ATV

Category: Lajme

  • Brenda 24 orëve, ushtria izraelite vret mbi 60 civilë në Gaza

    Brenda 24 orëve, ushtria izraelite vret mbi 60 civilë në Gaza

    Ministria Palestineze e Shëndetësisë në Gaza njofton se të paktën 66 persona humbën jetën nga sulmet izraelite brenda 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin total të viktimave që nga 7 tetori në 67,074.

    Sipas ministrisë, 265 persona të tjerë janë dërguar në spitalet e Rripit të Gazës me lëndime të ndryshme.

    Një numër i konsiderueshëm njerëzish mbeten nën rrënoja, ndërsa ndihma humanitare aktualisht nuk mund të arrijë tek ata.

  • Rreth 15 dronë u panë mbi një bazë ushtarake të NATO-s në Belgjikë

    Rreth 15 dronë u panë mbi një bazë ushtarake të NATO-s në Belgjikë

    Rreth 15 dronë të paidentifikuar janë parë duke fluturuar mbi një zonë ushtarake të NATO-s në Belgjikë, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe mbikëqyrjen ajrore në këtë rajon.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45 pas mesnate, me orën lokale, mbi zonën e stërvitjes ushtarake Elsenborn, e cila ndodhet në provincën e Lièges, pranë kufirit lindor të Belgjikës me Gjermaninë.

    Zyrtarë ushtarakë belgë kanë konfirmuar se objektet fluturuese u zbuluan gjatë një ushtrimi teknik për testimin e sistemeve për zbulimin e dronëve, duke sugjeruar që ngjarja ndodhi në një moment kur forcat ishin të përgatitura për të vëzhguar lëvizje të tilla në hapësirën ajrore, raporton politico.

    Sipas hetimeve të para, besohet se dronët janë nisur nga territori belg dhe më pas kanë kaluar kufirin, duke fluturuar në drejtim të Gjermanisë. Pas hyrjes në hapësirën ajrore gjermane, ata janë vërejtur gjithashtu nga forcat e policisë në qytetin e vogël Düren, që ndodhet jo shumë larg nga kufiri.

    Autoritetet belge dhe gjermane janë duke bashkëpunuar ngushtë për të hetuar origjinën dhe qëllimin e këtyre fluturimeve të pazakonta. Deri tani, nuk është bërë e ditur nëse dronët përfaqësonin ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë, por fakti që ata fluturuan mbi një zonë ushtarake shumë të ndjeshme i ka shtuar rëndësinë incidentit, shkruan Demokracia.com

    Kjo ngjarje vjen në një kohë kur siguria e hapësirës ajrore dhe mbrojtja nga dronët janë bërë çështje kyçe për aleancën e NATO-s, veçanërisht në sfondin e rritjes së tensioneve gjeopolitike dhe kërcënimeve hibride. Hetimet janë në vazhdim dhe autoritetet pritet të japin më shumë informacion në ditët në vijim.

  • Murati: Opozita po bëhet gati me e ndryshu në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit

    Murati: Opozita po bëhet gati me e ndryshu në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar subjektet opozitare se po përgatiten për të ndryshuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe për të formuar qeveri me Listën Serbe.

    Përmes një reagimi në Facebook, Murati ka thënë se opozita tashmë ka filluar ta thotë hapur këtë në tubime lokale dhe në studio televizive.

    “Në këto zgjedhje lokale do të vendoset për shumë më tepër sesa vetëm për komunat. Opozita po bëhet gati për me e ndryshu në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe me formu qeveri në koalicion me Listën Serbe. Këtë tashmë kanë filluar ta thonë edhe hapur nëpër tubime lokale e nëpër studio televizive, nëse ua kushtoni vëmendjen e i dëgjoni me kujdes. Po premtojnë se pas zgjedhjeve lokale do të bëhen të gjithë bashkë e ta përmbysin qeverinë”, ka theksuar ai.

    Ai ka shtuar se opozita po tenton të zvarrisë formimin e qeverisë për të shmangur pasoja politike para zgjedhjeve komunale.

    “Por meqenëse e dijnë se një koalicion me Listën Serbe para zgjedhjeve komunale do të ishte fatal për ta, opozita synimin e ka që me e zvarritë sa të mundet hapin e formimit të qeverisë, ashtu që koalicioni i tyre me Listën Serbe me u zyrtarizu tek pasi të kryhen zgjedhjet komunale. Për zvarritje, një argat po ua bën edhe Gjykata Kushtetuese, e cila po e mban Kuvendin të bllokuar tash e 1 muaj. Prandaj këto zgjedhje lokale nuk janë vetëm për komunat, por për shumë më shumë”, ka thënë Murati.

