ATV

Category: Lajme

  • Borxhi i Jugosllavisë së Titos do të shlyhet vetëm në vitin 2041, 815.86 milionë euro kredi nga koha e RSFJ-së

    Borxhi i Jugosllavisë së Titos do të shlyhet vetëm në vitin 2041, 815.86 milionë euro kredi nga koha e RSFJ-së

    Si ishte në kohën e Titos?

    Shpesh dëgjohet të thuhet se ato ishin “kohë të arta” — mund të flije në park, të gjithë mund të blinin makina, merrnin banesë, dhe pushonin në det apo në male. Por, ajo që rrallë përmendet në këtë “idilë”, është: nga vinin paratë për të gjitha këto?

    Nga kreditë! Kreditë e shtrenjta!
    Dhe kush do t’i shlyejë ato? Serbët e sotëm!

    Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Popullore të Serbisë (NBS), do të duhen edhe 16 vite të tjera që vendi të çlirohet plotësisht nga borxhet e marra në kohën e “epokës së artë” të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ).

    Më 30 shtator 2025, Serbia ende ka për të paguar 815,86 milionë euro ndaj kreditorëve të huaj shifra që përfaqëson pjesën e mbetur të borxhit të trashëguar nga koha e “vëllazërimit dhe unitetit”. Deri më tani, shteti ka shlyer miliarda euro nga këto borxhe të mbetura që datojnë nga periudha e Titos.

    Sipas të dhënave zyrtare, borxhi publik që Serbia trashëgoi nga RSFJ-ja ishte rreth 8,82 miliardë euro. Prej tyre: ndaj Klubit të Parisit 4,19 miliardë euro, ndaj Klubit të Londrës 2,58 miliardë euro, ndaj Bankës Botërore (IBRD) 1,81 miliardë euro, dhe ndaj Bashkimit Evropian (EIB) 223 milionë euro.

    Obligimet ndaj Klubit të Londrës janë shlyer vitin e kaluar, ndërsa, sipas NBS-së, mbetet për t’u paguar ndaj Bankës Botërore, shtetit të Kuvajtit dhe Klubit të Parisit.

    Sipas llogarive aktuale, borxhi i fundit do të shlyhet në vitin 2041.

    Të dhënat tregojnë se më e madhja pjesë e borxhit i takon Bankës Botërore 343,28 milionë euro, e ndjekur nga Klubi i Parisit me 290,35 milionë euro, ndërsa ndaj Kuvajtit mbeten edhe 144,15 milionë euro për t’u shlyer.

  • Dogana ndalon udhëtarin me mbi 10,000 euro të padeklaruara në Vermicë

    Dogana ndalon udhëtarin me mbi 10,000 euro të padeklaruara në Vermicë

    Në Pikën Kufitare Vermicë, gjatë një kontrolli të detajuar ndaj një automjeti që po hynte në territorin e Republikës së Kosovës, janë zbuluar mjete monetare të padeklaruara.
    Pas pyetjes së zakonshme nga zyrtarët doganorë, udhëtari kishte deklaruar se nuk posedonte mjete monetare për deklarim. Megjithatë, pas kontrollit të detajuar në vijën e dytë, u konstatua se ai posedonte mjete monetare që tejkalonin kufirin e lejuar prej 10,000 eurosh, pa bërë deklarimin paraprak.
    Në përputhje me legjislacionin në fuqi, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë masat e parapara ligjore, ku është konfiskuar 25% e shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve është ndaluar përkohësisht, deri në përfundimin e procedurave të mëtejshme.
    Dogana e Kosovës rithekson rëndësinë e respektimit të obligimeve ligjore nga të gjithë qytetarët dhe udhëtarët që kalojnë përmes pikave kufitare, duke rikujtuar se çdo shumë mbi 10,000 euro, e bartur në hyrje apo dalje nga territori i vendit, duhet të deklarohet paraprakisht pranë zyrtarëve doganorë.
  • Vuçiq nga Shqipëria: “Sërbia mbetet e përkushtuar ndaj procesit të zgjerimit të BE-së”

    Vuçiq nga Shqipëria: “Sërbia mbetet e përkushtuar ndaj procesit të zgjerimit të BE-së”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, është deklaruar se pavarësisht sfidave që e presin rajonin, Sërbia do të mbetet e përkushtuar ndaj procesit të integrimit evropian dhe ndaj bashkëpunimit me vendet fqinje.

