ATV

Category: Lajme

  • Kusari: Kosova po dështon të mbrojë gazetarët, të zbatohen obligimet ndërkombëtare e vendore

    Kusari: Kosova po dështon të mbrojë gazetarët, të zbatohen obligimet ndërkombëtare e vendore

    Në Ditën Ndërkombëtare kundër Pandëshkueshmërisë së Krimeve ndaj Gazetarëve, juristja e mediave Flutura Kusari ka bërë thirrje për veprime konkrete nga institucionet e Kosovës, duke theksuar se shteti nuk ka përmbushur obligimet e tij për garantimin e sigurisë së gazetarëve.

    Kusari ka kujtuar se Kosova është e detyruar të zbatojë Rekomandimin e Këshillit të Evropës CM/Rec(2016)4 për Sigurinë e Gazetarëve, përmes ndryshimeve ligjore dhe politike që lidhen me lirinë e shprehjes dhe të medias.

    Ajo ka theksuar tri masa urgjente që duhet të ndërmerren:Hartimi i një Plani Kombëtar për Sigurinë e Gazetarëve;

    Themelimi i një Trupi Kombëtar Koordinues për Sigurinë e Gazetarëve;

    Zbatimi i plotë i rekomandimeve ndërkombëtare në këtë fushë.

    Sipas Kusarit, në pesë vitet e fundit, Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë ndryshim ligjor apo politikë shtetërore për përmirësimin e sigurisë së gazetarëve — përkundrazi, numri i sulmeve ndaj tyre është rritur.

    “Shpresoj që sot gazetarët do t’ia kushtojnë 1-2 minuta kësaj tematike të rëndësishme”, ka shkruar ajo, duke apeluar për reflektim dhe veprim institucional për mbrojtjen e lirisë së shtypit në vend.

  • Rama i reagon edhe njëherë Kurtit: Cilin buxhet, Albin? Buxhetin e kujt s’e jep?

    Rama i reagon edhe njëherë Kurtit: Cilin buxhet, Albin? Buxhetin e kujt s’e jep?

    Kryetari i Prishtinës, dhe kandidati për një mandat tjetër nga rradhët e LDK-së, Përparim Rama, i është kthyer edhe njëherë deklaratës skandaloze të Kurtit, i cili la të kuptohet për qytetarët që të mos votojnë kandidatë për kryetar nga partitë e tjera, sepse nuk u lëshon buxhet.

    Rama e ka quajtur rrezik institucional qasjen e Kurtit, duke thënë se kjo është logjikë shkatërruese dhe se në këto kushte, Kurti nuk duhet të jetë kryeministër i Kosovës më.

    Postimi i plotë në “Facebook”:

  • AGK: Familjet e gazetarëve të vrarë në Kosovë kanë pritur me dekada për drejtësi

    AGK: Familjet e gazetarëve të vrarë në Kosovë kanë pritur me dekada për drejtësi

    Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare për t’i dhënë fund Pandëshkueshmërisë ndaj Krimeve kundër Gazetarëve, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka kërkuar drejtësi për gazetarët e vrarë në vend dhe llogaridhënie nga institucionet e drejtësisë.

    Kryetari i bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ka theksuar se familjet e gazetarëve të vrarë në Kosovë prej dekadash po presin drejtësi, ndërsa mosndëshkimi vazhdon të pengojë lirinë e medias dhe punën e gazetarëve investigativë.

    “Pandëshkueshmëria dekurajon gazetarët që të vazhdojnë misionin e tyre për të zbuluar të vërtetën”, ka deklaruar Rexha, duke bërë thirrje për hetim të plotë dhe transparent të rasteve të pazgjidhura të vrasjeve të gazetarëve.

    AGK ka përsëritur angazhimin e saj për të mbrojtur sigurinë e gazetarëve dhe për të kërkuar përgjegjësi institucionale ndaj çdo sulmi që cenon lirinë e medias në Kosovë.

  • “Kërkuan dhjetëra miliona euro”, hajdutët e Luvrit tentuan shitjen e bizhuterive në Izrael?

    “Kërkuan dhjetëra miliona euro”, hajdutët e Luvrit tentuan shitjen e bizhuterive në Izrael?

    Një kompani sigurie izraelite thotë se është kontaktuar nga hajdutët që fshihen pas vjedhjes së xhevahireve në Luvër, duke i ofruar negociata sekrete për të shitur sendet e vjedhura nëpërmjet rrjetit të errët.

    Ajo thekson se hajdutët kërkuan dhjetëra milionë euro për xhevahiret e vjedhura.

    Tzvika Naveh, CEO i kompanisë, tha se kompania mori një mesazh të koduar përmes faqes së saj të internetit pesë ditë pas grabitjes së 19 tetorit nga një person që pretendonte se përfaqësonte hajdutët.

    “Ai na ofroi negociata në rrjetin e errët për të blerë xhevahiret e vjedhura, duke e kufizuar kontaktin në vetëm 24 orë”, vuri në dukje Naveh.

