ATV

Category: Lajme

  • Haradinaj kritikon Qeverinë për projektbuxhetin 2026: Shumë vonë, shumë pak, marre

    Haradinaj kritikon Qeverinë për projektbuxhetin 2026: Shumë vonë, shumë pak, marre

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh deputet i Kuvendit, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër vendimin e Qeverisë për miratimin e projektbuxhetit të vitit 2026.

    Ai e cilësoi këtë veprim si të vonuar dhe madje “për marre”.

    “Shumë vonë, shumë pak. Marre! Kjo rritje është dashur të ndodhë para shumë vitesh”, tha Haradinaj.

    Përveç kritikave, kreu i AAK-së paraqiti edhe zotimet e tij për një qeveri të mundshme që do të drejtohej nga ai.

    “Në takimin e parë të qeverisë sonë, pensioni bazik do të jetë 200 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 600 euro. Shtesat për të gjithë fëmijët nga 0–16 vjeç do të kenë rritje të konsiderueshme. Nënat me dy fëmijë do të marrin 100 euro, ndërsa nënat me katër fëmijë do të marrin 300 euro në muaj”, u shpreh Haradinaj.

  • Gjyqtari paralajmëron pjesëtarët e VV-së: Urdhërarrest dhe paraburgim nëse mungojnë në seancën për gazin lotsjellës

    Gjyqtari paralajmëron pjesëtarët e VV-së: Urdhërarrest dhe paraburgim nëse mungojnë në seancën për gazin lotsjellës

    Në mungesë të ministrit në detyrë të Brendshëm, Xhelal Sveçla, është shtyrë seanca gjyqësore që trajton përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend më 2018.

    Gjyqtari Sabit Sadikaj tha se Sveçla kishte njoftuar paraprakisht gjykatën për mungesën e tij dhe, për këtë arsye, seanca nuk mund të mbahej dhe është shtyrë për më 16 janar.

    “Pasi i pandehuri Xhelal Sveçla e ka njoftuar gjykatën me shkrim duke arsyetuar mungesën, seanca e sotme nuk mbahet. Secila palë që mungon, do të përballet me urdhërarrest dhe kërkesë për caktim të masës së paraburgimit,” deklaroi gjyqtari Sadikaj.

    Në seancën e së premtes ishin të pranishëm vetëm Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 qershor 2024, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-s. Vendimi i Themelores më pas u mbështet edhe nga Gjykata e Apelit.

    Në seancën fillestare më 26 mars 2024, katër të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

  • 3,000 fjalë turqisht në gjuhën shqipe, Shqipëria mes 10 vendeve me më shumë huazime turke

    3,000 fjalë turqisht në gjuhën shqipe, Shqipëria mes 10 vendeve me më shumë huazime turke

    Ndikimi i Perandorisë Osmane mbi gjuhën shqipe është më i dukshëm se sa mund të mendohet. Sipas të dhënave të Institutit të Gjuhës Turke, rreth 3,000 fjalë me origjinë turke përdoren në shqip, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet me ndikim të theksuar gjuhësor nga turqishtja.

    Këto fjalë nuk janë thjesht huazime, por dëshmi e një periudhe të gjatë historike, ku kultura, administrata dhe jeta e përditshme e shqiptarëve u ndërthurën ngushtë me elementë osmanë.

    Termat që lidhen me kuzhinën, veshjen, ndërtimin, administratën dhe jetën urbane shpesh rrjedhin nga turqishtja, duke krijuar një shtresë të veçantë në strukturën e gjuhës shqipe.

    Sipas të njëjtit institut, Serbia, Armenia dhe Bullgaria janë vendet që kanë më shumë fjalë të huazuara turke në gjuhët e tyre, duke treguar për ndikimin e gjerë të kulturës osmane në Ballkan.

