ATV

Category: Lajme

  • “Smart City, I like this guy”, Bekë Berisha mbështet publikisht Përparim Ramën

    “Smart City, I like this guy”, Bekë Berisha mbështet publikisht Përparim Ramën

    Në prag të balotazhit për zgjedhjet lokale në Prishtinë, skena politike po sjell lëvizje të papritura. Bekë Berisha nga AAK, i cili në raundin e parë garoi kundër kandidatëve të tjerë, tashmë ka dalë publikisht me një video duke i dhënë mbështetje Përparim Ramës nga LDK.

    Në videon që po qarkullon në rrjete sociale, Berisha shihet duke u takuar me Ramën dhe duke i përsëritur atij sloganin e njohur të fushatës “Smart City”.

    “Smart City, I like this guy,” dëgjohet Berisha duke i thënë Ramës me një ton miqësor, ndërsa Rama ia kthen: “Faleminderit Beko, i grahim përpara.”

    Ky gjest i Berishës shihet si një sinjal politik me peshë, duke qenë se mbështetja e tij mund të ndikojë në garën e balotazhit ndërmjet Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrulla Çekut (Vetëvendosje).

  • “Sagrada Familia” e Barcelonës bëhet kisha më e lartë në botë

    “Sagrada Familia” e Barcelonës bëhet kisha më e lartë në botë

    Kisha e famshme Sagrada Familia në Barcelonë është bërë zyrtarisht kisha më e lartë në botë, pasi punëtorët vendosën pjesën e parë të një kryqi në majë të kullës së saj qendrore.

    Me një lartësi prej 162.91 metrash, bazilika spanjolle ka thyer rekordin e mëparshëm të Minsterit të Ulmit në Gjermani, i cili mbante titullin që nga viti 1890, raporton BBC.

    E projektuar nga arkitekti i njohur Antoni Gaudi, Sagrada Familia ka qenë në ndërtim e sipër për më shumë se një shekull, dhe përfundimi i ndërtesës kryesore pritet vitin e ardhshëm.

    Kulla qendrore e Jezu Krishtit do të rritet më tej me pjesët e mbetura të kryqit, duke arritur përfundimisht një lartësi prej 172 metrash.

  • Instituti GAP dhe KDI: Qeveria në detyrë ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën duke miratuar buxhetin 2026

    Instituti GAP dhe KDI: Qeveria në detyrë ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën duke miratuar buxhetin 2026

    Vendimi i Qeverisë në detyrë për të miratuar dhe proceduar në Kuvend projektligjin për buxhetin e vitit 2026 ka nxitur reagime të forta nga organizatat e shoqërisë civile.

    Instituti GAP dhe përfaqësuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, kanë ngritur shqetësime serioze mbi ligjshmërinë e këtij procesi, duke e cilësuar atë si veprim në kundërshtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

    Në reagimin e publikuar nga GAP, thuhet se mënyra se si është zhvilluar mbledhja e Qeverisë bie ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe me aktgjykimin e Gjykatës Supreme, pasi në votim kanë marrë pjesë persona që tashmë janë certifikuar si deputetë.

    Sipas GAP-it, një situatë e tillë krijon konflikt ligjor, për shkak se askush nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe të anëtarit të Qeverisë.

    Instituti paralajmëron se një qasje e tillë rrezikon jo vetëm ligjshmërinë e buxhetit, por edhe stabilitetin institucional dhe financiar të vendit, duke theksuar se procesi është zhvilluar pa konsultim të gjerë dhe në një periudhë zgjedhore.

    Nga ana tjetër, përfaqësuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, ka theksuar se ky veprim i Qeverisë ka krijuar një “situatë absurde dhe paradoksale”, pasi disa nga anëtarët e kabinetit që miratuan buxhetin tani janë deputetë që do të votojnë të njëjtin dokument në Kuvend.

    Sipas Cakollit, kjo përbën një “konflikt të qartë interesi” dhe një shkelje të parimeve ligjore, e cila po paraqitet padrejtësisht si veprim në emër të qytetarëve.

  • Rron Gjinovci: Rritja e pagave s’është blerje votash, është mungesë logjike ta mendosh ashtu

    Rron Gjinovci: Rritja e pagave s’është blerje votash, është mungesë logjike ta mendosh ashtu

    Aktivisti i njohur Rron Gjinovci ka reaguar pas komenteve që e kanë cilësuar rritjen e pagave, pensioneve dhe shtesave nga Qeveria si “blerje votash”.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gjinovci ka kundërshtuar këtë narrativë, duke e quajtur “shkurtpamësi dhe mungesë logjike”.

    “Rritja e pagave, pensioneve dhe shtesave nuk është blerje votash. Me e cilësu si të tillë është shkurtpamësi dhe mungesë logjike”, ka shkruar ai.