    “Kompania u angazhua në një seri bisedash të koduara me një përfaqësues të hajdutëve dhe mori indikacione se ai me të vërtetë zotëronte të paktën disa nga artikujt e vjedhur. Ata ishin në arrati dhe duhej të shpëtonin shpejt nga plaçka e tyre”, shtoi ai.

    Ai kontaktoi Luvrin nëpërmjet një ndërmjetësi dhe pretendon se Luvri nuk i ktheu përgjigje.

    “Ne humbëm besueshmërinë tek hajdutët dhe Luvri humbi një mundësi të vërtetë për të kthyer xhevahiret”, tha Naveh.

    Ai pohon se disa muaj më parë, në një intervistë me gazetën italiane Il Tempo, paralajmëroi për diskutime në rrjete që sugjeronin plane për të grabitur Luvrin./Telegrafi

  • A mund të anëtarësohet Kosova në BE? Ish-presidenti i KiE: Po, ka një mënyrë

    A mund të anëtarësohet Kosova në BE? Ish-presidenti i KiE: Po, ka një mënyrë

    Ish-presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel ka zhvilluar një intervistë në “Inside Albania Podcast” me Alice Taylor ku foli lidhur me marrëdhënien e Kosovës dhe Serbisë dhe rrugës së tyre drejt BE-së.

    Sipas tij anëtarësimi në BE është rruga më e mirë për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe për uljen e tensioneve.

    “Unë me sinqeritet ndjej se mjeti më i fortë është anëtarësimi në BE. Dhe nëse duam që Kosova dhe Serbia te jenë të guximshme në nivel të brendshëm, sepse e di që si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, ekziston nevoja për t’i bindur qytetarët se zgjedhjet që po bëhen janë zgjedhjet më te mira për ta, mendoj se mënyra më e mirë për t’i bindur njerëzit për ta.

    Mendoj se mënyra më e mirë për t’i bindur njerëzit është qё ata udhëheqës dhe ato shoqëri ta kenë ketë perspektive anëtarësimi. Sepse ky anëtarësimi, sipas meje, është mënyra më e mirë për të zbutur tensionet, për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të zhvilluar një agjendë më pozitive të orientuar drejt së ardhmes”, u shpreh Michel.

  • Aksion policor në Prishtinë, u privatizuan prona të AKP e më pas iu shitën personave të tjerë

    Aksion policor në Prishtinë, u privatizuan prona të AKP e më pas iu shitën personave të tjerë

    Një aksion policor është zhvilluar nga policia për një rast që ndërlidhet me falsifikim të dokumenteve, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim e armëmbajtje pa leje.

    Sipas njoftimit të policisë, një person është arrestuar më 01.11.2025, pasi që i njëjti dyshohet se gjatë periudhës 2021-2024, ka kryer vepra penale duke përfshirë dyshime se janë falsifikuar dokumente, lidhur me pronat e përfshira që kanë qenë nën menagjimin e AKP-së.

    Tutje sipas njoftimit të policisë, këto prona i dyshuari në bashkëkryerje me persona tjerë kanë arritur që t’i falsifikojnë dokumentet që në procedura për bartje dhe legalizim i kanë bartur nga prona shtetërore në pronësi private.

    E pasi i kanë bartur këto prona në pronësi private, policia ka njoftuar se të njëjtit pastaj i kanë shitur duke mashtruar blerësit dhe nga këto para kanë përfituar shuma të mëdha financiare.

    Gjithashtu pas arrestimit, policia ka njoftuar edhe se ka bastisur disa objekte.“Janë bërë kontrolla në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazha ku janë konfiskuar dokumente të ndryshme që kanë lidhje me falsifikime si dhe pajisje që janë përdorë për falsifikimin e dokumenteve”- thuhet në njoftimin e policisë në raportin policor të datës 02.11.2025.

    Gjatë operacionit policor është konfiskuar një pistoletë me 103 fishek, një telefon celular, një orë dore rolex dhe një zingjir dore rolex.

    I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • 36 vjet nga rënia heroike e dy heronjve Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia

    36 vjet nga rënia heroike e dy heronjve Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia

    Sot mbushen 36 vjet nga rënia e dy dëshmorëve të kombit Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia nga komuna e Podujevës.

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bën homazhe në nderim të 36-vjetorit të rënies së dëshmorëve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.

    Ndryshe më 2 nëntor 1989, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, pas një beteje të pabarabartë me forcat e pushtuesit serb, ranë heroikisht dy bijtë më të mirë të Kosovës – Fahriu dhe Afrimi.

    Fahri Fazliu lindi në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës në demonstratat e vitit 1981, 1988 dhe 1989, dhe gjatë gjithë jetës së tij mbeti i përkushtuar në veprimtarinë çlirimtare për lirinë e atdheut, duke vepruar me përkushtim në çdo vend ku kishte mundësi.

