ATV

Category: Lajme

  • Arrin në 114 numri i të vdekurve nga tajfuni ‘Kalmaegi’ në Filipine, shpallet gjendje katastrofe

    Arrin në 114 numri i të vdekurve nga tajfuni ‘Kalmaegi’ në Filipine, shpallet gjendje katastrofe

    Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., ka shpallur gjendje katastrofe pasi tajfuni Kalmaegi, një nga tajfunët më të fortë të këtij viti, shkaktoi përmbytje të mëdha në Filipinet qendrore, duke lënë të paktën 114 të vdekur.

    Stuhia ka përmbytur qytete të tëra në Cebu, ishullin më të populluar të rajonit, ku u raportuan 71 vdekje. 127 të tjerë janë të zhdukur dhe 82 kanë mbetur të lënduar, sipas zyrtarëve.

    Autoritetet provinciale të Cebus raportuan 28 vdekje të tjera, të cilat nuk u përfshinë në numrin e publikuar nga zyra kombëtare e mbrojtjes civile, sipas AFP-së.

    Kalmaegi u nis nga Filipinet të enjten në mëngjes dhe po lëviz drejt Vietnamit qendror, ku banorët janë ende të tronditur nga përmbytjet që vranë dhjetëra njerëz.

    Presidenti Marcos Jr. u ka thënë gazetarëve të enjten se ai mori vendimin për të shpallur gjendje katastrofe për shkak të dëmeve të shkaktuara nga tajfuni Kalmaegi, si dhe parashikimit të një stuhie tjetër, Uwan, e cila pritet të godasë vendin gjatë fundjavës.

    “Pothuajse 10 rajone, rreth 10 deri në 12 rajone, do të preken. Pra, nëse përfshihen kaq shumë zona, me atë lloj përmasë, atëherë është një katastrofë kombëtare”, ka thënë ai për mediat lokale.

  • Grabitja në Luvër, një nga të arrestuarit është ish-roje sigurie në një muze

    Grabitja në Luvër, një nga të arrestuarit është ish-roje sigurie në një muze

    Një nga burrat e arrestuar për vjedhjen e xhevahireve të kurorës me vlerë rreth 90 milionë euro nga Muzeu i Luvrit në Paris është një personazh i njohur në rrjetet sociale me pasion për motoçikletat, i cili ka punuar më parë si roje sigurie në qendrën Pompidou, raporton media franceze.

    I identifikuar si Abdoulaye N, 39 vjeç, ai u arrestua në shtëpinë e tij në Aubervilliers, gjashtë ditë pas grabitjes së 19 tetorit. Ai përballet me akuzat për vjedhje të organizuar dhe konspiracion kriminal, raporton The Guardian.

    Një gjykatë në Bobigny shtyu gjyqin e tij për shkak të “vëmendjes së medias dhe ngjarjeve të fundit”. Avokati i tij, Maxime Cavaille, tha se mbrojtja do të jetë “jashtëzakonisht vigjilente” për të ruajtur prezumimin e pafajësisë dhe privatësinë e klientit.

    Katër të dyshuar janë në paraburgim në lidhje me grabitjen, gjatë së cilës ata përdorën një kamion të vjedhur me shkallë dhe ashensor për të hyrë në galerinë Apollo. Banda hapi dyert dhe vitrinat e xhamit për të marrë xhevahiret dhe më pas ikën me motoçikleta, në një grabitje që zgjati më pak se shtatë minuta.

    Të dyshuarit vodhën tetë stoli të çmuara, përfshirë një gjerdan me smerald dhe diamant që Napoleoni I ia kishte dhënë gruas së tij të dytë, Marie Louise, dhe një stoli tjetër me 212 perla dhe rreth 2,000 diamante që dikur i përkisnin gruas së Napoleonit III.

  • Belgjika thërret takim urgjent të Këshillit të Sigurisë, shkak dronët

    Belgjika thërret takim urgjent të Këshillit të Sigurisë, shkak dronët

    Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Belgjikës do të mbajë një takim urgjent të enjten, pasi pamjet e dronëve në aeroporte shkaktuan kaos për udhëtarët dhe ngritën shqetësime për sigurinë.

    Mbërritjet dhe nisjet u ndaluan për disa orë të martën në mbrëmje në aeroportin më të ngarkuar të Belgjikës, atë të Brukselit, duke çuar në anulimin e dhjetëra fluturimeve.

    Qielli u mbyll gjithashtu mbi aeroportin e Liege, një qendër e rëndësishme për transportin e mallrave, duke çuar në anulime, vonesa dhe devijime të mëtejshme, raporton The Guardian.

    Ndërkohë, kryebashkiaku i qytetit flamand të Diest raportoi se oficerët e policisë dhe ushtrisë kishin parë katër dronë në bazën ajrore ushtarake Schaffen, aty pranë, të martën.