    Në argumentimin e tij, Gjinovci thekson se “blerja” nënkupton një marrëveshje mes dy palëve, ku njëra jep para dhe tjetra ofron diçka në këmbim, gjë që sipas tij nuk ekziston në këtë rast.

    “Qeveria ndan para, por qytetarët nuk kanë asnjë detyrim që t’i japin diçka në këmbim. Këto rritje i përfitojnë të gjithë, pa dallim bindjesh politike”,  ka sqaruar aktivisti.

    Sipas tij, edhe konceptualisht nuk qëndron ideja e “blerjes së votave”, pasi mjetet që ndahen janë nga taksat e vetë qytetarëve.

    “Këto para nuk janë të qeverisë, por të atyre që i marrin. Në fakt, qeveria po i shpërndan fondet që i ka mbledhur nga vetë qytetarët”, ka shtuar ai.

    Në përfundim, Gjinovci ironizon me ata që e shohin rritjen e pagave si strategji elektorale, duke u thënë se nëse “oferta e tyre politike sfidohet kaq lehtë, atëherë duhet ta rishikojnë programin”.

    “Nëse qytetarët blehen kaq lehtë, atëherë problemi nuk është te qeveria, por te oferta jote si opozitë. Rishikoje programin,” ka përfunduar ai.

  • LDK shpreh kritika ndaj Qeverisë në detyrë për miratimin e buxhetit të vitit 2026

    LDK shpreh kritika ndaj Qeverisë në detyrë për miratimin e buxhetit të vitit 2026

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Qeverisë në detyrë për të miratuar buxhetin e vitit 2026, duke e cilësuar këtë veprim si të paprecedent në aspektin politik dhe institucional. Sipas LDK-së, një qeveri pa mandat dhe pa legjitimitet nuk ka të drejtë të marrë vendime të tilla me peshë të madhe shtetërore.

    Në një komunikatë për media, LDK thekson se ky vendim është marrë në një periudhë kur vendi ndodhet në proces zgjedhor — si për balotazhin e zgjedhjeve komunale, ashtu edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare — duke e interpretuar këtë si përpjekje për të ndikuar në rezultatin elektoral.

    Sipas partisë, veprimi i Qeverisë bie ndesh me parimet demokratike dhe përbën tejkalim të kompetencave institucionale. LDK kujton se buxheti është dokumenti më i rëndësishëm financiar i shtetit dhe duhet të miratohet vetëm nga një qeveri me mandat të plotë nga qytetarët.

    Po ashtu, LDK u bën thirrje qytetarëve të jenë të vëmendshëm ndaj çdo përdorimi të buxhetit për qëllime politike, duke theksuar se ndihmat sociale dhe mbështetjet financiare duhet të bazohen në politika afatgjata dhe të qëndrueshme, jo në vendime të marra në fund të mandatit të një qeverie në largim.

    Në fund, partia nënvizon se do të vazhdojë të ndjekë me kujdes zhvillimet institucionale dhe do të angazhohet për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe të qeverisjes përgjegjëse në Kosovë.

  • U kap me marihuanë, arrestohet 40-vjeçari në Ferizaj

    U kap me marihuanë, arrestohet 40-vjeçari në Ferizaj

    Policia në Ferizaj ka arrestuar një 40-vjeçar nën dyshimin se ka kryer shitblerje të substancave narkotike.

    Siç njofton policia, rasti ka ndodhur ditën e djeshme gjatë patrullimit në një rrugë në Ferizaj ku kanë vërejtur një veturë të tipit Golf me targa vendore dhe afër saj një person të dyshimtë.

    Pas ndërhyrjes nga Policia, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar nëntë qese najloni të mbushura me substancë të dyshimtë narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 7.27 gramë, si dhe një kartëmonedhë.

    “I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj për procedura të mëtejshme, ndërsa rasti i është referuar Njësisë për Hetimin e Narkotikëve.

    Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, me urdhër të të cilit i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Si prova materiale janë sekuestruar.

    9 qese najloni me substancë të dyshimtë narkotike (marihuanë); një telefon celular dhe një kartëmonedhë.

  • Krasniqi: Thesi i mashtrimeve të një “babadimri” që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës

    Krasniqi: Thesi i mashtrimeve të një “babadimri” që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka quajtur thes të mashtrimeve buxhetin për vitin 2026 që ndau Qeveria në detyrë dhe vendimin për rritjen e pensioneve dhe shtesave për fëmijët.