    Afrim Zhitia lindi në vitin 1965 në Llugë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Në vitin 1982, si nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme, u inkuadrua në organizatën ilegale Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës. Më 1984 u arrestua bashkë me shokët dhe u dënua me 8 vjet burg për veprimtarinë e tij atdhetare.

    Më 2 nëntor 1989, forcat e UDB-së serbe dhe ushtria e serbise, rrethuan shtëpinë ku gjendeshin Afrimi dhe Fahriu në Bregun e Diellit. Luftimet filluan në orën 12:45 dhe zgjatën deri në ora 19:00.

    Në atë betejë të pabarabartë ranë heroikisht Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, duke hyrë përgjithmonë në pavdekësinë kombëtare.

  • Nëntë të plagosur në Londër pas sulmit me thikë në një tren, dyshohet për terrorizëm

    Nëntë të plagosur në Londër pas sulmit me thikë në një tren, dyshohet për terrorizëm

    Nëntë persona janë plagosur pas një sulmi me thikë në një tren që udhëtonte nga Doncaster drejt stacionit King’s Cross në Londër të shtunën mbrëma.

    Policia ka arrestuar dy burra në lidhje me ngjarjen, ndërsa hetimet po mbështeten edhe nga policia kundër terrorizmit.

    Sipas policisë britanike, sulmi ndodhi rreth orës 19:30, pranë stacionit të Huntingdon në Cambridgeshire. Oficerët e armatosur ndërhynë menjëherë, ndaluan trenin dhe arrestuan dy persona në vendngjarje. Shërbimi i ambulancës vendosi një përgjigje emergjente në shkallë të gjerë, duke transportuar disa të plagosur në spital.

    Kryeministri Keir Starmer e cilësoi incidentin “të tmerrshëm dhe thellësisht shqetësues”, ndërsa falënderoi shërbimet e emergjencës për reagimin e shpejtë

    Dëshmitarë të ngjarjes kanë përshkruar skena paniku në tren, ku pasagjerët vraponin për t’u larguar nga sulmuesi. Njëri prej tyre tha për mediat britanike se pa një burrë “të mbuluar me gjak” që kërkonte ndihmë.

    Shërbimi hekurudhor konfirmoi ndërprerje të mëdha në itinerarin e saj, ndërsa stacioni i Huntingdon mbeti i mbyllur për shkak të hetimeve. Ndërprerjet pritet të zgjasin deri të hënën.

    Policia u ka bërë thirrje dëshmitarëve që të raportojnë çdo informacion në lidhje me ngjarjen përmes linjës 101, duke cituar incidentin nr. 495 të datës 1 nëntor.

  • Një polic i Serbisë arresohet në kufirin e Jarinjës, i konfiskohet municion dhe afro 10 mijë euro

    Një polic i Serbisë arresohet në kufirin e Jarinjës, i konfiskohet municion dhe afro 10 mijë euro

    Një pjesëtar i policisë së Serbisë, është arrestuar në hyrje të pikës kufitare në Jarinje.

    Gjatë kontrollit, në veturën e tij me tabela të Beogradit, janë gjetur dhe konfiskuar 51 fishekë, dhe para të gatshme në vlerë prej 9.900 eurosh si dhe 26 mijë dinarë serb.

    Ai po dyshohet për vepren penale “Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

    “Nga i dyshuari janë sekuestruar dokumente personale si kartela e identifikimit së bashku me distinktivin e policisë së Serbisë, kartelën e sindikatës së policisë serbe, letërnjoftimi i Serbisë dhe Kosovës, pasaporta e Serbisë, një palë spaleta të uniformës, një palë dorëza dhe një USB. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Lidhur me rastin tashmë kanë nisur edhe hetimet nga organet e rendit.

  • Homazhe në nderim të ish-kryeministrit të Shqipërisë Fatos Nano

    Homazhe në nderim të ish-kryeministrit të Shqipërisë Fatos Nano

    Në nderim të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, gjatë ceremonisë në Pallatin e Kongreseve pritet të mbajë një fjalë në emër të familjes bashkëshortja e tij, Xhoana Nano.

    Pas homazheve, arkëmorti i Fatos Nanos do të kalojë përpara godinës së Kryeministrisë për t’u përcjellë më pas drejt varrezave të Sharrës, ku do të zhvillohet ceremonia e varrimit. Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari i Top Channel Muhamed Veliu në homazhe pritet të marrin pjesë personalitete të shumta nga rajoni dhe politika shqiptare. Nga Maqedonia e Veriut do të jetë i pranishëm kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, nga Kosova, kryeministri Albin Kurti, disa ministra dhe deputetë, ndërsa Malin e Zi do ta përfaqësojë zëvendëskryeministri i vendit.

    Nga opozita shqiptare, Partia Demokratike pritet të përfaqësohet nga Flamur Noka dhe Agron Gjekmarkaj.