ATV

Category: Lajme

  • Kos: Shqipëria, me progres të dalluar në procesin e integrimit

    Kos: Shqipëria, me progres të dalluar në procesin e integrimit

    Një ditë përpara se të publikojë raportet e zgjerimit për shtetet kandidate për anëtarësimin në BE, komisionerja Marta Kos veçoi përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi me reformat e integrimit.

    Ajo e konsideroi Shqipërinë si një nxënëse të dalluar në raport me përmbushjen e detyrimeve ndaj Brukselit.

    “Të martën do të raportojmë mbi progresin që kemi arritur gjatë vitit të kaluar me shtetet kandidate në procesin e zgjerimit të BE-së. Dy shtete dallohen në këtë proces, Mali i Zi dhe Shqipëria. Ato kanë realizuar përparim të suksesshëm me reformat e integrimit. Ne kemi hapur dhe mbyllur më shumë kapituj brenda një viti me këto dy shtete sesa gjatë 15 viteve të fundit”.

    “Këto dy vende të vogla, Mali i Zi me 600,000 banorë dhe Shqipëria me 2.5 milionë, janë duke përparuar drejt anëtarësimit në familjen tonë evropiane. Të dyja këto shtete kanë vendosur afate konkrete me data ambicioze për të mbyllur negociatat. Kjo e bën vitin e ardhshëm një moment të së vërtetës për to, veçanërisht për realizimin e reformave themelore, sidomos në funksionimin e shtetit ligjor”, tha Kos.

    Nga leximi paraprak që i është bërë progresraportit vjetor për Shqipërinë, nënvizohet roli i SPAK-ut në luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta politike, ku kërkohen dënime të formës së prerë.

    Një vend të veçantë zë sekuestrimi i pasurive që rrjedhin nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Bëhet thirrje sërish për vijimin e dialogut politik për përmirësimin e procesit zgjedhor nëpërmjet reformës së re zgjedhore.

  • Vrasje në tentativë në Podujevë, arrestohen tre persona

    Vrasje në tentativë në Podujevë, arrestohen tre persona

    Tre persona janë arrestuar për një tentim vrasje në Podujevë, ditën e djeshme.

    Viktima dyshohet se është sulmuar me thikë. I njëjti është dërguar në QKUK për tretman të mjekësor, bën të ditur Policia e Kosovës.

    Në këtë rast janë arrestuar tre persona, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy mjete të mprehta –thika. Dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa i treti është liruar në procedurë të rregullt.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    VRASJE NË TENTATIVË /ARMËMBAJTJE PA LEJE

    Podujevë / 03.11.2025 – 14:35. Është pranuar një informatë për përleshje mes disa personave. Në vendin e ngjarjes është hasur viktima mashkull kosovar i lënduar, i cili dyshohet se është lënduar me një mjet i mprehtë-thikë, dhe i njëjti është dërguar në QKUK për tretman të mjekësor. Lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, ku gjatë kontrollit tek të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar dy mjete të mprehta –thika. Me vendim të prokurorit dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa i treti është liruar në procedurë të rregullt.

  • Një ditë kohë për të vendosur – mandatar i ri apo zgjedhje

    Një ditë kohë për të vendosur – mandatar i ri apo zgjedhje

    Një ditë ditë kohë i kanë mbetur Lëvizjes Vetëvendosje që të vendosë nëse do të provojë sërish për taformuar qeverinë me një kandidat tjetër për kryeministër apo do që vendi të shkojë në zgjedhje. Deri të hënën, vendim nuk ka pasur nga kjo parti.

    Lëvizja Vetëvendosje nuk është përcaktuar ende se kush mund të jetë kandidati për kryeministër në përpjekjen e dytë për krijimin e Qeverisë, ndërsa kanë mbetur vetëm një ditë afat për propozimin e tij.

    Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që në përpjekjen e parë dështoi të marrë votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, presidentes Osmani i kërkoi disa ditë kohë para se t`i kthejë përgjigje, nëse do të tentojë sërish të formojë qeverinë apo do t`u bashkëngjitet partive të tjera që janë përcaktuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

    Për dallim nga Kurti, partitë e tjera politike të përfaqësuara në Kuvend, janë të vendosur për shkuarjen në zgjedhje. Sipas përfaqësuesve të tyre, që të premten u takuan me presidenten Vjosa Osmani, asnjëra prej partive që kanë zënë ulëse në Kuvend nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ka shumicën e nevojshme për të zgjedhur qeverinë e re. Në rast të mandatimit nga presidentja, kandidati për kryeministër ka kohë 15 ditë që në Kuvend të prezantoj programin dhe kabinetin e tij.

    Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve. Kriza politike dhe institucionale lindi fillimisht për shkak të mosmarrëveshjeve midis partive më të mëdha shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më pas për shkak të zgjedhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb.

  • Moti sot: I vranët, me reshje shiu të herëpashershme

    Moti sot: I vranët, me reshje shiu të herëpashershme

    Sot parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët deri në pjesën e parë të ditës, ku lokalisht, gjatë orëve të para të 24-orëshit dhe në mëngjes, herë pas here priten reshje shiu. Gjatë pasdites pritet të ketë vranësira të pjesshme, ndërsa më të shtuara parashihen në pjesën lindore të vendit.

    Era do të fryjë nga veriu dhe verilindja, me shpejtësi prej 10-36 km/h, njofton MeteoKosova.

    Temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, me minimale që do të lëvizin prej 6 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 9 deri në 13°C.

  • Rrëmbimi i një shtetasi të Kosovës nga xhandarmëria serbe, deklarohet KFOR-i

    Rrëmbimi i një shtetasi të Kosovës nga xhandarmëria serbe, deklarohet KFOR-i

    Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se është dijeni rreth njoftimit të Policisë së Kosovës se një serb i Kosovës dyshohet të jetë plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria e Serbisë brenda territorit të Kosovës, mirëpo situata e sigurisë në vijën kufitare administrative është e qetë.

    “Policia e Kosovës ka nisur hetime dhe vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me disa entitete, përfshirë KFOR-in. Policia e Kosovës e ka koordinuar aktivitetin e vet në anën kosovare të vijës kufitare administrative me KFOR-in”, është thënë në përgjigjen e këtij misioni.

    Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar të hënën Serbinë për cenim të integritetit territorial të Kosovës, pasi Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 1 nëntor ka pranuar informacion se në zonën e Leposaviqit, një shtetas i Kosovës, i nacionalitetit serb, me inicialet M.V., dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe.

    Në anën tjetër, autoritetet në Serbi nuk janë deklaruar rreth këtij rasti.

    Sipas njoftimit të Policisë, vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës [siç quhet pika zero -0-], në afërsi të zonës së Leposaviqit, qytet në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe.

    Sipas këtij institucioni, Policia e Kosovës ka bashkëpunuar me misionin e NATO-s në Kosovë [KFOR] si përgjegjës për zonën/brezin kufitar.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se bota demokratike duhet të reagojë e t’i ndalë këto sulme të Serbisë.

    Sipas saj, “kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme”.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se ky veprim është pjesë e politikave të Serbisë për frikësim dhe përndjekje ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit.

    “Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook, dhe i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar të reagojë ndaj Serbisë dhe që këto veprime armiqësore të mos përsëriten.

    Çfarë tha tjetër Policia?
    Policia e Kosovës tha se viktima, i identifikuar me inicialet M.V., sipas dëshmitarëve është dërguar me një autoambulancë në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi.

    Policia tha se ka intervistuar dëshmitarët okularë dhe përmes tyre ka siguruar informacionet se “persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën, të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë”.

    Lidhur me këtë rast, Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrisë e Mbrojtjes të Serbisë, por deri më tani nga këto institucione nuk janë përgjigjur.

    Përgjigje nuk kthyen as nga Qendra Klinike Universitare në Nish.

    Informacionet e para lidhur me plagosjen dhe rrëmbimin e dyshuar i pari i bëri publike avokati Ivan Niniq në Serbi. Ai shkroi në X se Millan Vukashinoviq ishte plagosur rëndë gjatë të shtënave në fshatin Jellakcë, afër Leposaviqit dhe se mjekët në Qendrën Klinike Universitare në Nish po tentojnë që t’ia shpëtojnë jetën.

