Boshnjakëve, pas së cilës, vendimi për referendumin përfundoi para Gjykatës Kushtetuese të RS-së./REL

  • U raportua për një person të bllokuar në bjeshkët e Istogut – policia niset me ekipet emergjente në vend të ngjarjes

    U raportua për një person të bllokuar në bjeshkët e Istogut – policia niset me ekipet emergjente në vend të ngjarjes

    Një person raportohet të ketë mbetur i bllokuar së bashku me bagëtitë e tij në njërën nga bjeshkët e Istogut.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se menjëherë pas marrjes së informacionit, autoritetet janë angazhuar për trajtimin e rastit.

    “Policia e ka kuptuar përmes rrjeteve sociale për rastin, dhe menjëherë është nisur për Kuvendin Komunal të Istogut, ku edhe është njoftuar drejtori për Emergjenca. Ekipet emergjente tashmë janë nisur për në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Gashi.

    Ngjarja vjen në kohën kur Kosova është përfshirë nga reshje të dendura bore që filluan dje, duke mbuluar jo vetëm zonat e thella malore dhe fshatrat, por edhe qytetet.

  • Foda publikon listën e Kosovës për ndeshjet e tetorit – ftohet Albian Hajdari, rikthehen Zhegrova dhe Rashica

    Foda publikon listën e Kosovës për ndeshjet e tetorit – ftohet Albian Hajdari, rikthehen Zhegrova dhe Rashica

    Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka bërë publike listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror 2026 që zhvillohen në muajin tetor, kundër Sllovenisë dhe Suedisë.

    Në listën e publikuar këtë herë janë ftuar 27 futbollistë nga Foda, ndërsa në listën rezervë figurojnë edhe nëntë emra të tjerë.


    Emri i ri në listën e Dardanëve është ai i Albian Hajdarit, teksa është kthyer Edon Zhegrova, Ron Raçi dhe Leard Sadriu.

    Pjesë e listës janë edhe ‘veteranët’ si Vedat Muriqi, Valon Berisha, Milot Rashica, Fidan Aliti dhe Mërgim Vojvoda, teksa mungon kapiteni Amir Rrahmani.

     

    Në listën rezervë gjenden emra si Faton Maloku, Kreshnik Krasniqi, Behar Neziri, Ismet Lushaku, Bledian Krasniqi, Andi Hoti, Rilind Nivokazi, Bersant Celina dhe Donat Rudhani.

    Ndryshe, Dardanët do të nisin grumbullimin të hënën, më 6 tetor, me stërvitjen e parë që zhvillohet në orën 17:00 në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Më herët, në orën 12:00, Foda do të mbajë konferencën e zakonshme për media.

     

    Kosova do të përballet fillimisht me Slloveninë më 10 tetor, në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Tre ditë më vonë, më 13 tetor, në të njëjtën orë, Dardanët luajnë në Goteborg kundër Suedisë.

    Pas dy ndeshjeve të para të këtij cikli kualifikues, Kosova renditet e dyta në Grupin B me 3 pikë. Kryeson Zvicra me 6 pikë, ndërsa Suedia dhe Sllovenia kanë nga një pikë.

  • Rubin: Haga të bëjë gjënë e duhur, t’i shpallë të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së

    Rubin: Haga të bëjë gjënë e duhur, t’i shpallë të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së

    Ish-zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin ka deklaruar edhe një herë se ish-presidenti Hashim Thaçi nuk kishte rol kyç në udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Këtë deklaratë, Rubin e tha për gazetaren e njohur, Christiane Amanpour, pas përfundimit të dëshmisë së tij në Hagë.

    “Nuk është e vërtetë që të gjithë shqiptarët urrejnë serbët, dhe të gjithë serbët urrejnë shqiptarët. Por ky gjyq është duke fajësuar liderët e UÇK-së për gjërat që ata nuk kishin kontroll. Ishte shumë e qartë se zotëri Thaçi, një djalë i ri në atë kohë, nuk kishte kontroll mbi asgjë”, u shpreh ish-zyrtari amerikan.

    Gjatë intervistës me Amanpour, Rubin po ashtu tha se u befasua nga gjyqtarët në Hagë, gjatë dëshmisë së tij pro-Thaçi.

