ATV

Category: Lajme

  • Dogana kap produkte të falsifikuara të “Apple”

    Dogana kap produkte të falsifikuara të “Apple”

    Dogana e Kosovës, ka ndaluar produkte me markën tregtare “Apple”, të cilat dyshohen se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale.

    Bëhet e ditur se gjatë kontrollit të detajuar, janë ndaluar 2,000 copë mbushës telefoni dhe 20 ora të mençura (smartwatch) që bartnin shenjat dalluese të markës “Apple”.

    “Ky veprim është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të Doganës së Kosovës për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, luftimin e mallrave të falsifikuara, si dhe mbrojtjen e konsumatorëve dhe bizneseve të ligjshme në tregun e vendit”, thonë nga Dogana.

  • Vdiq ish-zëvendëspresidenti amerikan, Dick Cheney

    Vdiq ish-zëvendëspresidenti amerikan, Dick Cheney

    Ka vdekur në moshën 84-vjeçare, ish-zëvendëspresidenti amerikan, Dick Cheney.

    Cheney ka qenë zëvendës i George Bushit në periudhën 2001-2009.

    Ai vdiq si pasojë e komplikimeve nga pneumonia dhe sëmundjeve kardiovaskulare të hënën, ka njoftuar familja e tij.

    “Dick Cheney ishte njeri i mirë që i mësoi fëmijët dhe nipat se si duhet të duhet shteti jonë dhe si të jetohet me guxim, nder e dashuri”, thuhet në njoftim.

  • Basha për Konjufcën: Njeri me shumë vlera, na duhen Kuvend dhe Qeveri funksionale

    Basha për Konjufcën: Njeri me shumë vlera, na duhen Kuvend dhe Qeveri funksionale

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, është deklaruar pas propozimit të Glauk Konjufcës si mandatar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    Para mediave, Basha e përshkroi Konjufcën si një “njeri me shumë vlera” dhe theksoi rëndësinë e krijimit sa më shpejt të një qeverie funksionale.

    “T’iu ikim zgjedhjeve, dhe e dyta kemi buxhetin e shtetit. Buxhetin e tri komunave dhe mbi 700 punonjës të RTK-së që i presin pagat. Na duhen Kuvend dhe Qeveri funksionale të vazhdojmë sa më shpejt”, tha kryeparlamentari.

    Ai nënvizoi se një qeveri funksionale është thelbësore për të siguruar stabilitetin e shtetit dhe shërbimet për qytetarët, duke shmangur vonesat dhe pasojat e mundshme të zgjedhjeve të parakohshme.

  • Pas nominimit të Konjufcës, Albin Kurti do të jetë ministër i Jashtëm në qeverinë e ardhshme

    Pas nominimit të Konjufcës, Albin Kurti do të jetë ministër i Jashtëm në qeverinë e ardhshme

    Pas nominimit të Glauk Konjufcës për mandatar të qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje, ish-kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se nëse qeveria e re formohet, ai do të marrë pozitën e Ministrit të Punëve të Jashtme.

    Këtë e ka konfirmuar vetë Kurti gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Kabineti do të vazhdojë me të njëjtin përbërje që unë kam propozuar, ndërsa unë vetë marr vendin e Glaukut dhe Glauk Konjufca merr vendin tim”, tha Kurti.

    Ky zhvillim vjen pas vendimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të propozuar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, si mandatar për formimin e qeverisë së re – një veprim që, sipas partisë, synon stabilitet institucional dhe shmangien e zgjedhjeve të parakohshme.

    Në fjalën e tij, Konjufca ka theksuar se prioritetet e kabinetit të ardhshëm do të jenë ruajtja e stabilitetit politik, zbatimi i buxhetit dhe përkushtimi ndaj interesit publik.

  • Deliu pas propozimit të Konjufcës si mandatari i ri: Lojë për të fituar kohë, zgjedhjet janë zgjidhja

    Deliu pas propozimit të Konjufcës si mandatari i ri: Lojë për të fituar kohë, zgjedhjet janë zgjidhja

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka reaguar pas propozimit të Glauk Konjufcës nga Lëvizja Vetëvendosje si mandatari i ri për formimin e Qeverisë.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Deliu ka theksuar se propozimi i një mandatari pa shumicë është, sipas saj, vetëm një përpjekje për të fituar kohë pas muajsh dështimi të qeverisjes.

