ATV

Category: Lajme

  • Tentoi të kontrabandojë veshje të ndryshme nga Shqipëria në Kosovë, kapet tregtari 43-vjeçar

    Tentoi të kontrabandojë veshje të ndryshme nga Shqipëria në Kosovë, kapet tregtari 43-vjeçar

    Një rast i tentativës për kontrabandë mallrash drejt Kosovës është goditur nga policia në Kukës, raporton Gazeta Sinjali.

    Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, gjatë operacionit të zhvilluar nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës, është sekuestruar një automjet dhe disa thasë me veshje të ndryshme që po tentoheshin të kontrabandoheshin përtej kufirit.

    “Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për kontrabandë mallrash, shërbimet e DVKM Kukës kanë ndaluar në aksin rrugor që lidh fshatrat Pogaj dhe Gorozhub, Kosovë, automjetin me drejtues shtetasin V. D.”, thuhet në njoftim.

    Gjatë kontrollit në automjet, policia gjeti disa thasë me veshje të ndryshme, të cilat 43-vjeçari po tentonte t’i kontrabandonte në Kosovë. Mallrat dhe automjeti janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

    Në përfundim të veprimeve procedurale, “specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin V. D., 43 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale ‘Transporti i mallrave kontrabandë’ dhe ‘Fshehja e të ardhurave’”, thuhet më tej.

    Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

  • Kurti nga Franca: Europa përfiton nga integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO

    Kurti nga Franca: Europa përfiton nga integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Paris, ka folur për rëndësinë e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe NATO.

    Deklaratat e tij u bënë gjatë darkës së shtruar nga Qarku Diplomatik i Parisit, ku ishin të pranishëm shumë personalitete të larta politike, diplomatike dhe ekonomike të Francës, siç ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës.

    “Ai tha se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është në vetë interesin ekonomik dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij. Në këtë drejtim, ai shtoi se u përket atyre që besojnë se zgjerimi i jashtëm i Bashkimit Evropian dhe reformat e brendshme të tij shkojnë krah për krah. Vetëm një Evropë që dëshiron të reformohet nga brenda mund të zgjerohet nga jashtë, dhe vetëm një Evropë që dëshiron të zgjerohet nga jashtë mund të reformohet suksesshëm nga brenda; zgjerimi i jashtëm dhe reformat e brendshme janë njëkohësisht mundësi dhe kushte të njëra-tjetrës”, citohet në njoftimin e qeverisë.

    Tutje, Kurti ka theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve demokratike për avancimin e shoqërive dhe përballimin e sfidave të përbashkëta.

    Kryeministri në detyrë sot merr pjesë edhe në edicionin e tetë të Forumit të Paqes në Paris, me ftesë të Presidentit të Republikës së Francës, Emmanuel Macron, forum ky që mblodhi liderë nga e gjithë bota.

  • Rasti më i gjatë i emigracionit në histori të Britanisë përfundon në favor të një shqiptari, zgjati 26 vjet

    Rasti më i gjatë i emigracionit në histori të Britanisë përfundon në favor të një shqiptari, zgjati 26 vjet

    Një emigrant shqiptar ka fituar të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar pas një beteje ligjore që zgjati plot 26 vjet, në një nga rastet më të gjata të emigracionit në historinë e vendit.

    Sipas The Telegraph Gentian Hoti, 41 vjeç, mbërriti në Britani në vitin 1999 në moshën 15-vjeçare, duke kërkuar azil dhe pretenduar se ishte nga Kosova, ndërkohë që në të vërtetë kishte lindur në Shqipëri në vitin 1984.

    Në dokumentet e paraqitura ai deklaroi se ishte viktimë e autoriteteve serbe dhe se ishte ndarë nga familja gjatë arratisjes.

    Kërkesa e tij për azil u refuzua, por iu dha leje e jashtëzakonshme për të qëndruar deri në vitin 2003. Më pas, Hoti u vu nën kujdesin e autoriteteve lokale dhe në 2004 mori leje qëndrimi me afat të pacaktuar.

