ATV

Category: Lajme

  • Kërçova në duart e maqedonëve: Ja rezultatet e komunave të tjera shqiptare në Maqedoninë e Veriut

    Kërçova në duart e maqedonëve: Ja rezultatet e komunave të tjera shqiptare në Maqedoninë e Veriut

    Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka numëruar votat në komunat ku u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut.

    Në komunat me shumicë shqiptare, koalicioni VLEN ka fituar në pesë komuna, AKI në një, ndërsa VMRO-DPMNE ka fituar në dy komuna.

    VLEN ka arritur fitore në komunat: Bogovinë, Dibër, Dollnen, Strugë, Tetovë, ndërsa AKI ka arritur fitore vetëm në Komunën e Studeniçanit.

    Në Komunën e Kërçovës dhe atë të Bërvenicës, kryetarët e rinj do të jenë nga radhët e partisë maqedonase, VMRO-DPMNE.

    Në Kërçovë, VLEN ishte bërë bashkë me VMRO-DPMNE duke ia pamundësuar fitoren kandidatit Fatmir Dehari.

    “Ra Fatmir Dehari. Ra nga populli që u bashkua kundër shthurjes, punës joadekuate dhe u dëshmua se askush nuk është më i fuqishëm sesa populli. Ju treguam se çfarë mundemi kur jemi të bashkuar. Atje kemi bashkëpunuar de të ndryshme, etni të ndryshme, kundër atyre që e tërhiqni qytetin poshtë. Kjo e hap derën se mund të bashkohemi. Maqedonas, shqiptarë, turq, romë, serbë, vlleh, boshnjakë, të krishterë, myslimanë. VMRO-DPMNE, LSDM dhe të gjithë të tjerët rreth vlerave dhe politikave për të cilat kanë nevojë qytetarët. Për këtë duhet të punojmë. Fitoi bashkëjetesa dhe besimi në vlera. Ky është shembull i rëndësishëm sesa mund të arrijmë kur jemi të bashkuar. Fitoi ideja se Maqedonia është shtëpi për të gjithë, maqedonas, shqiptarë , turq, romë, serbë, boshnjakë dhe të tjerët. Të nderuar kërçovarë, unë jam me ju dhe Kërçova në periudhën në vijim duhet të jetë në fokus të qeverisë”, deklaroi Hristijan Mickoski.

    Rezultatet në komunat me shumicë shqiptare janë si më poshtë:

    Komuna e Bogovinës: Besnik Emshi nga AKI ka marrë 5.040 vota, ndërsa Feti Abazi nga VLEN 6.380.

    Komuna e Bërvenicës: Haqim Ramadani nga VLEN ka marrë 4.224 vota, ndërsa e ka humbur garën nga Jovica Ilievski i OBRM-PDUKM 4.369.

    Komuna e Dibrës: Fisnik Mela nga VLEN ka marrë 4.369 vota, ndërsa Ramadan Imeri si i pavarur ka marrë 3.674 vota.

    Komuna e Dollnenit: Blerim Islami nga VLEN ka marrë 3.979 vota, kurse Sashko Veljanoski 2.799 vota.

    Komuna e Kërçovës: Aleksandar Jovanovski nga OBRM-PDUKM ka marrë 13.697, ndërsa Fatmir Dehari nga AKI 11.326.

    Komuna e Strugës: Arsim Dalipi nga AKI ka marrë 11.411 vota, kurse Mendi Qyra si i pavarur por i përkrahur nga VLEN, ka marrë 12.040 vota.

    Komuna e Studeniçanit: Ejup Abazi nga AKI ka marrë 4.348, ndërsa Azem Sadiku ka marrë 4.141.

    Komuna e Tetovës: Bilall Kasami nga VLEN ka marrë 21.004, ndërsa Bajram Rexhepi nga AKI ka marrë 15.958.

