ATV

Category: Lajme

  • Shtatë shkolla në prishtinë shkurtojnë mësimin për shkak të mungesës së ngrohjes

    Shtatë shkolla në prishtinë shkurtojnë mësimin për shkak të mungesës së ngrohjes

    Gjatë së premtes, shtatë shkolla në Prishtinë kanë shkurtuar procesin mësimor si pasojë e mungesës së funksionimit të sistemit të ngrohjes.

    “Në shkollën tona u shkurtua orari mësimorë 25 minuta, arsyeja ka qene rrjedhja e ujit në sistemin e ngrohjes janë njoftuar edhe DKA-ja, tha Halimi”.

    Për këtë, miratimin e dha vetë Drejtoria e Arsimit.

    “Që nga mëngjesi kemi marrë konfirmime dhe kemi aprovuar shkurtimin e orarit në 7 shkolla si pasojë e mosfunksionimit të ngrohjes nga Termokosi. Ky ndryshim i papritur i motit nuk na ka zënë të papërgatitur, por duhet që në të ardhmen të kemi një koordinim më të mirë me Termokosin, në mënyrë që për ndryshime të tilla të shpejta të motit të kemi mundësinë edhe për lëshimin e ngrohjes për një ditë a dy, tha Shahini”.

    Shkolla të tjera në Kryeqytet kanë vazhduar procesin mësimor, si zakonisht.

    Ngrohja në shkolla nis më 15 tetor. Por drejtori i shkollës Pavarësia, Halil Brahaj, thotë se nëse vazhdon situata me të ftohtin, do të ndërmarrin masa alternative.

    “Ulja e temperaturave ndikon dhe e përkeqëson situatën edhe nëpër institucione arsimore. Por, nëse situata vazhdon kështu, kemi servisuar gjeneratorin dhe mund të bëjmë ndezjen e tij, tha Brahaj”.

    Ndërkohë, nga Termokos njoftojnë se po bëhen testimet e fundit për të filluar sezonin e ngrohjes.

    “Aktualisht, janë duke u kryer testimet përfundimtare të rrjetit dhe gjithë sistemit të ngrohjes. Në rast se kushtet klimatike mbeten të njëjta, ditëve të ardhshme do të fillojë furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje për gjithë konsumatorët tanë”.

    Nga drejtoria e Arsimit thanë se, pavarësisht se nuk kanë pasur ngrohje, çerdhet në Prishtinë nuk e kanë shkurtuar orarin e punës.

  • Bora e parë rekord në Kosovë, shkakton telashe me rrymën

    Bora e parë rekord në Kosovë, shkakton telashe me rrymën

    Të enjten mbrëma disa qytete të Kosovës u zbardhen nga reshjet e para të borës.

    Për këtë arsye, janë raportuar prishje në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike, duke lënë një numër konsumatorësh pa furnizim, ku rajonet më të prekura janë Prishtina, Gjilani, Prizreni dhe Mitrovica.

    Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica tregoi se u desh të reagojnë në disa vende.

    “Ne I kemi bërë përgatitjet e duhura deri më tani kemi intervenuar në kryeqytet dhe në fshatrat e kryeqytetit në mbi 10 raste vlen te përmendet rasti te RTK në rrugën Fehmi Agani në rrugën Rasim Kiqina në Dragodan shumica janë raste të drunjve” tha Fushtica.

    Fushtica tha se nuk kanë pas të lënduar e as dëme materiale dhe se të gjitha rrugët e Prishtinës janë pastruar.

    Telashe nuk u raportuan as në rrugët nacionale dhe autostradat.

    Sipas meteorologut Mendim Rugova, bora e së enjtes është më e hershmja e regjistruar ndonjëherë.

    “Boren më të hershme deri me tani e kemi pasur me 7 tetor ka ra në vitin 2017 ka ra borë në orën e hershme të mëngjesit dhe ka pas shtresën 1 cm ndërsa rekordi i dytë është trashësia e borës në disa pjesë të Prishtinës ka arritur deri në 10 cm” shtoi Rugova.

    Rugova tregon edhe arsyen për këto të reshura.

    “Kemi një kombinim te ciklonit mesdhetarë që ka sjellë ma shumë lagështe prej Mesdheut në të njëjtën kohë e kemi pasur edhe një territim të masave ajrorë polare që kanë ardhur nga lindje dhe kjo ka bërë që të ketë më shumë të reshur” tha ai.