  • Nga 3 nëntori nis fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

    Nga 3 nëntori nis fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka caktuar datat e fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Fushata do të zhvillohet nga 3 nëntori deri më 9 nëntor 2025, duke përfunduar në orën 06:59.

    Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet në këto qytete: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

    KQZ njofton gjithashtu se periudha për votimin me postë është hapur nga 27 tetori deri më 8 nëntor 2025. Kjo i mundëson 29,712 qytetarëve të Kosovës, të regjistruar për votim jashtë vendit, që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.

  • Rritja e pensioneve e shtesave për fëmijë vjen reagimi i parë nga LDK-ja

    Rritja e pensioneve e shtesave për fëmijë vjen reagimi i parë nga LDK-ja

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimeve të Qeverisë në detyrë për rritjen e pensioneve dhe shtesave për fëmijë, duke i cilësuar si manovra politike në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

    Bajrami deklaroi se “Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes që ka uzurpuar zyrat e Qeverisë aprovoi sot buxhetin për vitin 2026. Ka mundësi që buxheti të shkojë në 8 miliardë dhe pagat e pensionet të rriten disa fish në kohën kur pritet vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Shtetin po e çojnë drejt rrënimit.”

    Ajo shtoi se Prokuroria Speciale ka mundur ta ndalë këtë maskaradë. Tash duhet ta ndalim me votë. E, do ta ndalim me votë.

  • Tentim për vetëvrasje në Mitrovicë, Policia ndërhyn dhe i shpëton jetën

    Tentim për vetëvrasje në Mitrovicë, Policia ndërhyn dhe i shpëton jetën

    Një person në Mitrovicë të Jugut është shpëtuar nga Policia e Kosovës pas një tentimi për vetëvrasje, që ndodhi në orët e para të ditës së premte. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të autoriteteve, tragjedia është parandaluar në kohë. Personi është dërguar menjëherë në spital për trajtim mjekësor dhe mbështetje të mëtejshme, njofton Policia.

    “Gjatë natës së datës 31 tetor 2025, Policia në Mitrovicën e Jugut ka pranuar informacion se një person i rritur kishte hapur dritaren e banesës së tij dhe kishte tentuar të hidhej nga lartësia”, thuhet në njoftim.

    “Menjëherë pas marrjes së informacionit, zyrtarët policorë reaguan me shpejtësi dhe profesionalizëm, duke arritur ta lokalizojnë personin dhe të parandalojnë veprimin e tij. Falë ndërhyrjes së menjëhershme, një tragjedi e mundshme është shmangur. Personi është dërguar në spital për trajtim mjekësor dhe ndihmë të mëtejme”, bëhet e ditur.

    Policia po ashtu falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe i inkurajon ata që të raportojnë rastet e ngjashme sa më shpejt të jetë e mundur, për të parandaluar çdo pasojë të mundshme për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

  • Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin 2026: Rritje pagash, pensionesh dhe shtesash për lehona

    Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin 2026: Rritje pagash, pensionesh dhe shtesash për lehona

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së qeverisë që ka nisur pak më parë, ka bërë të ditur disa masa të rëndësishme sociale dhe ekonomike për vitin 2026. Ai ka njoftuar se në qeverinë e ardhshme, të gjithë punonjësit e sektorit publik do të përfitojnë pagën e 13-të, ndërkohë që shtesat për lehonat do të rriten ndjeshëm.

    “Ashtu siç e parasheh ligji për financat publike, sot po miratojmë projektligjin për ndarje buxhetore për vitin fiskal 2026. Ky buxhet, me vlerë prej 4 miliardë euro, përfshin investime kapitale dhe përmirësime të rëndësishme sociale. Një nga risitë kryesore është dhënia e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik,” tha Kurti.

    Ai shtoi se me këtë buxhet rriten edhe pensionet dhe, veçanërisht, shtesat për lehonat, duke ndihmuar familjet në fillim të jetës së fëmijës.