    “Gjyqtarët, për befasinë time, më bënin pyetje që më dukën tepër të anshme. Nuk tingëllonin si pyetje që kërkonin të gjenin fakte. Prokuroria duhet ta shtrojë akuzën e saj. Mbrojtja ta shtrojë mbrojtjen e saj. Gjyqtarët supozohet që thjesht duhet të mbledhin evidencë në mënyrë që të bëjnë gjykimin më pas. Dhe prej pyetjeve që mu bënë nga disa prej gjyqtarëve, mu duk se tashmë kishin marrë vendim se UÇK-ja ishte tamam organizatë që funksiononte si duhet me Hashim Thaçin në krye. Gjë që s’është e vërtetë”, u shpreh ish-diplomati.

    Sipas tij, Tribunali i Hagës duhet të bëjë gjënë e duhur, dhe t’i lirojë ish-krerët e UÇK-së.

  • Qeveria spanjolle propozon që aborti të bëhet e drejtë kushtetuese

    Qeveria spanjolle propozon që aborti të bëhet e drejtë kushtetuese

    Qeveria e majtë e Spanjës ka propozuar që aborti të përfshihet si e drejtë kushtetuese, pasi këshilli bashkiak i Madridit informoi gratë lidhur me të ashtuquajturën “sindromë post-abort”.

    Ky zhvillim kundërthënës ndodhi të martën, kur këshilli bashkiak i Madridit, i kontrolluar nga Partia konservatore Popullore (PP), miratoi një propozim të ekstremit të djathtë që kërkon nga institucionet shëndetësore të informojnë gratë që kërkojnë të bëjnë abort për këtë sindromë të pretenduar.

    Propozimi pretendon se kjo sindromë mund të çojë në përdorimin e alkoolit dhe drogave, mendime për vetëvrasje dhe rritje të rrezikut për shfaqjen e kancerit.

    Në propozim thuhet se informacionet mbi këtë sindromë të pretenduar po “fshihen me qëllim”, duke argumentuar se aborti është “biznes i madh” që po promovohet nga ideologjia feministe.

    PP-ja fillimisht mbrojti masat, por pas reagimeve të shumta, kryebashkiaku i Madridit nga PP-ja, Jose Luis Almeida, e pranoi më 2 tetor se sindroma e post-abortit nuk është një “kategori e njohur shkencërisht”. Ai po ashtu tha se informimi i grave për të nuk do të ishte i detyrueshëm.

    Kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sanchez, më 3 tetor akuzoi PP-në se “ka vendosur të bashkohet me ekstremin e djathtë” dhe njoftoi se planifikon të paraqesë një propozim në Parlament për ta mbrojtur me Kushtetutë të drejtën e abortit.

    Reformat kushtetuese në Spanjë janë të vështira, pasi për ndryshime të saj kërkohet një shumicë prej tre të pestave në Parlament. Kjo i bie se për çdo ndryshim, Sanchez duhet të sigurojë mbështetje nga ligjvënësit e opozitës konservatore.

    Spanja ka dekriminalizuar abortin më 1985 në rastet e përdhunimit, nëse fetusi është i deformuar, ose nëse lindja paraqet rrezik serioz fizik ose psikologjik për nënën.

    Ligji u ndryshua më 2010 për të lejuar abortin sipas kërkesës gjatë 14 javëve të para të shtatzënisë.

    Megjithatë, gratë spanjolle ende përballen me pengesa, pasi shumë mjekë në sektorin publik refuzojnë të kryejnë këtë procedurë.

    Vitin e kaluar, Franca u bë shteti i parë në botë që e përfshiu në Kushtetutë të drejtën për të ndërprerë shtatzëninë./REL

  • Murati për qarkullimin e bizneseve: 10.06 % më shumë këtë vit

    Murati për qarkullimin e bizneseve: 10.06 % më shumë këtë vit

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se qarkullimi i bizneseve deri në fund të muajt gusht të këtij viti ka shënuar 15.2 miliardë më shumë sesa periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

    “Qarkullimi i bizneseve deri në fund të muajit gusht të këtij viti ka shënuar 15.2 miliardë euro, apo 10.06% më shumë sesa periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Dinamikë të ngjashme ka pasur edhe fitimi neto i bizneseve, i cili bazuar në deklarimet e tatimit në fitim të korporatave del se ka shënuar rritje prej 9.45% krahasuar me vitin e kaluar”, ka shkruar Murati.