    Leposaviqi gjendet në brezin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, është reaguesi i tretë i sigurisë në vend, pas Policisë dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

    KFOR-i, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

    Kjo nuk është hera e parë që autoritetet e Kosovës akuzojnë xhandarmërinë serbe se hyn në territorin e shtetit. Në mars të vitit 2012, dy policë të Kosovës ishin arrestuar në fushatin Dumnicë të Podujevës. Pas 48 orësh ata ishin liruar.

    Ndërkaq, më 2023 tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës ishin arrestuar.

    Sipas autoriteteve në Beograd, ata u kapën më shumë se një kilometër thellë në territorin serb, ndërsa zyrtarët në Prishtinë thanë se ata u rrëmbyen në Kosovë, gjatë një patrullimi kufitar./REL

  • Dyshohet që xhandarmëria serbe ka plagosur dhe ka rrëmbyer një qytetar serb brenda territorit të Kosovës

    Dyshohet që xhandarmëria serbe ka plagosur dhe ka rrëmbyer një qytetar serb brenda territorit të Kosovës

    Një shtetas i Republikës së Kosovës, me inicialet M.V. i nacionalitet serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Sipas komunikatës zyrtare, ngjarja është raportuar të ketë ndodhur më 1 nëntor në një zonë të njohur si “pika zero”, në afërsi të Leposaviqit, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Policia ka bërë të ditur se menjëherë pas pranimit të informacionit, ka njoftuar dhe bashkëpunuar me KFOR-in që është përgjegjës për sigurinë në brezin kufitar.

    “Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprimet e saja hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi”, thuhet në njoftim.

    Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetimet zyrtare, në koordinim me Prokurorinë Themelore të Mitrovicës – Departamentin për Krime të Rënda, si dhe me institucionet e tjera relevante të sigurisë.

  • Rrëzohet një kullë pranë Koloseumit të Romës: Ka njerëz të mbetur nën rrënoja⏐VIDEO

    Rrëzohet një kullë pranë Koloseumit të Romës: Ka njerëz të mbetur nën rrënoja⏐VIDEO

    Një pjesë e kullës së Kontit në Romë, e cila aktualisht ndodhet në fazë restaurimi, është shembur mëngjesin e sotëm rreth orës 11:00 me kohën lokale, duke lënë disa persona të zënë nën rrënoja.

    Deri më tani, katër persona janë nxjerrë nga rrënojat, ndërsa raportohet se të paktën një person vazhdon të jetë nën to.

    Sipas informacioneve të para, një burrë është i vetëdijshëm dhe ka reaguar ndaj thirrjeve të shpëtimtarëve.

    Në vendngjarje, përveç zjarrfikësve, ndodhen edhe pjesëtarë të policisë.

    Sipas mediave lokale, dy nga të plagosurit janë trajtuar në vendngjarje, ndërsa një burrë 64-vjeçar është dërguar në spitalin “San Giovanni” në gjendje të rëndë.

    Kulla, e ndërtuar në vitin 1238 me urdhër të papës Inoçenti III, ndodhet pranë Koloseut dhe Forumit Romak, në zemër të qendrës historike të Romës. Në momentin e shembjes së pjesshme, e cila ndodhi rreth orës 11:30, ajo ishte në proces restaurimi të financuar nga fondet e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë së Italisë.

    Brigada e zjarrfikësve të Romës ka dërguar në vendngjarje tre ekipe operative, dy autoshkallë dhe njësi speciale. Tre punëtorë, që kishin mbetur të bllokuar në majë të kullës, janë evakuuar përmes derës duke përdorur autoshkallët, ndërsa punëtori i katërt është nxjerrë nga struktura vetë.

    Sipas raportimeve të para, një person ndodhet ende nën rrënoja dhe ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet.

  • Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali do ta vizitojë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë

    Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali do ta vizitojë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë

    Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka mbërritur për një vizitë zyrtare në Hagë të Mbretërisë së Holandës, ku do të pritet nga homologu David van Weel, me të cilin do të firmosin një deklaratë të përbashkët për fuqizimin e partneritetit në kontekstin e mbështetjes për integrimin europian të vendit. Ajo do ta vizitojë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në institucionin e paraburgimit të Gjykatës Speciale.

