ATV

Category: Lajme

  • Njeriu me më shumë tatuazhe në Britani thotë se fëmijët ndonjëherë “tmerrohen” prej tij

    Njeriu me më shumë tatuazhe në Britani thotë se fëmijët ndonjëherë “tmerrohen” prej tij

    Jeta është problematike për ‘burrin me më shumë tatuazhe të Britanisë’.

    45-vjeçari ka zbuluar se fëmijët ndonjëherë “tmerrohen” prej tij.

    Ata që kanë fobi thjesht “refuzojnë” ta shikojnë.

    I njohur si “King Of Ink Land”, ai tha se nuk ka bërë tatuazhe për 4 vjet, por ka plane të bëjë përsëri ndërhyrje në të ardhmen e afërt.

    Ai tha se, ndërsa reagimet e njerëzve mund t’i lëndojnë ndjenjat, ai ka mësuar të ndërtojë një lëkurë të fortë.

    “Unë jam vetvetja.”

    “E pranoj plotësisht se jam pjesë e një komuniteti jokonformist, larg asaj që shoqëria dëshiron si normale. Shpresoj vetëm që, nëse ndonjëherë e kaloj provimin e avokatisë në Mbretërinë e Bashkuar, bota të mos më shohë kështu atëherë”, tha ai.

    “Unë jam ende një njeri nga brenda, pavarësisht sharjeve dhe murmuritjeve të njerëzve që më quajnë ‘Avatar’ ose ‘Mutant’. Kam një familje, një personalitet, interesa, aftësi dhe shumë më tepër.” /Telegrafi/

  • Edi Rama: Nga janari pensionet do rriten çdo muaj

    Edi Rama: Nga janari pensionet do rriten çdo muaj

    Kryeministri Edi Rama tha përmes një videomesazhi në rrjetet sociale se, duke nisur nga janari i këtij viti pensionet do rriten çdo muaj përtej indeksimit vjetor.

    Rama bëri me dije se qeveria miratoi një natë më parë projektbuxhetin 2026, ndërsa theksoi se ky mandat do të jetë ai i rritjes së pensioneve duke e çuar pensionin e plotë në 400 mijë lekë të vjetra deri në fund të mandatit, shkruan euronews.al.

    “Kjo është pjesa më e vështirë e politikës financiare për një shtet, por tani që jemi një vend me një ekonomi të qëndrueshme që rritet çdo vit do bëjmë atë që premtuam të rrisim vit pas viti pensionet. Kështu pensionistët tanë, nga janari do kenë një rritje muaj për muaj përmbi indeksimin e përvitshëm.

    Në fund të mandatit pensioni mesatar urban shkon 40 mijë leke nga 27 mije leke qe është sot, pensioni urban i pjesshëm 22 mijë lekë nga 15 mije leke qe është aktualisht, pensioni rural shkon 18 mije leke nga 11.5 mije lekë që është sot, pensioni familjar shkon 18 mijë nga 11 mijë lekë që është sot”, tha Rama.

  • Sindikata e policisë nënshkruan marrëveshje me sindikatën e Lituanisë

    Sindikata e policisë nënshkruan marrëveshje me sindikatën e Lituanisë

    Si rezultat i përkushtimit të përbashkët për avancimin e të drejtave, dinjitetit dhe profesionalizmit të punonjësve të policisë, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit Ndërkombëtar ndërmjet Sindikatës së Policisë së Kosovës (SPK) dhe Sindikatës së Policisë së Sllovenisë – OPS Podravje.

    Sipas njoftimit, kjo marrëveshje shënon një moment të rëndësishëm historik për fortësimin e lidhjeve sindikale dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale në nivel ndërkombëtar.

    Marrëveshjen e nënshkruan Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, dhe Presidentja e Sindikatës së Policisë së Sllovenisë – OPS Podravje, Anita Arzenshek, duke vendosur themelet e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të barabartë midis dy organizatave.

    Ky bashkëpunim ka për qëllim: Forcimin e solidaritetit sindikal ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave profesionale; Organizimin e aktiviteteve profesionale, trajnimeve dhe seminareve të përbashkëta për përfaqësuesit sindikalë dhe punonjësit e policisë; Zhvillimin e projekteve sociale, kulturore, sportive dhe edukative që kontribuojnë në mirëqenien e punonjësve dhe Forcimin e bashkëpunimit institucional dhe sindikal në nivel evropian.

