ATV

Category: Lajme

  • IBNA: Përplasja Osmani-Vuçiç qëndron mes konfliktit verbal dhe rreziqeve reale

    IBNA: Përplasja Osmani-Vuçiç qëndron mes konfliktit verbal dhe rreziqeve reale

    Agjencia e Pavaruar e Lajmeve (IBNA), që mbulon rajonin e Evropës Juglindore, ka raportuar për përplasjen e fundit verbale mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar komplikimet që kjo mund të shkaktojë për Bashkimin Evropian.

    Në bazë të analizës, misioni për BE-në është i dyfishtë: së pari, ruajtja e sigurisë në terren, ku çdo incident mund të ketë efekt domino; së dyti, progresi drejt zgjidhjeve praktike, duke përfshirë statusin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    IBNA konsideron se deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, janë simptomë e një përballjeje që lëviz midis një konflikti verbal dhe rreziqeve reale të sigurisë. Për BE-në, sipas agjencisë, sfida është të mbajë të hapur perspektivën, pa lejuar që retorika të zëvendësojë dialogun e normalizimit.

    Për BE-në, sulmet verbale të liderëve nuk përbëjnë vetëm një përplasje politike publike, sipas analizës, por edhe rritje të drojës për “dritaret e mundësive” që mund të shfrytëzohen nga aktorë që synojnë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor./ATVLIVE/

  • Kurti në Skënderaj, e quan Sami Lushtakun si multi-milioner

    Kurti në Skënderaj, e quan Sami Lushtakun si multi-milioner

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka takuar qytetarët e komunës së Skenderaj.

    Kurti, në një postim në facebook është shprehur se në Skenderaj pushteti aktual nuk ka as program e as ide, dhe që multi-milionerin ish komandant i cili kënaqet kur i frikësohen njerëzit, janë devijim nga sakrifica e madhe e dëshmorëve.

    “Në Skenderaj pushteti aktual nuk ka as program e as ide. Pabarazitë në Skenderaj, me multi-milionerin ish komandant i cili kënaqet kur i frikësohen njerëzit, janë devijim nga sakrifica e madhe e dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë kontribuesve për çlirim të Kosovës, liri të popullit dhe shtet të pavarur. Funksionet publike janë për shërbim me përkushtim e jo për pasurim me sundim”, ka shkruar Kurti.

    Kurti është shprehur se VV-ja ka Hysni Mehanin, aktivist i devotshëm e asamblist tejet aktiv, i dijshëm, modest e trim, që nuk ndan e nuk përçan, por afron e bashkon.

    “Ne e kemi Hysni Mehanin, aktivist i devotshëm e asamblist tejet aktiv, i dijshëm, modest e trim, që nuk ndan e nuk përçan, por afron e bashkon. Ai është mundësia e juaj dhe garancia jonë që nevojat e kërkesat e qytetarëve plotësohen kurse vizioni dhe projektet për Skenderaj jetësohen.

    Me Hysni Mehanin shërbejmë me pasion, dije e punë. Skenderaj me të në krye pas 12 tetorit me pendën e Kuçicës gjen zgjidhje për problemin me ujë të pijes, ndërtojmë çerdhe të reja për fëmijët, realizojmë ngrohtoren e qytetit, trafikun publik, pishinën gjysmë-olimpike, parqet me lodra për fëmijë, parkun teknologjik inovativ, shteg për ecje e vrapim si dhe zvogëlojmë numrin e drejtorive komunale me qëllim orientimin e buxhetit për më shumë investime kapitale”, ka shkruar Kurti./ATVLIVE/

  • Diaspora gjatë vitit 2024 dërgoi 1 miliard e 350 milionë euro në Kosovë

    Diaspora gjatë vitit 2024 dërgoi 1 miliard e 350 milionë euro në Kosovë

    Në bazë të të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), remitencat nga diaspora për vitin 2024 në Kosovë kanë arritur në shifrën prej 1 miliardë e 350 milionë eurove.

    Këto të dhëna janë publikuar në raportin “Vjetari Statistikor” për vitin 2025, ndërsa janë bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës.

    Sipas këtij raporti, nga viti 2014 kur remitancat kanë qenë 622.3 milionë euro, ato vazhdimisht kanë shkuar duke u rritur. Në vitin 2021 për herë të parë kanë kaluar shifrën e 1 miliardë eurove.

    Në anën tjetër, sipas të njëjtit Raport, eksporti i mallrave në vitin 2024 nga Kosova ka arritur në vlerën prej 941.5 milionë eurove, kurse importi ka shkuar në 6.4 miliardë euro.