  • Mbi 20 mijë fëmijë kanë lindur në Kosovë për nëntë muaj

    Mbi 20 mijë fëmijë kanë lindur në Kosovë për nëntë muaj

    Nga janari deri në shtator të këtij viti, në Kosovë kanë lindur gjithsej 20 mijë e 738 fëmijë.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës prej tyre 10 mijë e 730 janë djem, ndërsa 10 mijë e 009 vajza.

    Këto të dhëna tregojnë një raport të përafërt mes lindjeve të djemve dhe vajzave, me një numër pak më të lartë të djemve.

  • Anulohen për arsye logjistike, edhe ketë javë, seancat ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Anulohen për arsye logjistike, edhe ketë javë, seancat ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Seancat e parapara për këtë javë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, janë anuluar.

    Siç kanë njoftuar Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, kjo ka ndodhur për arsye logjistike.

    Ndërsa, seanca e radhës pritet të mbahet të hënën e 10 nëntorit 2025, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Dëgjimi i dëshmitarit që ishte planifikuar për sot, ishte shtyrë vazhdimisht.

    Sipas një parashtrese të mbrojtjes së Thaçit, ky dëshmitar ishte planifikuar të dëshmonte më 15 shtator në vend të James Rubin. Sipas tyre, dëshmia e tij është dashur të shtyhet vazhdimisht për shkak të çështjeve që janë jashtë kontrollit të mbrojtjes.

    Mbrojtja ka thënë se nëse dëshmitari që është planifikuar të dëshmojë më 3 nëntor 2025 nuk dëshmon, atëherë nuk ka asnjë dëshmitar të disponueshëm për këtë javë.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

    Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-s dhe pas 20 qershorit të 1999-s.

    “Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

    Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

    Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Tërmeti në Afganistan shkakton 19 viktima e qindra të plagosur

    Tërmeti në Afganistan shkakton 19 viktima e qindra të plagosur

    Të paktën 19 persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën pasi një tërmet me magnitudë 6.3 ballë goditi Afganistanin verior rreth orës 1 të mëngjesit sipas orës lokale të hënën (20:30 GMT të dielën), thanë zyrtarët.

    Shumica e viktimave u raportuan në provincat veriore Samangan dhe Balkh, sipas Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Afgane, shkruan Anadolu.

    Ajo shtoi se tërmeti shkaktoi “viktima të shumta njerëzore dhe humbje të mëdha financiare”.
    Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë për të kërkuar të mbijetuar.

  • Asociacioni i Komunave shpreh shqetësim të thellë lidhur me deklaratat e Kurtit

    Asociacioni i Komunave shpreh shqetësim të thellë lidhur me deklaratat e Kurtit

    Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë lidhur me deklaratat e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

    Kurti gjatë një tubimi të shtunën në Prishtinë, dy ditë para fillimit të fushatës zyrtare për balotazhin e zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit, ka thënë se “s’do t’u jap para kryetarëve që s’dinë të punojnë apo që vjedhin”.

    “Bordi i Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) shpreh keqardhje dhe shqetësim të thellë për deklaratat e fundit të z. Albin Kurti, Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, të cilat përmbajnë gjuhë fyese dhe paragjykuese ndaj kryetarëve të Komunave. Deklarata e z. Kurti se ‘nuk do t’u jap para Kryetarëve që nuk dinë të punojnë apo që vjedhin përbën jo vetëm një fyerje të drejtpërdrejtë për kryetarët e komunave dhe ata që janë në proces të zgjedhjes, të zgjedhur me votë të lirë, por edhe një cenim të parimeve themelore të barazisë institucionale dhe të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës. Që nga zgjedhjet lokale të vitit 2021 e deri më sot, asnjë kryetar komune nuk është me aktakuzë për vjedhje. Në anën tjetër, në nivel qendror ka raste të zyrtarëve, përfshirë edhe ministra apo zëvendësministra, ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza. Prandaj, përgjithësime të tilla pa bazë faktike dëmtojnë padrejtësisht imazhin e pushtetit lokal dhe besimin e qytetarëve në institucionet komunale”, thuhet në reagimin e AKK-së.

