ATV

Category: Lajme

  • Fushë Kosova pa ujë, shkak prishja e gypit

    Fushë Kosova pa ujë, shkak prishja e gypit

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se qytetarët e Fushë Kosovës do të mbesin pa ujë për një orë.

    Shkak i kësaj ndërprerjeje u bë një rrjedhje në gyp nga fabrika në Shkabaj që e furnizon qytetin e Fushë Kosovës.

    “Për shkak të një rrjedhjeje në gypin Ø400 mm, është e nevojshme të ndërpritet për një orë furnizimi me ujë nga fabrika Shkabaj përmes gypit Ø630 mm qe furnizon qytetin e Fushë Kosovës. Shpresojmë që ndërhyrja të përfundojë sa më shpejt”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.

  • Të hënën mbahet samiti Brdo-Brioni, në Durrës

    Të hënën mbahet samiti Brdo-Brioni, në Durrës

    Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen të hënën në Durrës, për Samitin e Iniciativës Brdo-Brioni, me fokus kryesor perspektivën evropiane të rajonit dhe zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.

    Samiti, i cili mbahet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”, organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviç, dhe drejtohet nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Në thelb të diskutimeve do të jetë Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, një instrument financiar me vlerë 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, i cili synon integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së.

  • Bitcoin thyen rekordin: Kapërcen 125,000 dollarë

    Bitcoin thyen rekordin: Kapërcen 125,000 dollarë

    Bitcoin ka kapërcyer për herë të parë pragun e 125,000 dollarëve, duke vendosur një rekord të ri historik në 17 vitet që kur është krijuar.

    Mediat ndërkombëtare raportojnë se rritja e çmimit ndodhi gjatë orëve të tregtimit në Azi, me një vëllim tregtimi që arriti afro 50 miliardë dollarë brenda 24 orëve të fundit, sipas të dhënave nga CoinGecko.

    Rritja e çmimit erdhi si pasojë e grumbullimit të tregtarëve optimistë, që shtynë Bitcoin drejt niveleve të reja. Sipas CoinGlass, brenda vetëm një ore janë likuiduar afro 100 milionë dollarë në pozicione të shkurtra, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit, më shumë se 200 milionë dollarë në pozicione të shkurtra të BTC janë shndërruar në blerës të detyruar.

    Analistët e industrisë së kriptovalutave pohojnë se kombinimi i kushteve të favorshme makroekonomike dhe rritja e interesit institucional kanë kontribuar ndjeshëm në forcimin e Bitcoin.

    “Skema më e gjerë mbetet optimiste, me një mbyllje të zgjatur të qeverisë që ka të ngjarë të vazhdojë të nxisë interesin për asetet e forta dhe të mbështesë kërkesën për Bitcoin si një ruajtës alternativ të vlerës,” tha për Decrypt të premten Joe DiPasquale, CEO i BitBull Capital.

    Ndërkohë që çmimi arriti kulmin e ri gjatë pasdites në SHBA, rritja u zbut disi pasi tregtarët preferuan të realizojnë fitimet, pak poshtë nivelit të mëparshëm të të gjitha kohërave prej 124,128 dollarësh.

  • Tentimvrasje në Prishtinë – një i mitur plagoset me armë zjarri afër Katedrales, autorët në arrati

    Tentimvrasje në Prishtinë – një i mitur plagoset me armë zjarri afër Katedrales, autorët në arrati

    Një incident i rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në kryeqytet, ku një i mitur është plagosur me armë zjarri në një zonë të frekuentuar afër Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë.

    Sipas të dhënave që do të verifikohen gjatë hetimeve, e që disponon Sinjali, më 04 tetor 2025, rreth orës 16:30, policia ka marrë informacion për një plagosje me armë zjarri në nënkalimin afër Katedrales, në rrugën “Mark Sopi”.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë reaguese, të cilat kanë gjetur viktimën, E.G rreth 16-vjeçar me plagë në këmbën dhe dorën e majtë. I mituri është transportuar menjëherë me ndihmën e shpejtë në Emergjencë, dhe më pas është hospitalizuar në Ortopedi.

    Sipas dëshmitarit që ishte me të në momentin e ngjarjes, dy persona të dyshuar, M.G rreth 20-vjeçar dhe H. M (në kërkim identiteti të plotë), kanë shtënë me armë dhe më pas janë larguar në këmbë në drejtim të panjohur.

    Në vendngjarje, hetuesit kanë siguruar prova materiale, përfshirë dy gëzhoja, një fishek të pashkrepur dhe njolla gjaku, ndërsa është aktivizuar unaza e çeliktë për rrethimin e zonës.