    Gjithashtu, para 10 vjetësh apo në vitin 2014 eksporti i mallrave arrinte në 324.5 milionë euro, kurse importi në atë vit ishte 2.5 miliardë euro.

    Sipas ASK-së, inflacioni vjetor në vitin 2024 ka qenë 1.6%, për dallim nga viti 2023 ku arrinte në 4.9%. Ndërsa në 10 vitet e fundit, shifra më e lartë e inflacionit, sipas Raportit të ASK-së, ka qenë në vitin 2022, ku arrinte në 11.6%.

    Për çdo vit, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon raportin e njohur si “Vjetari Statistikor”, i cili ofron të dhëna themelore statistikore për Kosovën, si në fushën demografike, ekonomike, bujqësore.

    Aty përfshihen statistika për popullsinë, ekonomitë familjare, lindjet, vdekjet, arsimin, kulturën, shëndetësinë, mirëqenien sociale apo energjinë./ATVLIVE/

  • Autobusi merr flakë në Duhël të Suharekës, nuk ka të lënduar

    Autobusi merr flakë në Duhël të Suharekës, nuk ka të lënduar

    Një autobus ka marrë flakë derisa ishte në lëvizje në fshatin Duhël të Suharekës.
    Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës. Zëdhënësi, Shaqir Bytyqi tha se menjëherë pas pranimit të informatës Policia dhe Zjarrëfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes duke e lokalizuar dhe shuar me sukses zjarrin.
    Bytyqi tha sipas të dhënave fillestare janë shkaktuar dëme materiale, por nuk ka persona të lënduar.

    “Sot, më datë 05 tetor 2025, rreth orës 16:16, është raportuar se në fshatin Duhël të Suharekës një autobus ka marrë flakë gjatë lëvizjes. Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet e Policisë dhe Zjarrfikësit kanë dalë në vendngjarje. Zjarri është lokalizuar dhe shuar me sukses. Sipas të dhënave fillestare, si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa persona të lënduar nuk ka”- thuhet në njoftimin e policisë, të cilët edhe janë duke e hetuar rastin për të përcaktuar shkaqet e zjarrit.

  • Lidhja e Bizneseve me reagim: Mungesa e institucioneve, e ka zhytur vendin në krizë ekonomike

    Lidhja e Bizneseve me reagim: Mungesa e institucioneve, e ka zhytur vendin në krizë ekonomike

    Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku sipas tyre, mungesa e institucioneve funksionale dhe vendimmarrjes e ka futur vendin në ngërç të plotë ekonomik.

    Në reagim thuhet se ekonomia e vendit po stagnon, investimet po bien ndërsa qytetarët dhe bizneset po e ndjejnë barrën e papërgjegjësisë politike çdo ditë e më shumë.

    “Për inate politike po dëmtohet ekonomia e vendit, ndërsa Kosova po përballet me rritje të importit dhe ulje të eksportit, gjë që thellon më tej bilancin negativ tregtar dhe dëmton konkurrueshmërinë e prodhimit vendor”.

    “Mungesa e reformave fiskale dhe pezullimi i politikave zhvillimore kanë krijuar një klimë pasigurie në sektorin privat. Shumë borde dhe agjenci shtetërore kanë mbetur me ushtrues detyre, pa legjitimitet për të marrë vendime strategjike, duke paralizuar proceset ekonomike”, thuhet në reagim.

    Tutje, Lidhja e Bizneseve tha se nga një vend që dikur Kosova ishte model për rajonin, sot është kthyer prapa me ekonomi të ngadalësuar dhe me mungesë të plotë të vizionit ekonomik.

    “Mbi 1 miliard euro kredi dhe grante zhvillimore mbeten të bllokuara në Kuvend për shkak të mosfunksionimit institucional. Këto mjete, që do të mund të investoheshin në energji, infrastrukturë, arsim dhe prodhim, sot qëndrojnë të palëvizshme, ndërsa bizneset përballen me vështirësi të mëdha në terren”.

    “Kosova po përballet njëkohësisht me çmime të larta të energjisë dhe kosto të shtuara të prodhimit; mungesë investimesh të huaja dhe rreziku për largim të kapitalit ekzistues; ngadalësim të rritjes ekonomike dhe humbje të vendeve të punës; pezullim të dialogut strategjik Kosovë–SHBA, që dëmton rëndë imazhin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të vendit”.

    “Lidhja e Bizneseve të Kosovës apelon për përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje urgjente të krizës politike, në mënyrë që vendi të rifitojë stabilitetin ekonomik dhe besimin e investitorëve”, thuhet tutje në reagim.