    Sipas Rugovës reshje shiu pritet të vazhdojnë në zonat e ultëa, ndërsa në ato malore me borë.

  • Kriza politike rrezikon buxhetin e 2026-ës

    Kriza politike rrezikon buxhetin e 2026-ës

    Për muaj të tërë deputetët morën paga, ndonëse nuk arritën ta konstituojnë kuvendin.

    Por nëse kjo bllokadë vazhdon, arka e shtetit s’do të ketë para që t’i paguaj as ata, e as rreth 80 mijë punonjës të tjerë sa konsiderohet se ka sektori publik.
    Data 31 i këtij muaji, është edhe data e fundit kur projektbuxheti për vitin e ardhshëm, do duhej të miratohej në kuvend.

    Por veç një legjislature joaktive, vendi aktualisht s’ka as qeveri legjitime që do e procedonte tutje projektbuxhetin.

    ‘’Në rast se nuk ka miratim të ligjit për buxhetin e vitit 2026 janari dhe shkurti munden me vepru me ligjin e vitit 2025 vetëm sa i përket pjesës së pagave të punëtorëve por edhe për këtë normalisht që duhet me pas kuvend të konstituuar për ta votu një ndryshim i ligjit aktual sa i përket janarit dhe shkurtit pra për pagat e punëtorëve por në çdo rrethanë siç e kemi pa kuvend dhe pa qeveri legjitime po rrezikojmë që Kosovën me lënë pa buxhet dhe punëtorët pa paga’’, tha Demhasaj.

    Njohësit e punës së kuvendit thonë se edhe shumë projekte tjera, fare lehtë mund të pezullohen, në mungesë të parave.

    ‘’Prej një janarit asnjë cent i buxhetit nuk guxon të përdorët nëse nuk ka ligj për buxhet, pra krejt projektet të cilat janë në zbatim, prej një janarit bllokohen për shkak se nuk ka mjete financiare , nuk ka buxhet të konsolidum që munden të vazhdohen dhe implementohen ato projekte’’, tha Demhasaj.

    ‘’Nuk do të mbërrijnë të adresohen kërkesat buxhetore të komunave, të agjencive të pavarura dhe të qytetarëve të ndryshëm të cilët kanë bërë kërkesa ta zëmë për çështje mjedisore, ujore, të infrastrukturës apo bujqësisë e gjëra të tjera të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve’’, tha Jakaj.

    Këta vlerësojnë se këso bllokade, shteti nuk ka pasur ndonjëherë, teksa shtojnë se deputetët do të duhej t’i lënin anash inatet politike, meqë vendi po shkon drejt kolapsit, pasojat e të cilit mund të jenë afatgjate.

  • Siguri, mbështetje për bujqësinë dhe kujdes për veteranët, zotimet e kandidatëve të AAK-së

    Siguri, mbështetje për bujqësinë dhe kujdes për veteranët, zotimet e kandidatëve të AAK-së

    Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha tha se siguria e fëmijëve do të jetë prioritet kryesor i tij, duke u zotuar për zgjidhje të menjëhershme dhe reale ndaj problemeve të përditshme të qytetarëve.

    Ai tha se nuk do të premtojë gjëra të parealizueshme, por do të jetë i përkushtuar për një qytet më të sigurt dhe më të jetueshëm për të gjithë.

    Në Fushë Kosovë, kandidatja Vildane Latifi premtoi mbështetje të drejtpërdrejtë për bizneset prodhuese. Ajo u zotua se komuna do të jetë partnere aktive në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në rritjen e kapaciteteve të sektorit privat.

    Faton Jakupi, kandidat në Kamenicë, gjatë vizitës në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së premtoi se do të angazhohet në ruajtjen e vlerave të luftës dhe mbështetjen për organizatat që përfaqësojnë veteranët.

    Në Rahovec, Smajl Latifi, i cili kandidon për një mandat të ri, premtoi mbështetje të plotë për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, duke theksuar se komuna do të jetë gjithmonë pranë bujkut dhe qytetarit.

    Në Pejë, kandidati Ali Berisha premtoi rikthimin e transportit publik ndërurban duke e cilësuar këtë si zotim të realizueshëm në mandatin e tij.

    Zenun Elezaj, që kërkon një mandat të ri në Klinë, prezantoi investimet e bëra në Kompleksin Memorial “Kodra e Kuqe” në Grabanicë. Ai u zotua se kujdesi për familjet e dëshmorëve dhe ruajtja e amanetit të tyre do të jenë prioritet edhe në të ardhmen.

