ATV

Category: Lajme

  • Specialja anulon edhe seancat e javës së ardhshme, shkak Christopher Hill

    Specialja anulon edhe seancat e javës së ardhshme, shkak Christopher Hill

    Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë anuluar edhe zyrtarisht seancat e planifikuara për javën e ardhshme, që nis më 3 nëntor, sikurse kanë vepruar edhe për javën aktuale të 27 tetorit.

    Krejt kjo u bë për shkak të shtyrjes së dëshmisë së diplomatit amerikan, Christopher Hill.

    I njëjti, së bashku me një dëshmitar tjetër paraprakisht, të thirrur nga ish-presidenti Hashim Thaçi, pritet të dëshmojnë në javën që nis më 10 nëntor.

  • Deklarohet presidentja pas takimit me liderët e partive: Do t’i presë deri më 5 nëntor

    Deklarohet presidentja pas takimit me liderët e partive: Do t’i presë deri më 5 nëntor

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit të sotëm me partitë politike, ka bërë të ditur se nga diskutimet është parë se ekzistojnë qëndrime të ndryshme për krijimin e shumicës parlamentare.

    Sipas Osmanit, disa parti kanë theksuar se nuk ka mundësi të krijohet shumicë për formimin e qeverisë, ndërsa të tjerat kanë kërkuar që të ketë edhe një takim tjetër për të shqyrtuar mundësinë e propozimit të një mandatari të ri.

    Presidentja ka nënvizuar se do të presë deri më 5 nëntor, datë kur skadon afati kushtetues për caktimin e mandatarit të dytë, për të parë nëse do të ketë ndonjë lëvizje nga partitë politike.

    “Besoj i keni dëgjuar partitë për qëndrimet e tyre. Disa kishin që s’mund të krijojnë shumicë, kishte qëndrime që dëshirojnë të takohemi sërish për të parë mundësinë e propozimit të një mandatari të ri. Sipas Kushtetutës ne i kemi dhjetë ditë, afati s’kadon deri më 5 nëntor. Deri me atë datë do të kontaktoj me kryetarë të partive. Do të jem në komunikim me ta, dhe kushdo që ka gatishmëri për takim për të parë nëse ka mundësi për caktim të një mandatari të tjetër, i pres në takim,” ka deklaruar Osmani.

  • Vdekja e Fatos Nanos, Edi Rama: Lamtumirë kryetar

    Vdekja e Fatos Nanos, Edi Rama: Lamtumirë kryetar

    Kreu i Qeverisë shqiptare dhe i Partisë Socialise, Edi Rama, i ka dhënë lamtumirën paraardhësit të tij politik, Fatos Nanos.

    Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Rama ka shkruar “lamtumirë kryetar”.

    Nano vdiq sot pas përkeqësimit serioz të gjendje së tij shëndetësore. Ai vdiq në moshën 73-vjeçare.

     

     

  • Haradinaj e Limaj shprehin ngushëllime për vdekjen e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nanos

    Haradinaj e Limaj shprehin ngushëllime për vdekjen e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nanos

    Vdekja e ish-kryeministrit shqiptar, Fatos Nano, ka sjellë reagime dhe ngushëllime nga liderë politikë në Kosovë.

    Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur ngushëllimet e tij përmes një postimi në Facebook, duke vlerësuar kontributin e Nanos në çështjet shqiptare në periudha të vështira.

    “Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, z. Fatos Nano. Në emrin tim dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nano, të afërmve, kryeministrit Edi Rama, Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai ka theksuar rolin e rëndësishëm të Nanos në momente të ndjeshme për kombin shqiptar.

    “Mirënjohje për rolin e tij udhëheqës dhe vizionar. Kontribues kyç i çështjes shqiptare në kohëra krize brenda dhe jashtë kufinjve të Shqipërisë. U prehtë në paqe!”, ka përfunduar Haradinaj.

    Për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos ka reaguar edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili e ka cilësuar ish-kryeministrin si ikonë të politikës shqiptare dhe figurë që i shërbeu me përkushtim demokracisë dhe mirëqenies së shqiptarëve.

    “Lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të Kryeministrit Fatos Nano! Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kryeministrit Fatos Nano, ikonë e politikës shqiptare që shërbeu me përkushtim demokracisë dhe mirëqenies së shqiptarëve në tërësi”, ka shkruar Limaj.

    Ai ka nënvizuar se kontributi i Nanos ishte vendimtar për Shqipërinë dhe për shqiptarët në rajon.