    Në rast janë përfshirë hetuesia dhe njësitë e Krim Teknikës Rajonale, që kanë zhvilluar ekzaminimet.

    Pas identifikimit të të dyshuarve, policia ka lokalizuar vendbanimet e tyre, por të dy ndodhen ende në arrati.

    Me udhëzim të Prokurorit të Departamentit për të Mitur, rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa kërkimet për kapjen e autorëve janë në vazhdim.

  • Gati dy muaj nga vrasja e trefishtë në Gjilan, të dyshuarit ende nê arrati

    Gati dy muaj nga vrasja e trefishtë në Gjilan, të dyshuarit ende nê arrati

    Më 10 gusht të këtij viti, qyteti i Gjilanit u trondit nga një vrasje e trefishtë që ndodhi në qendër të qytetit, në mes të ditës.

    Të premten e javës së ardhshme bëhen plot dy muaj nga ngjarja, por të dyshuarit, Mefail Shkodra së bashku me dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjëll Shkodra, vazhdojnë të jenë në arrati.

    Me vendim të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, rasti ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë Speciale.

    Kjo e fundit, në një përgjigje me shkrim për ATV-në, ka deklaruar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

    “Ju njoftojmë se, pas marrjes në kompetencë të rastit, Prokuroria Speciale është duke e trajtuar me prioritet dhe duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi. Me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione,” konfirmuan nga Prokuroria Speciale.

    ATV ka tentuar të marrë një prononcim edhe nga familjarët e viktimave. Megjithatë, përmes një bisede telefonike, një anëtar i familjes Hasani tha se kanë vendosur të mos japin asnjë deklaratë publike derisa të ketë ndonjë zhvillim të ri në lidhje me rastin.

    Ndërkohë, sipas ekspertit të sigurisë, Avni Islami, të dyshuarit mund të jenë arratisur në një nga shtetet fqinje.

    “Theksohet se me Serbinë nuk kemi një marrëveshje ndërshtetërore që të dyshuarit të arrestohen dhe të sillen para drejtësisë. Kemi parë shumë raste kur të dyshuar për vrasje apo vepra të tjera penale kanë ikur nga Kosova dhe jetojnë në Serbi, dhe ne nuk kemi mundësi t’i ndjekim, sepse mungon një marrëveshje shtetërore për bashkëpunim mes policive, prokurorëve dhe gjykatave,”tha Islami.

    Sipas Islamit, çdo vepër penale ka specifikat e veta, por është thelbësore që organet hetimore të mos ndalen.

    “Ka raste kur veprat penale, sidomos vrasjet, kërkojnë kohë për t’u zbuluar. Unë them se suksesi i zbulimit nuk matet me kohën, por me rezultatet konkrete — me identifikimin e autorit dhe zgjidhjen e çështjes,” shtoi Islami.

    Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti që kishte si shkak një shumë parash të marra me fajde nga Bujar Hoxha te Mefail Shkodra, disa kohë më parë.

    Babai i Bujarit, Abedin Hoxha, së bashku me Selami dhe Edmond Hasanin, ishin takuar me Shkodrën për të arritur një marrëveshje. Por gjatë bisedës tensionet u përshkallëzuan dhe situata degjeneroi në të shtëna me armë zjarri, që lanë pas vetes tre viktima.

    Lidhur me këtë vrasje të trefishtë, Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar katër zyrtarë policorë në rajonin e Gjilanit, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme.

    Edicionin e plotë të lajmeve mund ta ndiqni në videon më poshtë.

  • Kandidatët E NISMËS me premtime për infrstrukturë në qytete dhe fshatra

    Kandidatët E NISMËS me premtime për infrstrukturë në qytete dhe fshatra

    Kandiadatja e NISMËS Socialdemokrate për kryetare të Prizirenit, Albulena Balaj Halimaj, premtoi kënda lojrash në secilën lagje, në qytet dhe fshatra.

    Ajo tha se  pajisjet në këto parqe do të vendosen, sipas grupmoshave.

    Halimaj premtoi subvencionim deri në 20% të banesave për qiftet e moshave nga 35 deri në 49 vjeçare.

    Ekrem Kastrati që sërish garon për postin e kryetarit të komunës së Malishevës, promovoi projekte në qytet.

    Ndërsa për tubimin e së premtes mbrëma në Kijevë, Kastrati tha se “morëm mesazhe të qarta si gjithandej Llapushës sonë”.