    Para pamjeve të fundit, autoritetet belge po hetonin pamjet misterioze të dronëve në disa baza ushtarake gjatë fundjavës, duke përfshirë Kleine-Brogel, pranë kufirit holandez, e cila është shtëpia e avionëve luftarakë F-16 të Belgjikës dhe raportohet se ruan armë bërthamore amerikane.

    Pamjet e dronëve në Belgjikë janë rastet më të fundit pas një rritjeje të ndërhyrjeve në hapësirën ajrore evropiane që nga mesi i shtatorit. Në javët e fundit, dronë janë parë në Republikën Çeke, Danimarkë, Estoni, Gjermani, Poloni, Norvegji dhe Spanjë.

    Lituania mbylli dy aeroportet e saj më të mëdha muajin e kaluar pasi balona me helium, të dyshuara se mbanin cigare kontrabandë, hynë në hapësirën e saj ajrore.

    Kryeministri i Lituanisë më vonë i quajti këto ndërhyrje “sulme hibride”, një term i përdorur për të përshkruar përpjekjet e destabilizimit nga Moska.

    Në shtator, tre avionë ushtarakë rusë bënë ndërhyrje në hapësirën ajrore të Estonisë, ndërsa Rumania ngriti në ajër dy avionë F-16 pasi qielli i saj u shkel nga një dron pas një sulmi rus ndaj Ukrainës fqinje.

  • Miratohet kërkesa për të rezervuar një ditë shtesë për dëshminë e Clarkut

    Miratohet kërkesa për të rezervuar një ditë shtesë për dëshminë e Clarkut

    Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues shqyrtoi disa kërkesa të Mbrojtjes së Thaçit në lidhje me dëshminë e ardhshme të dëshmitarit të saj të planifikuar të Wesley Clark (1DW-007).

    “Pasi u informua se kjo dëshmi mund të fillojë vetëm më 18 nëntor pasdite, dhe pas shqyrtimit të kohës së nevojshme të vlerësuar nga palët, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Mbrojtjes për të rezervuar një ditë shtesë për seancë, më 21 nëntor, për të përmbyllur dëshminë. Trupi Gjykues deklaroi se kjo ditë shtesë ishte rezervuar për të përmbyllur në mënyrë të shpejtë dhe të efektshme paraqitjen e argumenteve nga Mbrojtja, por megjithatë i kërkoi palëve që të përpiqen ta përmbyllin dëshminë më herët nëse është e mundshme”, njofton Specialja.

    Ndryshe për javën e ardhshme, seanca  mbahet të hënën, 10 nëntor 2025 dhe do të fillojë në orën 14:00 dhe do të përfundojë në orën 17:00.

  • Gjendja e zyrtarit të BE-së të plagosur në Gjakovë mbetet stabile – vazhdon trajtimin në QKUK

    Gjendja e zyrtarit të BE-së të plagosur në Gjakovë mbetet stabile – vazhdon trajtimin në QKUK

    Zyrtari i Bashkimit Evropian, S.Sh që u plagos të martën mbrëma në Gjakovë, po vazhdon të trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK.

    Gjendja e tij është stabile dhe po monitorohet nga mjekët. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci.

    “I njëjti vazhdon të jetë në trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe gjendja e tij është stabile”, tha Kolegci.

    Zyrtari i BE-së u sulmua me mjet të mprehtë të martën në mbrëmje në qytetin e Gjakovë, ku si pasojë ka pësuar lëndime në kokë, qafë dhe gjoks.

    Viktima ka pësuar një plagë prerëse-shpuese afër veshit të majtë, dy plagë të vogla në pjesën përpara të gjoksit, si dhe frakturë të brinjës së tretë djathtas dhe një pneumotoraksi (ajër në mushkëri) që aktualisht është në vëzhgim.

    Në ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar nisjen e hetimeve për rastin, ndërsa bashkëpunimi po shtrihet edhe me njësitë policore për të zbardhur plotësisht rrethanat.

    “Nga momenti kur e ka pranuar rastin në trajtim, ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi. Në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike”, kanë deklaruar të mërkurën nga Prokuroria Speciale.

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është shprehur e tronditur për ngjarjen, dhe i ka uruar rikuperim të shpejtë dhe të plotë zyrtarit të saj.

    Rasti është duke u hetuar si vrasje e rëndë në tentativë kurse motivet e këtij sulmi mbeten ende të paqarta. /Telegrafi/

  • Kush është Zohran Mamdani, migranti 34-vjeçar që do të udhëheqë New Yorkun

    Kush është Zohran Mamdani, migranti 34-vjeçar që do të udhëheqë New Yorkun

    Vetëm një vit më parë ishte pothuajse i panjohur, Zohran Mamdani tani është bërë kryetar i 111-të i bashkisë së New Yorkut.