    Në vitin 2005 ai mori shtetësinë britanike, por në 2010 nisi një hetim për identitetin e tij, dhe në qershor 2019 i u hoq shtetësia me arsyetimin se kishte përdorur “një identitet të rremë”.

    Hoti apeloi vendimin, dhe gjykata më në fund vendosi në favor të tij, duke konstatuar se që nga viti 2013 ai kishte pranuar origjinën e tij shqiptare.

    Pas më shumë se dy dekadash betejë ligjore, Gentian Hoti e ruan tani të drejtën për të mbajtur shtetësinë britanike.

  • Rritja e konsumit të energjisë, KEDS-i ankohet për mbingarkesë në rrjet

    Rritja e konsumit të energjisë, KEDS-i ankohet për mbingarkesë në rrjet

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se gjatë muajit tetor është shënuar një rritje prej 18.5 për qind në konsumin e energjisë elektrike, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    Sipas njoftimit të KEDS-it, arsyeja kryesore e kësaj rritjeje është përdorimi i energjisë elektrike për ngrohje, pas rënies së temperaturave.

    “Kërkesa më e lartë sesa kapacitetet e rrjetit po shkakton mbingarkesa, sidomos gjatë orëve të pikut,” thuhet në njoftim.

    KEDS ka apeluar te qytetarët që të përdorin energjinë në mënyrë racionale dhe të kujdesshme, për të zvogëluar presionin mbi rrjetin elektrik dhe për të siguruar furnizim të qëndrueshëm për të gjithë konsumatorët.

  • Supremja refuzon padinë për mbulesën islame në shkolla: Udhëzimi administrativ është i bazuar në ligj

    Supremja refuzon padinë për mbulesën islame në shkolla: Udhëzimi administrativ është i bazuar në ligj

    Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar padinë e paraqitur nga Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita”, ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), lidhur me ndalimin e mbulesës islame në institucionet publike arsimore.

    Paditësja kishte kërkuar që të shpallej i paligjshëm dhe të shfuqizohej neni 3, paragrafi 1, nënparagrafi 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 për Kodin e Mirësjelljes dhe Masat Disiplinore për nxënësit e shkollave të mesme të larta. Sipas saj, ky udhëzim kufizon liritë dhe të drejtat kushtetuese të vajzave që mbajnë mbulesë fetare, ndërsa Kushtetuta parasheh se kufizime të tilla mund të vendosen vetëm me ligj.

    “Arrita” kishte theksuar se gjatë katër viteve të fundit ka pranuar shumë ankesa nga vajza të përjashtuara ose të pezulluara nga shkollat publike për shkak të bartjes së shamisë.

    Në arsyetimin e vendimit, Gjykata Supreme theksoi se MASHTI ka autorizim të qartë ligjor për të përcaktuar rregulla për sjelljen dhe veshjen e nxënësve, në bazë të Ligjit për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional.

    “Prandaj, ndalimi i uniformës fetare në shkolla konsiderohet në përputhje me ligjin dhe hierarkinë normative”, thuhet në vendim.

    Gjykata shtoi se kufizimi i manifestimit fetar në institucionet arsimore nuk bie ndesh me Kushtetutën, duke u mbështetur në praktikat e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).

    Në vendimin e saj, Supremja kujtoi se liria fetare është “një çështje e ndërgjegjes individuale”, por jo çdo veprim i motivuar nga feja gëzon mbrojtje absolute. Në shoqëritë demokratike, sipas gjykatës, këto liri mund të kufizohen për të ruajtur harmoninë ndërfetare dhe neutralitetin e shtetit.

  • Papa kërkon paqe: Boll me luftërat me pirgje të vdekurish – lufta s’është kurrë e shenjtë, e shenjtë është vetëm paqja”

    Papa kërkon paqe: Boll me luftërat me pirgje të vdekurish – lufta s’është kurrë e shenjtë, e shenjtë është vetëm paqja”

    Papa Leoni XIV ka dërguar një mesazh të qartë kundër luftërave, në përfundim të takimit ndërfetar të Shën Egjidit, të mbajtur në Koloseumin e Romës.