    “Ky nënshkrim vendos Sindikatën e Policisë së Kosovës në një rol të fuqishëm në rrjetin evropian të sindikatave policore, duke u bërë partner strategjik për bashkëpunime të ardhshme ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

    Gjatë vizitës zyrtare në Pejë, përfaqësuesit e të dy sindikatave zhvilluan takime profesionale, vizituan institucione kulturore dhe diskutuan planet e aktiviteteve të përbashkëta për vitin e ardhshëm, të cilat do të forcojnë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar midis Kosovës dhe Sllovenisë.

    Në fund thuhet se kjo marrëveshje është dëshmi e qartë se bashkëpunimi dhe solidariteti ndërkombëtar janë shtylla themelore të zhvillimit sindikal dhe mbrojtjes së të drejtave të punonjësve të policisë.

  • Superhëna e vitit pritet nesër: Do jetë 8 % më e madhe se mesatarja

    Superhëna e vitit pritet nesër: Do jetë 8 % më e madhe se mesatarja

    Nesër në qiell do të shfaqet superhëna më e madhe e vitit, dhe afërsia e saj me Tokën do ta bëjë atë të duket më e madhe dhe më e ndritshme se zakonisht në kohën e hënës së plotë.

    Superhëna ndodh sepse Hëna nuk rrotullohet rreth Tokës në një orbitë të përsosur, por në një elipsë, prandaj është ndonjëherë më afër dhe ndonjëherë më larg gjatë vitit, raporton “The Guardian”.

    Kur Hëna është e plotë dhe në një distancë prej dhjetë përqind nga pika e saj më e afërt me Tokën, kjo quhet superhënë, u njoftua në faqen e internetit “Timeanddate”.

    Në atë moment, hëna do të duket tetë për qind më e madhe dhe rreth 16 për qind më e ndritshme se mesatarja.

    Në pikën e saj më të afërt, Hëna është rreth 350,000 kilometra larg Tokës, ndërsa në pikën e saj më të largët është rreth 400,000 kilometra larg.

  • Suedia shkurton ndihmën për Serbinë – Shkak, korrupsioni në rritje

    Suedia shkurton ndihmën për Serbinë – Shkak, korrupsioni në rritje

    Qeveria e Suedisë ka njoftuar pezullimin e një pjese të ndihmës për institucionet shtetërore në Serbi. Vendimi pason vlerësimin se zhvillimi në vend po shkon në “drejtimin e gabuar”, duke përmendur posaçërisht korrupsionin në rritje dhe dështimin në sundimin e ligjit.

    Ministri Suedez për Zhvillim, Benjamin Dousa, deklaroi se Stokholmi ka vërejtur mungesë të vullnetit politik në Beograd për reformat kyçe. Ai theksoi se mbështetja kushtëzohet me progresin në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e lirive themelore.

    Si pasojë, fondet e planifikuara për shtetin serb do të ridrejtohen për forcimin e organizatave të shoqërisë civile.

    Ky veprim, sipas Stokholmit, është në përputhje me politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, e cila bazohet në merita dhe progresin demokratik.

  • U godit nga një motoçiklist i huaj, humb jetën një këmbësor në Fushë Kosovë

    U godit nga një motoçiklist i huaj, humb jetën një këmbësor në Fushë Kosovë

    Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur pasditen e së hënës në Fushë Kosovë, saktësisht në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë.

    Në këtë ngjarje, një këmbësor ka humbur jetën pasi është goditur nga një motoçikletë.

    Sipas njoftimit të Policisë, viktima është një burrë kosovar, ndërsa drejtuesi i motoçikletës është identifikuar si shtetas i huaj.

    Si pasojë e goditjes, këmbësori ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe ka vdekur menjëherë në vendin e ngjarjes.

    Me të marrë informacionin, në vendngjarje kanë dalë njësitet relevante policore për të kryer hetimet fillestare lidhur me rrethanat e aksidentit.