  • Reshjet e borës lënë pa rrymë disa rajone të Kosovës

    Reshjet e borës lënë pa rrymë disa rajone të Kosovës

    Si pasojë e reshjeve të borës, në disa rajone të Kosovës janë shkaktuar prishje në rrjetin elektrik shpërndarës, duke lënë një numër të caktuar të konsumatorëve pa furnizim me energji elektrike.

    Kështu ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook, Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS).

    Sipas njoftimit të KEDS, rajonet më të prekura janë Prishtina, Gjilani, Prizreni dhe Mitrovica, ku bazuar në informacionet e kompanisë, disa dalje janë jashtë funksionit.

    “KEDS-i ka mobilizuar ekipe shtesë edhe nga rajone të tjera, të cilat, pavarësisht rrethanave të vështira në terren, po përkushtohen që të eliminojnë sa më parë dëmet e shkaktuara në rrjet, dhe në një afat sa më optimal konsumatorëve tanë të afektuar t’u rikthehet furnizimi me energji elektrike, për çka kërkojmë mirëkuptim”, thuhet mes tjerash në njoftim.

  • Ursula von der Leyen viziton Kosovën më 15 tetor

    Ursula von der Leyen viziton Kosovën më 15 tetor

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë Kosovën më 15 tetor, si pjesë e një turneu në Ballkanin Perëndimor. Vizita e saj e gjen vendin në një ngërç të thellë politik, i cili ka bllokuar fondet kyçe nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

    Kjo situatë shënon një kontrast të plotë me vizitën e një viti më parë, kur ajo premtonte pagesa të shpejta si shpërblim për reformat. Për shkak të moskonstituimit të institucioneve të reja, Kosova, krahas Bosnjë e Hercegovinës, mbetet i vetmi vend që ende nuk i ka pranuar këto fonde.

    Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Von der Leyen pritet të takojë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

    Vizita e saj i paraprin publikimit të Raporteve vjetore të Progresit, të cilat sipas burimeve në Bruksel janë shtyrë për në fillim të muajit nëntor.

  • Ambasadori suedez: Kosovës i duhet një qeveri legjitime, të respektohet aktgjykimi i Kushtetueses

    Ambasadori suedez: Kosovës i duhet një qeveri legjitime, të respektohet aktgjykimi i Kushtetueses

    Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, kërkon nga partitë parlamentare të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit.

    Sipas tij, Kushtetuesja ishte shumë e qartë se legjislatura e nëntë nuk është konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.

    Duke folur për KosovaPress, ai bën thirrje për formim të shpejtë të institucioneve të reja pasi, siç thotë ai, Kosovës i duhet një qeveri legjitime për të shtyrë përpara proceset euroatlantike.

    Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka publikuar aktgjykimin e plotë, mirëpo në njoftimin e 30 shtatorit ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

    Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e Kuvendit të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast që nuk kompletohen trupat e legjislativit.

    Vendimi i Kushtetueses vjen pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

    Diplomati suedez thotë për KosovaPress se Gjykata Kushtetuese është themeli i çdo shoqërie demokratike, andaj duhet të respektohen vendimet e saj.

    “Gjykata Kushtetuese ka dhënë një deklaratë shumë të qartë për këtë. Parlamenti nuk është konstituuar, por në vend të kësaj, duhet të procedohet me emërimin e një nënkryetari nga një prej komuniteteve jo-shumicë. Nuk kam ndonjë mendim për vetë përmbajtjen, por jam shumë i kënaqur që kjo është një deklaratë mjaft e qartë nga Gjykata Kushtetuese. Tani, mos harroni që Gjykata Kushtetuese është themeli i çdo shoqërie demokratike, dhe duhet t’i përmbahemi asaj dhe të respektohen të gjitha vendimet”, thekson ai.

    Westerlund thotë tutje se Kosovës i duhet një qeveri legjitime në mënyrë që vendi të përqendrohet në anëtarësimin në Bashkim Evropian, Këshill të Evropës dhe NATO.