    “Lufta nuk është kurrë e shenjtë, e shenjtë është vetëm paqja”, tha Ati i Shenjtë, duke theksuar se bota është e lodhur nga konfliktet dhe përçarjet.

    “Bota ka etje për paqe: ka nevojë për një epokë të vërtetë dhe të fortë pajtimi, një epokë që i jep fund shtypjes, tregimit të forcës dhe indiferencës ndaj drejtësisë. Mjaft luftërave, me numrin e tyre të dhimbshëm të vdekjeve, shkatërrimit dhe mërgimit. Lutja është një forcë e madhe për pajtim. Ata që nuk luten abuzojnë me fenë, duke mbërritur deri tek vrasja. Jo më me thirrje e slogane të përdorura kundër krijesave të Zotit. Ne kemi besim se lutja ndryshon historinë e popujve”, deklaroi Papa Leoni XIV.

    Në ceremoninë ku morën pjesë udhëheqës të feve të ndryshme të krishtera, Papa kujtoi fjalët e paraardhësit të tij, Papa Françeskut, duke i bërë thirrje komuniteteve fetare dhe liderëve politikë të heqin dorë nga përdorimi i fesë për qëllime përçarëse.

    “Ne duhet t’u heqim feve tundimin për t’u bërë instrumente që nxisin nacionalizmin, ndarjen etnike dhe populizmin. T’i japin fund luftërave, kjo është detyrë e të gjithë politikanëve. Zoti do t’i mbajë përgjegjës ata që nuk kanë kërkuar paqe ose kanë nxitur tensione dhe konflikte”, theksoi ai.

  • Kadetët kosovarë shkëlqejnë në “Triumfi Dardan 2025″

    Kadetët kosovarë shkëlqejnë në “Triumfi Dardan 2025″

    Kadetët e Qendrës për Studime Universitare kanë përfunduar me sukses patrullën tradicionale “Triumfi Dardan 2025”, një garë ushtarake që zhvillohet çdo vit në kushte të vështira terreni, me qëllim të testimit të aftësive fizike, mendore dhe taktike të pjesëmarrësve.

    Në këtë edicion morën pjesë gjithsej 27 kadetë, të ndarë në tri skuadra, të cilët gjatë gjithë garës treguan disiplinë, përgatitje dhe profesionalizëm të lartë.

    Një veçanti e këtij viti ishte pjesëmarrja e skuadrës nga Akademia Ushtarake e Turqisë, që solli një dimension të ri bashkëpunimi mes institucioneve arsimore ushtarake të Kosovës dhe Turqisë.

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, vlerësoi patrullën si një dëshmi të qartë të nivelit të përgatitjes dhe përkushtimit të kadetëve kosovarë, si dhe të miqësisë së qëndrueshme me Turqinë.

    “Ky aktivitet jo vetëm që forcon lidhjet ushtarake ndërmjet institucioneve arsimore të dy vendeve, por gjithashtu dëshmon se sfidat e përbashkëta ndërtojnë miqësi të qëndrueshme dhe profesionalizëm të përbashkët,” ka shkruar Maqedonci në Facebook.

    “Triumfi Dardan 2025” mbetet një ndër garat më të rëndësishme për formimin ushtarak të kadetëve kosovarë, duke shërbyer si platformë për ngritje të aftësive dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

  • “Gruaja kishte rënë nga një lartësi prej 50 metrash”, detaje nga rasti tragjik në Grykën e Rugovës

    “Gruaja kishte rënë nga një lartësi prej 50 metrash”, detaje nga rasti tragjik në Grykën e Rugovës

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Grykën e Rugovës, ku një qytetare humbi jetën pasi ra në një greminë të thellë. Lajmin e ka konfirmuar Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK), i cili ka dhënë detaje për aksidentin tragjik.

    Sipas njoftimit zyrtar, ekipet e shpëtimit janë alarmuar nga kalimtarë që kishin vërejtur se një person kishte rënë nga skaji i rrugës Pejë–Rugovë, në afërsi të vendit të njohur si “i 7-ti”.