    Shumë njujorkezë ia pëlqejnë prejardhjen prej migrantit dhe parimet socialiste, por jo edhe presidenti amerikan, Donald Trump.
    Qyteti më i madh në Shtetet e Bashkuara më 4 nëntor përfundoi votimin për zgjedhjet e kryetarit të bashkisë për vitin 2025, ku 34-vjeçari mposhti republikanin, Curtis Sliwa dhe kandidatin e pavarur, Andrew Cuomo, i cili u mbështet nga Trump dhe Elon Musk.

    Mamdani lindi më 8 tetor 1991 në Kampala, në Ugandë, me emrin Zohran Kwame Mamdani.

    Ai është mysliman me prejardhje indiane. Nëna e tij, Mira Nair, është regjisore e njohur, ndërsa babai i tij, Mahmood Mamdani, është shkencëtar.

    Familja iu zhvendos përkohësisht nga Uganda në Afrikën e Jugut kur Zohran ishte pesëvjeçar.
    Dy vjet më vonë ai arriti me familjen në New York. Ai e ka përshkruar fëmijërinë si “të privilegjuar”, por pranon se përvoja nuk ishte tipike për atë qytet.

    Ngjitja politike ka qenë e shpejtë. Ai u zgjodh në Asamblenë e shtetit të New Yorkut në vitin 2020.

    Kur në muajin tetor të vitit 2024 shpalli kandidaturën për kryetar bashkie, shumë njerëz menduan se nuk kishte asnjë shans të afrohej me nominimin. Në fund, triumfi ndaj Cuomos ishte bindës fitoi 56,4 për qind të votave.

    Mamdani është adhurues i hip-hopit dhe dikur ka performuar e prodhuar vetë muzikë në atë zhanër.

    Ai është tifoz i disa klubeve sportive, përfshirë ekipin e bejzbollit New York Mets, ekipin e futbollit amerikan New York Giants dhe klubin londinez të Arsenalit.

    Cilat janë qëndrimet e tij politike?
    Pjesërisht falë punës së mëparshme, kur ndihmonte të varfrit të shmangnin dëbimet e detyruara, strehimi i përballueshëm është bërë shtylla kryesore e fushatës së tij.
    Në metropolin që ka qiratë më të shtrenjta në botë ku një apartament mesatar me tre dhoma kushton 8.500 dollarë në muaj (rreth 7.350 euro) thirrjet për ngrirjen e qirave të banesave me qira të rregulluara, ndërtimin e më shumë banesave të përballueshme dhe kontroll më të rreptë mbi pronarët privatë kanë gjetur miratim te qytetarët.

    Anëtarësimi tek grupi amerikan socialisto-demokrat e konfirmoi më tej bindjen e tij ideologjike. Ai propozon një taksë të unifikuar prej 2 për qind mbi të ardhurat mbi një milion dollarë në vit, rritje të taksës mbi fitimin, futjen e transportit publik falas me autobusë, pagë minimale prej 30 dollarësh në orë (në vend të 16,50 që është tani) dhe zgjerimin e kujdesit publik për fëmijët.

    “Duhet të flisni në një gjuhë që të gjithë e kuptojnë dhe në të cilën mund të identifikohen”, tha Mamdani për të përjavshmen britanike The New Statesman. “Dhe duhet të flisni për betejat që njerëzit i përballojnë çdo ditë. Partia Demokratike shpesh flet për demokracinë, por nëse nuk mund të përballoni të jetoni në qytetin që e quani tuajin nuk keni kohë të shqetësoheni për vlerat”, deklaroi ai.

    Pse është i rëndësishëm posti i kryetarit të bashkisë së New Yorkut?

    Me pothuajse 8,5 milionë banorë dhe rreth 65 milionë vizitorë në vit, New Yorku është një qendër kulturore dhe financiare globale që përballet me sfida serioze në fushat e strehimit, transportit dhe financave publike.

    Kryetari i bashkisë ka në dispozicion një buxhet prej 116 miliardë dollarësh dhe gëzon kompetenca të gjera.

    Pas fitores së Mamdanit, përplasjet me Donald Trumpin i cili është gjithashtu nga New Yorku – pothuajse me siguri do të bëhen një temë e vazhdueshme.

    Trump e ka quajtur tashmë “i çmendur komunist” dhe “një katastrofë që mezi pret të ndodhë”.

    Mamdani, nga ana tjetër, ka thënë se do të përpiqet të bashkëpunojë me presidentin për të mirën e qytetit, por se nuk do të lejojë të frikësohet.