    Spiropali do të falenderojë Ministrin e Jashtëm për rekomandimin pozitiv që qeveria e tij ka dërguar në parlamentin holandez për çeljen brenda nëntorit të grupkapitullit 5 të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

    Po ashtu, takimi do të fokusohet në mundësi të reja bashkëpunimi në fushat e ekonomisë, sigurisë dhe shkëmbimeve akademike.

    Ditën e sotme (3 nëntor), ministrja do ta vizitojë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në institucionin e paraburgimit të Gjykatës Speciale.

    Ministrja do të mbajë një leksion të hapur në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Hagës, me studentët dhe akademikët e Programit të Studimeve Europiane rreth agjendës së angazhimeve që Shqipëria ka ndërmarrë për të garantuar standardet europiane.

    Në mjediset e Ambasadës shqiptare, Spiropali do të mirëpritet edhe nga rrjeti i profesionistëve të rinj shqiptarë me banim në Holandë.

  • Hykmete Bajrami: S’ka vend për Vjosa Osmanin në LDK

    Hykmete Bajrami: S’ka vend për Vjosa Osmanin në LDK

    Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se presidentja Vjosa Osmani nuk ka vend në LDK, duke e cilësuar atë si përgjegjësen kryesore për rënien e partisë në zgjedhjet e vitit 2021.

    “Sipas meje personalisht Vjosa Osmani është personi, fajtori kryesor pse LDK-ja në vitin 2021 ka rënë në 12 për qind dhe ju rikujtoj deklaratën e saj se nëse unë nuk jam në LDK nuk jam në politikë. Vjosa Osmani nuk ka vend në LDK, nëse do të kthehej në LDK, LDK do t’i ofendonte dhe në një lloj mënyrë do t’i përjashtonte 112 mijë votuesit e zgjedhjeve të vitit 2021, votues të besueshëm që kanë qenë me LDK në kohë të mira e të vështira është kundër vullnetit të tyre. Nuk e kemi diskutuar në forum këtë, po e flas mendimin personal”, ka deklaruar Bajrami në TV Dukagjini.

    Ajo ka theksuar se nuk ka pasur diskutim zyrtar në forumet e LDK-së për këtë çështje, por se mendimi i saj personal është i qartë.“Kështu që me dëshirë kurrë votë për Vjosa Osmanin nuk ka. I ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh LDK-së”, ka shtuar Bajrami.

  • Zbulohet arma e frikshme e Putinit, super-torpeda ‘Poseidon’ që mund të zhysë të tërë Manhatanin nën ujë

    Zbulohet arma e frikshme e Putinit, super-torpeda ‘Poseidon’ që mund të zhysë të tërë Manhatanin nën ujë

    Sipas një raportimi të Daily Mail, Rusia ka zbuluar një armë të re bërthamore që po cilësohet si më e frikshmja e ndërtuar ndonjëherë nga Moska.

    Arma quhet “Poseidon”, një super-torpedë me energji bërthamore dhe me ngarkesë bërthamore, e aftë – të paktën në teori – të zhysë brigjet amerikane nën ujëra radioaktive.

    Sipas burimeve perëndimore, “Poseidon” është projektuar për të vepruar në thellësi të mëdha, me qëllim që të shmangë sistemet e mbrojtjes detare dhe të shkaktojë cuname të përmasave katastrofike.

    Raporti thekson se një shpërthim i tillë pranë brigjeve të SHBA-ve do të mund të zhyste qytete të tëra, përfshirë Manhattanin, nën ujëra të kontaminuara.

    Publikimi i këtyre detajeve ka ngritur alarmin në Uashington, ndërsa sipas Daily Mail, zhvillimet e fundit kanë detyruar Presidentin Donald Trump të shqyrtojë “të paimagjinueshmen” në lidhje me balancën bërthamore dhe mbrojtjen strategjike të SHBA-së.

    Rusia, ndërkohë, e ka paraqitur projektin si “armë të parandalimit strategjik”, por Perëndimi e sheh si një kërcënim serioz për sigurinë globale.