    Sipas tij, këto zgjedhje do të përcaktojnë edhe të ardhmen e qeverisjes në Kosovë.

    “Në këto zgjedhje lokale do të përcaktohet edhe se çfarë Qeverie do të ketë Kosova – një Qeveri Kurti 3 që e forcon shtetin, apo një qeveri që e pret Listën Serbe në Kuvend për 6 orë derisa të kthehen nga Beogradi me instruksione se si ta sabotojnë shtetin e Kosovës”, ka shkruar Murati.

  • Kur do të ndërrohet ora?

    Kur do të ndërrohet ora?

    Kanë mbetur edhe pak ditë deri në ndryshimin e orës nga vera në dimër, teksa akrepat e orës kthehen një orë prapa.

    Konkretisht, këtë vit, ndryshimi i orës do të bëhet më 26 tetor, në orën 03:00 të mëngjesit, pra akrepat e orës do të kthehen një orë prapa, duke treguar 02:00, dhe kështu, do të fitojmë një orë shtesë gjumë, shkruan TCh.

    Ora dimërore do të mbetet në fuqi deri të dielën e fundit të marsit 2026 (29 mars), kur do të kthehemi në kohën verore.

  • Rusia sulmon me dron në një stacion treni në Ukrainë, plagosen dhjetëra civilë

    Rusia sulmon me dron në një stacion treni në Ukrainë, plagosen dhjetëra civilë

    Një sulm me dron rus ka goditur një tren pasagjerësh në një stacion hekurudhor në qytetin Shostka, në rajonin verior të Sumy-t në Ukrainë, duke lënë dhjetëra të plagosur, përfshirë pasagjerë. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet lokale ukrainase.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, reagoi përmes një mesazhi në rrjetin social Telegram, duke e cilësuar goditjen si një akt “terrorizmi” ndaj civilëve.

    “Një sulm mizor me dron rus në stacionin hekurudhor të Shostkës në rajonin Sumy. Të gjitha shërbimet e nevojshme janë tashmë në vendngjarje dhe kanë filluar t’u ofrojnë ndihmë njerëzve. Aktualisht raportohen dhjetëra të plagosur,” tha Zelensky.

    Ai shtoi se Rusia nuk mund të mos ishte në dijeni se objektivi i sulmit ishin civilët, duke e quajtur këtë veprim një akt të pastër terrorizmi.

    “Bota nuk ka të drejtë ta injorojë këtë. Çdo ditë, Rusia merr jetë njerëzore. Dhe vetëm forca mund t’i detyrojë ata të ndalen. Fjalët nuk janë të mjaftueshme tani. Nevojiten veprime të forta,” theksoi Presidenti ukrainas.

  • Von der Leyen: Gatishmëria e Hamasit është inkurajuese, duhet të shfrytëzohet momenti

    Von der Leyen: Gatishmëria e Hamasit është inkurajuese, duhet të shfrytëzohet momenti

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përshëndetur gatishmërinë e Hamasit për lirimin e pengjeve në Gazë, duke e cilësuar këtë si një shenjë “inkurajuese”.

    “Ky moment duhet të shfrytëzohet. Një armëpushim i menjëhershëm në Gaza dhe lirimi i të gjitha pengjeve po arrihen”, ka shkruar ajo në X. Von der Leyen shtoi se Evropa do të mbështesë “të gjitha përpjekjet që synojnë përfundimin e vuajtjeve të civilëve dhe promovimin e zgjidhjes së qëndrueshme për paqen, zgjidhja me dy shtete”.

    Hamas ka njoftuar se është i gatshëm të lirojë të gjithë pengjet, të gjallë dhe të vdekur, sipas kornizës së detajuar në planin 20-pikësh të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe të hyjë “menjëherë” në negociata për detajet e këtij propozimi.

    Grupi ka shprehur gjithashtu pajtueshmëri që kontrolli mbi Rripin e Gazës t’i transferohet “një trupi palestinez, me mbështetje arabe dhe islame”.

    Në deklaratë, Hamasi theksoi se disa elemente të planit të paqes të propozuar nga Trumpi janë të pranueshme, ndërsa të tjerat do të kërkojnë negociata të mëtejshme.