    Ndërkohë, me vendim të prokurorit të rastit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

  • Deklarata e Kurtit për buxhetin e komunave – Reagon AKK, Ibrahimi: Fjalët e Kurtit janë fyese për kryetarët

    Deklarata e Kurtit për buxhetin e komunave – Reagon AKK, Ibrahimi: Fjalët e Kurtit janë fyese për kryetarët

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk do të ndajë mjete buxhetore për kryetarët e komunave që, sipas tij, “nuk punojnë mirë apo vjedhin”.

    Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Drejtori, Sazan Ibrahimi, tha se një qëndrim i tillë tregon mungesë vullneti për bashkëpunim ndërinstitucional.

    “Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës i përbërë nga kryetarët e komunave të partive të ndryshme politike, pas deklaratës të fundit të kryeministrit Kurti rreth kryetarëve në ardhje apo në përgjithësi kryetarët e komunave, ku doli me një deklaratë që nuk ishte që të bëhet përpjekje për bashkëpunim ndërinstitucional në mes të nivelit lokal dhe qendror por më shumë duke i fryrë polarizimit në shoqërinë kosovare. AKK vlerësoi se kjo deklaratë e kryeministrit Kurti është një lloj fyerje për kryetarët e tanishëm por edhe për kryetarët në ardhje sepse janë institucione tjera të cilat vlerësojnë se kryetarët e komunave çfarë veprime bëjnë, nëse bëjnë veprime të cilat nuk janë në kuadër të përgjegjësive të tyre apo ndonjë veprim që bie ndesh me ligjin atëherë janë institucionet e drejtësisë që merren me të”, ka deklaruar Ibrahimi.

    Ibrahimi është kthyer edhe në deklaratat e 2021-ës kur Kurti sipas tij kishte përdorur gjuhën e njëjtë.

    “I kemi zgjedhjet lokale, patëm edhe raundin e parë kur kryetarët e komunave nga partitë e ndryshme fituan garën në raundin e parë, a duhet thuhet se edhe ata kryetarët që janë zgjedhur në vitin 2021 kanë bërë veprime antiligjore apo jo sepse kanë qenë 4 kryetarë nga Lëvizja Vetëvendosje. Duhet të kthehem në vitin 2021 sepse nuk është hera e parë që Kurti shprehet me këtë fjalor, në vitin 2021 në zgjedhjet lokale të atij viti ku 4 kryetar ishin nga Lëvizja Vetëvendosje ku “krimi ka zbritur në nivel lokal” atëherë nëse paska zbritur në vitin 2021 edhe kryetarët e LVV-së janë të përfshirë në këto krime. Gjithashtu duhet të theksoj që i kemi kaluar ato sisteme qeverisëse kur një person ka vendosur për buxhetin e shtetit, tash i kemi ligjet në fuqi”, tha Ibrahimi.

    Sipas Ibrahimit, asnjë kryetar komune që nga viti 2021 nuk ka pasur aktakuzë për ndonjë vepër të tillë, duke e cilësuar gjuhën e Kurtit si fyese dhe të papranueshme.

    “Kryetarët e komunave prej ardhjes së kryeministrit Kurti në vitin 2021 deri më tani asnjë kryetar i komunës pa marrë parasysh i cilës parti është, nuk e ka asnjë aktakuzë të ngritur për krim siç ka theksuar në vitin 2021 apo për këtë fjalë që e ka përdorur që ‘mos i votoni njerëzit të cilët janë hajna’, kjo është një gjuhë jashtëzakonisht e ulët, sepse kryetari i komunës merr vota të drejtpërdrejta. Në vend që kryeministri në detyrë t’i përfaqësojë dhe t’i mbrojë interesat e të gjitha komunave të Kosovës ai del me deklarata të tilla, ku ne si bord i Asociacionit të Komunave të Kosovës i vlerësojmë si deklarata fyese, në komuna zhvillohet jeta e qytetarit jo në zyrat komode të kryeministrit në detyrë apo ministrave në detyrë, për këtë arsye AKK vlerëson frymën e përmirësimit të bashkëpunimeve ndërinstitucionale e jo polarizimit të mëtejshëm në mes institucioneve qendrore dhe lokale,” është shprehur Ibrahimi.

    Ibrahimi po ashtu ka akuzuar Qeverinë se nuk ka bërë ndarjen e barabartë buxhetore.