    “Pa kontributin e Kryeministrit Nano, as Shqipëria dhe as pozita e shqiptarëve në Kosovë e në rajon nuk do të ishin ato që janë sot. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen e tij, të afërmit dhe mbarë politikën shqiptare. Familja humbi njeriun e zemrës, ndërsa Shqipëria humbi një burrë shteteras. Lamtumirë, Kryeministër!”, ka përfunduar Limaj.

  • Kylie Jenner mahnit me një fustan vezullues me kristale Swarovski gjatë një eventi në Hollywood

    Kylie Jenner mahnit me një fustan vezullues me kristale Swarovski gjatë një eventi në Hollywood

    Kylie Jenner tërhoqi vëmendjen me një dekolte të theksuar gjatë pjesëmarrjes së saj në hapjen e ekspozitës “Swarovski Masters of Light Hollywood”, të martën.

    Fustani i shkurtër dhe me prerje të guximshme, i krijuar posaçërisht për të nga Giovanna Battaglia Engelbert, ishte i zbukuruar me kristale Swarovski, duke e bërë 28-vjeçaren — producenten dhe yllin e “The Kardashians” — të shkëlqente në tapetin e kuq.

    Kylie kishte kombinuar veshjen me vathë, byzylykë dhe unaza nga koleksioni “Vienna Collection” i Swarovski-t, duke përfunduar një paraqitje luksoze dhe elegante.

  • Kjo rrugë në Prishtinë mbyllet nesër për qarkullim

    Kjo rrugë në Prishtinë mbyllet nesër për qarkullim

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se rruga “Robert Doll” do të mbyllet përkohësisht nesër, duke filluar nga ora 04:00 e mëngjesit, për shkak të punimeve të asfaltimit që do të zhvillohen gjatë ditës.

    Sipas njoftimit zyrtar, punimet pritet të zgjasin rreth 12 orë, ndërsa qarkullimi do të rikthehet menjëherë pas përfundimit të tyre.

    “Lusim qytetarët që gjatë kësaj kohe të shfrytëzojnë rrugët alternative për qarkullim, derisa punimet të përfundojnë. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj dhe bashkëpunimin për një kryeqytet me infrastrukturë më të mirë!”, thuhet në komunikatën e komunës.

    Komuna ka theksuar se këto ndërhyrje janë pjesë e projekteve për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në kryeqytet, me synimin për të lehtësuar qarkullimin dhe për të rritur sigurinë në trafik.

     

  • Krasniqi pas takimit me Osmanin: Askush nuk mund të bëjë shumicën parlamentare

    Krasniqi pas takimit me Osmanin: Askush nuk mund të bëjë shumicën parlamentare

    Memli Krasniqi pas takimit me Vjosa Osmanin: Zgjedhjet e reja parlamentare duket se janë të pashmangshme

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, duke theksuar se asnjë parti nuk ka mundësi të formojë një shumicë të re parlamentare me legjislaturën aktuale.

    “Diskutuam mundësitë e mandatit të ardhshëm, dhe ajo që u bë e qartë është se askush nuk mund të krijojë shumicën e re parlamentare bazuar në përbërjen aktuale të Kuvendit,” tha Krasniqi.

    Ai shtoi se rruga e vetme përpara është shpallja e zgjedhjeve të reja parlamentare. Krasniqi gjithashtu theksoi se ka kërkuar që ato të organizohen sa më shpejt, duke lënë të kuptohet se zgjedhjet tani duket se janë të pashmangshme.

  • OVL-UÇK: Veteranët sërish të harruar nga Qeveria Kurti

    OVL-UÇK: Veteranët sërish të harruar nga Qeveria Kurti

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, ku u fol për rritje të pagave dhe pensioneve, pa përmendur pensionet e veteranëve të luftës.

    Në reagimin e tyre në Facebook, OVL-UÇK thekson se Qeveria në detyrë po tenton të krijojë “përshtypje mashtruese” me premtime që nuk mund të realizohen pa miratim të buxhetit nga Kuvendi.

    “Kjo është dëshmi e qartë se diskriminimi ndaj atyre që sakrifikuan më së shumti për lirinë e Kosovës po vazhdon. Në vend që të përmirësohet trajtimi i dinjitetshëm për veteranët, Qeveria në largim po tenton t’i harrojë ata plotësisht, madje edhe në momentet e fundit të mandatit.