    Kandidatja për Vushtrrinë, Xhevahire Izmaku, kumtoi se do t’i drejtohet qytetarëve për vizionin e saj, në debatin me kundërkandidatë në emisionin Context të ATV-së.

    Ndërsa mbrëmë ajo takoi familjen e një kandidateje për asamble.

    “Sonte patëm një befasi të këndshme nga kandidatja jonë për Asamble, në Odën e Bukoshit, Arjona Asllani – një vajzë 20 vjeçare, studente e dalluar, e cila na mirëpriti me zemërgjerësi me familjen e saj të nderuar”, shkroi Izmaku.

    Familjen e një asambleisti mbrëmë e takoi edhe Xhemajl Hasani, që garon për Podujevën, veçse atje qe edhe kryetari i Partisë, Fatmir Limaj.

    NISMA i ka hyrë garës për kryetar në gjashtë komuna. Kjo parti ka numrin 186.

  • Kandidatët e LVV-së, premtojnë investimë në kulturë, rini dhe sport

    Kandidatët e LVV-së, premtojnë investimë në kulturë, rini dhe sport

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, premtoi hapësira më të mira publike për banorët në lagjen Ulpinana në kryeqytet.

    “Këto shqetësime tregojnë se është koha që komuna të marrë përgjegjësinë që i takon, që hapësirat publike të jenë të rregullta, të pastra dhe në shërbim të të gjithëve”, tha ai.

    Çeku gjatë ditës takoi edhe një kompani e shërbimeve të jashtme për procese biznesore.

    Ai tha se “Me fokus te industria kreative, ekonomia digjitale dhe turizmi, synojmë të ndërtojmë një qytet modern dhe gjithëpërfshirës”.

    Ndërkohë, Faton Peci që mëton postin e kryetarit të Mitrovicës, vizitoi një shtëpi të vjetër, që u kthye në ordinancë moderne.

    Peci, i cili mbrëmjen e së premtes e pati kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti si mysafir, kërkoi votë duke thënë se prioritet e ka arsimin.

    Investime nw arsim ka premtuar edhe kandidati i VV-sw pwr komunwn e Prizrenit, Artan Abrashi.

    Alban Hyseni, kryetari aktual i Gjilanit, premtoi investime në kulturë, rini dhe sport.

    Bashkëpartiaku i tij që garon i cili është pretendent për komunën e Ferizajt, Enver Haliti, premtoi stadium për qytetin.

    Qemajl Aliu i VV-së, i cili mëton sërish postin e kryetarit të Shtimes u shfaq nga terreni ku po rrënohet një objekt i ndwrtuar pa leje, përballë godinës së komunës.

    Ai po ashtu takoi edhe Organizatën e Veteranëve të luftës në Shtime, ku u zotua për respektim të vlerave të luftës me punë konkrete.

    Halil Thaçi që garon për komunën e Obiliqit, u premtoi kushte më të mira atyre që banojnë te banesat kolektive.

  • Sporti dhe zhvillimi ekonomik – premtimet e kandidatëve të AAK-së

    Sporti dhe zhvillimi ekonomik – premtimet e kandidatëve të AAK-së

    Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, prezantoi vizionin e tij për zhvillim ekonomik të komunës.

    Ai mestjerash përmendi edhe ndërtimin e zonës industriale tek Kodra e Trimave.

    Si t’i bëjë zgjidhje bërllogut, Berisha improvizoi se e pyeti Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

    Kandidati i Aleancës për Gjakovën, kryetari aktual, Ardian Gjini, diskutoi me aktivistë për një Gjakovë më të bukur.

    Nazim Gagica i cili garon për Gjilanin, u zotua për zhvillim të sportit në komunë.

    “Sot nënshkrova Deklaratën e Zotimeve me Organizaten Franceze me mision në Kosovë, PLAY International Kosovo. Me këtë zotim mora përsipër që ta vendos sportin në shërbim të edukimit, mirëqenies dhe barazisë në Gjilan”, tha Gagica.

    Ndërkaq, kandidati i AAK-së, i cili synon të bëhet edhe njëherë kryetar i Deçanit, Bashkim Ramosaj, vizitoi biznese njëra pas tjetrës.

    Smajl Latifi, i cili po ashtu mëton ta mbajë detyrën e kryetarin për katër vjet të tjera, kafen e mëngjesit, e piu me banorët e fshatit e fshatit Brestoc.

    “Edhe në Brestoc pimë kafen e mëngjesit bashkë me qytetarë. Energji, vullnet e entuziazëm, Rahoveci është burim i pafund i optimizmit e motor i pandalshëm i punës”, shkroi ai.