    “Me datën 25.10.2025 Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka pranuar një thirrje nga kalimtarë në Grykën e Rugovës për një aksident. Dyshohej se një qytetare kishte rënë në një greminë me lartësi rreth 50 metra në skajin e rrugës Pejë–Rugovë (M9), saktësisht te lokacioni i njohur si ‘i 7-ti’. Ekipet e shërbimit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes brenda disa minutash dhe menjëherë e kanë lokalizuar viktimën. Për fat të keq, viktima është gjetur pa shenja jete”, thuhet në njoftimin e ShKShMK-së.

    Autoritetet përkatëse po hetojnë rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike, ndërsa Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor apelon për kujdes të shtuar të qytetarëve gjatë lëvizjeve në terrene malore.

  • Prokuroria kërkon vazhdimin e paraburgimit për Veselin, Krasniqin dhe Selimin

    Prokuroria kërkon vazhdimin e paraburgimit për Veselin, Krasniqin dhe Selimin

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar t’iu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët së bashku me Hashim Thaçin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Prokuroria i ka dorëzuar kërkesat e ndara për Veselin, Krasniqin dhe Selimin më 27 tetor 2025 tek trupi gjykues në këtë rast, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Për tre të akuzuarit, Prokuroria thotë se që nga vendimi i fundit për vazhdimin e paraburgimit, nuk ka pasur ndonjë zhvillim që zvogëlojnë faktorët që e mbështesin arsyeshmerinë e kësaj mase.

    Përkundrazi, Prokuroria thotë se me përfundimin e paraqitjes së provave të tyre dhe mbrojtësit të viktimave, po ashtu edhe zbulimi i informacioneve shtesë të ndjeshme në lidhje me dëshmitarët dhe viktimat pjesëmarrëse, rrit rrezikun e arratisjes, pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme.

    Prokuroria pretendon për të tre të akuzuarit se ka rrezik që ata të arratisen, të pengojnë procedurat ose edhe të kryejnë krime të tjera.

    “Veseli vazhdon të paraqesë një rrezik të pengimit të procedurave, siç ka përfunduar së fundmi ky Trup gjykues. Përfundimi i çështjes së ZPS-së nuk e eliminon këtë rrezik, pasi të akuzuarit tashmë e dinë të gjithë gamën e çështjes kundër tyre dhe dëshmitarët mbeten në rrezik pengimi edhe pas dhënies së dëshmisë. Trupi gjykues ka vënë re se rreziku i pengimit përfshin gjithashtu: (a) çdo përpjekje për hakmarrje kundër dëshmitarëve; (b) përpjekje për të motivuar një dëshmitar të tërheqë dëshminë; dhe (c) përpjekje për të ndërhyrë ndaj dëshmitarëve në procedura paralele”, thuhet në kërkesën për vazhdimin e paraburgimit ndaj Veselit.

    Përveç kësaj, thuhet se paraburgimi ndaj tre të akuzuarve është proporcional dhe i arsyeshëm, si dhe asnjë masë tjetër alternative nuk do t’i zbuste mjaftueshëm rreziqet që dalin gjatë këtij procesi.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

    Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

    “Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

    Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

    Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Gucati: Deklarata e Wesley Clark në Hagë do të jetë një bombë

    Gucati: Deklarata e Wesley Clark në Hagë do të jetë një bombë

    Kryetari i Organizatave të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hysni Gucati ka thënë se dëshmia e Gjenerali Wesley Clark në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë do të jetë një bombë për Gjykatën Speciale.

    “Dëshmia e Clark do të jetë një bombë për ta, do të jetë një bombë shumë e madhe do të jetë një sukses i madh sepse në Amerikë është dashtë të marrë leje për të dëshmuar. I falënderojmë që e kanë leju dhe mezi s’po presim që me 19 nëntor ta shohim në Gjykatën Speciale dëshmitë e tij”, tha Gucati në konferencën për media.

