ATV

Category: Lajme

  • Tërmet në Shqipëri, lëkundet Tirana

    Tërmet në Shqipëri, lëkundet Tirana

    Një tërmet prej 3.6 ballësh është ndjerë sot në Shqipëri.

    Tërmeti ndodhi rreth orës 12:49, afro 11 kilometra në juglindje të Tiranës.

    Tërmeti ishte i thellë 5 kilometra, me lëkundje që janë ndjerë edhe më larg kryeqyteti shqiptar.

  • Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së do të protestojnë më 16 nëntor në Strasburg

    Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së do të protestojnë më 16 nëntor në Strasburg

    Organizatat e Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë njoftuar se më 16 nëntor do të mbajnë një protestë para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg.

    Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, në një konferencë për media.

    “Shoqatat e dala nga lufta kanë vendosur që protesta e radhës të organizohet më 16 nëntor, në orën 13:00, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg,” tha Gucati.

    Qëllimi i protestës pritet të jetë shprehja e pakënaqësisë ndaj trajtimit të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë, si dhe kundërshtimi i qasjeve të institucioneve ndërkombëtare ndaj çështjes së luftës së Kosovës.

  • Turqia akuzon Izraelin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin: E papranueshme

    Turqia akuzon Izraelin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin: E papranueshme

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dhënë urdhër për një operacion të ri ushtarak në Rripin e Gazës, ku deri më tani raportohet se kanë humbur jetën pesë persona.

    Pas këtij zhvillimi, Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të fundit ajrore që Izraeli ka kryer në këtë territor.

    Në një deklaratë zyrtare, ministria theksoi se këto veprime përbëjnë “shkelje të hapur dhe të papranueshme” të marrëveshjes së armëpushimit që ishte arritur më herët mes Izraelit dhe lëvizjes palestineze Hamas.

    Sipas deklaratës, Ankaraja është “thellësisht e shqetësuar nga raportimet që tregojnë për viktima mes civilëve palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, të cilët kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të fundit”.

    “Të gjitha palët duhet të respektojnë marrëveshjen e armëpushimit dhe të përmbahen nga çdo akt që mund të përshkallëzojë më tej tensionet në rajon,” thuhet më tej në njoftim.

    Turqia ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe organizatat përkatëse që të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar zbatimin e plotë të armëpushimit dhe për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.

    Në deklaratë, Turqia — e cila prej kohësh mban një qëndrim të fortë në mbështetje të çështjes palestineze — ka përsëritur thirrjet për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve dhe rifillimin e dialogut politik si të vetmen rrugë drejt një paqeje të qëndrueshme.

  • Ministri belg i Mbrojtjes paralajmëron: NATO do të godasë Moskën nëse Rusia sulmon Brukselin

    Ministri belg i Mbrojtjes paralajmëron: NATO do të godasë Moskën nëse Rusia sulmon Brukselin

    Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, ka deklaruar se NATO nuk do të ngurrojë të godasë Moskën në rast se Rusia do të kryente ndonjë sulm ndaj Brukselit. Në një intervistë për The Brussels Times, Francken diskutoi çështje strategjike si lufta në Ukrainë, mbrojtja evropiane dhe parandalimi bërthamor.

    Kur u pyet nëse ekziston rreziku që Presidenti rus, Vladimir Putin, të sulmojë Brukselin me raketa konvencionale, ministri ishte i prerë: “Jo, sepse një sulm i tillë do të godiste zemrën e NATO-s dhe përgjigjja jonë do të ishte e menjëhershme.”

    Francken po ashtu e theksoi mbështetjen e tij të fortë për udhëheqësinë amerikane brenda NATO-s dhe besimin e palëkundur në Nenin 5, klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë që mbron Aleancën. I pyetur nëse ish-Presidenti amerikan Donald Trump do ta respektonte këtë nen, ai u shpreh me bindje: “Sigurisht që po. Ka shumë paragjykime kundër SHBA-së në Evropë, por Neni 5 është i patjetërsueshëm.”

    Ministri shprehu shqetësim më të madh për kërcënimet e luftës hibride sesa për një sulm konvencional. Ai gjithashtu kritikoi idenë e një ushtrie evropiane të përbashkët, duke theksuar se vendet e mëdha evropiane prioritojnë interesat e tyre dhe nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë në nivelin operacional. “Kushdo që beson se mund të krijohet një ushtri evropiane po gënjen. NATO-ja mbetet garantuesi ynë më i sigurt,” tha ai, duke përmendur efektivitetin e mbrojtjes ajrore të Aleancës në Poloni dhe Estoni.

    Përtej çështjeve ndërkombëtare, Francken foli edhe për sigurinë e brendshme në Bruksel. Ai mbështeti idenë e vendosjes së trupave ushtarake në rrugët e kryeqytetit për të kontrolluar zonat problematike të trafikut të drogës. “Nëse nuk veprojmë kundër pasigurisë dhe drogës, kanceri i Brukselit do të përhapet më tej. Nëse duhet të vendosim ushtrinë në rrugë, atëherë do ta bëjmë,” paralajmëroi ministri.