    “Mandatari i ri pa shumicë është thjesht një lojë për të fituar kohë. 9 muaj dështim nuk mund të mbulohet me taktika politike. Zgjedhjet janë zgjidhja”, ka shkruar ajo.

    Reagimi i Deliut vjen në një kohë kur skena politike në vend është tensionuar pas vendimit të Vetëvendosjes për të propozuar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, si kandidat për kryeministër.

  • Reagon Abdixhiku: Mjaft me “mandatarë pa shumicë”, Republika nuk është lojë elektorale

    Reagon Abdixhiku: Mjaft me “mandatarë pa shumicë”, Republika nuk është lojë elektorale

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se zgjedhjet e reja janë domosdoshmëri, derisa ka thënë se asnjë parti politike nuk e zotëron shumicën e nevojshme parlamentare për ta formuar qeverinë e re.

    Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka thënë se shtyrjet procedurale dhe interpretimet “e stisura” vetëm sa thellojnë pasigurinë politike dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës.

    LDK-ja tutje ka apeluar për veprim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe afatet ligjore.

    “Dalja nga bllokada institucionale nuk mund të kërkohet përmes veprimeve jo-kushtetuese e marrëveshjeve të paqarta, por përmes kthimit te sovrani, te qytetari. Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri”, ka thënë ai.

    Postimi i plotë:

    Kjo shfaqje teatrale, e mandatarëve pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik, duhet të marrë fund. Republika nuk është material loje për llogaritje të vogla elektorale. Republika mbetet më e madhe se secili prej nesh.
    Trajtojeni si të tillë.
    Bëhuni të vërtetë!

    Shiqoni qytetarët në sy e tregojuni se nuk ka shumicë. Tregojuni qytetarëve se secila parti shqiptare, ka dhënë verdiktin politik, të deponuar tashmë në Presidencë. Ky verdikt është i qartë e është i thjeshtë. Sot, matematikisht, me vullnetin e deklaruar politik, nuk ka mundësi për shumicë.

    Pse gjithë ky zell për lojëra pa dinjitet minimal politik? A nuk ju duken mjaft 8 muaj vonesë në shtetin më të varfër në kontinent për t’i dhënë vonesa shtesë. A është qëndrimi me çdo kusht në pushtet edhe pa legjitimitet vlerë e re politike e një gjenerate që duhet të sjellë shpresë?
    Këto zvarritje janë veç thellime të krizave, për të cilat do të mbahet përgjegjësi politike.

    Dua të besoj se Presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë parlamentare. Ky vullnet i është deponuar Presidentes javën që shkoj, haptazi dhe qartë. Dua të besoj, se Presidentja do të deklarojë gjënë më të thjeshtë e më logjike sot: fatkeqësisht, në këtë Kuvend, nuk ka shumicë parlamentare dhe asnjë mbledhje e asnjë partie nuk ndryshon këtë fakt politik.

  • VV-ja propozon Konjufcën mandatar për kryeministër

    VV-ja propozon Konjufcën mandatar për kryeministër

    Glauk Konjufca është propozuar për mandatar për formimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje e cila ka mbledhur sot Këshillin e Përgjithshëm.

    Konjufca është propozuar pasi Albin Kurti nuk arriti t’i marrë votat.

    Kurti në propozim ka thënë se vetë do të jetë kandidat për ministër të Punëve të Jashtme, për çka ishte propozuar herën e shkuar Konjufca.

    “Këtë propozim e bëj për shkak të besimit të madh që kam për Konjufcën, por edhe për shkak që të mos bëhen zgjedhje tjera. Unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin”, ka thënë ai.

    Të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që në përpjekjen e parë dështoi të marrë votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, presidentes Osmani i kërkoi disa ditë kohë para se t`i kthejë përgjigje, nëse do të tentojë sërish të formojë qeverinë apo do t`u bashkëngjitet partive të tjera që janë përcaktuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

  • Minatorët kërkojnë rritje të pagave

    Minatorët kërkojnë rritje të pagave

    Sindikata e minatorëve ka kërkuar publikisht rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës në ndërmarrjet e sektorit të minierave.

    Në njoftim, minatorët theksojnë se gjatë viteve kanë punuar me durim dhe solidaritet, pa kërkuar rritje pagash, edhe pse sektori publik dhe privat kanë shënuar përmirësime,

    Ata vlerësojnë se përkushtimi i tyre ka sjellë rritje të dukshme të prodhimit gjatë vitit të fundit.