    “Gjithashtu, do të zbatohet paga bazë me 0.5% për çdo vit përvojë pune, që përkthehet në rritje shtesë për secilin punonjës publik. Për vitin 2026, ky buxhet përfshin gjithashtu rritje të pensioneve, shtesave për fëmijë dhe pagesa për të rinjtë dhe gratë që angazhohen në punë të jashtëzakonshme,” shtoi Kurti.

  • Albin Kurti: Punëtorët e sektorit publik do të marrin pagën e 13-të

    Albin Kurti: Punëtorët e sektorit publik do të marrin pagën e 13-të

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se Buxheti i Kosovës për vitin 2026 do të arrijë vlerën e 4 miliardë eurove. Ai bëri të ditur këtë gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e këtij buxheti do të shkojë për investime kapitale.

    “Është buxhet në vlerë 4 miliardë euro, ku një miliard euro janë të dedikuara për investime kapitale. Një nga risitë e këtij buxheti është dhënia e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik. Kjo do të thotë se kushdo që punon së paku 12 muaj në sektorin publik, në fund të vitit do të mund të përfitojë pagën e 13-të,” tha Kurti.

    Ky lajm vjen si një përpjekje e qeverisë për të mbështetur punonjësit dhe për të rritur investimet në projekte që ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit.

  • Shahini: Rritja e pagës minimale në 500 euro mund të shkatërrojë bizneset

    Shahini: Rritja e pagës minimale në 500 euro mund të shkatërrojë bizneset

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, paralajmëron se rritja e menjëhershme e pagës minimale në 500 euro, siç po synon Qeveria në detyrë, mund të rrezikojë seriozisht bizneset dhe madje të çojë deri në mbyllje të tyre.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Shahini tha se një vendim i tillë nuk mund të merret pa një analizë të thellë ekonomike dhe se Qeveria në detyrë nuk ka kompetenca të mjaftueshme për të marrë masa kaq të mëdha.

    “Vendimet e Qeverisë së përkohshme, e cila nuk mund të marrë vendime të tilla madhore, duhet të bazohen në kritere ekonomike të qarta. Nuk kemi një analizë të thellë që të dijmë nëse janë plotësuar kushtet për rritjen e pagës minimale,” tha Shahini.

    Ai shtoi se një vendim i tillë mund të rrisë informalitetin dhe të rëndojë gjendjen e bizneseve, të cilat tashmë po përballen me krizë ekonomike dhe përjashtime nga mekanizmat ndërkombëtarë financiarë.

    “Premtimet e fushatës zgjedhore nuk mund të vendosen mbi realitetin ekonomik. Rritja e menjëhershme e pagës minimale do të rrisë informalitetin dhe do t’i vështirësojë bizneset për të paguar punëtorët, duke marrë parasysh krizën ekonomike, sanksionet dhe humbjet financiare që ka pëson Kosova, përfshirë më shumë se 2 miliardë euro të humbura nga fonde dhe projekte ndërkombëtare,” theksoi Shahini.

    Ai nënvizoi gjithashtu se Kosova ka pagën minimale më të ulët në Ballkan, por nuk ka një shtet tjetër në rajon që të jetë nën sanksione ekonomike si vendi ynë.

    “Ne nuk duam që bizneset të mbyllen apo të kalojnë në informalitet për shkak të rritjes së pagës minimale. Fitimet në mikro dhe të vogla janë të limituara dhe kjo masë do të thellojë krizën ekzistuese,” përfundoi kryetari i AKB-së.

  • Policia arreston një shtetas serb me urdhërarrest ndërkombëtar

    Policia arreston një shtetas serb me urdhërarrest ndërkombëtar

    Policia e Kosovës ka arrestuar të enjtën në Prishtinë një shtetas serb me urdhër ndërkombëtar.

    Ai është dërguar në mbajtje, tha policia në raportin 24-orësh.

    “Prishtinë / 30.10.2025 – 16:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas serb pasi që i njëjti kishte urdhër arrest. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.