    “Edhe pse na presin shumë sfida, Sërbia mbetet e përkushtuar që zgjerimi i Bashkimit Evropian të mbetet një nga prioritetet kryesore, e jo një temë dytësore”, tha Vuçiq, duke theksuar rëndësinë e Procesit Brdo–Brioni si një platformë që mund të sjellë rezultate konkrete për rajonin.

    Ai shtoi se pret që nga ky proces të dalin konkluzione të qarta, pasi sipas tij, vetëm sinqeriteti dhe qëndrueshmëria e të gjitha palëve mund të sigurojnë besimin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

    “Jam i bindur se zgjerimi i BE-së duhet të mbetet pjesë e rëndësishme e agjendës së rajonit, sepse perspektiva e anëtarësimit sjell reforma, investime dhe rritje ekonomike,” shtoi më tej presidenti serb.

    Në fund të fjalës së tij, Vuçiq theksoi se Sërbia do të mbetet një partner i besueshëm dhe i përgjegjshëm i Bashkimit Evropian, duke përsëritur angazhimin e Beogradit për të vazhduar rrugën drejt integrimeve evropiane.

  • “Së bashku për integrimin evropian” – në Durrës nis Samiti i Brdo-Brijunit

    “Së bashku për integrimin evropian” – në Durrës nis Samiti i Brdo-Brijunit

    Samiti 2-ditor i Brdo-Brijunit po mbahet këtë vit në Shqipëri.

    Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Durrës, ndërsa në fokus pritet të jenë çështjet që prekin rajonin, si dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor.

    Temat e diskutimeve lidhen me bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin europian, Planin e Rritjes së BE-së, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore, sidomos të rinisë.

    Veç Seancës Plenare dhe Konferencës për Shtyp që Presidenti Begaj do të mbajë së bashku me homologët e Sllovenisë dhe Kroacisë, gjatë punimeve të këtij samiti janë parashikuar edhe takime dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës.

    Ky samit pritet të dalë me konkluzionet përkatëse, të cilat konsiderohen si shtysë për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse dhe progresit të tyre.

    Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Procesit të Brdo-Brijuni-t, iniciativë e vitit 2010 e Sllovenisë dhe Kroacisë, dy shtete anëtare të BE-së.

  • Bie qeveria në Francë, një muaj në detyrë, jep dorëheqjen kryeministri Sebastien Lecorni

    Bie qeveria në Francë, një muaj në detyrë, jep dorëheqjen kryeministri Sebastien Lecorni

    Kryeministri francez Sebastien Le Corneille i ka paraqitur dorëheqjen e tij Emmanuel Macron, i cili e ka pranuar atë. Kryeministri, i cili u emërua më 9 shtator, është kritikuar ashpër nga kundërshtarët e tij dhe nga e djathta pasi njoftoi një pjesë të qeverisë së tij të dielën në mbrëmje.

    Pas disa javësh konsultimesh me të gjitha partitë politike, Le Corneille, një aleat i ngushtë i Macron, emëroi ministrat e tij të dielën dhe kabineti ishte planifikuar të mbante mbledhjen e tij të parë të hënën pasdite.

    Megjithatë, përbërja e kabinetit të ri ka zemëruar si kundërshtarët ashtu edhe aleatët, të cilët e kanë parë atë si shumë të djathtë ose të pamjaftueshëm, duke ngritur pyetje se sa gjatë mund të zgjasë në një kohë kur Franca është tashmë thellësisht e zhytur në krizë politike, pa asnjë grup që mban shumicën në një parlament të fragmentuar.

    Politika franceze është bërë gjithnjë e më e paqëndrueshme që nga rizgjedhja e Macron në vitin 2022, për shkak të mungesës së ndonjë partie ose grupi që mban shumicën parlamentare.

    Në një intervistë me BFM-TV menjëherë pas njoftimit të dorëheqjes së Sébastien Lecorni, presidenti i Frontit Kombëtar, Jordan Bardella, vlerësoi se “kryeministri i përkohshëm nuk kishte hapësirë për manovrim”.

    “Sigurisht që Emmanuel Macron ishte ai që mblodhi qeverinë”, vlerësoi ai, duke siguruar se “ai nuk kuptonte asgjë për situatën në të cilën ndodhemi”.