    AKK-ja ka rikujtuar se në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë zgjedhur kryetarë nga të gjitha subjektet politike, pa balotazh.

    Ajo ka thënë se ndarja e buxhetit është çështje e rregulluar me ligje e jo çështje dëshire e as mundësi për konsum elektoral.

    “Pra kjo është dëshmi e qartë e besimit të drejtpërdrejtë dhe të gjerë që qytetarët kanë ndaj udhëheqësve lokalë. Prandaj, është e arsyeshme të pyetet: a i përfshijnë deklaratat e Kryeministrit edhe këta kryetarë të zgjedhur që në raundin e parë, përfshirë edhe ata nga partia e VV-së? AKK-ja vlerëson se ndarja e buxhetit është çështje e rregulluar me ligje e jo çështje dëshire e as mundësi për konsum elektoral. Shumica e kryetarëve kanë qenë të pakënaqur me mënyrën e ndarjes së investimeve kapitale nga niveli qendror, të cilat bëhen nga ministritë e linjave. Këto investime nuk ndahen sipas formulave ligjore, ashtu siç ndahen grantet qeveritare, por sipas vendimeve politike dhe kritereve selektive, përfshirë ato partiake dhe etnike, duke krijuar pabarazi të dukshme mes komunave dhe duke cenuar parimin e trajtimit të barabartë. I nderuar z. Kurti, fondet publike janë të qytetarëve dhe ndahen për komunat sipas ligjeve në fuqi, jo sipas preferencave politike apo përkatësive etnike. Ato duhet të shpërndahen me kritere të qarta, të barabarta dhe transparente, në përputhje me ligjin dhe me frymën e bashkëpunimit ndërinstitucional”, thuhet në reagim.

    AKK-ja apelon për respekt institucional, dialog konstruktiv dhe bashkëpunim ndërmjet niveleve të qeverisjes, në funksion të forcimit të demokracisë lokale dhe përmbushjes së standardeve të Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.

    “Pushteti lokal nuk kërkon privilegje, por respektim të ligjit dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunat, pavarësisht përkatësive politike apo etnike”, thuhet nga AKK-ja.

  • Trump përjashton mundësinë e kandidimit për një mandat të tretë

    Trump përjashton mundësinë e kandidimit për një mandat të tretë

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përjashtoi mundësinë e kandidimit për një mandat të tretë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, ndërsa foli gjatë një interviste me emisionin 60 Minutes të CBS News, të transmetuar të dielën.

    “As nuk e mendoj. Do t’ju them, shumë njerëz duan që unë të kandidoj”, tha ai kur u pyet nga prezantuesja Norah O’Donnell nëse do të përpiqej të kandidonte për një mandat të tretë, shkruan Anadolu.

    I pyetur më tej për emrat e mundshëm, përfshirë Zëvendëspresidentin JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, Trump siguroi se i pëlqenin të dy.
    “Më pëlqejnë kaq shumë njerëz. Kemi një bankë të pabesueshme. Mund të kandidojmë dy persona së bashku. Kemi një bankë të shkëlqyer. Kështu që nuk dua të filloj të flas për zgjedhjet. Është shumë herët”, shtoi ai.

    Amendamenti i 22-të i Kushtetutës së SHBA-së e kufizon presidentin në vetëm dy mandate.

  • KQZ-ja shpall rezultatet për kryetar në tri komuna dhe certifikon 35 të tjera

    KQZ-ja shpall rezultatet për kryetar në tri komuna dhe certifikon 35 të tjera

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zhvillojë sot mbledhjen e radhës, e cila do të fokusohet kryesisht në shpalljen dhe certifikimin e rezultateve të ndryshme zgjedhore.

    Sipas njoftimit për media, mbledhja do të nisë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë komunash në Prishtinë, Mamushë dhe në Junik.

    Këto tri komuna nuk ishin përfshirë në shpalljen e rezultateve më 25 tetor, për shkak të ankesave që ishin dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) si edhe në Gjykatën Supreme.