    Në Deçan, Bashkim Ramosaj, kryetar aktual dhe kandidat për një mandat të ri, vlerësoi bashkëpunimin me Këshillin e Bashkësisë Islame, duke shprehur mirënjohje për përkushtimin e tyre ndaj komunitetit dhe promovimin e vlerave fetare.

  • Dita e 21 e fushatës, zotimet e kandidatëve të LDK-së për kryetar komune

    Dita e 21 e fushatës, zotimet e kandidatëve të LDK-së për kryetar komune

    Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Përparim Rama, ka promovuar projektet e realizuara gjatë katër viteve të fundit, përfshirë ndërtimin e banesave te “Rrethi i Flamurit” dhe rregullimin e varrezave të dëshmorëve në Marec.

    Rama premton transformimin e “Fushës së Pajtimit” nga një deponi mbeturinash në një park botanik, i cili do të shërbejë edhe për edukim, por edhe për menaxhimin e reshjeve dhe parandalimin e përmbytjeve.

    Në Deçan, kandidati, Jeton Mushkolaj gjatë vizitës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Adem Ukehaxhaj” ka premtuar mbështetje për stafin mjekësor dhe përmirësim të kushteve.

    Në Gjilan, kandidati Arber Ismajli për fshatin Livoç i Epërm ka premtuar, riaktivizim të ujësjellësit, ndriçim publik, mbjelljen e drunjve dekorativë dhe rregullim të shtratit të lumit.

    Në Rahovec, Burim Krasniqi ka vizituar qendrën Handikos dhe ka premtuar mbështetje të vazhdueshme institucionale për personat me aftësi të kufizuara, si dhe për organizatat që kontribuojnë në krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.

    Në Prizren, kandidati Driton Selmanaj ka prezantuar planin për revitalizimin e lumit Lumbardh, duke e kthyer atë në një atraksion natyror dhe urban për qytetarët dhe turistët.

    Visar Azemi, kandidat për Ferizaj, ka vënë theksin në ndarjen që i është bërë qytetit përmes hekurudhës dhe betonizimit. Ai ka premtuar zgjidhje për krijimin e një qyteti të lidhur dhe të sigurt për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

    Në Viti, Sokol Haliti, kryetar aktual dhe kandidat për një mandat tjetër, ka prezantuar investimet e bëra në arsim, sport, shëndetësi, mjedis dhe infrastrukturë në fshatit Sllatinë e Epërme.

    Në Vushtrri, kandidati Xhafer Tahiri ka prezantuar planin për rimëkëmbjen ekonomike lokale përmes lirimit të 16 milionë eurove në ekonominë vendore, me përfitim të drejtpërdrejtë për familjet e reja dhe bizneset lokale.

    Në Malishevë, Fatmir Ademaj ka theksuar rëndësinë e sektorit të bujqësisë dhe ka premtuar subvencion prej 5 centësh për çdo litër qumështi të dorëzuar nga fermerët.

    Kurse në Junik, kryetari aktual dhe kandidat për një mandat tjetër, Ruzhdi Shehu ka treguar angazhimin e komunës duke mobilizuar ekipet për pastrimin e rrugës Junik-Gjeravicë pas reshjeve të para të borës, si dëshmi e përkushtimit për mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve.

  • Kandidatët e NISMËS premtojnë urbanizëm, arsim dhe shëndetësi

    Kandidatët e NISMËS premtojnë urbanizëm, arsim dhe shëndetësi

    Kandidatja e NISMËS Socialdemokrate për kryetare të Vushtrrisë, Xhevahire Izmaku, u paraqit të premten nga një shkollë në fshatin Drurar, prej ku premtoi arsim të mirë.

    Izmaku takoi edhe familjen e njërit prej kandidatëve të partisë për asamble.

    “Familja Demiri, me vlerat dhe përkushtimin e saj, dëshmon se mbështetja për Remziun nuk vjen vetëm nga puna e tij, por edhe nga rrënjët e forta të besimit dhe sakrificës së një familjeje të nderuar”, shkroi ajo.

    Bashkëpartiakja e saj që kandidon për komunën e Prizrenit, Albulena Balaj Halimaj, premtoi biçikleta publike për secilën lagje.

    “Vendosja e stacioneve të biçikletave publike me qira simbolike në çdo lagje. Marrja dhe dorëzimi e biçikletave në çdo pjesë të qytetit, me pagesë të thjeshtë përmes aplikacionit online”, tha ajo.

