ATV

Category: Lajme

  • Parashikimi i motit për sot: Me diell, temperaturat deri në 21°C

    Parashikimi i motit për sot: Me diell, temperaturat deri në 21°C

    Sot pritet të mbajë mot me diell në gjithë vendin, ndërsa gjatë orëve të mëngjesit mund të ketë mjegull lokale në disa lugina dhe ultësira, sipas njoftimit nga MeteoKosova.

    Era parashikohet të fryjë nga drejtime të ndryshme me intensitet prej 6 deri në 26 km/h.

    Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet 4 dhe 7°C, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 19 deri në 21°C, duke sjellë një ditë relativisht të ngrohtë për këtë periudhë të vitit.

  • Kurti për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos: U kujtoftë për rolin e tij historik

    Kurti për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos: U kujtoftë për rolin e tij historik

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka reaguar lidhur me ndarjne nga jeta të Fatos Nanos.

    Kurti shkruan se Nano ishte figurë e rëndësishme për rolin e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurti më tej ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen.

    “Kur e mora lajmin për vdekjen e Fatos Nanos, më erdhën në mendje kujtime nga dy takimet që dikur i kam patur me të. Herën e parë në fillim të vitit 2002, disa muaj pasi kisha dalë nga burgu në Serbi, ku isha mbajtur si rob lufte bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë. Kjo përvojë e imja, u kthye natyrshëm në temë të bisedës sime me Nanon në atë takim tonin njohës.

    Fatos Nanon e kam takuar për herë të dytë kur ishte zgjedhur Kryeministër i Shqipërisë, me ç’rast ai më priti bashkë me Adem Demaçin dhe Arbën Xhaferin. Nga atëherë, më kanë ngelur të pashqitshme nga kujtesa bisedat e tij plot pasion për politikën me Bacin Adem, simbolin e rezistencës sonë dhe me Arbën Xhaferin, liderin politik aq origjinal.

    Në historinë politike të Shqipërisë së periudhës së tranzicionit nga sistemi monist dhe regjimi komunist tek ai demokratik liberal dhe pluralist, emri i politikanit Fatos Nano ishte një figurë qendrore. Ai shërbeu tre herë si Kryeministër i Shqipërisë: nga 22 shkurti deri më 4 qershor 1991, kur Shqipëria ishte në kapërcyell nga komunizmi në demokraci; pastaj nga 25 korriku i vitit 1997 deri më 27 shtator të vitit 1998, kur Shqipëria u përfshi nga trazirat kurse Kosova nga lufta; për herë të tretë dhe më së gjati, Nano shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë për tri vite, mes 29 shtatorit 2002 dhe 1 shtatorit 2005, kur Shqipëria po përballej me sfidat e ngritjes nga pasojat e regjimit të gjatë komunist dhe nga trazirat.

    Në biografinë e tij politike, Fatos Nano ka një kapitull të rëndësishëm për rolin e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë vitit të parë të luftës nga dalja publike e UÇK-së deri te ofensiva e verës së vitit 1998, kur terreni shqiptar ishte arenë e lirë e organizimit të UÇK-së. Historia moderne e shtetit shqiptar dhe historia politike e Shqipërisë dhe e Kosovës, do ta kenë të dendur emrin e tij mes emrave të politikanëve shqiptarë të viteve ’90 dhe fillimshekullit XXI.

    Ngushëllime familjes Nano, bashkëpunëtorëve dhe bashkëpartiakëve të Fatos Nanos, si dhe miqve e të afërmve të tij. U kujtoftë mes kryeministrave të Shqipërisë, për rolin e tij historik”, shkruan Kurti.

    Ish-kryeministri Fatos Nano është ndarë këtë të premte nga jeta në moshën 73-vjeçare. Prej më shumë se 3 javësh Nano gjendej i shtruar në një spital privat në kryeqytet në gjendje të rëndë.

    Nano ndodhej në spital prej datës 8 tetor pas problemeve kronike respiratore. Ish-kryeministri, Nano pësoi arrest kardiak dhe më pas vdekje klinike të trurit. Prej ditësh gjendja e tij shëndetësore ishte e rënduar dhe pa përmirësim. Në 16 shtator të këtij viti, ish-lideri histrorik i PS, Nano festoi ditëlindjen e 73-të.