    Pas këtij procesi, KQZ-ja do të kalojë në certifikimin e rezultateve për zgjedhjet e kryetarëve të 35 komunave të tjera, rezultatet e të cilave ishin publikuar në mbledhjen e muajit tetor.

    Gjithashtu, gjatë kësaj mbledhjeje pritet të shpallen edhe rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për 38 kuvende komunale në vend./

  • AVONET dorëzon padi ndaj Qeverisë në detyrë

    AVONET dorëzon padi ndaj Qeverisë në detyrë

    Rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET ka njoftuar se sot, do të dorëzojë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër vendimit të Qeverisë në detyrë, i cili ka të bëjë me miratimin e projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026.

    Në komunikatën për media thuhet se së bashku me padinë do të dorëzohet edhe kërkesa për vendosjen e një mase të përkohshme sigurie, me qëllim që të pezullohet zbatimi i vendimit deri në marrjen e një vendimi nga gjykata.

    Dorëzimi i dokumenteve do të bëhet në Pallatin e Drejtësisë, në Departamentin për Çështje Administrative, duke filluar nga ora 10:30.

    Pas dorëzimit të padisë, drejtori ekzekutiv i AVONET-it, Kenan Gashi, do të mbajë një deklaratë për media, ku do të shpjegojë arsyet e kësaj nisme ligjore.

    Sipas njoftimit, qëllimi i padisë është të sigurohet respektimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i Ligjit për Qeverinë, si dhe i parimeve të ndarjes së pushteteve dhe sundimit të ligjit.

  • Sot fillon fushata zgjedhore e balotazhit, përfundon me hapjen e vendvotimeve të dielën

    Sot fillon fushata zgjedhore e balotazhit, përfundon me hapjen e vendvotimeve të dielën

    Sot nis zyrtarisht fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, e cila do të zgjasë deri në momentin e hapjes së qendrave të votimit, më 9 nëntor, në orën 07:00.

    Fushata do të zgjasë gjashtë ditë dhe përfundon me hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve.

    Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash do të zhvillohet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

    Në nivel vendi, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) udhëheq me numrin më të madh të garave në balotazh që do të mbahen më 9 nëntor, e pasuar nga LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe.

    LVV-ja, garon në 12 komuna në balotazh

    LDK-ja, garon në 9 komuna në balotazh

    PDK-ja, garon në 6 komuna në balotazh

    AAK-ja, garon në 5 komuna në balotazh

    Lista Serbe, garon në 1 komunë në balotazh në Kllokot.

    LVV-ja pa ballotazh ka fituar në Kamenicë, Podujevë dhe Shtime, ndërsa PDK-ja në Skenderaj, Ferizaj dhe Han të Elezit. Pa balotazh, LDK-ja ka fituar në Istog dhe Lipjan, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Deçan.

    Gara është mbyllur që më 12 tetor edhe për Ramiz Lladrovcin në Drenas, si dhe për Nismën në Malishevë. Lista Serbe i ka fituar pa balotazh nëntë komuna me shumicë serbe.

  • Moti sot, ndryshe nga ditët “verore”që lamë pas

    Moti sot, ndryshe nga ditët “verore”që lamë pas

    Sot mbi vendin parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ku gjatë ditës mund të ketë ndonjë reshje të izoluar, ndërsa në mbrëmje pritet depërtimi i një fronti të ftohtë nga veriperëndimi i kontinentit, duke sjellë intensifikim të reshjeve në rang vendi.

    Reshjet lokalisht do të jenë në formë të rrebesheve, të cilat mund të shoqërohen me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, ndërsa në mbrëmje do të zhvendoset nga drejtimi i veriut, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-45 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 7 deri në 10°C, ndërsa ato maksimale prej 16 deri në 20°C. Në mbrëmje ulje e ndjeshme e temperaturave si pasojë e frontit të ftohtë. /MeteoKosova