    Sipas parashtrimit, Clark ka thënë se nuk mundet ta bëjë udhëtimin për në Hagë përpara 17 nëntorit 2025 dhe për këto arsye mund të fillojë dëshminë me 18 nëntor ose me 19 nëntor 2025.

    Mbrojtja ka kërkuar nga trupi gjykues që të caktohet edhe 21 nëntori për seancë në rast që është e nevojshme për finalizimin e dëshmisë së Clark.

    Po ashtu, mbrojtja ka kërkuar edhe ndryshimin e listës së provave të dorëzuar, duke kërkuar shtimin e deklaratës së Clark.

    “Sa i përket arsyes së mirë, Mbrojtja kërkon shtimin e kësaj Deklarate në Listën e Provave në mënyrë që ajo të mund të dorëzohet sipas Rregullës 154. Pranimi sipas Rregullës 154 do të kursente kohë në sallën e gjyqit dhe do të siguronte që prezantimi i provave të 1DË-007 të ishte i fokusuar, dhe jo i përsëritur ose i dyfishtë. Siç përshkruhet më poshtë, 1DË-007 siguron prova jashtëzakonisht relevante dhe lirueshme, të cilat janë provuese për çështjet në këto procedura. Për këtë arsye, Deklarata ka relevancë dhe rëndësi të mjaftueshme për të justifikuar shtimin e saj në Listën e Provave”, thuhet në parashtrim.

    Në parashtrimin e vetë, mbrojtja thotë se do të Clark do të jep dëshmi rreth përpjekjeve të NATO-s për të zbatuar marrëveshjen e tetorit 1998 në mës Holbrooke dhe Millosheviq. “1DË-007 është një ish-Gjeneral i dekoruar me katër yje në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, i cili shërbeu si Komandant Suprem i i NATO-s nga 1997 deri në 2000. 1DË-007 jep dëshmi rreth drejtimit të përpjekjeve të NATO-s për të zbatuar Marrëveshjen Holbrooke-Millosheviq nga Tetori 1998, zbatimin e Rezolutës 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryerjen e fushatës ajrore kundër forcave jugosllave pas refuzimit të Millosheviqit për të nënshkruar marrëveshjet e Rambujesë, vendosjen e forcave në Kosovë në përputhje me Marrëveshjen Ushtarake Teknike dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, dhe mbikëqyrjen e demilitarizimit dhe transformimit të UÇK-së”, thuhet në dokument.

    Përveç kësaj, thuhet se Clark ka dijeni për dhunën pas kthimit të refugjatëve kosovar dhe tregon për shkaqet e kësaj dhune në verën e 1999-ës.

    “1DË-007 përshkruan dijenin për valën e dhunës në verën e vitit 1999 pas kthimit të refugjatëve kosovarë dhe analizon shkaqet e kësaj dhune dhe faktin se ai nuk besonte se udhëheqja e UÇK-së ishte e angazhuar në një përpjekje të koordinuar për të sulmuar serbët ose minoritetet”, thuhet në parashtrim. Përveç kësaj, thuhet se Clark do të përshkruaj edhe ndërveprimet me UÇK-në, delegacionin kosovar në Rambuje e në veçanti edhe Thacin për të cilin ka thënë se nuk ka pasur kontroll mbi UÇK-në”.

    “Së fundi, 1DË-007 përshkruan ndërveprimet e ndryshme që ka pasur me UÇK-në, delegacionin shqiptar të Kosovës në Rambuje dhe veçanërisht me Z. Thaçi. Ai jep vëzhgimet dhe përshtypjet e tij mbi mungesën e strukturës dhe organizimit të UÇK-së, dhe mungesën e çdo komandimi ose kontrolli funksional. Ai gjithashtu vëzhgoi mungesën e kontrollit që kishte Z. Thaçi mbi UÇK-në, dhe se ai ishte vetëm një person politik pa përvojë ushtarake, si dhe përshkruan pse do të ishte e padrejtë të atribuohej keqadministrimi i të tjerëve tek Z. Thaçi”, thuhet tutje.