    “Nëse i pyetni kryetarët e komunave, shumica absolute e tyre, theksojnë që po, domethënë që ka pasë pabarazi në ndarjet buxhetore nga ministritë e linjës kundrejt kryetarëve të komunës. Këto janë edhe të argumentuara. Nëse bëni analizë të raporteve financiare dhe projektbuxhetet për këtë vit e shihni që ka pasë dallime drastike në investime kapitale për projekte të reja por edhe për projektet në vazhdimësi, për shembull në vitin e kaluar, në vitin 2024 del që Shtimja e qeverisur nga Lëvizja Vetëvendosje ka përfituar 102.15 euro për kokë banori për investime të reja kapitale, komuna e Gjilanit ka 85.69 euro, komuna e Kamenicës 80.26 euro ndërsa komuna e Prizrenit ka përfituar vitin e kaluar 4.64 euro për kokë banori, komuna e Pejës me 19.07, komuna e Suharekës me 1.77 euro për kokë banori, kemi komuna tjera të cilat nuk kanë përfituar asnjë cent nga ndarjet buxhetore të ministrive të linjës për investime të reja kapitale. Këtë vit e kemi një situatë ku një komunë e cila qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më shumë mjete financiare për investime të reja kapitale sesa komuna e Prishtinës dhe e Prizrenit bashkë. Këto janë ndarjet dhe mesazhet përçarëse dhe fyese të cilat i ka përdorë kryeministri adresuar për zgjedhjet e ardhshme ku do t’i kemi të zgjedhura edhe kryetarët e komunave,” ka theksuar Ibrahimi.

     

  • Ushtria izraelite arreston një nga figurat kryesore të ushtrisë, akuzohet për tradhti

    Ushtria izraelite arreston një nga figurat kryesore të ushtrisë, akuzohet për tradhti

    Një skandal i madh tronditi Izraelin pas arrestimit të gjeneral-majores Yifat Tomer-Yerushalmi, ish-avokatja kryesore e ushtrisë.

    Tomer-Yerushalmi u përfshi në një hetim mbi publikimin e një videoje të fshehtë që tregon abuzime ndaj një të burgosuri palestinez në burgun ushtarak Sde Teiman më 5 korrik 2024, raporton AP.

    Ajo dorëhoqi papritmas, u zhduk për disa orë dhe u gjet në një plazh në Tel Aviv. Tomer-Yerushalmi tha se publikoi videon “për të treguar seriozitetin e hetimeve”, por kjo nxiti reagime të ashpra nga politikanët e djathtë dhe aleatët e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

  • Hetohen dy vdekje të dyshimta në Prishtinë dhe Gjakovë

    Hetohen dy vdekje të dyshimta në Prishtinë dhe Gjakovë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se po heton dy raste vdekjesh që kanë ndodhur të hënën në qytetet e Prishtinës dhe Gjakovës.

    Sipas raportit zyrtar, rasti i parë është regjistruar në Prishtinë, rreth orës 14:40, ku një grua kosovare ka humbur jetën pasi i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

    “Është raportuar se viktimës femër kosovare, pasi i ishte keqësuar gjendja shëndetësore, është ftuar ambulanca, e cila e ka dërguar në QKUK, ku më pas ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion,” thuhet në raportin e policisë.

    Ndërkohë, një tjetër rast i ngjashëm është raportuar në Gjakovë, rreth orës 15:00, ku një burrë kosovar ka ndërruar jetë në spitalin rajonal. Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat e të dyja vdekjeve.

  • Dy persona lëndohen rëndë nga një sulm me thikë në Suharekë – i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Dy persona lëndohen rëndë nga një sulm me thikë në Suharekë – i dyshuari dërgohet në mbajtje

    Dy persona kanë mbetur të lënduar rëndë pas një sulmi me thikë që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Suharekë.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 19:00, në rrugën “Brigada 123”.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, i dyshuari – një mashkull kosovar – është arrestuar menjëherë pas ngjarjes. Ai dyshohet se ka sulmuar me thikë dy meshkuj kosovarë, të cilët kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

    “Rr. Brigada 123, Suharekë / 03.11.2025 – 19:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi dyshohet se ka sulmuar me thikë dy meshkuj kosovarë. Viktimat kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

    Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.