  • Presidenti sirian ‘i shpall Iuftë’ korrupsionit nis hetimet nga vëllai i vet

    Presidenti sirian ‘i shpall Iuftë’ korrupsionit nis hetimet nga vëllai i vet

    Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa ka ndërmarrë një fushatë të paprecedentë kundër korrupsionit dhe gjithçka e ka nisur nga familja e tij.

    Sipas agjencisë Reuters, Sharaa ka urdhëruar mbylljen e zyrës së vëllait të tij të madh, Jamal al-Sharaa, ndërsa u ka kërkuar zyrtarëve që posedojnë makina luksoze t’i dorëzojnë çelësat ose të përballen me hetime për pasuri të pajustifikuar.

    Në një takim të mbajtur më 30 gusht në bazën e tij të dikurshme në Idlib, presidenti nuk kurseu ironinë ndaj të pranishmëve që kishin mbërritur me automjete luksoze. S’kisha kuptuar që pagat e shtetit qenkan kaq të larta!”, tha ai, sipas burimeve.

    Më pas, Sharaa ka mbledhur të gjithë familjarët, përfshirë edhe babain e tij 79-vjeçar, duke i paralajmëruar të mos përdorin emrin e familjes për përfitime personale.

    Ndërkohë, Ministria siriane e Informacionit ka konfirmuar mbylljen e zyrës së Jamal al-Sharaa, duke theksuar se ai “nuk ka asnjë funksion zyrtar dhe nuk lejohet të ushtrojë veprimtari tregtare”.

  • Serbia në prag kolapsi energjetik, Vuçiq i kërkon SHBA-së të ndalë sanksionet

    Serbia në prag kolapsi energjetik, Vuçiq i kërkon SHBA-së të ndalë sanksionet

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i është drejtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës me një kërkesë të veçantë për më shumë kohë, në përpjekje për të shmangur përplasjen përfundimtare lidhur me rafinerinë e vetme të naftës në vend, e cila është në pronësi të shumicës nga gjigandi rus i energjisë Gazprom, raportoi të mërkurën Bloomberg.

    Sipas raportit, më herët këtë muaj Shtëpia e Bardhë ka aktivizuar kufizime të reja që godasin kompaninë NIS (Industria e Naftës e Serbisë). Ky vendim shkaktoi pasoja të menjëhershme — Kroacia fqinje pezulloi furnizimet me naftë bruto, duke rritur rrezikun që rafineria të mbyllet plotësisht.

    Sanksionet kanë prekur gjithashtu edhe rrjetin e stacioneve të benzinës të operuar nga NIS, të cilat nuk mund të pranojnë më kartat American Express, Mastercard apo Visa.

    “Shpresoj që SHBA-të të mos fillojnë sanksione dytësore, të paktën deri në mesin e dhjetorit,” tha Vuçiq, duke shtuar se Beogradi po përpiqet të gjejë një zgjidhje për çështjen e aksioneve shumicë të Gazprom në NIS. Ai thuhet se u ka kërkuar zyrtarëve amerikanë që të përmbahen nga synimi për të goditur institucionet financiare serbe që lehtësojnë pagesat në stacionet e rafinerisë.

    NIS është një nga kompanitë më të mëdha energjetike në Ballkan, me një rafineri në Pançevo, afër Beogradit, dhe një rrjet rajonal prej më shumë se 400 stacionesh benzine. Sipas të dhënave, Gazprom Neft zotëron 44.85% të aksioneve, Gazprom mban 11.3%, ndërsa shteti serb ka 29.87%.

    Zyrtarët amerikanë, të cituar nga Bloomberg, kanë bërë të ditur se Uashingtoni pret që Beogradi ose të sigurojë shitjen e aksioneve të Gazprom në NIS, ose të marrë kontrollin përmes shtetëzimit.
    Megjithatë, më herët këtë javë, Vuçiq thuhet se ka refuzuar çdo veprim të njëanshëm kundër gjigantit rus, duke theksuar:

    “Unë nuk jam as komunist dhe as fashist.”