    “Thesi i mashtrimeve të një “babadimri” që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës, sado që premtoi çdo vit për pesë vjet, s’mundet me e rikthy besimin e humbur të qytetarëve e as nuk mund të arrijë qëllimin e blerjes së votës për balotazh dhe për zgjedhje parlamentare. Krejt ato që sot u thanë në mbledhjen e fundit të kësaj qeverie, e që s’u bënë pesë vjet me radhë, do të bëhen: më mirë, më shumë e më shpejt, por me qeverinë e ardhshme, pa Albin Kurtin e pa Vetëvendosjen. Mashtrimi elektoral nuk kalon. Uji i turbullt s’pihet dy herë!:, ka shkruar Krasniqi.

    LEXONI EDHE:

    Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin 2026: Rritje pagash, pensionesh dhe shtesash për lehona

  • Rrëzohet kërkesa e PD-së për shkarkim të presidentit Begaj

    Rrëzohet kërkesa e PD-së për shkarkim të presidentit Begaj

    Komisioni i Ligjeve ka refuzuar me nëntë votat e mazhorancës kërkesën e Partisë Demokratike për nisjen e procedurës për shkarkimin e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj. Raporti për këtë vendim do t’i dorëzohet seancës plenare.
    Gjatë diskutimeve në komision, deputeti i PD-së, Gjin Gjoni, akuzoi Presidentin Begaj për shkelje të rëndësishme të Kushtetutës dhe ligjeve.

    Ai vuri në dukje veçanërisht dekretin për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës, të cilin e cilësoi si “anti-kushtetues”, duke pretenduar se Begaj ka marrë kompetenca që i takojnë sistemit gjyqësor dhe ka shkaktuar konfuzion te qytetarët.

    Sipas Gjonit, Presidenti nuk mund të vazhdojë të jetë përfaqësues i unitetit kombëtar, pasi ka kryer shtatë shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, të mjaftueshme për ta shkarkuar.

    Ai akuzoi Begajn se dekreti për zgjedhjet në Tiranë u nxorr pa krijuar vakancën kushtetuese, duke krijuar ngërç në procesin zgjedhor dhe duke minuar legjitimitetin e tij, duke shkaktuar kështu konfuzion te votuesit dhe duke marrë kompetenca që u takojnë gjyqësorit.

  • Nis takimi i Osmanit me krerët e partive politike

    Nis takimi i Osmanit me krerët e partive politike

    Në zyrën e Presidencës është duke u zhvilluar takimi i thirrur nga presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive politike.

    Ky takim konsultativ po zhvillohet pas dështimit të votimit për formimin e Qeverisë ‘Kurti 3’ më 26 tetor, kur kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje nuk siguroi 61 votat e nevojshme.

    Qëllimi i takimit është konsultimi për hapat e mëtejshëm drejt caktimit të mandatarit të ri për krijimin e qeverisë.

    Në takim po marrin pjesë liderët e të gjitha partive parlamentare, të cilët i janë përgjigjur ftesës së presidentes.

    Sipas Kushtetutës, presidentja ka afat dhjetë ditë për t’u konsultuar me partitë para se të propozojë mandatarin e ri. Nëse dështon edhe tentativa e dytë për formimin e qeverisë, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja brenda 40 ditësh.

  • Letonia, shteti i parë në BE që tërhiqet nga Konventa e Stambollit

    Letonia, shteti i parë në BE që tërhiqet nga Konventa e Stambollit

    Pas një seance intensive 13-orëshe me debate të ashpra, Parlamenti i Letonisë votoi të enjten për të tërhequr vendin nga Konventa e Stambollit, marrëveshja e Këshillit të Evropës që mbron gratë dhe vajzat nga dhuna. Nga 90 deputetë, 56 votuan për largimin, 32 kundër, ndërsa dy abstenuan.

    Ky vendim vjen vetëm një vit pas ratifikimit të konventës dhe, nëse presidenti Edgars Rinkēvičs e miraton, Letonia do të bëhet shteti i parë i Bashkimit Evropian që braktis këtë traktat. Kryeministrja Evika Siliņa e ka cilësuar vendimin si “mizor”, ndërsa organizatat për të drejtat e grave paralajmërojnë se ky hap mund të rrezikojë sigurinë e grave dhe vajzave në vend.

    Kundërshtarët e konventës argumentojnë se traktati promovon teori “gjinore” që, sipas tyre, minojnë vlerat tradicionale familjare. Vendimi ka shkaktuar protesta të mëdha, mbi 5,000 qytetarë dolën në rrugët e Rigas për të shprehur pakënaqësinë e tyre, duke reflektuar ndarjet e thella brenda shoqërisë latviane.

    Konventa e Stambollit klasifikon dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave të njeriut dhe përcakton masat ligjore dhe politike që shtetet nënshkruese duhet të zbatojnë për mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen penale të autorëve.