    “Stabiliteti nuk mund të rivendoset pa kthimin e zgjedhjeve dhe shpërbërjen e Asamblesë Kombëtare”, këmbënguli ai.

    Bursat evropiane dhe të Parisit kanë shënuar rënie menjëherë pas dorëheqjes së kryeministrit francez. Bankat franceze kryesuan rënien në tregjet financiare, me Societe Generale që ra me më shumë se 6% menjëherë pas njoftimit, ndërsa BNP Paribas dhe Credit Agricole gjithashtu panë rënie të ndjeshme.

    Euro ra gjithashtu kundrejt paundit dhe dollarit, ndërsa kostot e huamarrjes së qeverisë franceze, siç reflektohen në tregjet e obligacioneve, arritën nivelet e para pothuajse një muaj më parë, kur vendi ishte përsëri në të njëjtin ngërç politik.

  • Policia nis fushatën “Duart në timon, jo në telefon”

    Policia nis fushatën “Duart në timon, jo në telefon”

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka nisur sot nga ora 10:00 fushatën vetëdijësuese “Duart në timon, jo në telefon”, që synon ngritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet që sjell përdorimi i telefonit gjatë ngasjes.

    Fushata po zhvillohet nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, në bashkëpunim me stacionet policore vartëse në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Han të Elezit, si dhe me mbështetjen e OJQ-së “Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt”.

    “Një sekondë në telefon mund të jetë shumë vonë. Duart në timon, e jo në telefon”, është mesazhi qendror që Policia e Kosovës po përcjell për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

    Gjatë kësaj periudhe, policia do të organizojë aktivitete të ndryshme vetëdijësuese, përfshirë shpërndarjen e fletëpalosjeve, vendosjen e posterëve në rrugë e sheshe publike dhe mbajtjen e ligjëratave në shkollat e rajonit të Ferizajt.

    Faza e parë e projektit, që ka karakter parandalues dhe edukativ, do të zgjasë deri më 12 tetor 2025. Nga data 13 tetor, policia do të fillojë me zbatimin e masave ndëshkuese për të gjithë shoferët që shkelin ligjin dhe rrezikojnë sigurinë rrugore duke përdorur telefonin gjatë ngasjes.

  • “U qëllua nga 2-5 cm distancë”, të dhëna tronditëse për vdekjen e Liridona Ademajt nga mjeku që i bëri autopsinë

    “U qëllua nga 2-5 cm distancë”, të dhëna tronditëse për vdekjen e Liridona Ademajt nga mjeku që i bëri autopsinë

    Mjeku ligjor Naim Uka ka dhënë dëshminë e tij sot në gjykimin për vrasjen e Liridona Ademajt, ku ka prezantuar raportin e autopsisë dhe është përgjigjur në pyetjet e prokurores së rastit.

    Prokurorja i është referuar faqes 8 të raportit, ku thuhet: Kaviteti i kokës dhe trurit, kafka, pjesa kockore në regjionin e djathtë dhe temthor, konstatojmë plagën hyrëse të krijuar si rezultat i veprimit dinamik të predhës së hedhur nga arma e zjarrit, e cila shoqërohet me një gaver dhe një kockë mangu.”

    “Pas kësaj e keni dhënë mendimin tuaj. A mund të na tregoni cilin mendim për mënyrën e vrasjes së të ndjerës Liridona?”, ka pyetur prokuroja mjekun e IML-së, Naim Uka.

    “Gjatë procedurave të autopsisë mjekoligjore është vërtetuar veprimi dinamik nga armë e zjarrit. Është e rëndësishme të ceket se pjesë metalike të kësaj predhe janë gjetur në anën murore të kokës, e cila është dorëzuar si provë.Si rezultat i kësaj plage ka ardhur edhe gjakderdhja e brendshme trurore, e cila është edhe shkaku i vdekjes.”, është përgjigjur Uka.

    Ai ka sqaruar se plaga ka qenë në pjesën e prapme të kokës dhe ka përshkruar më tej karakteristikat e saj.

    “Gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse kemi konstatuar, përmes vrimës hyrëse, prezencën e faktorëve plotësues të qitjes që kanë shkaktuar djegie lëkurore me prezencë të grimcave të barutit. Në bazë të këtyre provave mjekoligjore, distanca e qitjes sillet nga 2 deri në 5 cm. Përjashtohet mundësia e vrasjes me puthitje apo gjysmëputhitje për shkak të mungesës së stampimit të tytës së armës.”, deklaroi ai.