  • Prokuroria nuk kundërshton pranimin e deklaratës së Wesley Clark si provë materiale në rastin Thaçi

    Prokuroria nuk kundërshton pranimin e deklaratës së Wesley Clark si provë materiale në rastin Thaçi

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar se, në parim, nuk kundërshton që deklarata e Gjeneralit Wesley Clark të pranohet si provë materiale, për sa kohë plotëson kriteret e Rregullës 154.

    Në një parashtresë të dërguar në gjykatë, Prokuroria thekson se nuk kundërshton as ndryshimin e listës së provave të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi për të përfshirë deklaratën e Clark, si dhe as masat e propozuara sipas Rregullës 107, raporton “Betimi për Drejtësi“, transmeton Atvlive.tv

    Sipas Prokurorisë, deklarata e Clark përmban prova dhe opinione që lidhen me çështje të rëndësishme, dhe pranimi i saj nuk do të krijojë kundërshtim ligjor, megjithatë duhet kujdes në vlerësimin e peshës së saj.

    “Për këto arsye, ZPS nuk kundërshton: (i) pranimin e provave të propozuara, me kusht që të plotësohen kriteret e Rregullës 154; (ii) ndryshimin e listës së provave; ose (iii) masat e propozuara sipas Rregullës 107”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar rrëzimin e disa akuzave sipas Rregullës 130. Trupi gjykues, nën kryesimin e Charles Smith III, rrëzoi mocionin, duke theksuar se nuk ka autoritet për të hequr materialet që lidhen me periudha të caktuara kohore të ngjarjeve.

    Po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave paraqiti provat e saj, duke thirrur dy dëshmitare eksperte, të cilat dëshmuan më 16 dhe 17 korrik 2025.

    Aktakuza e ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e dorëzuar më 30 shtator 2022, përfshin dhjetë pika akuzash për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërt të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e tyre të para, ndërsa aktakuza e tyre u konfirmua më 26 tetor 2020.

  • Serbët nga Kosova udhëtojnë 315 km për të mbështetur Vuçiqin

    Serbët nga Kosova udhëtojnë 315 km për të mbështetur Vuçiqin

    Një grup prej 60 serbësh nga Kosova kanë nisur sot një udhëtim prej 315 kilometrash drejt Novi Sadit për të marrë pjesë në një tubim në mbështetje të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Ata duke mbajtur flamuj të Serbisë deklaruan se synojnë të shprehin përkrahjen e tyre për një “Serbi të fortë dhe të përparuar”.

    Serbët që u nisën nga Kosova qendrore vijnë nga qytete si Graçanica, Fushë Kosova, Badovci, Lapnasela, Dobrotini e Gushtërica, ndërsa nga Kosova Lindore udhëtuan nga Strazha, Ranilluku dhe Parteshi. Nga veriu i Kosovës, pjesëmarrës janë nga Leposaviçi, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Shtërpca.

    Siç deklarojnë vetë ata, motivimi i tyre është të qëndrojnë pranë shtetit të tyre dhe të tregojnë se dëshirojnë një Serbi të fuqishme që mbron popullin e saj, përfshirë edhe serbët në “krahinën jugore”.

    Ky është hera e katërt që serbët nga Kosova bëjnë një udhëtim të tillë në këmbë për të mbështetur presidentin Vuçiq, pas pjesëmarrjeve të mëparshme në vitet 2019, 2023 dhe prillin e vitit 2025.

  • Trump: ShBA dhe Koreja e Jugut arrijnë marrëveshje tregtare

    Trump: ShBA dhe Koreja e Jugut arrijnë marrëveshje tregtare

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar të mërkurën arritjen e një marrëveshjeje tregtare me Korenë e Jugut. Marrëveshja pritet të zvogëlojë pasigurinë për ekonominë e varur nga tregtia.

    “E arritëm, e arritëm. Arritëm një marrëveshje”, ka thënë Trumpi në përgjigje të një pyetjeje nëse u arrit një marrëveshje, para një darke të organizuar nga presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung.

    “E arritëm marrëveshjen tonë, pothuajse e finalizuam”, ka shtuar ai më pas, pa dhënë detaje.

    Në mungesë të marrëveshjes, prodhuesit e veturave dhe çelikut të Koresë së Jugut do të duhet të paguajnë tarifat amerikane prej 25%, në vend të 15% të rënë dakord në korrik, duke i vënë ata në disavantazh ndaj konkurrentëve japonezë që paguajnë 15% pas marrëveshjes së Tokios me Shtetet e Bashkuara.

    Samiti Trump-Lee ndodhi gjatë turneut tre-vendesh të presidentit të SHBA-së në Azi, i cili filloi në Malajzi me një takim të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore.