    “Çdo ditë rrezikojmë jetën dhe shëndetin duke punuar në kushte të vështira dhe pa mjete të mjaftueshme. Pa një ligj të veçantë që na mbron, detyrohemi të vazhdojmë punën edhe kur rreziku është i lartë,” thuhet në kërkesën e sindikatës.

  • Një në pesë fëmijë jetoi në zonë konflikti më 2024

    Një në pesë fëmijë jetoi në zonë konflikti më 2024

    Rreth 520 milionë fëmijë në gjithë botën kanë jetuar në zona konflikti më 2024, 47 milionë më shumë sesa në vitin paraprak, ose shifra më e lartë e regjistruar prej vitit 2005, sipas një raporti të organizatës ndërkombëtare për mbrojtje të fëmijëve, Save the Children.

    Organizata ka thënë se kjo nënkupton që një në pesë fëmijë në gjithë botën ka jetuar në një konflikti aktiv më 2024, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Sipas raportit, janë identifikuar 41.763 “shkelje të mëdha kundër fëmijëve” vetëm vitin e kaluar, çka përbën 30 për qind rritje prej vitit 2023, njëherësh shifër rekorde.

    Më shumë se gjysma e incidenteve kanë ndodhur në katër rajone: në territoret e pushtuara palestineze, në Republikën Demokratike të Kongos, Nigeri dhe Somali.

    Në përgjithësi janë regjistruar 61 konflikte nëpër shtete të ndryshme, edhe kjo shifra më e lartë prej vitit 1946.

    Florian Westphal, shef ekzekutiv i degës së Save the Children në Gjermani, ka bërë thirrje për veprime politike urgjente.

    Në kohën e rritjes së përforcimeve ushtarake në botë, mbrojtja e fëmijëve duhet të jetë në qendër të politikave të sigurisë, ka thënë ai, duke shtuar se është skandaloze që qeveritë po shpenzojnë më shumë në armë, sesa në mbrojtjen e fëmijëve në zonë konflikti.

    Gjetjet në raport janë rezultat i të dhënave të mbledhur nga Instituti për Kërkime të Paqes, me bazë në Oslo, si dhe raportet e Kombeve të Bashkuara.

    Zonat e konfliktit përcaktohen nëse në një zonë prej 50 kilometrash ka pasur të paktën një “incident konflikti” atë vit./rel

  • Reshjet e shiut: Policia apelon për kujdes maksimal në rrugët malore

    Reshjet e shiut: Policia apelon për kujdes maksimal në rrugët malore

    Për shkak të reshjeve të shiut, policia e Ferizajt ka apeluar tek të gjithë shoferët që qarkullojnë në rrugët malore Shtërpcë-Brezovicë, Shtërpcë-Prevallë, Kaçanik-Hani Elezit dhe Glliboçicë që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes.

    Sipas policisë, kushtet aktuale të motit me shi kanë shkaktuar rrugë të lagështa, dukshmëri të kufizuar dhe rrezik të shtuar për aksidente trafiku.

    “Po ashtu, në disa segmente të këtyre akseve mund të ketë shembje gurësh, rrëshqitje dhe pengesa të tjera, që mund të rrezikojnë qarkullimin e automjeteve”, thuhet në njoftim.

    Policia rekomandon që shoferët të respektojnë disa këshilla të rëndësishme për ngasje të sigurt:

    – Mbani dritat e ndezura për të përmirësuar dukshmërinë dhe për t’u bërë më të vërejtshëm për pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
    – Zvogëloni shpejtësinë, pasi rrugët e lagështa kërkojnë distancë më të madhe për frenim të sigurt.
    – Shmangni shpërqendrimet, sidomos përdorimin e telefonit gjatë ngasjes.
    – Mbani distancë të mjaftueshme nga automjetet përpara për të shmangur aksidentet.

    Në këto rrugë malore, tregoni kujdes shtesë ndaj shembjeve të gurëve dhe pengesave që mund të paraqiten papritur në rrugë.

    Policia Rajonale e Ferizajt rikujton se reshjet e shiut kërkojnë përgjegjësi dhe kujdes më të madh në trafik.

    “Siguria është në duart tuaja.”