    Duke e konsideruar të domosdoshme formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ambasadori përmend Shqipërinë dhe Malin e Zi, që sipas tij po ecin përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. “Ne po shohim tani që Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara ndoshta për t’u bërë anëtarë të BE-së pas disa vitesh. Kosova duhet të nisë të njëjtin proces, të përqendrohet në këtë, të përqendrohet në anëtarësimin në BE, të përqendrohet në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, të përqendrohet në anëtarësimin në NATO. Ata kanë mbështetjen tonë për këto aspirata, por me të vërtetë u duhet një qeveri dhe të përqendrohen në anëtarësimin në BE”, shton diplomati suedez.

    Krahas kësaj, ambasadori i Suedisë në Kosovë flet edhe për fillimin e largimit të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

    Bashkimi Evropian, që nga muaji qershor i vitit 2025, ka nisur heqjen graduale të masave, ku kanë filluar takimet në kuadër të MSA-së dhe lirimin e disa fondeve në projekte si energjia dhe digjitalizimi.

    Westerlund thotë se heqja e masave në formë graduale do të vazhdojë, por duhet të shohin të ardhmen se çfarë do të ndodhë në heqjen totale të masave.

    Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, si pasojë e tensioneve në veri të vendit.

    “Ne tashmë kemi vendosur për një heqje graduale të masave, dhe ajo heqje graduale do të vazhdojë. Por do ta shohim në të ardhmen se çfarë do të ndodhë”, potencon ai.

    Në anën tjetër, ambasadori Westerlund, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, deklaron se posa të formohet qeveria në Kosovë duhet të ketë diskutime serioze në Bruksel për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

    Ai shton se është shumë i kënaqur me emërimin e diplomatit danez, Peter Sorensen, si emisar i BE-së për dialogun, duke thënë se i njëjti po ndërmerr hapa përpara në procesin e normalizimit.

    “Jam shumë i kënaqur që kemi një zë të ri të BE-së, që nga fillimi i këtij viti, Peter Sorensen. Ai po ndërmerr hapa përpara për procesin e normalizimit. Shpresoj që të mund ta përshpejtojmë procesin. Nuk kemi parë shumë progres këtë vit ende, ndaj shpresoj që të mund të kemi një qeveri në Kosovë dhe që të kemi diskutime më serioze në Bruksel mbi dialogun e normalizimit”, thekson ai.

    Pavarësisht që në Kosovë ende nuk është formuar qeveria e re, në Bruksel janë mbajtur dy takime në nivel të kryenegociatorëve mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo që nuk kanë prodhuar rezultate konkrete, në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit të dakorduar në vitin 2023.

  • Komandanti i ri i KFOR-it: Misioni im ka qenë gjithmonë të siguroj mjedis të sigurt në Kosovë

    Komandanti i ri i KFOR-it: Misioni im ka qenë gjithmonë të siguroj mjedis të sigurt në Kosovë

    Gjeneralmajori i Ushtrisë Turke, Özkan Ulutaş, është rikthyer tashmë në krye të komandës së KFOR-it.

    Në fjalën e tij, Ulutaş premtoi përkushtim ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të misionit për të siguruar një ambient të sigurt dhe liri lëvizjeje për të gjitha komunitetet në Kosovë.

    “Kam një mundësi të madhe për t’i falënderuar për bashkëpunimin e shkëlqyer. Kjo është krijuar gjatë detyrës sime të parë si komandant. Duhet të jem i përgatitur mbi përvojat tona të mëparshme dhe mbi punën tonë të shkëlqyer. Kjo është nën drejtimin e kryekomandantit tonë, gjeneralmajor Barduani, dhe ka për qëllim të konsolidojë më tej nivelin tonë të bashkëpunimit. Ky bashkëpunim është i rëndësishëm për sigurimin e stabilitetit në Kosovë dhe për misionin e KFOR-it. Gjithashtu, theksoj bashkëpunimin e vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe me ULEX-in në të gjitha përgjegjësitë e tyre të sigurisë. KFOR-i ka shërbyer shumë mirë për Kosovën dhe është i gatshëm për çdo sfidë të sigurisë që mund të lindë. Po ashtu, dua të falënderoj KFOR-in për respektin dhe mbështetjen e dhënë ndaj partnerëve dhe komunitetit që shërben. Si pjesë e KFOR-it, prioritetet e mia gjatë këtij misioni kanë qenë gjithmonë të siguroj një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm dhe të mbroj sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, deklaroi ai.