  • Samiti Brdo-Brijuni mbledh udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor të hënën në Durrës

    Samiti Brdo-Brijuni mbledh udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor të hënën në Durrës

    Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në Durrës të hënën për samitin e Iniciativës Brdo-Brijuni, me temë kryesore perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, me një fokus të veçantë në Planin e Rritjes për rajonin.

    Procesi Brdo-Brijuni është një iniciativë e përbashkët slloveno-kroate e nisur në vitin 2013, dhe anëtarët e saj janë Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.

    Siç raportohet nga agjencia sllovene STA, samiti në Durrës po organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Millanoviq, dhe do të drejtohet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

    STA raporton se udhëheqësit e tjerë të rajonit kanë konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen e tyre në takimin në Shqipëri – Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ai malazez Jakov Millatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq, Presidentja maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova, dhe Presidenti serb Alleksandar Vuçiq, njoftoi zyra e presidentit slloven.

    Iniciativa Brdo-Brijuni synon të inkurajojë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe të lehtësojë përpjekjet e vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt BE-së. Takimi i këtij viti do të mbahet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: së bashku drejt BE-së”. Përveç çështjes së perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të përqendrohet edhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, njoftuan organizatorët.

    Në përputhje me njoftimet nga Lubjana, Sllovenia do të theksojë edhe një herë në samitin e Durrësit se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor është mjeti më efektiv gjeopolitik për të siguruar stabilitet, paqe dhe siguri në rajon.

    Pjesëmarrësit në samit do t’i kushtojnë gjithashtu vëmendje të veçantë zbatimit të planit të BE-së për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor, i cili u mundëson vendeve të rajonit të integrohen gradualisht në BE dhe sjell përfitime konkrete për qytetarët e tyre. Për këtë qëllim, BE ka krijuar një instrument financiar për periudhën 2024-2027 me vlerë gjashtë miliardë euro.

    Kosova pritet të marrë një total prej 880 milionë eurosh nga Plani i Rritjes deri në fund të vitit 2027, Maqedonia e Veriut mbi 750 milionë euro, Shqipëria mbi 920 milionë euro, Serbia mbi 1.5 miliard euro, Mali i Zi 380 milionë euro dhe Bosnja dhe Hercegovina rreth 900 milionë euro, pasi Komisioni uli fondet e tyre me dhjetë për qind për shkak të vonesave në plan.

    Takimet në kuadër të Iniciativës Brdo-Brijuni janë mbajtur çdo vit që nga viti 2013. Vitin e kaluar, u mbajt në Mal të Zi, ku udhëheqësit theksuan rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal në një deklaratë të përbashkët dhe u zotuan për reforma të mëtejshme, forcimin e dialogut strategjik me BE-në dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

  • Kurti: Lidhja jonë me Shqipërinë, përveçse historike e shpirtërore, duhet të jetë edhe fizike

    Kurti: Lidhja jonë me Shqipërinë, përveçse historike e shpirtërore, duhet të jetë edhe fizike

    Është përuruar sot rruga ndërkufitare Gorozhup (Has i Prizrenit) – Pogaj, projekt që vjen në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me vlerë prej afër 1 milion euro dhe gjatësi prej 3.7 kilometrash.

    Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili e vlerësoi këtë rrugë si të rëndësishme për banorët e zonës, duke theksuar gjithashtu ndikimin që ajo ka në zhvillimin e turizmit malor e kulturor për të dy shtetet e të njëjtit komb.

    “Kjo është një pjesë e vogël e borxhit të madh që kemi ndaj këtij komuniteti, që i ka dhënë shumë edhe zhvillimit ekonomik edhe historisë sonë kombëtare. Pas përfundimit të rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapot, e cila ishte me vlerë prej 2.6 milionë euro, kjo rrugë që inauguruam sot, Gorozhup-Pogaj është në vlerë prej afër 1 milion euro dhe me gjatësi prej 3.7 kilometra. I lidhë këto fshatrat, Gorozhup edhe Pogaj, që historikisht kanë qenë një dhe të cilat i bashkojnë familja, tradita dhe jeta e përditshme. Pra, lidhja jonë me Shqipërinë, përveçse historike e shpirtërore, duhet të jetë edhe fizike, e pikërisht kjo rrugë që e inaugurojmë sot është një dëshmi për hapat konkretë në drejtimin e duhur”, citohet të ketë thënë Kurti, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.