  • Belinda Balluku del para drejtësisë, SPAK ngre aktakuzë për tenderin e famshëm të Llogarasë

    Belinda Balluku del para drejtësisë, SPAK ngre aktakuzë për tenderin e famshëm të Llogarasë

    Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministres së Shqipërisë, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

    Sipas njoftimit zyrtar, Balluku dyshohet për veprën penale “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, në cilësinë e saj si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

    SPAK bëri të ditur se Balluku është njoftuar për akuzën më 31 tetor, ndërsa hetimet kanë të bëjnë me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, konkretisht për seksionin rrugor Orikum-Himarë.

    Kjo procedurë ishte zhvilluar më 11 dhjetor 2020, por më pas u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, sqaroi SPAK.

    Zëvendëskryeministrja ishte njoftuar për hetimet më 21 tetor, ndërsa ishte ftuar që të paraqitej para SPAK-ut më 31 tetor në orën 15:00.

    Pas daljes nga ndërtesa e SPAK-ut, Balluku u ndal shkurt para mediave, duke deklaruar:

    “Si qytetare e Republikës dhe si një zyrtare publike e shikoj këtë si një proces, një proces i cili jam shpresëplot se do të jetë i bazuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe mbi të gjitha mbi parimet e drejtësisë të pandryshueshme, tek e cila besoj.”

    Ajo nuk pranoi pyetje nga gazetarët.

    Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama u pyet për rastin e Ballukut, por zgjodhi të mos komentojë, duke thënë:

    “Nuk kam asnjë koment për asnjë rast… deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe të padënueshëm nga gjykatat popullore, politike dhe mediat që i shërbejnë politikës.”

    SPAK, që u krijua në dhjetor të vitit 2019, ka hetuar disa ish-zyrtarë të lartë, përfshirë ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Meta ndodhet në paraburgim, ndërsa Berisha është liruar nga arresti shtëpiak në fund të nëntorit të kaluar.

  • Zi në familjen e deputetit Armend Muja, vdes babai i tij

    Zi në familjen e deputetit Armend Muja, vdes babai i tij

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka njoftuar për ndarjen nga jeta të babait të tij, Azem Muja.

    Në një njoftim në rrjetet sociale, Muja ka bërë të ditur se i ati ka vdekur pas një sëmundjeje të shkurtër, duke lënë pas kujtime të paharruara dhe një boshllëk të madh në zemrat e familjarëve.

    “Me dhimbje të thellë njoftojmë për ndarjen nga jeta të babait tonë të dashur Azem Muja. Ai u nda prej nesh pas një sëmundjeje të shkurtër, duke lënë pas kujtime të paharruara dhe një boshllëk të madh në zemrat tona. Detajet e varrimit do t’i bëjmë të ditura së shpejti. Ju falënderojmë të gjithëve për mbështetjen dhe lutjet në këto momente të vështira.
    U prehtë në paqe 🤍”, ka shkruar Muja.

  • FBI parandalon një sulm të mundshëm terrorist gjatë festës së “Halloween” në Michigan

    FBI parandalon një sulm të mundshëm terrorist gjatë festës së “Halloween” në Michigan

    Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka parandaluar një sulm të dyshuar terrorist që pritej të ndodhte gjatë festës së Halloweenit në Shtetet e Bashkuara.

    Lajmin e bëri të ditur drejtori i FBI-së, Kash Patel, i cili në platformën X njoftoi se në Michigan janë arrestuar disa persona të dyshuar për organizimin e këtij sulmi.

    “Sot në mëngjes FBI ka parandaluar një sulm të mundshëm terrorist dhe ka arrestuar disa individë në Michigan, të cilët dyshoheshin se po planifikonin një sulm të dhunshëm gjatë fundjavës së Halloweenit. Detaje të tjera do të bëhen publike së shpejti”, deklaroi ai.

    Patel gjithashtu falënderoi agjentët federalë dhe forcat e tjera të rendit për punën e tyre në mbrojtje të sigurisë kombëtare.

    “Faleminderit agjentëve të FBI-së dhe të gjithë forcave të rendit që punojnë 24/7 për mbrojtjen e vendit”, shtoi zyrtari amerikan.

    Autoritetet amerikane pritet të japin më shumë informacion gjatë orëve në vijim mbi natyrën e komplotit dhe mbi personat e arrestuar.