    “Në këtë rast kemi kryer ekzaminimet e të dy duarve të tashmë të ndjerës, në mënyrë që, bazuar në prezencën apo mungesën e faktorëve plotësues të qitjes dhe njollave, është eliminuar mundësia që e njëjta të ketë përdorur ndonjë armë apo të ketë shkaktuar vetëvrasje. Dhe mungesa e shtrëngimit të gishtit kapalotik është tregues që e plotëson konstatimin e parë dhe nuk lë asnjë dyshim për mundësi tjetër.”, theksoi Uka.

  • Aksident me fatalitet në Kamenicë, një i vdekur dhe dy të lënduar

    Aksident me fatalitet në Kamenicë, një i vdekur dhe dy të lënduar

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur të dielën mbrëma në Novosellë të Kamenicës, si pasojë e të cilit ka humbur jetën një person dhe janë lënduar dy tjerë, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Dyshohet se deri te aksidenti erdhi për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë, ndërsa vetura ka goditur anësoret e metalit.

    Një pasagjer ka humbur jetën, ndërsa është lënduar një pasagjer tjetër dhe shoferi. Policia ka njoftuar se shoferi është dërguar në mbajtje.

    “Fsh. Novosellë, Kamenicë / 05.10.2025 – 18:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti derisa ishte duke drejtuar veturën dyshohet se nga pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës ka humbur kontrollin mbi veturë dhe ka dalë jashtë rrugës duke goditur kështu anësoret e metalit. Si pasojë viktima mashkull kosovar/pasagjer në veturë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa lëndime ka pësuar edhe pasagjeri tjetër mashkull kosovar si dhe vet drejtuesi-i dyshuari. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari-drejtuesi është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia e Kosovës./ATVLIVE/

  • Kosova në alarm – mbi 100 të arrestuar në vetëm një javë

    Kosova në alarm – mbi 100 të arrestuar në vetëm një javë

    Në shërbim të rendit, drejtësisë dhe sigurisë publike, Policia e Kosovës qëndron në vijën e parë të përballjes me shkelësit e ligjit, duke vepruar me vendosmëri dhe profesionalizëm për të garantuar siguri për të gjithë qytetarët.

    Vetëm gjatë javës së fundit, në të gjitha rajonet e Kosovës janë arrestuar 102 persona për vepra të ndryshme penale.

    Sipas të dhënave nga raporti 24-orësh i policisë, për periudhën nga 29 shtatori deri më 4 tetor, numri më i madh i arrestimeve lidhet me rastet e dhunës në familje.

    Pas kësaj vepre penale, prangat e policisë u përdorën më së shumti për personat që mbanin armë pa leje, sulme ndaj zyrtarëve policorë, për posedim të narkotikëve, e madje edhe për kalim ilegal të kufijve.

    Po ashtu, në ditët e fundit të shtatorit dhe në fillim të tetorit, 65 persona të tjerë u dërguan në mbajtje për përfshirje në veprime të kundërligjshme.

    Arrestimi i personave të dyshuar për vepra penale nuk është vetëm një akt i zbatimit të ligjit, por një mesazh i qartë se askush nuk është mbi ligjin. Përmes profesionalizmit dhe përkushtimit të saj, Policia e Kosovës vazhdon të dëshmojë se lufta kundër kriminalitetit nuk njeh kompromis./ATVLIVE/

  • Gjuajte me armë zjarri në një dasmë në Ferizaj

    Gjuajte me armë zjarri në një dasmë në Ferizaj

    Sot rreth orës 15:30, policia në Ferizaj ka pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri gjatë një dasme në rrugën “Mihajl Grameno”.

    Sipas njoftimit, njësia policore menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar personin e dyshuar, S.I., (56-vjeçar) i cili ka pranuar se kishte shtënë me armë zjarri, të cilën e kishte me leje.

    Në vendin e ngjarjes është sekuestruar arma e tipit pistoletë, 8 gëzhoja, si dhe leja e armës.

    I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj për intervistim dhe me vendim të prokurorit të shtetit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti është cilësuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    “Policia Rajonale në Ferizaj apelon tek qytetarët që të përmbahen nga përdorimi i armëve të zjarrit në ahengje familjare, pasi një veprim i tillë paraqet rrezik serioz për jetën e qytetarëve”, thotë policia tutje në njoftim.