    Lidhja e Bizneseve tha se bizneset në vend kërkojnë qeverisje funksionale, vendimmarrje dhe klimë të qëndrueshme zhvillimore e jo bllokadë e pasiguri./ATVLIVE/

  • Samiti Brdo-Brijuni mbledh udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Durrës, Kosova përfaqësohet nga Osmani

    Samiti Brdo-Brijuni mbledh udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Durrës, Kosova përfaqësohet nga Osmani

    Durrësi do të jetë nesër nikoqir i Samitit të Brdo-Brijunit, ku në qendër të këtij samiti do të jetë perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor.

    Fokus të veçantë në samitin e nesërm do të ketë Plani i Rritjes për rajonin, e cili do të udhëhiqet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Në Samitin e Brdo-Brijunit do të marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Sllovenisë, Natash Mirc Musa, ai i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ai malazez, Jakov Millatoviq, presidentja maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova dhe presidenti serb Vuçiq.

    Takimi i këtij viti do të mbahet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: së bashku drejt BE-së”. Përveç çështjes së perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të përqendrohet edhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, njoftuan organizatorët.

    Kosova pritet të marrë një total prej 880 milionë eurosh nga Plani i Rritjes deri në fund të vitit 2027, Maqedonia e Veriut mbi 750 milionë euro, Shqipëria mbi 920 milionë euro, Serbia mbi 1.5 miliard euro, Mali i Zi 380 milionë euro dhe Bosnja dhe Hercegovina rreth 900 milionë euro, pasi Komisioni uli fondet e tyre me dhjetë për qind për shkak të vonesave në plan./ATVLIVE/

  • Aktori Florian Binaj shpall kandidaturën për bashkinë e Tiranës

    Aktori Florian Binaj shpall kandidaturën për bashkinë e Tiranës

    Aktori dhe moderatori i njohur Florian Binaj i është shtuar listës së kandidatëve të opozitës për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.

    Në një deklaratë publike, Binaj tha se pas më shumë se dy dekadash angazhim në çështje me interes kombëtar, ka vendosur të kandidojë për kryetar bashkie si një “qytetar i lirë, pa parti”, me synimin për t’i dhënë kryeqytetit një drejtues që përfaqëson qytetarët dhe jo interesat politike.

    Postimi i plotë:

    Të dashur mikesha dhe miq, qytetarë të ndershëm punëshumë e fjalëpakë të kryeqytetit të Shqipërisë. Si një artist i përfshirë në çështje publike me interes Kombëtar prej 22 vitesh, si një kryefamiljar, i rritur në një kryeqytet i cili ka shkatërruar shumëçka në emër të zhvillimit dhe që shumë pak gjëra kanë mbetur ende pa u bërë ish, nisur nga nevoja e menjëhershme për të pasur në drejtim të kryeqytetit një figurë e cila nuk është gjymtyrë e asnjë partie pasi e kemi parë në 34 vite që kjo mënyrë jo e drejtpërdrejtë nuk ka qënë frytëdhënëse në përmirësimin e cilësisë së jetës tonë.

    Na duhet një drejtues qytetar i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët sepse asnjë nga ne nuk mund të presë më edhe 34 vite të tjera. Prandaj kam vendosur, të shpall kandidaturën time për Kryetar Bashkie të Tiranës duke dhënë gjithë veten time për të përfaqsuar sa më denjësisht çdo qytetare dhe qytetar, me apo pa parti, elektoratin gri por pa i ndarë njerëzit në krahë, por si të barabartë, sepse asnjë qytet dhe aq më tepër kryeqyteti, nuk mund ti shërbejë vetëm palës politike që e drejton. Unë besoj se kontributi im do i shërbejë edhe pse gjysëm mandati, shpresës dhe bashkimit, përmirësimit të jetës të të gjithë kryeqytetasve.

    Uroj dhe shpresoj që të gjitha partitë politike qe duan vërtet ndryshimin pavarësisht ngjyrave të bashkohen me këtë nismë dhe të kenë besim tek qytetarët ashtu siç qytetarët kanë pasur besim tek ta.
    Qëllimi im është, që së bashku, ta nxjerrim bashkinë nga gjëndja në të cilën ndodhet për shkak të politikës dhe t’jua rikthejmë atë qytetarëve si një shtëpi për të gjithë ne. Të rikthejmë besimin tek institucioni i bashkisë në shërbim të komunitetit!

    Ftoj të gjithë qytetarët, intelektualët të majtë dhe të djathtë të na bashkohen.
    Faleminderit.

  • Ngërçi institucional, a po rrëshqet Kosova drejt një krize ekonomike?

    Ngërçi institucional, a po rrëshqet Kosova drejt një krize ekonomike?