    Labinot Bislimi i cili po është në garë për vitin, u paraqit në profesione dhe role të ndryshme, duke premtuar mbështetje për krejt qytetarët.

  • Dita e 22 e fushatës, platformat e kandidatëve të PDK-së për zgjedhjet lokale

    Dita e 22 e fushatës, platformat e kandidatëve të PDK-së për zgjedhjet lokale

    Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Uran Ismajli, gjatë vizitës në familjen Havolli në lagjen “Kodra e Trimave” premtoi rikthimin e investimeve dhe shërbimeve bazike, të cilat sipas tij janë lënë në harresë nga institucionet komunale.

    Në Deçan, kandidati i PDK-së Jetmir Prekalla prezantoi platformën e tij zgjedhore që përfshin krijimin e zonës industriale, përmirësimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor, si dhe ndërtimin e infrastrukturës që lidh çdo fshat me qytetin.

    Rrahim Tërnava, kandidat në Fushë Kosovë, premtoi rregullimin e ngrohtores së qytetit me kogjenerim, mbështetjen për bizneset lokale dhe përkrahjen për të rinjtë dhe gratë në punësim dhe ndërmarrësi.

    Në Mitrovicë, Arian Tahiri paraqiti projektin për zhvillimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e qarkullimit urban dhe rural.

    Edon Cana, kandidat për Rahovecin, u zotua për kthimin e lokaliteteve si Pataqani në destinacione atraktive për banorë dhe vizitorë.

    Kryetari aktual i Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili kandidon për një mandat të dytë, prezantoi projektet infrastrukturore të përfunduara në Lubizhdë të Qytetit dhe zonën e Parkut të Bizneseve, duke përfshirë rrugët, ujësjellësin dhe rezervuarët e ujit.

    Ai gjithashtu premtoi ndërtimin e objekteve të reja dhe modernizimin e shërbimeve mjekësore në mandatin e ardhshëm.

    Kandidati i PDK-së për kryetar të Skenderaj, Sami Lushtaku gjatë takimit me rininë theksoi se idetë dhe vizioni i tyre janë garancia më e fortë për një Skenderaj më të zhvilluar.

    Ndërkaq, në Vushtrri, Ferit Idrizi, kandidat për mandatin e dytë në Vushtrri, e nisi ditën e 22 të fushatës me arkitektët e rinj të komunës, aty ai tha se energjia dhe kreativiteti i tyre janë garanci për të ardhmen e qytetit.

  • Kandidatët E LDK-së premtojnë investime, qeverisje transparente dhe përfshirje qytetare

    Kandidatët E LDK-së premtojnë investime, qeverisje transparente dhe përfshirje qytetare

    Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Përparim Rama, ka promovuar projektet e realizuara gjatë katër viteve të fundit duke rikthyer zona të bllokuara nga makinat në parqe.

    “Unaza e Brendshme para dhe pas” është një prej shembujve që, sipas Ramës, dëshmon se ndryshimi ka nisur dhe duhet të vazhdojë.

    Kandidati i LDK-së për Gjilanin, Arbër Ismajli për fshatin Zhegër premton sigurimin e ujit të pijshëm, finalizimin e sallës dhe palestrës së sportit, përfundimin e rrugës së Kumanovës dhe investime në trotuare e ndriçim publik.

    Ilir Ferati, kryetar aktual i Istogut, kandidat edhe për një mandat synon zhvillimi në shëndetësi, arsim, rini, sport, kulturë, ekonomi, turizëm dhe bujqësi. Programi i tij përfshin gjithashtu shërbime publike smart, zhvillim urban dhe mjedisor.

    Gëzim Plakolli në Mitrovicë zotohet për mbështetje të plotë për bizneset lokale për rritjen e ekonomisë së qytetit.

    Imri Ahmeti, kryetar aktual i Lipjanit, gjatë vizitës në klubin “KF Minatori” nga Magura premtoi rinovimin e objekteve banesore me fondet e efikasitetit energjetik dhe zhvillimin e infrastrukturës.

    Driton Selmanaj, kandidat për Prizrenin, paraqet një plan gjithëpërfshirës për zhvillimin e qytetit me fokus në qeverisje transparente.

    Kurse kandidati për Ferizaj, Visar Azemi premtoi qendra komunitare, parqe dhe hapësira sportive, për të mbajtur dhe fuqizuar rininë në qytet.

    Sokol Haliti që po kërkon vazhdimin e mandatit, në ditën e 22 të fushatës ka veçuar Ballancën si shembull të qartë dhe premtoi se investimet në këtë dhe zona të tjera do të vazhdojnë me përkushtim.