    Duke pasur parasysh se pikëpamjet e tyre politike janë diametralisht të kundërta, marrëdhënia midis presidentit dhe kryetarit të ri të bashkisë së New Yorkut mund të shndërrohen në një tjetër fushëbetejë të politikës amerikane.

  • Osmani njofton se dje e ka takuar Prattipatin për të folur rreth “zhvilllimeve të fundit dhe sigurisë”

    Osmani njofton se dje e ka takuar Prattipatin për të folur rreth “zhvilllimeve të fundit dhe sigurisë”

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Pratipati.

    Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë në çështjet që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin institucional.

    Presidentja Osmani ka rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar partneritetin ndërmjet dy vendeve si strategjik dhe thelbësor për suksesin dhe zhvillimin e Kosovës.

  • BE-ja e konfirmon shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi

    BE-ja e konfirmon shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi

    Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka deklaruar se shkelja e të drejtave të shqiptarëve në Serbi është konstatuar edhe nga Bashkimi Evropian.

    Përmes një postimi në Facebook, Bislimi ka thënë se në raportin e sivjetmë të Komisionit Evropian për Serbinë konfirmohet se Beogradi vazhdon të dështojë në respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare, përfshirë shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

    “Në raport theksohet se korniza institucionale për mbrojtjen e pakicave mbetet e paplotë dhe se shqiptarët vazhdojnë të përballen me diskriminim, nënpërfaqësim dhe pasivizim të adresave. Siç kemi denoncuar gjatë mandatit tonë, po dëshmohet se këto praktika përbëjnë artikulim të politikave që synim kanë spastrimin etnik të shqiptarëve përmes mjeteve administrative. Ky pasivizim i cili është duke u bërë për vite me radhë, është shumë e rëndësishme që më në fund BE ka pranuar që ta reflektojë dhe bëjë pjesë të vlerësimeve përfundimtare të raportit zyrtar të Komisionit Evropian, duke vendosur theks në kontrollimin e procedurave të pasivizimit”, thuhet në postimin e tij.

    Bislimi tutje ka thënë se në raport konstatohet edhe se raportimi në televizione publike në gjuhët amtare të minoriteteve është i pamjaftueshëm, ndërsa retorika urryese ndaj minoriteteve në Serbi nga politikanët dhe në media ka vazhduar.

    “Kosova do të vazhdojë të ngrejë këto çështje në çdo nivel ndërkombëtar, derisa barazia, dinjiteti dhe të drejtat e shqiptarëve në Serbi të garantohen plotësisht”, ka shtuar ai.

  • Presidentja Osmani ngushëllon familjet e viktimave nga zjarri në Tuzla

    Presidentja Osmani ngushëllon familjet e viktimave nga zjarri në Tuzla

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e 11 personave në Bosnjë e Hercegovinë pas një zjarri tragjik në një shtëpi kujdesi në Tuzla.

    E para e shtetit, përmes një postimi në rrjetin social X, shprehi po ashtu shërim sa më të shpejt dhe të plotë për të plagosurit.

    “Populli i Kosovës është i pikëlluar nga zjarri tragjik në një shtëpi kujdesi në Tuzla, i cili ka marrë jetë të çmuara dhe ka lënë familjet në pikëllim të thellë. Në emër të popullit të Kosovës, u shpreh ngushëllimet tona më të thella familjeve të të ndjerëve dhe popullit të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Kujtimi i të humburve u sjelltë ngushëllim të dashurve të tyre dhe të plagosurit shërofshin shpejt dhe plotësisht. Iskreno saučešće porodicama nastradalih. Republika e Kosovës është me ju!”, ka shkruar Osmani.

  • Prokuroria Speciale nis hetimet për rastin e plagosjes së zyrtarit të BE-së në Gjakovë

    Prokuroria Speciale nis hetimet për rastin e plagosjes së zyrtarit të BE-së në Gjakovë

    Prokuroria Speciale ka nisur hetimet lidhur me plagosjen e një zyrtari të Bashkimit Evropian, i cili u sulmua të martën në Gjakovë.

    Zëdhënësja e PSRK-së, Nora Luta konfirmoi se në bashkëpunim me Policinë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike.

    “Prokuroria Speciale ju njofton se nga momenti kur e ka pranuar rastin në trajtim, ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi. Në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike. Duke theksuar se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, tha Luta.

    Në anën tjetër, në raportin 24 orësh të Policisë thanë se viktima kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë pasi kishte dy plagë që dyshohet se i janë shkaktuar nga mjeti i mprehtë. Rasti u iniciua si “Vrasje në tentativë”.

    “NN.04.11.2025-19:57. Viktima mashkull shtetas i huaj ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF Gjakovë, pasi që i njëjti kishte dy plagë të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë. Viktima me udhëzim të mjekut kujdestar është dërguar në QKUK. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.