    Moskonstituimi i institucioneve shtetërore po vazhdon të ketë ndikim negativ në ekonominë e vendit, duke krijuar pasiguri te bizneset vendore dhe investitorët e huaj. Bizneset vendore dhe investitorët e huaj po përballen me një klimë të pasigurt, e cila po i detyron të ngadalësojnë aktivitetet dhe planet e tyre për zhvillim e investim, raporton KosovaPress.

    Ekspertë të ekonomisë dhe afaristë vlerësojnë se mungesa e stabilitetit politik dhe qeverisës po pengon zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe sic thonë ata po krijon pasiguri të vazhdueshme në tregun vendor.

    Profesori universitar Sejdi Rexhepi, thotë për KosovaPress theksoi se “situata aktuale po e lë shtetin dhe ekonominë në një gjendje të paorganizuar”. Sipas profesorit Rexhepi, përveç bizneseve vendore, kjo po ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe tek bizneset ndërkombëtare të cilat edhe nëse kanë pasur për qëllim të investojnë në këtë periudhë, sipas tij nuk kanë investuar dhe e kanë shtyrë për një periudhë tjetër kohore kur situata të jetë stabile.

    Gjithashtu eksperti financiar Emanuel Bajra thekson se përveç varësisë që është krijuar nga bizneset ndaj ndihmave dhe subvencioneve shtetërore, ngërçi politik po sjellë pasoja serioze në modelimin e ekonomisë së vendit.

    Përveç kësaj, Bajra thotë për KosovaPress se është e nevojshme të gjendet një zgjidhje politike për të dalë nga kjo krizë për hirë të ekonomisë, konsumatorit dhe gjithashtu sic potencon ai për rreziqet që po vijnë nga jashtë Kosovës.

    Edhe sektori privat po përballet me sfida të mëdha si pasojë e vakumit institucional. Pronari i kompanisë “ELKOS”, Ramiz Kelmendi, thotë se dëmet për ekonominë dhe bizneset janë të mëdha dhe të pambarueshme.

    Përderisa situata politike vazhdon të mbetet e pasigurt, thirrjet nga ekspertët dhe bizneset për stabilitet institucional janë gjithnjë e më të zëshme, në mënyrë që të shmangen pasojat afatgjate për ekonominë e vendit.

    Përveç kësaj, mungesa e formimit të institucioneve të reja, rrezikon që vendi të mbetet edhe pa buxhet për vitin e ardhshëm.

    Zgjdhjet dhe bllokada në Kuvend

    Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt, por ende nuk është bërë formimi i institucioneve të reja.

    Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.

    Më 30 shtator, Gjykata Kushtetuese e Kosovës njoftoi se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar.

    Kushtetuesja vendosi që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

    Sipas këtij vendimi të Gjykatës, seanca konstituive e Kuvendit duhet të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi.

  • Kishte fshehur marihuanën në një kavanoz me ajvar, arrestohet suharekasi

    Kishte fshehur marihuanën në një kavanoz me ajvar, arrestohet suharekasi

    Një person në Reqan të Suharekës është arrestuar pasi dyshohet se ka fshehur një qese me marihuanë në një kavanoz qelqi me ajvar.

    Bëhet fjalë për 56.52 gramë substancë narkotike.

    Nga rasti i ndodhur të shtunën, është arrestuar i dyshuari.

    Tek ai është gjetur dhe sekuestruar një telefon celular.

  • Plagosja në Suharekë, policia bastis shtëpinë e te dyshuarit

    Plagosja në Suharekë, policia bastis shtëpinë e te dyshuarit

    Një gjuajtje me armë ka ndodhur në Shirokë të Suharekës, mbrëmë. Nga kjo ngjarje një 44 vjeçar ka mbetur i plagosur.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyqi.

    Sipas tij, i plagosuri pas pranimit të ndihmës mjekësore është liruar.

    “Sipas informatave fillestare, pas një mosmarrëveshjeje paraprake mes dy personave, njëri prej tyre dyshohet se ka shtënë me armë zjarri, duke plagosur në këmbë personin, mashkull, 44 vjeçar. I plagosuri është dërguar fillimisht në QKMF Suharekë për ndihmë të parë dhe më pas në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku pas një intervenimi kirurgjik është liruar, pasi r lëndimet janë cilësuar si të lehta”, ka thënë Bytyqi për IndeksOnline.

    Ai ka njoftuar se me urdhër të prokurorit kujdestar është kryer bastisje në banesën e të dyshuarit A.F., 21 vjeçar, mirëpo i njëjti nuk është gjetur aty.

    Aktualisht nuk dihet se çfarë arme është përdorur në rast.
    Sektori I Hetimeve Rajonale është duke punuar në arrestimin e të dyshuarit.