  • Osmani: Do bëj gjithçka për të shmangur zgjedhjet, situata mund të sqarohet brenda pak ditësh

    Osmani: Do bëj gjithçka për të shmangur zgjedhjet, situata mund të sqarohet brenda pak ditësh

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po deklarohet pas takimit me liderët partiakë, afër një javë pasi Kuvendi i Kosovës nuk e votoi kabinetin qeveritar të prezantuar nga mandatari Albin Kurti.

    Pasi krerët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilët iu drejtuan mediave paraprakisht, kërkuan zgjedhje të reja, pasi sipas tyre nuk ka shumicë parlamentare, por Osmani tha se e ka detyrim të bëjë çmos që të evitohen zgjedhjet.

    “Fat i keq për Kosovën, që partitë politike nuk kanë arritur të konsolidojnë të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë. Bashkë me kohën, kemi humbur shumë mundësi për vendin tonë. Aktgjykimet  Kushtetueses thonë që presidentja duhet të bëjë çmos t’i evitojë zgjedhjet. Detyrimi i presidentes ësjtë që të bëjë çmos t’i evitojë zgjedhjet. Do të iu lusim për pak durim edhe pak ditë, derisa të sqarohen të gjitha rrethanat për caktimin e mandatarit të dytë”.

  • Krasniqi deklaron se nuk ekziston shumicë parlamentare dhe se Presidentja duhet të shpallë datën e zgjedhjeve

    Krasniqi deklaron se nuk ekziston shumicë parlamentare dhe se Presidentja duhet të shpallë datën e zgjedhjeve

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka bërë të ditur se nga takimi me Presidenten Vjosa Osmani, është biseduar për shkuarjen në zgjedhjet e parakohshme.

    I pari i PDK-së, zbuloi se duhet sa më parë që të shkohet në zgjedhjet, në mënyrë që të miratohet buxheti dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare.

    “Nga ky takim u bë e qartë se askush nuk mund ta formojë shumicën parlamentare, bazuar në legjislaturën aktuale”, tha Krasniqi.

    “Në këtë takim e kam bërë të qartë se nuk jam pjesë e asnjë shumicë, andaj kjo e bënë të pamundur krijimin e një qeverie matematikisht”.

    “Kjo do të duhej të ishte e mjaftueshme që edhe sot, Presidentja e vendit do ta caktonte datën e zgjedhjeve, pasi ne si PDK e kemi paralajmëruar një situatë të tillë”.

    “Nga kjo situatë e krijuar na imponohet që të shkojmë në zgjedhjet të parakohshme, andaj ne kërkojmë që sa më parë të caktohet data për zgjedhje”.

    “Kjo situatë nuk duhet të shtyhet, pasi kemi miratimin e buxhetit, miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, specifikisht siç është plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor”, shtoi kreu i PDK-së.

  • Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano ndërron jetë pas një arresti kardiak në banesë

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano ndërron jetë pas një arresti kardiak në banesë

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare, pas më shumë se tre javësh betejë në një spital privat në Tiranë, ku ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Sipas burimeve mjekësore, Nano kishte pësuar vdekje klinike (arrest kardiocirkulator) në banesën e tij dhe që prej asaj kohe mbahej nën kujdes të vazhdueshëm nga mjekët, por pa mundur të rikthehej në gjendje të qëndrueshme.

    Fatos Nano mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të tranzicionit demokratik pas viteve ’90. Ai themeloi Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe e udhëhoqi drejt shndërrimit në një forcë të fuqishme politike që do të qeveriste vendin për vite me radhë.

    Gjatë periudhave të tij në krye të qeverisë — në vitet 1991, 1997–1998 dhe 2002–2005 — Nano u përball me sfida të mëdha politike dhe ekonomike, duke u kujtuar për përpjekjet për stabilizimin e vendit dhe afrimin e Shqipërisë me standardet europiane.

    Për kontributin e tij, ai është vlerësuar shpesh si arkitekti i modernizimit të së majtës shqiptare, një politikan që la gjurmë në jetën publike dhe në kulturën politike të vendit.

    Pas tërheqjes nga politika aktive, Nano qëndroi në prapaskenë, duke dhënë deklarata herë pas here për zhvillimet politike, por duke ruajtur gjithmonë ndikimin e tij në opinionin publik.

    Fatos Nano lindi më 16 shtator 1952 në Tiranë, ku u diplomua në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Me ikjen e tij, mbyllet një kapitull i rëndësishëm i historisë moderne shqiptare.