    OVL-UÇK kërkon që çdo qeveri e ardhshme të kthejë atë që na takon me ligj, përfshirjen e pensioneve të veteranëve në rritjen e pagës minimale, të drejtë që u mohua padrejtësisht nga qeveria Kurti me ndihmën e Listës Serbe,”* thuhet në reagim.

    Organizata kërkon që veteranët të përfshihen në çdo rritje sociale të ardhshme dhe të trajtohen me dinjitet, duke respektuar ligjet që garantojnë të drejtat e tyre.

  • Abdixhiku pas takimit me Osmanin:  S’ka shumicë për qeveri të re, zgjedhjet janë e vetmja rrugë

    Abdixhiku pas takimit me Osmanin: S’ka shumicë për qeveri të re, zgjedhjet janë e vetmja rrugë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka folur pas takimit që zhvilloi sot me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, lidhur me situatën e krijuar pas zhvillimeve të fundit politike.

    Abdixhiku theksoi se nga ky takim u konfirmua ajo që LDK-ja kishte paralajmëruar prej kohësh se pas rezultatit të 9 shkurtit, në Kosovë nuk ekziston një shumicë parlamentare që mund të formojë qeverinë e re.

    “Në këtë takim u dëshmua ajo që kemi thënë gjithmonë: në Kosovë nuk ka shumicë parlamentare për formimin e një qeverie të re”, deklaroi ai për media.

    Sipas tij, qëndrimi i 52 përfaqësuesve të partive politike ka qenë i qartë në këtë drejtim.

    Ai bëri të ditur se gjatë diskutimeve me presidenten Osmani është përmendur disa herë ideja për krijimin e një “qeverie tranzicioni”, por siç tha ai, një qeveri e tillë nuk është e mundur në rrethanat aktuale.

    “Sa më shpejt që të organizohen zgjedhjet, aq më shumë i shmangim krizat e mundshme politike,” u shpreh Abdixhiku.

    Kreu i LDK-së shtoi gjithashtu se tashmë mbetet në dorën e presidentes që deri të mërkurën të përcaktojë nëse ekziston apo jo shumica parlamentare për krijimin e qeverisë së re.

  • Behgjet Pacolli në Prokurorinë e Tiranës për aeroportin e Vlorës flet pas katër orësh dëshmi

    Behgjet Pacolli në Prokurorinë e Tiranës për aeroportin e Vlorës flet pas katër orësh dëshmi

    Biznesmeni dhe politikani i njohur nga Kosova, Behgjet Pacolli, është paraqitur këtë të premte në Prokurorinë e Tiranës, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me hetimet që po zhvillohen për projektin e aeroportit të Vlorës.

    Pacolli ka qëndruar për rreth katër orë në ambientet e prokurorisë, ku është marrë në pyetje në lidhje me mosmarrëveshjet mes aksionarëve të përfshirë në projektin e aeroportit.

    Në prononcimin e tij për gazetarët pas daljes nga Prokuroria, Pacolli tha se është paraqitur për të dhënë dëshminë si person i informuar, duke theksuar se “aeroporti i Vlorës do të bëhet”.

    “Unë isha këtu për të dhënë dëshmi lidhur me përgjigjen penale që ne kemi parashtruar. Si person i informuar, më është dukur e drejtë të tregoj kronologjinë e çështjeve. Pala tjetër ka bërë kallëzim, ne i jemi përgjigjur atij kallëzimi. Gjithashtu, isha këtu për kallëzimin që vëllai im ka bërë ndaj disa personave që ju e dini ndaj kujt, dhe unë erdha për të plotësuar informacionet për këtë çështje,” deklaroi Pacolli.

    I pyetur nëse ka pasur takime me kryeministrin Edi Rama në lidhje me këtë çështje, Pacolli mohoi çdo përfshirje të qeverisë shqiptare.

    “Këtu nuk ka të bëjë asgjë qeveria. Është e padrejtë të përmendet dikush nga qeveria. Unë e kam lënë gjithçka në duart e drejtësisë dhe besoj shumë në vendimet gjyqësore. Do të veproj vetëm sipas vendimeve të drejtësisë,”  tha ai.

    Projekti i aeroportit të Vlorës, një ndër investimet strategjike më të mëdha në jug të Shqipërisë, është përfshirë kohët e fundit në debat për shkak të mosmarrëveshjeve ligjore mes aksionarëve dhe kompanive të përfshira.