    Ajo një ditë më parë, u zotua edhe për shendetësi më të mirë për gratë Prizrenase.

    Sipas saj ”çdo grua që kujdeset për shëndetin e saj, frymëzon një familje të tërë”.

    Të enjten, ajo takoi edhe disa bujq, për çka tha se “bujqit e Atmaxhës janë forca e tokës sonë. Me mbështetje dhe kushte më të mira, prodhimi i tyre do të jetë krenaria e Prizrenit”.

    Ndërsa, Ekrem Kastrati që synon të bëhet edhe një herë kryetar i Malishevës, promovoi një projekt që sipas tij po e bënë Malishevën Urbane.

    Ndërsa mbrëmë Kastrati shkroi se u bind për fitoren më 12 tetor, pasi pa njerëzit e grumbulluar në tubimin e tij në Drenoc, ku qe edhe kryetari i partisë, Fatmir Limaj.

  • Kandidatët e PDK-së zotohen për mbështetje ndaj fermerëve dhe bizneseve lokale

    Kandidatët e PDK-së zotohen për mbështetje ndaj fermerëve dhe bizneseve lokale

    Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Uran Ismajli premton zhbllokimin e trafikut brenda 18 muajsh me shtimin e 60 semaforëve dhe rregullimin e parkingjeve për taksi, duke luftuar taksitë ilegale.

    Kandidat për kryetar të Komunës së Gjilanit, Riad Rashiti theksoi rëndësinë e sigurisë publike dhe bashkëpunimin me sektorin privat të sigurimit gjatë vizitës në kompaninë profesionale të sigurimit SAS.

    Në Fushë Kosovë, kandidati Rrahim Tërnava premton subvencione për qumështin dhe grante për investime bujqësore, si dhe ndihmën financiare për familjet me fëmijë.

    Kandidati, Arian Tahiri në Mitrovicë përqendrohet në mbështetjen e grave në biznes dhe krijimin e mundësive për të rinjtë.

    Në Lipjan, Shukri Buja theksoi nevojën për mbështetje të bizneseve lokale që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik.

    Kandidati, Edon Cana kritikoi qeverisjen aktuale lokale teksa prezantoi planin për zgjerimin e qytetit dhe Rahovecin e ri.

    Në Pejë, kandidatja Arta Vokshi – Nallabani premtoi investime të mëdha për inkubator start-up, qendra inovacioni dhe parking nëntokësor.

    Ndërkohë Shaqir Totaj i PDK-së që synon edhe një mandat në krye të Prizrenit premton vazhdimin e mbështetjes për fermerët.

    Në Ferizaj, Agim Aliu premton që në mandatin e ri të ndërtoj infrastrukturë sportive moderne, përfshirë stadiumin e ri, palestrat dhe fushat ndihmëse sportive, si dhe promovimin e kulturës dhe trashëgimisë.

    Sami Lushtaku, kandidat për kryetar të Skenderajt nga radhët e PDK-së, zotohet për një qeverisje të afërt me qytetarët.

    Ferit Idrizi që kandidon edhe për një mandat të dytë në krye të Vushtrrisë, zhvilloi takime në bizeset lokale. Ai premtoi bashkëpunim të vazhdueshëm për të përmirësuar kushtet e biznesit vendor.

    Kurse, Përparim Ramusa, kandidat për kryetar të Shtimes u zotua për për mbështetje të vazhdueshme ndaj fermerëve dhe zhvillimin e bujqësisë.

  • Kandidatët e PSD-së premtojnë zhvillim të arsimit dhe mbështetje për sportin

    Kandidatët e PSD-së premtojnë zhvillim të arsimit dhe mbështetje për sportin

    Kandidatja e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini, ka premtuar infrastrukturë të bollshme shkollore për fëmijët e komunës.

    Shahini tha se ka vizion për shkolla moderne dhe të përshtatshme.

    Ajo premton ndërtimin e 10 shkollave tw reja dhe zgjerimin e po aq shkollave ekzistuese me anekse të reja.

    Ajo premtoi edhe transport shkollor për fëmijët e Prishtinës.

    Me arsim u mor edhe bashkpartiakja e Shahinit, që garon për komunën e Deçanit, Natyra Kuçi.

    Ajo premtoi bursa për studentët që vijnë nga kjo komunë.

    Ndërkaq, Qëndron Kastrati që synon të kthehet në krye të Kamenicës, vizitoi një punëtori të vogël.