  • Forca e Sigurisë së Kosovës pajis njësitë e kërkim-shpëtimit me veshmbathje të reja

    Forca e Sigurisë së Kosovës pajis njësitë e kërkim-shpëtimit me veshmbathje të reja

    Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të angazhuar në njësitë e kërkim-shpëtimit, do të pajisen së shpejti me veshmbathje të reja.

    Ministria e Mbrojtjes ka përmbyllur ditët e fundit procedurat e tenderit dhe ka nënshkruar kontratën për furnizimin e këtyre pajisjeve. Kontrata përfshin gjithashtu njësinë K9 (SUFSK 1001), e specializuar në kërkim-shpëtim.

    Sipas njoftimit zyrtar, kontrata ka një afat zbatimi prej 36 muajsh dhe furnizimi do të bëhet sipas specifikimeve teknike të përcaktuara në tender. Qëllimi kryesor është përmirësimi i operacionalitetit dhe efikasitetit të FSK-së në misionet e saj.

    Fillimisht, vlera e parashikuar e kontratës ishte 105,000 euro, por pas përfundimit të procedurave të prokurimit, kontrata u nënshkrua për shumën 103,910 euro.

    Furnizimin do ta realizojë operatori ekonomik “Sodex Group Sh.P.K.”, përgjegjës për zbatimin e kontratës gjatë periudhës trevjeçare.

  • Raportohet për më shumë se 100 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

    Raportohet për më shumë se 100 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

    Ministria e Shëndetësisë në Gazë dhe Agjencia për mbrojtje civile kanë raportuar se numri i viktimave nga sulmet ajrore izraelite në mbarë Rripin e Gazës ka shkuar në mbi 100.

    Ministria e Shëndetësisë në Gazë që udhëhiqet nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – raportoi për 104 të vrarë nga sulmet e fundit izraelite.

    Ndërkaq, Agjencia për mbrojtje civile tha se të paktën 101 palestinezë të vrarë u sollën në spitale, “përfshirë 35 fëmijë dhe një numër grash dhe të moshuar”, që u vranë “gjatë sulmeve izraelite të kryera në më pak se 12 orë”.

    Një ditë më parë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, urdhëroi sulme “të fuqishme” në Gazë, teksa më pas ushtria izraelite tha se në Gazë ishte vrarë një ushtar i saj.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të mërkurën se pavarësisht sulmeve izraelite, që u kryen në kundërpërgjigje të vrasjes së ushtarit, armëpushimi që ai ndërmjetësoi tri javë më parë nuk është në rrezik.

    Udhëheqësi amerikan tha se Izraeli ka të drejtë të kundërpërgjigjet.

    “Siç e kuptova, ata vranë një ushtar izraelit”, tha Trump për gazetarët në bordin e avionit presidencial. “Pra, izraelitët u kundërpërgjigjën dhe ata duhet të kundërpërgjigjen. Kur diçka e tillë ndodh, ata duhet të kundërpërgjigjen”, shtoi ai.

    Një zyrtar i ushtrisë izraelite tha se grupi radikal palestinez e kishte shkelur marrëveshjen e armëpushimit, duke sulmuar forcat izraelite që ishin stacionuar brenda të ashtuquajturës “linjë të verdhë” – linjë për dislokimin e trupave, sipas marrëveshjes së armëpushimit.

    Hamasi mohoi se ka sulmuar ushtarët izraelitë.

    Marrëveshja e armëpushimit në Gazë hyri në fuqi më 10 tetor, duke ndalur dy vjet luftë që u nxit nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

    Që nga hyrja në fuqi, të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.

    Gjatë sulmit të 7 tetorit, Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu 251 të tjerë.

    Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 67.000 palestinezë, territori ka pësuar shkatërrime të mëdha dhe banorët po përballen me krizë humanitare./REL/

  • Maqedonci takohet me ambasadorin gjerman, diskutojnë për sigurinë në vend dhe kapacitetet aktuale të FSK-së

    Maqedonci takohet me ambasadorin gjerman, diskutojnë për sigurinë në vend dhe kapacitetet aktuale të FSK-së

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka diskutuar mbi situatën e sigurisë në vend me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

    Maqedonci teksa njoftoi për takimin mes tyre, thekson se ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Kosovës, dhe pranin e shtuar të trupave gjermane në kuadër të KFOR-it.

    “Ishte kënaqësi që sot të pres në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph. Në këtë takim diskutuam mbi situatën e sigurisë në vend, për stabilitetin e sfidat e vendit dhe rajonit në një periudhë sfiduese për sigurinë, ndërsa e informova dhe për kapacitetet aktuale të FSK-së. Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e gjatë të shtetit gjerman ndaj Republikës së Kosovës, praninë e shtuar të trupave gjermane në kuadër të KFOR-it, si dhe besimin e thellë që ky bashkëpunim dhe me ambasadorin Rudolph do të vazhdojë në drejtim të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dy shtete që ndajmë interesa të përbashkëta”, ka shkruar Maqedonci.