  • OEK njofton: Më 5 nëntor mbahet seanca për padinë ndaj ZRrE-së

    OEK njofton: Më 5 nëntor mbahet seanca për padinë ndaj ZRrE-së

    Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se Gjykata Supreme e ka caktuar datën për mbajtjen e seancës gjyqësore lidhur me padinë e iniciuar nga ta kundër ZRrE-së.

    Në njoftimin për media OEK ka treguar se seanca që do të mbahet më 5 nëntor ka për qëllim shqyrtimin e ligjshmërisë së veprimit të ZRrE-së.

    “Seanca ka për qëllim shqyrtimin e ligjshmërisë së një akti nënligjor me të cilin, në mënyrë të padrejtë dhe në dëm të bizneseve dhe qytetarëve të Kosovës, është marr vendim që kompanitë të nxirren me dhunë në tregun e lirë të energjisë elektrike. Ftojmë ekspertët e fushës së energjisë, shoqërinë civile dhe të gjithë akterët relevantë të kontribuojnë me analizat dhe dëshmitë e tyre profesionale, me qëllim që para gjykatës të vërtetohet se ky vendim është i dëmshëm dhe i pajustifikueshëm”, është thënë në njoftimin e ZRrE-së.

  • Qeveri e përkohshme para zgjedhjeve? Kusari-Lila del me propozimin e ri politik

    Qeveri e përkohshme para zgjedhjeve? Kusari-Lila del me propozimin e ri politik

    Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, e cila është pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare është bërë e domosdoshme, pasi Kosova tashmë ka hyrë në muajin e tetë pa institucione të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Megjithatë, ajo vlerëson se para shpalljes së zgjedhjeve duhet të arrihet një marrëveshje politike për formimin e një qeverie të përkohshme, me mandat vetëm legjislativ.

    Në një intervistë për KosovaPress, Kusari-Lila tha se një qeveri e tillë do të kishte për detyrë miratimin e projektbuxhetit për vitin 2026 dhe disa marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me fondet e Bashkimit Evropian për Kosovën.

    “Zgjedhjet janë të domosdoshme, sepse kanë kaluar tetë muaj prej mbajtjes së tyre dhe ende nuk kemi Kuvend të konstituuar. Në një situatë të tillë, vendimi më demokratik është t’i kthehemi qytetarëve. Megjithatë, përpara se të shkohet në zgjedhje, duhet të sigurohemi që buxheti dhe marrëveshjet e BE-së të mos bllokohen”, tha ajo.

    Pa numra për qeverinë “Kurti III”

    Deputetja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes pranoi se shumica aktuale nuk i ka numrat për formimin e qeverisë së re, edhe nëse rikthehen negociatat me Nismën Socialdemokrate.

    “Edhe nëse ka pajtim me Nismën, nuk arrihen 61 vota. Kjo nënkupton që funksionimi i qeverisë do të ishte i brishtë. Prandaj, një marrëveshje politike për kalimin e buxhetit dhe disa projektligjeve jetike është më e arsyeshme”, theksoi ajo.

    Vendimi i Kushtetueses, në pritje të aktgjykimit të plotë

    Kusari-Lila tha se është e rezervuar për të komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se Kuvendi nuk është konstituuar, për shkak se nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb. Ajo pret publikimin e aktgjykimit të plotë për të parë nëse ai do të specifikojë të drejtën ekskluzive të Listës Serbe për ta nominuar kandidatin.

    “Nëse Kushtetuesja nuk e lidh këtë pozitë vetëm me Listën Serbe, atëherë kjo do të mund të hapte rrugë për një pluralizëm më të madh politik brenda komunitetit serb”, shtoi ajo, duke theksuar se nuk do të votojë asnjë kandidat të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit.

    Koalicioni me Vetëvendosjen

    Duke folur për raportet e Alternativës me Lëvizjen Vetëvendosje, Kusari-Lila tha se do të kërkojë që bashkëpunimi të formalizohet në formën e një koalicioni zyrtar, për të siguruar stabilitet dhe qartësi politike.

    “Kërkojmë që të jemi zyrtarisht në koalicion me LVV-në. Nuk kemi pasur kërkesa për poste apo kushte, por mendojmë se një marrëdhënie e qartë politike është e nevojshme për mbarëvajtjen e jetës institucionale dhe për identitetin tonë politik”, përfundoi ajo.