    “Z. Mehmet është besnik ndaj punës së tij, të cilën e ushtron prej plot 45 vitesh. Me mjetin e tij të veçantë, të quajtur “drebong”, ai gdhend me kujdes dhe ndihmon zejtarët e Kamenicës në mirëmbajtjen e veglave të tyre të punës”, shkroi ai.

    Ndërsa të enjten mbrëma ai takoi banorët e fshatit Roganë, të cilëve iu premtoi subvencione.

    Ai foli për subvencione për aktivitete sportive, përfshirë turnirin e Roganës, dhe investime në infrastrukturë që sipas tij, e kthejnë Roganën në vend për kampe e trajnime verore të klubeve nga i gjithë Ballkani.

    Këta janë kandidatët e vetëm të PSD-së, që i kanë hyrë garës për kryetar komune me numër 149.

  • Kandidatët e VV-së premtojnë zhvillim ekonomik dhe projekte të reja në Komunat e Kosovës

    Kandidatët e VV-së premtojnë zhvillim ekonomik dhe projekte të reja në Komunat e Kosovës

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku teksa theksoi rëndësinë e prodhimit vendor dhe mbështetjen e sektorit privat për rritjen e punësimit, ka premtuar ndër të tjera një Park Industrial në Bërnicë dhe bashkëpunim me shkolla profesionale.

    Në Gjakovë, kandidati Ardian Gola angazhohet për investime në prodhimin e dronëve, një sektor i ri që do të sjellë zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës për banorët e komunës.

    Në Gjilan, Alban Hyseni, që kërkon mandat të dytë, premton vazhdimin e mbështetjes për organizatat e dala nga lufta.

    Kandidati, Filiz Mustafa në Dragash premtoi mbështetje dhe kushte me të mira për tregtarët

    Kandidati për kryetar komune në Mitrovicë, Faton Peci thekson nevojën për barazi dhe rikthim në prona, si dhe zhvillim të infrastrukturës dhe transportit publik për të dy komunat e qytetit.

    Kandidati për kryetar komune në Lipjan, Ilir Qeriqi premton transformimi urban të qytetit, me zhvillimin e sheshit qendror si projekt kryesor.

    Hysni Mehani në Skenderaj ngre pyetje për menaxhimin e fondeve publike dhe kritikon qeverisjen aktuale për mosqartësi në shpenzimin e mjeteve.

    Qemajl Aliu, kryetar aktual i Shtimes që kërkon edhe një mandat premton mbështetje të vazhdueshme të sipërmarrësve dhe biznesve vendore për krijim të vendeve të punës dhe rritje të eksportit.

    Kandidati i VV-së për Suharekë, Hamdi Bytyçi premton trajnime për mësimdhënësit në përdorimin e programeve të inteligjencës artificiale, duke përmirësuar arsimin në komunë.

    Enver Haliti në Ferizaj premton përfshirjen e personave me nevoja të veçanta, me politika për barazi sociale dhe përmirësim të infrastrukturës në hapësirat publike.

    Sylejman Meholli në Vushtrri premton mbështetje rekorde për bujqësinë dhe fermerët, duke investuar në mekanizma të rinj mbështetës bujqësorë.

    Valon Hoti në Malishevë zotohet për sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë për banorët, duke denoncuar keqmenaxhimin e projekteve të mëparshme.

  • Bajrami: A po e kuptoni? Më shumë njerëz po largohen nga Kosova sesa nga zonat e luftës

    Bajrami: A po e kuptoni? Më shumë njerëz po largohen nga Kosova sesa nga zonat e luftës

    Kryetarja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas publikimit të një raporti të Bankës Botërore, ku Kosova renditet e para në botë për nga shkalla e tkurrjes së popullsisë.

    Sipas saj, ky fakt tregon se më shumë qytetarë po largohen nga Kosova sesa nga vendet e përfshira nga luftërat.

    “Ndërkohë që deputetët uzurpues të zyrave qeveritare mburren me zhvillim ekonomik, Banka Botërore ua rrëzon tërësisht propagandën: ‘Kosova është vendi i parë në botë për nga shkalla e tkurrjes së popullsisë’. E kuptoni? Më shumë njerëz po largohen nga Kosova sesa nga zonat e luftës. Prej kujt po ikin qytetarët tanë? Nga ‘lulëzimi ekonomik’ që po e promovon pushteti?”, ka shkruar Bajrami.